Tuesday, July 23, 2013

EVANTHI CIKO, “NËNA” E 268 FËMIJËVE JETIMË, QË NUK ISHIN SI GJITHË TË TJERËT…


    

Nga ILIR ÇUMANI

- Mbresa dhe kujtime të një Nëne me zemër të madhe - 


   FOTO: - Evanthi CIKO, në jetën aktive, në profesionin e mësuesisë. 

FOTO: - Evanthi CIKO, si drejtuese në Shtëpinë e Fëmijës "8 Nëtori" në Tiranë, 
gjatë vizitës së Enver Hoxhës në këtë institucion më 23.Nëntor, 1969

  FOTO: - Evanthi CIKO, gjatë  ceremonisë së dekorimit me "Medaljen e Mirënjohjes" nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, 18.Maj. 2010 



                         FOTO: -  Me "Mësuesen e Merituar", Evanthi CIKO, 20 Maj, 2011

Edhe pse i ka lënë pas të 89 vitet e jetës së saj, ajo ende vazhdon të gëzojë një pleqëri të mbarë, një shëndet të admirueshëm. Duket se natyra është treguar shumë bujare dhe e ka privilegjuar pa masë këtë grua të mirë. Sot, Evanthi Ciko shfaq një pamje të përsosur fizike, që padyshim edhe më të moshuarit e sotëm do ta kishin vërtet zili. 

Të gjithë banorët e lagjes në rrugën “Sami Frashëri” të Tiranës së Re e njohin mirë atë grua. Çdo mëngjes, pa zbardhur mirë, del nga apartamenti i saj ku banon në pallatin me Nr. 26, që ndodhet në afërsi të shkollës së mesme të përgjithshme “P. Nini Luarasi”. 

Me hapa të ngadaltë dhe të lehtë, nis të marrë drejtimin nga kodrat e Liqenit Artificial. Është një ritual i përditshëm që Evanthi Ciko, gruaja 89 – vjeçare, e kryen për afro katër dekada me radhë, që nga koha kur doli në pension si drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori” në kryeqytet. (Sot, kjo shtëpi mban emrin e një bamirësi klerik, “Zyber Hallulli”). 

Këtë ritual, ndoshta kurrë s’ka ndërmend ta ndërpresë, - “deri sa të jem me këmbë e me duar”, - thotë ajo. Evanthia kujton ditët e para të daljes në pension. 

  FOTO: - Evanthi CIKO, në jetën aktive si drejtuese në Shtëpinë e Fëmijës "8 Nëntori"

“Ishte viti l970. Kanë qenë ditët më të vështira të jetës sime”, - tregon ajo. “Atëhere mbaj mend që shkova te mjeku dhe i thashë se çfarë duhej të bëja tani. Bëra një seri analizash të cilat më dolën mirë. Nuk isha mësuar të bëja jetë sedentare dhe pa asnjë lloj aktiviteti… 

Ndaj sërish i hapa punë vetes dhe u aktivizova me problemet organizative që kishin lagjet dhe blloqet në atë kohë. 

Kanë kaluar 38 vjet që nga ajo kohë dhe Evanthia daljen e saj çdo mëngjes në kodrat e Liqenit Artificial e konsideron si një sport të mendjes dhe të fizikut, një domosdoshmëri pa të cilën ajo nuk mund të shtyjë as edhe një ditë të vetme. 

Nuk ndihet aspak e zhgënjyer, sepse frytet e kësaj lëvizjeje të përditshme i ka të prekshme ndaj dhe është në formën më të mirë të saj… 

Për këtë, ndihet tepër e kënaqur dhe e shpërblyer nga jeta. Së bashku me shoqen e saj të fëmijërisë që nga shkolla fillore, Hamide Bardhi, shëtisin për afro 2 orë çdo ditë duke bashkëbiseduar dhe sjellë në kujtesë episodet dhe momentet më të bukura të jetës së tyre. 

Ish-nxënëse në institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” në vitin l940, ajo përfundoi shkëlqyeshëm mësimet dhe u emërua mësuese në shkollën “Naim Frashëri”, në Tiranë. Atëhere Evanthia ishte vetëm 20 vjeçe. Ishte një vajzë e brishtë dhe pak e ndrojtur. Pasioni i saj i vetëm që nga fëmijëria e hershme ishte për t’u bërë mësuese. 

Një ëndërr tashmë e bërë realitet. E bija e Grigor Zoraqit dhe e motra e kompozitorit të njohur Nikolla Zoraqi, ajo vinte nga një familje intelektuale dhe tepër e respektuar, e njohur që në atë kohë. Fakti se i përkiste një familjeje intelektuale dhe me tradita të shkëlqyera, duket se kishte ndikuar ndjeshëm në karakterin dhe personalitetin e saj.
 
Kjo e bënte edhe më të kompletuar, por edhe më të dashur portretin e kësaj edukatoreje të talentuar e të palodhur. Profesioni i mësuesisë, Evanthi Cikon do ta obligonte për t’iu përkushtuar më shumë punës me fëmijët dhe nxënësit e saj. 

Edhe pse tepër e re në moshë për rolin që ajo luante, shumë shpejt Evanthia do të fitonte zemrat e atyre fëmijëve që shikonin te mësuesja e tyre modelin e një edukatoreje dhe nëne shembullore. 

FOTO: - Evanthi CIKO,  pjesëmarrëse gjatë  një veprimtarie me fëmijët jetimë, organizuar nga Instituti Kombëtar i ntegrimit të jetimëve Shqiptarë në festat e fundvitit, Dhjetor, 2009

Por duket se puna si mësuese nuk mjaftonte për të mbushur kohën që ajo e çmonte shumë. Për këtë arsye, ajo do të angazhohej edhe në Radio Tirana si spikere për të prezantuar programet e orëve të mbrëmjes në vitet l941–l945. Atëherë Evanthia ishte vetëm 25 vjeçe kur u njoh me profesor Mihal Cikon, i cili në atë kohë ishte shef i Kulturës në Radio Tirana, por që shumë shpejt do të fitonte zemrën e tij…
 
Profesor Mihali kishte studiuar në konservatorin “Xhuzepe Verdi”, në Milano të Italisë. Ai ishte i pari këngëtar lirik bariton. Kontakti i parë me profesor Mihalin, e më pas njohja nga afër me të, bëri që ata të lidheshin aq shumë me njëri-tjetrin për të finalizuar më pas jetën bashkëshortore drejt një martese të sigurt. 

Kjo do t’i bënte të dy të rinjtë e dashuruar të asaj kohe çiftin më të lumtur në punë dhe në jetë. Fryt i kësaj dashurie të pastër dhe të sinqertë do të ishin më pas dy fëmijët e mrekullueshëm: Zhani Ciko, dirigjent–maestro, një personalitet i shquar i artit shqiptar dhe një figurë shumë e dashur për publikun shqiptar, në diasporë dhe më gjerë. 

Fëmija e dytë është vajza e saj Keti Ciko, një merceologe e talentuar që sot ndodhet në Austri me familjen e saj.
 
Tepër e preferuar nga dashamirësit dhe miqtë e shumtë që e rrethonin, por dhe e kënaqur nga familja që ajo kishte krijuar, Evanthi Ciko dukej se ndiente brenda qenies së saj si nënë dhe mësuese se kishte plot rezerva dashurie dhe humanizmi, cilësi për të cilat kishin shumë nevojë ata fëmijë që kurrë nuk e kishin ndier nga afër dashurinë dhe ngrohtësinë prindërore. 

  FOTO: - Evanthi CIKO, si drejtuese në Shtëpinë e Fëmijës "8 Nëtori" në Tiranë, 
gjatë vizitës së Enver Hoxhës në këtë institucion më 23.Nëntor, 1969

       FOTO: - Evanthi CIKO, edhe pse në moshë të thyer, merrte pjesë aktive në veprimtaritë me fëmijët jetimë që organizon Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve. 01.Qershor, 2004

Dhe ata që kishin më shumë nevojë se askush tjetër për këtë dashuri dhe humanizëm të kësaj gruaje me zemër të madhe ishin fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në kryeqytet, të cilët që në ditën e parë kur Evanthi Ciko filloi punën si drejtoreshë në këtë shtëpi e thirrën me emrin “nënë”.
 
Ishte një barrë jo fort e lehtë për të, sepse ndryshonte e gjithë metodika ku kishte punuar më parë si mësuese dhe drejtuese në disa shkolla të kryeqytetit, si në shkollën “Ismail Qemali”, “Luigj Gurakuqi”, “Vasil Shanto”, etj, por edhe si inspektore në Seksionin e Arsimit.
 
“Pas një eksperience të gjatë në arsim, prisja të emërohesha me punë pranë Institutit Pedagogjik, për të mbyllur edhe pesë vitet e fundit të karierrës sime. Por në fakt nuk ndodhi kështu. Ishte muaji gusht i vitit l965, kur më thërrasin në Seksionin e Arsimit, në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe. 

FOTO: - Evanthi CIKO, gjatë  ceremonisë së dekorimit me "Medaljen e Mirënjohjes" nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, 18.Maj. 2010

Më komunikuan emërimin tim si drejtoreshë në shtëpinë e fëmijes “8 Nëntori”. Që në ditën e parë kur u paraqita në këtë shtëpi fëmije, drejtori i këtij institucioni, i cili po më dorëzonte detyrën, më bëri prezantimin me personelin dhe më tregoi ambientet e godinës që sapo ishte lyer me bojë njëngjyrëshe. 

Në këtë shtëpi fëmije ishin 268 fëmijë. Këta fëmijë ishin të moshave nga 7 deri në l7, l8, dhe 20 vjeç. Këta të fundit konsideroheshin si fëmijë të prapambetur. 

Gjëja e parë që më ra në sy dhe më bëri përshtypje ishte se ata ishin veshur të gjithë njëlloj, me koka të qethur zero dhe tepër të ndrojtur, madje dhe të trembur. 

Në sytë dhe fytyrat e tyre shikoje trishtim, por edhe një egërsi që shprehej nga një pakënaqësi a diçka që edhe vetë s’mund ta kuptoja atë çast. 

Ishte njëlloj ndjenje frike dhe pakënaqësie që s’dihej se nga u buronte, por që nuk e pata të vështirë ta kuptoja se ajo për të cilën ata kishin më shumë nevojë ishte dashuria dhe ngrohtësia që u mungonte nga të qenit fëmijë pa prindër, pa familje dhe pa kujdes prindëror. 

FOTO: - Evanthi CIKO, gjatë  ceremonisë së dekorimit me "Medaljen e Mirënjohjes" nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, 18.Maj. 2010 

Kjo ishte përshtypja e parë që m’u krijua. Kjo përshtypje u përforcua edhe më shumë kur mbi tavolinën e zyrës së drejtorisë gjeta një listë emërore me 30 emra fëmijësh, të cilët konsideroheshin si “problematikë”. 

Mbi atë listë qëndronte edhe një shufër e gjatë, e cila nuk ishte e vetmja, sepse poshtë tavolinës ku ndëshkoheshin këta fëmijë kishte plot të tilla. 

Ato shufra, rriga dhe vizore i mbanin të gjithë edukatorët nëpër klasa. Pas dy ditëve, ua mblodha dhe ia dhashë punonjëses së lavanterisë për t’i hedhur në zjarr. 

Me ardhjen time si drejtoreshë e re në këtë shtëpi fëmije, të gjithë kalamajtë u çorganizuan dhe pëshpërisnin mes njëri–tjetrit se nuk do ta çanin më kokën nga drejtoresha e re. Ishte një situatë që më bënte të ndihesha shumë keq… 

Ditët e para shpesh pyesja veten: A do t’ia dal mbanë kësaj pune, apo do të turpërohem tani në fund të karrierës?. Më kujtohet rasti me Dashamirin dhe tre fëmijë të tjerë. 

Edukatorja e grupit m’i solli këta fëmijë në zyrën time për t’u bërë vërejtje. Tepër e revoltuar, ajo më thotë se këta fëmijë kishin bërë pis rrobat e nderura që sapo ishin larë nga punonjëset e lavanterisë. 

Ata prisnin që unë t’i ndëshkoja, t’i rrihja me rrigë. Instinktivisht fëmijët ngrinin dorën lart për t’u mbrojtur. Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. 

Unë u fola me të mirë dhe u thashë: Nuk ju vjen keq për teta Sherifen dhe teta Pandorën që janë lodhur për t’i larë ato rroba? Po për ujin dhe sapunin që janë harxhuar? Si mendoni, ta largojmë nga puna teta Sherifen dhe teta Pandorën...? 

Fëmijët u befasuan nga sjellja ime. U prekën dhe me lot në sy më thanë: “Na fal drejtoreshë, ju lutemi mos e largoni nga puna teta Sherifen dhe teta Pandorën. Ato i kemi shumë xhan. Edhe ty të kemi xhan….” 

FOTO: - Evanthi CIKO, në 85 - Vjetorin e Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore",
nëntor, 2007
Në një nga ato ditët e para, nga lodhja dhe shqetësimi i punës më filloi një dhembje koke që bëri të vinte urgjenca dhe të më çonin në spital. 

Fëmijët ishin tepër të shqetësuar. Më pas dëgjoja nga goja e fëmijëve që flisnin me njëri–tjetrit: Mos e bëj këtë punë të keqe se sëmuret drejtoresha...”. Nuk e mendoja se do të ishte kaq e vështirë puna me këta fëmijë. 

Për një çast, e ndieja veten të pafuqishme për të ndryshuar këtë situatë që për mua nuk ishte aspak normale. Por, një zë më buronte së brendshmi, më vinte si një apel që i bëhej ndërgjegjes sime: 

Këta fëmijë kanë nevojë më shumë se kurrë sot. Atëhere mblodha veten dhe mora kurajë që këtë punë do ta bëja patjetër. Mblodha të gjithë personelin dhe i thashë se duhej ndryshuar çdo gjë në këtë shtëpi fëmije. Ky ndryshim, - u thashë kolegëve, - do të vinte së pari nga ne. 

Këta fëmijë nuk kanë asgjë më pak se fëmijët tanë; ata janë si gjithë të tjerët, prandaj të gjithë ne duhet të punojmë me përkushtim që ata të mos e ndiejnë veten se janë ndryshe nga fëmijët e tjerë. Këta fëmijë nuk kanë nënë dhe babë, as motër e vëlla, as familje. Ata na kanë ne. Ne jemi prindërit e tyre. 

Që nga ai moment, unë nuk e konsideroja më veten si nëna e dy fëmijëve të mi, Zhanit dhe Ketit, por nëna 268 fëmijëve. 

FOTO: - Figurën dhe  kontributin  e madh  të Evanthi Cikos me  fëmijët jetimë, aktorja e mirënjohur Tinka Kurti e ka përjetësuar në filmin artistik shqiptar "Si gjithë të tjerët" - 1981

Në këtë familje të madhe duhej patjetër një nënë me zemër të madhe. Unë kurrë nuk u kisha thënë fëmijëve të mi “të keqen e t’u bëfsha”, sepse kam qenë një nënë me autoritet. Atyre fëmijëve ua thosha, madje me shumë dashuri e dhembshuri. 

Mendova që t’i bëja fëmijët për vete. Edhe me ata fëmijë që konsideroheshin të “vështirë”, siç ishin Dashamiri, Margarita, Ardiani, Tonini, Edija apo ndonjë tjetër, munda të punoja shumë dhe t’i bëja të gjithë për vete. I angazhoja në punët e familjes së madhe. 

U çelën grupet e rrobaqepësisë, të gatimit, të qepjes dhe hekurosjes së rrobave, të punës së dorës, grupi i zdrukthtarisë. 

Vetë fëmijët e rritur i riparonin orenditë e shtëpisë. Munda të organizoja grupet e punës me fëmijët e rritur, të cilët do të kishin nën kujdesin e tyre ata më të vegjlit. 

FOTO: - Gjatë një veprimtarie të IKIJSH - së, Evanthi Ciko me aktoren e madhe Tinka Kurti, "Artiste e Popullit" dhe "Nder i Kombit". Aktorja e madhe, figurën e Evanthisë si drejtuese e suskseshme e Shtëpisë së Fëmijës, e përjetësoi në filmin artistik shqiptar, "Si gjithë të tjerët".

U ndërrua menyja e ushqimit. U hoq çaji kinez që u jepej çdo ditë fëmijëve dhe dy herë në javë gatuhej byrek, pastiço, sallatra me ullinj. Çdo ditë gatuhej ëmbëlsira dhe haheshin fruta. Caktohej çdo ditë një fëmijë dezhurn në kuzhinë për të parë si gatuhej. 

Madje, atë ditë ai gatuante diçka të veçantë për tavolinën e tij. Filluam të organizonim edhe festimin e ditëlindjeve.
 
Dhomat e fjetjes dhe ato të studimit u lyen nga e para me ngjyra të ndryshme, me synimin që të krijohej një ambient sa më i ngohtë dhe familjar. Të gjithë fëmijët ishin përqendruar në shkollën “Labinoti”, ku çdo klasë kishte nga 40 fëmijë të shtëpisë së fëmijës. 

Kishin të njëjtën veshje dhe me koka të qethura. Në këto rrethana, ata ndiheshin të veçuar nga pjesa tjetër e fëmijëve. Për këtë arsye bisedova me drejtorinë arsimore të rrethit që këta fëmijë të shpërndaheshin në tri shkolla të lagjes, siç ishin shkollat “Labinoti”, “Mihal Grameno” dhe shkolla “Kosova”. 

U mendua që në këto shkolla të ishin tre deri në katër veta për çdo klasë, të përzier edhe me fëmijët e tjerë që vinin nga familjet e kryeqytetit. Fëmijët nuk mund t’i dërgonim tani e tutje në rresht për në shkollë, por grupe – grupe, ashtu siç shkonin të gjithë fëmijët e tjerë. 

Ditën e parë, kur e eksperimentova vajtjen e fëmijëve veç e veç në shkollë, pata kundërshtim nga kolegët e mi dhe personeli. Ata kishin frikë se mos vallë fëmijët do të largoheshin nëpër qytet dhe nuk do të frekuentonin shkollën. 

Në ditët e para e shikoja nga larg vajtjen e tyre në shkollë. Ishte hera e parë që këta fëmijë do të shkonin në shkollë pa rresht dhe me edukatore në krye. Mirëpo kështu ia dola mbanë. 

Djemve nuk u qethej më koka zero, por u linim pak flokë. Të gjithë fëmijët visheshin me rroba të ndryshme nga njëri–tjetri, për të krijuar përshtypjen e një familjeje të gëzuar dhe plot harmoni, me një jetë krejt normale. 

Kur përfundonin shkollën 8-vjeçare, interesohesha për të gjithë t’u nxirrja bursat më të mira. Interesohesha të merrnin një zanat, derisa të sistemoheshin në punë dhe të krijonin familje. 

   FOTO: - Evanthi CIKO me të birin, Maestro Zhani Ciko dhe bashkëshorten e tij Rudinën.

Në shumë raste kam qenë e pranishme në dasmat e tyre, në gëzimet familjare që ata kanë patur dhe për këtë unë ndihem shumë e lumtur, sepse e konsideroj veten me shumë fat. Është një privilegj i madh të jesh “nëna” e 268 fëmijëve. 

Me pjesën më të madhe prej tyre edhe sot kam kontakte. I kam ndjekur në të gjitha stadet e jetës, ashtu siç bën prindi për fëmijën, shpesh herë duke mbajtur edhe korrespondencë të rregullt. 

Shumë prej tyre sot janë nëna dhe baballarë, gjyshe dhe gjyshër të mirë. Ata më kujtojnë me shumë mirënjohje e respekt dhe kurrë nuk më harrojnë….”, - kujton Evanthia. Tashmë, kjo grua, që mban mbi shpinë 89 vite të jetës së saj, me atë buzëqeshje karakteristike e thinja të arta në kokë që i japin pamjen e një nëne brilante, ende nuk mund të çlirohet lehtë nga emocionet që i sjellin kujtimet e një jete të tërë. 

Një jetë e mbarsur me plot kujtime, dashuri e përkushtim ndaj atyre fëmijëve që fati i keq i bëri që të mos ishin si gjithë të tjerët, por që gjithnjë e thirrën atë me emrin “nënë”. Për rolin dhe kontributin e çmuar të Evanthi Cikos, aktorja e mirënjohur Tinka Kurti, “Artiste e Popullit”, ka përjetësuar dhe ngritur lart figurën e saj në rolin e nënës në filmin artistik shqiptar “Si gjithë të tjerët”. 

Ky film i kushtohet tërësisht punës pasionante e të palodhur të kësaj gruaje fisnike, kësaj nëne dhe edukatoreje të talentuar, por edhe të gjitha drejtoreshave dhe edukatoreve që punuan me pasion e dhanë gjithçka nga vetja e tyre për këta fëmijë. 

Padyshim, nuk kishte si të ndodhte ndryshe atë ditë, kur të gjithë ish-fëmijët jetimë qenë mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë në një nga ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet me rastin e 85-vjetorit të krijimit të së parës strehë vorfnore, për të nderuar dhe vlerësuar në shenjë mirënjohjeje e respekti punën e palodhur të “nënës” së tyre, drejtoreshës së përjetshme të fëmijëve jetimë, Evanthi Ciko, “Mësuese e merituar”. 

  FOTO: - Evanthi CIKO, gjatë  ceremonisë së dekorimit me "Medaljen e Mirënjohjes" nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, 18.Maj. 2010

Me propozim të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Presidenti i republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, më 20 Maj.2010, i akordon asaj "Medaljen e Mirënjohjes".
----------------------------------------------
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë




1 comment:

  1. Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme.

    Burri im më la mua dhe 2 fëmijët tanë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Unë kisha nevojë për ndihmë, kështu që bëra disa kërkime në internet dhe hasa në një faqe ku pashë që Dr. DAWN ACUNA, një magjistar, mund të ndihmojë të kthejnë të dashuruarit. E kontaktova dhe ajo bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 3 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje.

    Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr. DAWN ACUNA për zgjidhje të shpejtë.
    1) Nëse dëshironi të ribashkoheni me të dashurin tuaj.
    2) Nëse keni nevojë për paqe / gëzim / lumturi në martesën tuaj.
    3) Nëse dëshironi të trajtoni infertilitetin.
    4) Nëse dëshironi të kuroni çdo lloj sëmundje, Kancerin/HIV/Tubën e bllokimit/etj.
    5) Nëse doni të tërheqni dikë në jetën tuaj.
    Whatsapp: +2348032246310
    Email: dawnacuna314@gmail.com

    ReplyDelete