Friday, July 26, 2013

BIRËSIMI, KY LIGJ PAK I NJOHUR NGA TË GJITHË DHE I KEQKUPTUAR…





    NGA ILIR ÇUMANI*________



Birësimi, ky ligj pak i njohur nga të gjithë dhe i keqkuptuar...

Me birësim, kuptojmë transferimin legal të të drejtave dhe përgjegjësive  prindërore  nga prindërit biologjikë  tek prindërit birësues.


Përgjithësisht, kjo procedurë shoqërohet me një  praktikë administrative dhe gjyqësore përmes  së cilës fëmijës që është i privuar ose jo nga mungesa e mjedisit familjar, i sigurohet një tjetër familje e re alternative, që gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet  njëlloj si me ato të prindërve biologjik.
Kur ky proces  përfundon me anë të një vendimi të gjykatës së shkallës së parë, që është i parevokueshëm, (i parikthyeshëm),  statusi ligjor i fëmijës kalon  nga ai i prindërve biologjik, tek prindërit birësues. Në këto rrethana, të dhënat në certifikatën e lindjes të fëmijës të birësuar  ndryshojnë në një certifikatë të re, me mbiemrin e prindërve birësues.
Nëse bashkëshortët  birësues kanë mbiemra të ndryshëm, në marrëveshje  të plotë mes tyre  ata  vendosin  se cilën mbiemër do të mbaj fëmija, por, në rast të kundërt,  fëmija mban mbiemrin e babait birësues. Me kërkesën e birësuesve, gjykata mund të ndryshoj emrin e fëmijës së birësuar, por edhe vendlindjen e tij.
Të gjitha këto ndryshime të kryera në Zyrën e Gjëndjen Civile, duhet të ruhen sekret nga të gjithë nënëpunësit dhe palët që përfshihen në këtë proces.


Nga ana tjetër, fëmija që birësohet,  e humbet të  drejtën e trashëgimisë ligjore nga ana   prindërve  biologjik. Këtë të drejtë, ai  e fiton  përmes  prindërve  birësues, njëlloj dhe në mënyrë të barabartë me vëllezërit dhe motrat e paralindur dhe të paslindur në familjen birësuese.
Pas moshës 18 vjeç, ose edhe atëherë  kur mosha dhe niveli i pjekurisë  e lejojnë,  i mituri  ka të drejtë  të njihet me historinë e tij, nëse është e mundur pse jo edhe me të dhënat e prindërve të tij biologjikë.
Por, nga ana tjetër,  informacioni për fëmijën  mund të kufizohet ose të refuzohet tërësisht në ato raste kur për arsye objektive mendohet se nga ky informacion mund të vijnë pasoja të rënda dhe të padëshirueshme për të gjithë.

Para viteve ’90, birësimet realizoheshin me procedura më të thjeshta nga ana e gjykatave, të cilat administronin kërkesat nga shtëpitë e foshnjave dhe  shtëpive të  fëmijëve  për birësim vetëm brenda vendit, ose përmes palëve me pëlqim brenda gjinisë.
Me hapjen e vendit, duke qërë se ligji që ekzistonte më parë ishte  më liberal dhe nuk i përgjigjej më kërkesave e zhvillimeve të reja politike, demografike,  ekonomike e sociale që po përballej Shqipëria postkomuniste, dolën në pah disa probleme të rënda që favorizuan lehtësisht individë të korruptuar, apo edhe institucione  të cilët,  duke përfituar edhe nga  vakumi ligjor, realizuan dhe u morrën me birësime të paligjshme për qëllime fitimi. Në këtë proces abuziv dhe të paligjshëm u përfshinë disa drejtues të institucioneve të përkujdesit social, prokurorë, avokat, gjykatës, etj.  Vetëm në vitin 1991, janë realizuar 100 birësime jashtë vendit. Ndërsa në 10 muajt e parë të vitit 1992, janë realizuar 80 birësime të paligjshme, ku binte në sy edhe angazhimi i drejtëpërdrejtë i familjeve në nevojë, vëçanërisht i familjeve rome, të cilat interesoheshin të birësonin tek të huajt fëmijët e tyre për qëllime fitimi. Të gjitha këto birësime janë kryer në mënyrë të paligjshme.


Në këto rrethana, duke e parë situatën e dalë jashtë kontrollit, ne,  një grup përfaqësuesish të Këshillit Kombëtar, themelues  të Shoqatës së Jetimëve Shqiptarë i kërkuam kreut të shtetit të asaj kohe z. Ramiz  Alia të lëshonte një dekret me anën e të cilit të pezullohej birësimi ndërvendas (nga të huajt),  deri në formulimin e dekretimin e një ligji te ri.
Në muajin maj të vitit 1992, presidenti pasardhës i z. Alia,  Sali Berisha, e nxiti edhe më tej këtë nismë duke krijuar  një  Komision Shtetëror që do të analizonte situatën në vend dhe shkaqet e këtyre abuzimeve.
Tashmë, autoriteti i vetëm që do të merrej me procedurat administrative të birësimit, ishte dhe është Komiteti Shqiptar i Birësimit, një organizëm  i lartë administrativ shtetëror, jofitimprurës,  i themeluar në vitin 1993, i cili ka qenë  në varësi të  Këshillit të Ministrave deri vonë.
Por, ky organizëm nuk ka të drejtë të birësoj fëmijë, pasi  janë gjykatat ato që shprehen dhe vendosin që fëmija të birësohet ose jo me anë të një vendimi  të formës së prerë,  që është i parevokushëm.
Vitet e fundit, Komitetit Shqiptar i Birësimit,  ka kaluar në varësi të Ministrisë së  Drejtësisë, e cila  ka të drejtë ti propozojë Kryeministrit  emrin e ri të Kryetarit të Komitetit Shqiptar të Birësimit,  emërimin dhe shkarkimin e tij.


Në kuptim të nenit 240, të Kodit të familjes, motoja dhe qëllimi  i  vetëm për birësimin e një fëmije është interesi i lartë i të miturit, që  garanton  respektimin e të drejtave themelore bazuar në Konventën e Hagës si dhe të ligjit nr. 33, “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.
Në procedurat e birësimit kalojnë ata fëmijë  që janë të  mitur dhe që nuk e kanë mbushur moshën  18 vjeç, si edhe ata të cilët,  me vendim të Gjykatës së shkallës së parë u është hequr e drejta prindërore, apo që kujdestaria e tyre i ka  kaluar shtetit ose të afërmëve të fëmijës. Nuk përjashtohen nga kjo procedurë,  edhe ata fëmijë që kanë marrë pëlqimin e prindërve biologjikë për të kaluar në procedurat e birësimit, si edhe ata që janë lënë në kujdestari të institucioneve të përkujdesit social shtetëror, por që prindërit,  në mënyrë të dukshme nuk kanë treguar interes prindëror përgjatë 1 viti. Për ata fëmijë që janë deklaruar qysh në lindje të braktisur, afati për birësimin e tyre kufizohet nga 1 vit,   në 3 muaj.


Nga momenti që këta fëmijë janë rregjistruar në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit,   nëse për 6 muaj rresht nuk kanë patur mundësi për t’u birësuar nga birësues vendas, atëherë ata kalojnë në procedurë të përshpejtuar për birësim nga shtetas të huaj.
Nuk mund të birësohet një i mitur nga një i paralindur ose i paslindur, që mund të  jenë vëllai  ose motra.
Nuk mund të birësojnë as ata persona që me vendim gjykate u është hequr e drejta prindërore, as  ata që kanë qënë të penalizuar nga organet e drejtësisë, ose ata që vuajnë nga sëmundjet psiqike dhe kanë zhvillim të vonë mendor që vënë  në rrezik  shëndetit dhe  mirërritjen e fëmijës që birësohet. Nuk mund të birësojnë as  ata që nuk garantojnë  kryerjen e detyrës prindërore si birësues në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe shkollimin e atij që birësohet.
Nga ana tjetër, nuk mund te realizohet birësimi kundrejt një shpërblimi. Nëse palët e përfshira si, prindi, kujdestari apo çdo person tjetër për vete apo për llogari të të tretëve, e kanë realizuar procesin e birësimit të një fëmije përmes kundërshpërblimit dhe përfitimit në të holla apo të të mirave materiale,  në bazë të  nenit  17, të ligjit 7650, dt. 17.12.1992, “Për birësimet e të miturve nga shtetas te huaj dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes”, këta persona dënohen me 5 vjet heqje lirie. Në këtë rast, të gjitha përfitimet e paligjshme konfiskohen nga shteti, ose në të kundërtën, i dënuari detyrohet të paguaj vlerën e barasvlefshme.


Ndalohet birësimi ndërvendas (me jashtë),  kur birësimi nuk njihet në vendin e shtetasve të huaj që kërkojnë të birësojnë,  kur arrihet në përfundim se birësimi nga këta të huaj sjell pasoja për të miturin, dhe nëse i mituri,   në vendin ku banojnë   birësuesit nuk gëzon të njëjtat  të drejta që ai ka në Shqipëri.
Kemi birësime brenda gjinisë, (fisit), dhe birësime jashtë gjinisë. Birësimet brenda gjinisë janë më me pak trauma dhe lehtësisht të realizueshme, pasi palët bien në marrëveshje të plotë mes tyre,  ndërsa birësimet jashtë gjinisë i nënështrohen një procedure tepër korrekte dhe konfidenciale për të mos lënë shkaqe për trauma që mund të bien mbi fëmijën dhe familjet e përfshira në këtë proces.
Kemi birësime vendase, (brenda vendit)  dhe birësime ndërvendase, (nga të huajt). Kryesisht janë birësuar fëmijë në Itali, Francë, SHBA, Kanada, Maltë, Austri, Suedi. Gjithësej janë realizuar 1346 birësime nga viti 1994 – 2011.
Numri i kërkesave për  birësime nga të huajt është më i madh. Zakonisht parapëlqehen nga çiftet vendase birësimi i fëmijëve në  mosha të vogla, mundësisht  brenda vitit të parë të jetës  dhe kryesisht  preferohen birësimi i vajzave. Ky fakt, lidhet edhe me një kulturë ende  të cekët mbi këtë proces të rëndësishëm me karakter  thellësisht human, ngase shkaku kryesor është shqetësimi thelbësor i këtyre çifteve që fëmija të mund  t’i  identifikoj këto çifte në të gjitha aspektet si prindër biologjikë.
Birësuesi duhet të ketë një distancë  moshe  të paktën 18 vjet me të birësuarin, dhe, në qoftëse birësohet fëmija e bashkëshortit, diferenca e moshës duhet të jetë jo më pak se 15 vjet.


Të   miturit, i cili  ka  mbushur moshën 10 vjeç, i merret  mendimi për birësimin e tij, ndërsa  kur ka mbushur moshën 12 vjeç i merret edhe pëlqimi  duke e vënë në dijeni për të gjitha pasojat që sjell ky birësim.
Nga eksperienca e deritanishme  është vënë re se çiftet që interesohen për birësime vendase,  pikësëpari synojnë të përmbushin nevojën e tyre për të pasur një fëmijë, në pamundësi për ta realizuar këtë gjë  në mënyrë biologjike. Kështu, 100% e çifteve aplikante,  janë  çifte pa fëmijë. Nga statistikat, rezulton se  mosha mesatare  e çifteve është 41 vjeç për mashkullin dhe 32 vjeç për femrën, dhe se ata kanë një bashkëjetësë  prej afro 13 -15 vjet, deri në momentin që ata kanë vendosur të birësojnë fëmijë. Është konstatur se 78.5 % të çifteve i përkasin zonave urbane, ndërsa 21.5%  e tyre i përkasin zonave rurale.
Numri i  kërkesave  për birësim është i madh, por jo të gjithë kërkuesit që pretendojnë dhe aplikojnë pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit për birësimin e një fëmije  e fitojnë këtë të drejtë, pasi ky proces  kalon përmes proceduarave selektive. Këto procedura,  janë të bazuara në plotësimin e disa kritereve të studiuara në shumë aspekte nga Sekretariati Ekzekutiv i Komitetit Shqiptar i Birësimeve.
Çiftet që pretendojnë birësimin e një fëmijë, duhet të plotësojnë kushtet ekonomike,  ku të garantojnë të ardhurat periodike të karakterit ekonomiko – financiar. Por krahas kësaj, prioritet kanë ato çifte që kanë një nivel arsimor  të kënaqshëm  dhe që i garantojnë fëmijës një edukim cilësor të kakrakterit psikosocial e psikoemocional.


Çiftet e interesuar për birësim  i nënështrohen kurseve të trajnimit, intervistave  të shumta që ata realizojnë nëpërmjet  punonjësve të Sekretariatit Ekzekutiv të KSHB, të cilët janë specialistë në fushën e të drejtave të fëmijëve, juristë, psikolog, sociolog, të cilët, në bazë të informacionit që ata mbledhin dhe administrojnë gjatë hulumtimit faktik, realizojnë përshtatshmërinë midis çifteve kandidat për birësim dhe fëmijës kandidat për tu birësuar.
Nëse të dhënat flasin për një përputhshmëri të plotë mes palëvë, atëherë dosjet për të cilat janë përgatitur gjatë kohës së intervistës shqyrtohen  në mbledhjet e radhës të KSHB. Mbledhja realizohet me pjesëmarrjen e një bordi vendimarrës, që përbëhet nga përfaqësues të Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e  Brendëshme, Ministria e Punëve të Jashtëme, Ministria e Financave, etj.
Ky bord, miraton kalimin për procedurë në gjykatë të të gjitha rasteve që janë konstatuar për përputhshmërinë e çiftit birësues dhe fëmijës që birësohet.
Gjatë kësaj kohe, përpara se të shprehet gjykata për birësimin e fëmijës,  ky i fundit,  mund të ndërtoj marëdhënie dhe afinitet me familjen që është kandidate për birësim, duke e konsideruar këtë periudhë 3 mujore  si kohë prove mes palëve, për të parë nëse ka funksionuar kjo lidhje e fëmijës me familjen birësuese apo jo.
Kjo periudhë, i jep shansin e fundit për reflektim  prindërve biologjik që të tërheqin mbrapsht pëlqimin që kanë dhënë për birësimin e fëmijës dhe për ta rikthyer atë në familjen e vet biologjike.
Të bënë përshtypje fakti se,  institucionet e perkujdesit social hezitojnë të paraqesin listat pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit për ata fëmijë që  i plotësojnë kriteret për të kaluar në këto procedura.
Kjo ndodh për faktin se shtëpitë e foshnjave dhe shtëpitë e fëmijëve  i trëmben  zvogëlimit të numrit të fëmijëve që rriten në këto institucione për shkak të tkurrjes se numrit të punonjësve që punojnë atje.
Për këtë arsye, edhe ligji  aktual me nr. 9695, date 19.03.2007, “Për procedurat  e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve”, i përmirësuar edhe më tej me ligjin nr. 10358, dt. 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime” në Ligjin nr. 9695, dt. 19.03.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, përveç përmirësimit të kuadrit ligjor, duhet të parashikonte  edhe masat disiplinore  në  rastet e konstatimit të këtij fenomeni, (abuzimeve dhe shkeljeve që konstatohen gjatë birësimit nga aktorët e përfshirë në këtë proçes).


Ndërkohë, ky ligj,  duhej të siguronte një konsensus më të gjërë dhe  t’i nënshtrohej një  diskutimi më profesional përmes operatorëve shtetërore dhe atyre joqeveritar, ku duhej të përfshihej edhe institucioni i “Avokatit të Popullit”, përfaqësuesit e shoqërisë Civile  që merren me fushën e mbrojtjes së fëmijëve jetimë dhe atyre në nevojë dhe  grupeve të interesit.
Nga ana tjetër, ligji i ri  sjell një risi në procedurat e birësimit, sepse për herë të parë,  Komiteti  Shqiptar i Birësimit do të ketë  një politikë më liberale në procedurat administrative duke licencuar për një përiudhë 2 vjeçare ata operatorë privatë që zotërojnë  kapacitetet e mjaftueshme profesionale për të luajtur nje rol komplementar në politikat e birësimit si ndërmjetësues midis vendit tonë dhe vendeve të huaja që kanë ratifikuar marrëveshjen sipas ligjit 33 të  “Konventës së Hagës” “Për mbrojtjen e Fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.
 -----------------------------------------------------------------------------------------


* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

1 comment:

  1. Burri im më la mua dhe fëmijët e mi për më shumë se 6 muaj, të gjitha shpresat u humbën. Mendova se nuk do ta takoja më kurrë burrin tim sepse ai më bllokoi në të gjitha rrjetet sociale që mund të përdorja për të arritur tek ai. Kjo më la të trishtuar dhe zemërthyer derisa takova Dr. Dawn. Tani, unë i shpjegova gjithçka dhe ajo më premtoi se gjithçka do të ishte mirë në 3 ditë, për habinë time, burri im thirri dhe filloi të lypte 3 ditë pas magjisë, tani burri im është kthyer në shtëpi dhe ai më trajton shumë mirë dhe ne jetoni të lumtur së bashku tani, kontaktoni atë për ndihmë: *nëse dëshironi me të dashurit tuaj. *nëse doni të mbeteni shtatzënë. *nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje. *nëse doni një fuqi shpirtërore. Email: dawnacuna314@gmail.com {+2348032246310}

    ReplyDelete