Në Foto: Këngëtari italian Al Bano Carrisi dhe Ilir Çumani gjatë një takimi në Tiranë. 17 Shtator, 2016
NGA
ILIR ÇUMANI
Këto ditë, si shumë prej
bashkëqytetarët e mi, më qëlloi rasti dhe u takova me një nga zërat e bukur dhe
më të spikatur të muzikës së lehtë italiane të viteve '60 - '70, me të madhin
Al Bano Carrisi.
Në fakt, ai është një nga këngëtarët më të dashur dhe më të
vlerësuar jo vetëm për publikun italian e më gjerë, por është dhe mbetet një
legjendë e mitizuar i një artisti të adhuruar edhe sot e kësaj dite nga
gjenerata të tëra për mbarë publikun shqiptar.
Këtë e vërteton lidhja e ngushtë
shpirtërore që ai ka patur qysh në krye të herës me vendin tonë. Jo më kot, Al Bano
Carrisi bën pjesë tek ata artistë me famë botërore që e ka vizituar më shpesh Shqipërinë si pakkush nga kolegët e tij, përmes
koncerteve që ka organizuar me pjesëmarrje masive të publikut vendas, duke
filluar që nga periudha kur Shqipëria gjeografikisht bënte pjesë në listën e
atyre vëndeve të mbyllura dhe të izoluara me perëndimin për shkaqe politike dhe ideologjike të kohës,
e deri para pak ditësh kur shfaqi koncertin e tij të fundit në Pallatin e
Kongreseve.
Por,
në memorien e të gjithë shqiptarëve, Al bano Carrisi konsiderohet si “dallga” e parë drejt
“oqeanit” të lirisë në Shqipërinë komuniste të lodhur dhe të drobitur nga një rregjim
totalitar shumë i ashpër represiv, atëherë kur në mënyrë absurde dhe monstruoze për dekada me
radhë në vendin tonë mohoheshin Liritë dhe
të Drejtat themelore të Njeriut.
Në
koncertin e tij të parë që u organizua
në pallatin e kongreseve 27 vite më parë, (1989), përmes interpretimit plot
pathos dhe emocion, me vokalin aq të fuqishëm
të këngës “Liberta”, ai zgjoi dhe
përcolli hapur tek publiku shqiptar mesazhin e shpresës së madhe të lirisë dhe demokracisë
aq të munguar që po trokiste në vendin tonë.
Kur
situata politike në të gjithë bllokun e ish - vëndeve të lindjes po vlonte dhe ndërkohë
në Shqipëri nuk kishte asnjë sinjal se diçka duhej të lëvizte, ky koncert i dha shkëndijat e para në
ndërgjegjen dhe vetëdijen e çdo shqiptari, ku çdokush po kuptonte se tash e
tutje po hapej një epokë e re. Dhe ashtu ndodhi.
Si
për ironi të fatit, koncerti i natës së parë u dha në sallën e madhe të Pallatit
të Kongreseve, aty ku ishin mbledhur
udhëheqësit më të lartë të rregjimit
komunist dhe njerëzit më të privilegjuar të aparatit shtetëror të nomenklaturës.
Sigurisht, gjatë gjithë koncertit të natës së parë, u vu re një ftohtësi dhe mungesë entuziazmi ovacionesh midis atij auditori fanatikësh të
përgjedhur me shumë kujdes, në raport me atmosferën që përcillte përmes
interpretimit buçima e vokalit të Al Banos me këngën “Liberta”, e cila
oshëtinte dhe përplasej brenda mureve të atij pallati ku organizoheshin Kongreset e Partisë së Punës.
Të
nesërmen e ditës tjetër, koncerti u dha
përsëri në një mjedis akoma edhe më të madh për publikun e gjerë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, i cili ishte mbushur plot e për plotë me të
rinj e të reja, burra e gra, pleq e fëmijë.
Ndryshe nga nata e parë, që në fillim të koncertit dhe deri në fund, i madh e
i vogël shpërthyen në brohorima dhe ovacione të zjarrta, këndonin në një kor të vetëm së bashku me Al Banon
“Liberta – në”, një këngë që aty për aty i kthye në himn i shpirtërave të vrarë
që kërkonin lirinë aq shumë të ëndëruar, dhe
bashkoi natyrshëm mijëra zëra që sa vinin dhe bëheshin edhe më të fuqishëm
si një uragan, kalonte hapësirat e stadiumit dhe vërshonte në të gjitha rrugët
dhe sheshet e Tiranës. Në ditët në vijim,
ajo buçimë nuk pushoi, por u përhap edhe
më shumë, kudo, në mbarë Shqipërinë.
Me këngët e Al Banos jam
rritur edhe unë, me to kalova adoleshencën dhe rininë fare modeste, si çdo bashkëmoshatar
i brezit tim që ëndëronte dhe dëshironte të kishte një Shqipëri më të mirë. Muzika e tij ende më inspiron dhe më frymëzon
ashtu si dikur.
Gjatë takimit që pata me
të, i tregova një episod interesant që më kishte ndodhur vite të shkuara,
atëherë kur sapo sistemi në Shqipëri nisi të ndryshoj.
Në Foto: Këngëtari italian Al Bano Carrisi dhe Ilir Çumani gjatë një takimi në Tiranë. 17 Shtator, 2016
Në qershor të vitit 1991, ndodhesha për vizitë
në Romë tek një mik. Në një nga pasditet e atyre ditëve të qëndrimit në Itali, pasi vizitova disa nga ambientet në sheshin “Shën
Pjetër” të Vatikanit dhe sapo dola prej
andej, gjatë rrugës ecja ngadalë i menduar, dhe instiktivisht po shpërfillja shumë prej dyqaneve luksoze aty rrotull.
Papritur, ndalova dhe i'u afrova një dyqani diskografik,
më shumë për të parë sesa për të blerë. Dyqani ishte mbushur plotë me disqe e
albume të këngëtarëve dhe grupeve mjaft të njohura botërorë që e dominonin në
atë kohë tregun muzikor. Në xhep më ndodheshin
40.000 Liretat e fundit, por më kishin mbetur vetëm dy ditë që të përfundoja
qëndrimin tim atje dhe më pas të kthehesha në Tiranë.
U solla rrotull dyqanit
për disa herë radhazi, aq sa i bëra përshtypje edhe zotërijnve që e
administronin atë. Ndërkohë, njëri prej tyre mu afrua duke më pyetur se si mund
të më ndihmonte. I thashë se po kërkoja mes gjithë asaj duzine vitrinash dhe eksponatash
me kaseta pafund një album origjinal me këngët e Al Banos dhe Romina Pawer. Ai
ngriti supet, u largua dhe pasi kërkoi gjatë në vitrina e rafte, mu drejtua
sërish duke më thënë me keqardhje se nuk ndodhej në dyqanin e tij albumi që kërkoja.
I dëshpëruar sërish ngula
këmbë në kërkesën time, duke i thënë se vija nga një vend si Shqipëria dhe se
andej nuk ishte mundësia për ta gjetur një album të tillë. Për një çast, ai u
mendua dhe më tha që të prisja pak, sepse do të shkonte ta kërkonte tek një
shok i tij që kishte të njëjtin dyqan si ai.
Mbas 20 minutash, ai më solli tre
albume, ku njërën prej tyre e zgjodha më këngët që unë preferoja. Albumi
kushtonte 30.000 Lireta italiane, dhe nga e gjithë shuma që kisha në xhep, më
mbeteshin deri sa të largohesha edhe 10.000 Lireta. I entuziazmuar nuk mendova
gjatë, bëra pagesën dhe dola fluturimthi nga dyqani sikur të kisha vënë në dorë
diçka shumë të veçantë dhe të vyer njëkohësisht.
Në Foto: Kaseta e Albumit muzikor me titull: "Le Piu Belle Canzone" me këngët e Al Bano & Romina Power,
e blerë në Romë nga Ilir Çumani 25 vite më parë. Gusht, 1991
e blerë në Romë nga Ilir Çumani 25 vite më parë. Gusht, 1991
Që atëherë, atë kasetë e kam
dëgjuar me qindra herë netëve të vona kur bija të flija në mbrëmje pas ditëve
të lodhshme e të ngarkuara me punë. Këngët e atij albumi i kam mësuar përmendsh,
aq sa edhe tani më vijnë ndër mend përmbajtja e teksteve dhe vijat melodike e
tyre.
Edhe sot pas 25 vjetësh, albumin e Al Banos me titull: "Le Piu Belle
Canzoni" e ruaj me fanatizëm si një relike të shtrejntë. Sa herë e dëgjoj
atë kasetë, ndjej ende një mall, por edhe brengë, që më sjellin në mendje kujtime të atyre viteve. Ishin vite shumë të vështira dhe të zbrazura për të
gjithë ne, që gjithsesi kishin edhe anën e bukur që koha e mbante të fashitur
përmes atij realiteti gri, por që dita ditës pritej të shpërthente si një
gonxhe që paralajmëronte pranverën e madhe të shqiptarëve.
Në Foto: Kopertina e Albumit muzikor me titull: "Le Piu Belle Canzone".
Kur i'a tregoja Al Banos
sot pas 25 vjetësh këtë histori, ai qeshte, emocionohej dhe mallëngjehej
njëkohësisht duke kuptuar realisht se sa shumë e kemi dashur dhe e duam ne
shqiptarët këtë artist të madh i cili në një kohë të zbrazur na e ngriti lart
moralin, na ushqeu shpresën me artin e tij të mrekullueshëm dhe brilant. Pikërisht
në ato situata mjaft të vështira të një Shqipërie të izoluar dhe të trazuar, me shumë pak mundësira për brezin e ri të asaj
kohe dhe jo vetëm.
gjatë një takimi në Tiranë. 17 Shtator, 2016
Ndaj sot, pas një çerek
shekulli, të gjithë ne shqiptarët mund ti drejtohemi me mirënjohje dhe përulësi
këtij artisti të madh duke i thënë: Faleminderit Al Bano Carrisi! Ti ishe ai që përmes magjisë
të zërit tënd të mrekullueshëm na dhurove aq shumë gëzim dhe pak frymë “Liberta - je”, pikërisht në ato kohëra të errëta, të mundimshme dhe
tepër të vështira për të gjithë ne, sepse siç e thotë edhe një fjalë e mençur e
jona: “Miku i mirë është ai që të gjëndet në ditë të vështira”.
Ju e mishëruat me mëndje dhe me zemër këtë sentencë
të mençurisë popullore, sepse ishit dhe mbetët gjithë jetën një mik i vërtetë dhe
i çmuar për çdo shqiptar!
Faksimile e artikullit "Faleminderit Al-Bano Carrisi",
botuar në gazetën "Koha Jonë", dt. 20 Shtator, 2016
botuar në gazetën "Koha Jonë", dt. 20 Shtator, 2016
No comments:
Post a Comment