Nga ILIR ÇUMANI
Shërimi i Dr. Lulit nga virusi i padukshëm e tinëzar Covid - 19, sot ishte një lajm i mirë, i gëzueshëm, i mezipritur, që më ngazëlleu pafundësisht mua dhe familjen time.
Jam i bindur se, ashtu si unë, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij, të njohur dhe të panjohur, studentë dhe ish studentë të shumtë të profesorit, të gjithë shqiptarët, janë lumturuar pa masë me këtë lajm të gëzuar.
Kur mora vesh përmes medias se Dr. Luli ishte prekur nga Covid - 19, nuk u befasova aq shumë. Duke e njohur prej 30 vjetësh këtë burrë fisnik, këtë NJERI të rrallë që gjithë jetën e Tij ka punuar dhe jetuar për të tjerët, mendova se, nuk ka dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Pas një investimi gjysëm shekullor si mjek infeksionist, e, për vite me rradhë Shefi i Pavionit infektiv në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai tashmë kishte dalë në pension.
Mirëpo, me shpërthimin dhe përhapjen e pandemisë Covid – 19, Dr. Luli nuk mund të qëndronte duarkryq në shtëpi, por u bashkua vullnetarisht në një llogore sërish krah kolegëve me bluza të bardha, në betejën për tu përballë me këtë armik të rrezikshëm e të padukshëm, i cili kërcënon në masë jetët njerëzore.
Një vendim që vetëm mjeku pasionant mund ta merrte aty për aty, në mes gjithë asaj zjarrmie dhe ankthi të frikshëm që ka përfshirë mbarë shtete dhe kontinente. Dhe e gjitha kjo, tregon qartësisht se ç’farë përfaqëson e mishëron në vetvete ky NJERI....!
Në foto: Mjeku infeksionist, Prof. Dr. Dhimitër Kraja dhe autori i shkrimit, Ilir Çumani.
Prof. Dr. Dhimitër Kraja, (Dr. Luli) siç e njohin të gjithë, nuk është vetëm një aset i vyer i medicinës shqiptare, por së pari është një shkencëtar mirëfilli në fushën e epidemiollogjisë, së cilës i kushtoi rininë, të gjitha energjitë e pashtershme, mëndjen, shpirtin këtij profesioni në dobi të shëndetit të shqiptarëve.
Pa e ekzagjeruar aspak, mund te them se Ai, si rrallëkush është dhe mbetet një MISIONAR i zellshëm për mbrojtjen dhe vazhdimësinë e JETËS, modest deri në përulësi kristiane, besnik fanatik e luftëtar i paepur i parimeve humane për ekzistencën e njerëzore.
E nëse do të jetonte në kohën e Hipokratit, (i cili njihet si themelues i mjekësisë klinike ne Greqinë e Vjetër, gjatë shek. 460 p.e.s), padyshim që Dr. Luli, do të ishte i përzedhuri kryesor mes nxënësve të tij, një Dishepull i mençur, i heshtur dhe i urtë i rangut të parë i babait të mjekësisë....
Krenar për TY Mik i shtrejntë, Dr. Luli! Më vjen mirë që nga sot, të njohin shumë e më shumë shqiptarë, ngase asnjëherë nuk të ka pëlqyer protagonizmi, publiciteti, jo e jo…!
Edhe pse kontributi, lodhja, sakrificat, modestia dhe puna jote është e pa çmuar, e pangjashme, e pashembullt, inspiruese dhe frymëzuese deri në mallëngjim…
Ky kontribut, meriton hapësira pafund në dritaret e mediumeve tona dhe në dëgjesat publike për t’iu qasur modeleve pozitive që sot na nevojiten më shumë se kurrë. Ti mbetesh përgjithmonë HEROI i heshtur i dhimbjes dhe i sakrificave sublime NJERËZORE!
Zoti qoftë gjithmonë me Ty dhe familjen tënde të
mrekullueshme!
05.04.2020
No comments:
Post a Comment