Foto e "Strehës Vorfnore" në vitet '40
Në Foto: Fëmijët e mbetur jetimë të emigrantëve, në Babicë të Vlorës, viti 1913
Në Foto: Fëmijët e parë të "Strehës Vorfnore" në Shtëpinë e Sheh Dyrit Harasani
Në Foto: Themeluesi i "Strehës së Parë Vorfnore", N/Prefekti i Tiranës, z. Rauf Fico (në qendër)
me një grup klerikësh dhe bamirësish, me grupin e parë të fëmijëve në fillimet e para të Strehës,
viti 1921, në shtëpinë e Sheh Dyr Harasani, që edhe sot ndodhet në rrugën e "Barrikadave" në Tiranë
NGA BEN ANDONI________
MOS E PAÇ FATIN E JETIMIT SHQIPTAR!
- Intervistë me z.
ILIR ÇUMANI, Drejtor i Përgjithshëm i
Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë -
BOX: - Gati një shekull më parë, në zyrën e nënprefektit
të Tiranës trokiste një xhandar austriak. Duke ardhur në Tiranë, në një zabel,
kish gjetur dy fëmijë të vegjël, motër e vëlla që hanin bar!!! Djali, që mezi
fliste nga tmerri dhe nga uria, ishte jo
më shumë se 5 vjeç. E motra, më e vogël. Me aq sa kish kuptuar, prindërit u kishin
vdekur, teksa vinin nga malësia në Tiranë. I tmerruar austriaku i kish marrë me
vete dhe po atë ditë, në orën 18.00
trokiti në zyrën e z.Rauf Fico, atë kohë nënprefekt i Tiranës. Atënatë, ky i
fundit, i kish përcjellë për strehim tek bamirësi i njohur Zyber Hallulli. Të
nesërmen në mëngjes, do të merrte vesh se vajza e vogël s’e kish përballuar dot
natën. Që nga ai çast, Rauf Fico s’kish gjetur më rehat. Kish edhe vetë dy fëmijë
të vegjël dhe këtë do e shkruante shpesh, si kujtimin më të trishtë të jetës së
vet. Dhe, kish lëvizur. Me ndihmën e një oficeri austriak dhe bamirësve të
njohur të kryeqytetit të asaj kohe (Mytezim Këlliçi, Ismail Ndroqi, Zyber
Hallulli) arritën e bënë Strehën e Parë Vorfnore, strehën e dashurisë për
fëmijët jetimë. Jemi në vitin 1917, kohë kur Shqipëria është në varësinë e
ushtrive të huaja që e kanë ndarë krejt vendin. Njëzet vite më vonë, drejtori i
përgjithshëm i Kryqit te Kuq shqiptar Haxhi Shkoza, do t’i kërkojë z. Rauf Fico,
tashti ambasador në Athinë, të dhëna për historinë e themelimit të Strehës së Parë Vorfnore. Historia u shkruajt në kujtime nga z.Fico, që do shtonte se nga
tiranasit do të mblidheshin 10.000 korona, kurse vetë komandanti austriak
Srenka do shtonte edhe 3.000 të tjera.
Sotir Peci, që merrej me arsimin, do
miratonte emrin e strehës vorfnore. Në teqenë e Sheh Harasanit do fillonte
aventura. Që atëhere, rrodhën shumë ujëra, disa luftëra, dhe Shqipëria kaloi në dy sisteme të ashpra. Por, gjendja e fëmijëve jetimë nuk është se ndryshoi shumë.
Një ekspozitë historike kushtuar
95 të kësaj ngjarjeje është duke dështuar
dhe bashkë me të edhe një album dhe një simpozium shkencor. Aktiviteti, i
iniciuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, pritet të
mbahet më 28 Nëntor – ditën e shpalljes së pavarësisë që shënon dhe ditën e
themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore”
në Shqipëri. U është premtuar, por ditët e fundit dera është mbyllur krejt për ta. E megjithëse
përfaqësues të ndryshëm i shohim me politikanë,
gjendja e tyre bëhet keq e më keq… Drejtori i Përgjithshëm i Institutit
Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, nuk po rresht së
apeluari në veshë që nuk duan ta dëgjojnë.
Ben
ANDONI
RAUF FICO, DIPLOMAT I SHQUAR I KOHES, SUNDIMTAR I TIRANES, ESHTE IDEATORI DHE THEMELUESI I "STREHES SE PARE VORFNORE" NE SHQIPERI
Nëntëdhjetë
e pesë vjetori i themelimit të “Strehës së parë Vorfnore” e gjen këtë kategori sërish me shumë probleme? A mund
të na rreshtoni disa prej problematikave të tyre?
95 – vjet më parë, pesë
vjet pas pavarësisë dhe një vit pas Luftës së Dytë Botërore, më 28. Nëntor.1917, me inisiativën e drejtëpërdrejtë të intelektualit, patriotit dhe diplomatit të
shquar të kohës Rauf Fico, (në atë kohë nënprefekt i Tiranës), i mbështetur dhe nga disa patriotë
e bamirës tiranas si, Mytezim Këlliçi, Ismail Ndroqi, Zyber
Hallulli, etj, u themelua në vendin tonë
“Streha e Parë Vorfnore”, e cila përbën një ngjarje të madhe dhe të jashtëzakoshme
të një rrugëtimi gati një shekullor të humanizmit në Shqipëri.
Krijimi i Strehës së
Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më i ngutshëm në ato kohë të rënda që
kalonte vendi, duke bërë që të hidheshin
themelet e para të ngritjes së institucionit të bamirësisë në ndihmë të atyre
fëmijëve pa prindër që kishin humbur familjet gjatë Luftës dhe mjerimit masiv.
Historia e Strehës së
Parë Vorfnore nuk do të ishte e plotë
dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato periudha të mëvonshme
po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh në përhapjen dhe modernizimin e shumë
institucioneve të tilla simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë,
Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë,
etj. Këto institucione shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e
sotme, ku si qëllim të tyre kanë edukimin, mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të
asaj kategori fëmijësh që për shumë arsye janë të privuar nga mungesa e
prindërve dhe mos pasja e familjes së
tyre biologjike.
Megjithë orientimet e
reja që jetimoret të kthehen në strehë të përkohëshme për fëmijët jetimë e të
braktisur, të cilëve duhet t’u gjëndet një familje, akoma qindra fëmijë të tillë në Shqipëri janë
të detyruar të rrinë me vite në këto institucione, duke rënë preh e një
institucionalizimi të gjatë, që më vonë i shoqëron me pasoja jo pak të vogla gjatë gjithë jetës së tyre.
Në jetën e shoqërisë
shqiptare, sidomos në 2 dekadat e
fundit, kanë lindur mjaft probleme të
mprehta sociale si, papunësia, polarizimi
social i shtresave të shoqërisë, rritja e frikshme e kriminalitetit, emigracioni dhe migracioni i pakontrolluar e popullsisë brenda
vendit, prishja e lidhjeve familjare tradicionale, rritja e divorceve dhe e numrit të fëmijëve të
mbetur pa kontroll prindëror, tronditja
e normave morale të mëparshme dhe dhuna
e destruktiviteti në në familje.
Të gjitha këto, kanë sjellë për pasoj rritjen në numër të fëmijëve jetimë, fëmijëve të
rrugës që janë pjesa më e madhe kontigjent i lypsarisë dhe i abuzimit tradicional, duke shkaktuar një plagë të
madhe sociale dhe kosto të madhe financiare për shtetin dhe shoqërisë.
Këto dhe të tjera
arsye, kanë bërë të mundur që në dhjetëvjeçarët e fundit në Shqipëri është
rritur numri i fëmijëve jetimë, sidomos
i atyre të quajtur jetimë social. Shkaku duhet kërkuar të
vështirësitë e jetesës në shumë familje, te dobësimi i bazave morale të këtyre familjeve dhe arsyeve të
mosfunksionimit të tyre, te ndryshimi në marëdhëniet me fëmijët dhe veçanërisht tek
mos prezenca sa duhet e shtetit dhe të
gjitha hallkave zinxhir të institucioneve mbështetëse që duhet të ofrojnë
programe sociale në ndihmë të tyre.
Në Shqipëri nuk ka ende
një interesim aktiv e konkret të familjeve për mbrojtje e përkujdesje ndaj
fëmijëve jetimë e të braktisur. Të gjithë shqetësohen dhe rendin pas halleve të ditës, për të
kapërcyer vështirësitë e jetës, për të
çarë në ekonominë e tregut, një pjesë
tjetër për të jetuar me komoditete të
reja dhe luks të shfrenuar, të tjerë për të përballuar vështirësi të reja. Përballë kësaj situate qëndron
shteti indiferent, i dobët dhe i
pafuqishëm për të vepruar në mbrojtje të shtresave më të pambrojtura dhe më të
rrezikuara, siç janë fëmijët jetimë, të moshuarit e braktisur, invalidët, të
përndjekurit, të verbërit, etj.
Sot në të gjithë vendin
ndodhen 31.000 fëmijë jetimë, ku shteti mundet të mbështesë me programe sociale
shumë të dobëta vetëm 1450 prej tyre. Të gjithë të tjerët janë në mëshirën e
fatit, pa asnjë ndihmë ekonomike. Jetimët
që prej vitesh kanë dalë nga institucionet e përkujdesit social, ndodhen sot në
udhëkryq dhe në dilema të mëdha, të pa orientuar për tu integruar në punë dhe
në shoqëri. Shumë prej tyre jetojnë
nëpër konvikte të shkollave të mesme në disa qytete të Shqipërisë. Ata i kanë
mbipopulluar këto godina të kthyera në
geto, të cilat nuk ofrojnë as kushtet më
minimale për të bërë një jetë dinjitoze.
Përkundrazi, këto godina janë
plot lagështirë, pa ujë, pa drita, dhe mjedise ku jetojnë jetimët sot nuk janë
aspak higjenike. Këta fatkeqë, tashmë
janë të përbuzur nga shteti dhe shoqëria që gjithmonë e më shumë po i largohet
dhe po tregohet indiferente. Ata janë të
destinuar për të qenë të pashpresë dhe të mohuar përjetësisht.
Ky është realiteti i dhimbshëm dhe panorama sociale tejet e shëmtuar në të cilën prezantohen në këtë 100 – vjetor të Pavarësisë shtresa e margjinalizuar dhe e neglizhuar e
shoqërisë shqiptare, shtresa e jetimëve.
Politika dhe politikanët e sotëm, nuk
kanë asgjë fisnike të ngjashme me ata burra të mençuar, patriotë dhe humanistë
të shquar të kombit, të cilët 1 shekull
më parë, krahas barrës së madhe që morrën mbi supe për fatet e
Atdheut dhe identitetin kombëtar, mundën
dhe u dolën për zot fëmijëve të
braktisur, të kujdesen edhe për fëmijët jetimë.
Ju vetë jeni iniciator i çeljes së një ekspozite që do të pasoj me një album kushtuar 95
vjetorit të krijimit të “Strehës së pare Vorfnore” në Shqipëri, që me sa duket po pengohet shumë nga instancat shtetërore.
Cilat janë arsyet sipas mendimit tuaj të vonesës së tij?
Në kuadrin e 100 – Vjetorit të
Pavarësisë, dhe të 95 – Vjetorit të Krijimit të Strehës së Parë Vorfnore, Instituti
që unë drejtoj, personalisht unë dhe bashkëpunëtorët e mi, kemi afro 8 muaj që po punojmë në mënyrë
impenjative dhe të përkushtuar për të
qenë pjesë e veprimtarive që do të organizohen në vendin tonë.
Konkretisht, prej muajsh
të tërë jemi duke mbledhur materiale arkivore historike, si foto,
faksimile dokumentash, që hedhin dritë në
historinë 95 – vjeçare të themelimit të
Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, një ngjarje e jashtëzakonshme me vlera të
rralla historike për vendin.
Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve që
kemi bërë, kemi mundur të nxjerrim në dritë një histori të jashtëzakonshme dhe brilante
të humanizmit Njerëzor. E gjitha kjo do të materializohet në çeljen e një
fotoekspozite dhe më pas në botimin e një albumi që do të jetë me interes të
veçantë për publikun, median dhe veçanërisht për studiues dhe historianë.
Mirëpo, për fat të keq, kemi ndeshur
dhe po ndeshim pengesa pafund. Veçanërisht pengesat na vijnë nga institucionet
shtetërore. Përveçse nuk ekziston dashamirësia dhe ndihma që në këtë rast nuk
duhet të na mungonte, por ajo që është më shqetësuese është fakti se po
ndeshemi me një neglizhim dhe mungesë të sinqeritetit të institucioneve, gati
gati po përballemi me një refuzim absurd do të thosha.
Mos harrojmë se, qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5
milion dollarë i cili po administrohet
nga një komision ndërministror për aktivitetet e shumta që do të organizohen
për kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Si mundet që kremtimi i 95 –
vjetorit të krjimit të Strehës së Parë Vorfnore
që daton më 28.Nëntor., në ditën e Pavarësisë, të mos shikohet me
vëmendje nga shteti? Mos harrojmë se kjo ngjarje është pjesë e rëndësishme e të tërës histori
të 100 viteve te fundit të shtetit shqiptar.
Me keqardhje po ju them se, projekti
me të cilin po merremi që prej 8 muajsh dhe që ka të bëjë më çeljen e të parës
ekspozitë të krijimit të “Strehes Vorfnore”, së bashku edhe me një simpozium
shkencor që kemi planifikuar të
organizojmë paralelisht, nuk e kalon
vlerën e 7.000 eurove, vlerë të cilën
qeveria shqiptare nuk ka mundësi të marrë në konsideratë brenda vlerës
prej 5.000.0000 Dollarë, e destinuar për këto veprimtari. Komentet besoj se janë
të tepërta. Jetimët në këtë 100 – Vjetor janë të mohuar dhe të përjashtuar. Ata
mbeten sërish jetimë.
Ka një shfrytëzim edhe të politikës së problematikës së tyre.
Ju, si përfaqësues i Institutit Kombëtar i
Integrimit të Jetimëve, si e keni
shmangur këtë?
Sigurisht, është për të ardhur keq
kur mendon se në situata të veçanta kur i është dashur politikës të bëjë
katarsis, gjithmonë mendja dhe syri i
shkon tek shtresat në nevojë. Jetimët janë më të keqpërdorurit nga politika, më të abuzuarit. Ata nuk kanë
zot tjetër që t’u dalë në krah, ndaj edhe janë lehtësisht të abuzuar, pse jo
edhe nga politika. Sepse nga njëra anë
kemi sjelljen indiferente që politika në jetën e përditshme demonstron ndaj
nevojave dhe kërkesave legjitime që kjo shtresë e ka prezente, dhe nga ana tjetër
shohim dyfytyrësinë dhe imoralitetin politik të atyre që në rolin që kanë,
duhet të udhëhiqen nga parimet humane dhe ligjet kushtetuese që ka vendi për të
bërë gjithçka duhet për jetimët dhe për shtresat në nevojë, për të ndikuar
ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Deri tani kjo nuk ka ndodh dhe nuk ka gjasa të ndodh.
Shkaktarë të dramës dhe të refrenit të përsëritur të dhimbjes njerëzore që e
vuajnë dita ditës këta njerëz të
deshpëruar, ka qenë dhe është politika.
Duke qenë në pozicionin e drejtuesit
kryesor të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, jam treguar gjithmonë i vëmendshëm dhe tepër
i kujdesshëm për të mos lejuar që
fëmijët jetimë të përdoren dhe keqpërdoren jo vetëm nga politika, por edhe nga
elementë spekullantë e abuziv, të
infiltruar në mënyra mafioze brenda
shoqërisë civile, që për fat të keq janë shtuar dhe i kemi me shumicë kohët e fundit.
Këta matrapazë social që prej 20
vjetësh luajnë në mënyrën më të shëmtuar me kauzën e fëmijëve jetimë, janë
individë të degraduar moralisht që, përveç thinjave dhe orëve të plota biologjike të jetës së tyre, mbajnë mbi shpinë një “mal”
me mëkate në dëm të këtyre fëmijëve të pambrojtur, duke e konsideruar këtë
kauzë si një burim përfitimi të të mirave materiale.
Në emër të misionit të “bamirësisë” dhe me maskën
e thinjave në kokë, këta individë e kanë konsideruar kauzën e jetimëve si një
lopë që milet çdo mëngjes. Dhe ju
siguroj se nuk e kanë mjelë keq….. ”Qumështin” që ata “mjelin” prej 20 vjetësh, në vend që ta përdornin për fëmijët jetimë, e
kanë konsumuar në “baxhon” e famileve të tyre,
duke e thelluar çdo ditë dramën
e dhimbshme të jetimëve, duke u’a vrarë ëndrrat dhe shpresat për të
ardhmen….
Apeli im është: Mjaft më!
Shteti duhet të zgjohet dhe të
veprojë mbi këta matrapazë të cilëve kur nuk u ecën më tej paudhësia e
tyre, kërcënojnë shtetin dhe
opinionin shoqëror se do të fushin në grevë urie
jetimët….Tashmë këta individë që me
tesera partie në xhep, luajnë si “bixhozxhi”
duke kërcënuar me “greva urie”,
janë persona tashmë të diskretituar në syrin e të gjithëve.
Sigurisht, Instituti Kombëtar i
Integrimit të Jetimëve Shqiptarë nuk ka lejuar dhe nuk do të lejoj edhe në të
ardhmen rastet e abuzimit me këta fëmijë.
A mund të na jepni disa shifra të gjendjes së tyre të
vërtetë dhe disa nga premtimet që janë bërë në 22 vitet e fundit për jetimët?
Në gjithë këto vite janë bërë shumë
premtime për jetimët nga të gjitha
qeveritë. Por asnjëra prej tyre nuk ka mundur të mbaj premtimet.
Që në vitin 1996, është miratuar nga
Kuvendi i Shqipërisë Ligji nr. 8153, dt. 31.10.1996, për “Statusin e Jetimit”. Në të 22 nenet e këtij Ligji, asnjë qeveri
nuk ka mundur të përbushë detyrimin ligjor që ka ky ligj i miratuar nga
Parlamenti.
Është vetëm një nen që ka gjetur
zbatim që kur është miratuar ky ligj. Dhe nga ky nen nuk kanë përfituar jetimët, por vetëm
2 – 3 individë spekullantë që pretendojnë se përfaqësojnë jetimët. Janë
30.000.000 Lekë që qeveria shqiptare i nxjerr çdo vit nga kuleta e
taksapaguesve shqiptarë. Këto para përfundojnë në drejtim të gabuar.
Qeveria duhet urgjentisht që të ndërpresë
këtë financim që nuk sjell asnjë dobi. Përkundrazi, ky financim ndihmon dhe ”ushqen” performancën e abuzimeve dhe mashtrimeve të këtyre individëve që kanë luajtur dhe luajnë më
kauzën e jetimëve. Këto para duhet t’u adresohen shtëpive të foshnjave dhe
shtëpive të fëmijëve, për të shëndoshur buxhetin e ushqimit të përditshëm për fëmijët
jetimë në qëndrat rezidenciale.
Është premtuar gjithashtu strehimi i
jetimeve, por asnjëra qeveria nuk ka mundur të strehojë jetimët dhe kjo ka bërë që sot
nëpër konviktet e disa qyteteve te
Shqipërisë të ndodhen 420 të rinj jetimë, të cilët kanë mbipopulluar këto konvikte si getot e
amerikes latine, dhe po bëjnë një jetë tejet te vështirë nënë kërcënimin e
sëmundjeve kronike dhe kequshqyerjes.
Është premtuar punësimi i tyre, por
asnjë prej jetimëve nuk është në marëdhënie pune. Pjesa më e madhe e tyre
i është nënshtruar një jetë mizerabël,
sjelljeve dhe veseve të rrugës për të gjetur mënyra të pandershme, forma të tjera për mbijetesë.
Jetimët sot janë ana tjetër e
medaljes, e një realiteti që vret çdo ditë.
Nëse do të shikosh se sa e emancipuar
dhe sa e zhvilluar është një shoqëri, sa potencial është një vend dhe një
shtet, shiko me vëmendje sesi i trajton shtresat në nevojë, veçanërisht jetimët. Nëse
vuajnë jetimët, lëngon e gjithë shoqëria dhe shteti ka humbur një nga nocionet më të rëndësishme që e bën
atë të ekzistojë, duke moszotëruar mekanizmat e tij social. Në këto rrethana, rrjedhimisht shteti
paraqitet me një profil të dehumanizuar që i sjell një faturë me kosto të lartë
brezave dhe të ardhmes së vendit.
Sepse
siç dihet, tek çdo foshnjë, tek çdo fëmijë, gjendet një personalitet që nesër
mund të shndërrohet në fuqi pozitive dhe dominuese për të ardhmen e një vendi,
me të cilin nesër do të krenohet një komb, një shtet.
Mbase
po të shiheshin me këtë sy, atëherë në këtë 100 vjetor do të kishim më shumë
humanizëm për këto qënie të dobëta dhe
kaq pa mbrojtje, që shtohen nga dita në ditë, dhe në këtë ekspozitë nuk do të
shikonim me këtë rast dhe mjerimin e shoqërisë sonë.
No comments:
Post a Comment