Nga ILIR ÇUMANI
LETËR MALLI PAS 40 VITESH…
Po i referohemi pa fund shpirtit njerëzor, sepse ky shpirt është i pranishëm si te një i burgosur që përpiqet të ndihet i lirë, ashtu edhe tek dikush që ka vendosur të jetojë, edhe pse ndjen fundin afër. Arsyeja madhore është adhurimi i jetës. Mos harroni se dhe kur i’u ftojmë të rimodelojmë një botë fatëkeqe sipas dëshirave tona më të larta, edhe kur jetojmë me dinjitet megjithë kushtet jonormale, mundemi të bëjmë atë më të mirën. Shpirti njerëzor i drejtuar nga jeta, nga e bukura dhe nga e mira, nuk ka vdekur, edhe pse na thuhet e kundërta. Në këtë Letër Shpirti ndjehet vitaliteti njerëzor…
ERMENITA STAFA
Gazetare, Drejtore në Departamentit
e Programacionit në Radio Tirana.
e Programacionit në Radio Tirana.
Imazhi amësor i munguar tek milona fëmijëve nëpër botë
të privuar nga kujdesi dhe dashuria prindërore.
të privuar nga kujdesi dhe dashuria prindërore.
Ja
drejtoj këtë Letër Mirënjohje sot, të gjithë atyre që më shoqëruan në
fëmijërinë time, në atë periudhë, kur unë Iliri 6 – vjeçar, i viteve ’72 në
shkollën 8-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, isha i riskuar të fokusohesha në
vëmendjen e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të të gjithë mësuesve dhe
edukatoreve të asaj kohe, si i ndryshëm nga të tjerët, me të mirat dhe të
këqijat që mbartja me vete.
Kjo,
më bënte ligsht të provoja ndëshkimet që fati më pati sjellë në jetë dhe që sot
e kësaj dite e konsideroj atë fat me dy fjalë: “një fëmijëri pa fëmijëri….”
FOTO: Në Shtëpinë e Foshnjave në Pogradec, fëmijë e personel, viti 1969
Megjithatë,
gjithçka i ka mbetur kohës, dhe brenda saj është një kujtim i hidhur, jo për ty
Nina, as për Renatën dhe Arben Dhroson, por për mua dhe shumë të tjerë si unë
që provuam të njëjtin fat të hidhur të jetonim pa familje, me ëndrra të prishura
dhe dëshira të parealizuara prej fëmije, pa imazhin, ëmbëlsinë, vështrimin dhe
kujdesin natyral dhe instiktiv të atyre që sjellin në këtë jetë krijesën më të
shtrejntë në botë, pa atë përkëdhelje dhe ngrohtësinë prindërore aq të
nevojshme për moshën fëmijërore.
FOTO: Në Shtëpinë e Fëmijës parashkollore në Pogradec, viti 1972
Thonë
se, fëmijën më shumë se gjithçka e rrit dashuria prindërore. Unë këtë nuk e kam
provuar në asnjë çast të vetëm… Por, kam
provuar një tjetër ngrohtësi dhe dashuri, atë të shokëve të mi në klasën e parë
në shkollën fillore, të mësueses time. Po. Më kujtohet emri i saj, Klorinda
Mosi. Është nëna jote, por, njëkohësisht ajo ishte edhe mësuesja jonë e
përbashkët që na mësoi abc – në e abetares dhe fjalët e para të gjuhës tonë të
bukur shqipe.
FOTO: Në Shtëpinë e Fëmijës parashkollore në Pogradec, viti 1972
Është
kjo arsyeja që e kujtoj me aq nostalgji atë periudhë nga më të veçantat e jetës
sime, aq sa ndoshta ty Nina, nënën tënde apo Renatën, (shoqen tonë të
përbashkët), do t’ju befasoj fakti se pas 40 vjetësh, unë Ilir Çumani, ai djalë
i imët me sy të trembur e fytyrë të zbehtë, i rritur në institucionin e
Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, munda sërisht të bëhem i “gjallë” dhe befas
trokita në “portat” e kujtesës tuaj. Këtë herë, me një mall e mirënjohje që
mban një peshë me një koeficent të pa llogaritur, të pa imagjinuar…
Përveç
kësaj, ka edhe një arsye tjetër më të fortë që e mban të ndezur këtë mall të
fëmijërisë tek unë. Është mirënjohja dhe dashuria për mësuesen time të klasës
së parë, për shokët e mi, sepse për herë të parë dhe të fundit në katër vitet e
shkollës fillore, duke qenë gjithmonë mes jush dhe pranë jush, më bëtë që
asnjëherë të mos e kuptoja se isha i ndryshëm nga ju, i rritur ndryshe si
fëmijë, i rritur jetim.
Vitet
e mëvonshme e trazuan keqas botën time fëmijërore. Koha, rrjedha e shumë
ngjarjeve, situatat dhe rrethanat që po kaloja, më ndërgjegjësuan edhe më shumë
për të kuptuar më mirë realitetin që jetoja. Kjo më bënte të rritur përpara
kohe dhe të harroja njëkohësisht privilegjet që të jep statusi i një fëmije.
FOTO: Qyteti i Sarandës i viteve '70, koha që sapo u vendosa nga Shtëpia e Fëmijës parashkollore e Pogradecit, në Shtëpinë e Fëmijës shkollore Sarandë.
Godina e Shtëpisë së Fëmijës shkollore në Sarandë e sapondërtuar
FOTO: Me kolektivin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, viti 1976
FOTO: Në Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Kl. 4 Fillore, viti 1976
Qyteti i Sarandës i viteve '70 - '80, periudha ku morra mësimet e para, atje ku u edukova, u formua dhe morri drejtim karakteri dhe personaliteti im.
FOTOT: Në Shtëpinë e Fëmijës shkollore në Sarandë, vitet 1976 - 1977
FOTO: Nina Mosi, shoqja ime e bankës e fëmijërisë, në klasën e parë
Qyteti i Sarandës i viteve '70 - '80. Në hyrje të qytetit, pranë rrugës automobilistike, sipër në kodër, ndodhej edhe shtëpia e mësuese Klorindës.
FOTO: Nina Mosi, shoqja ime e bankës e fëmijërisë, në klasën e parë
Atë
pakëz buzëqeshje që ju, shokët e klasës dhe mësuese Florinda ma dhuruat aq
bujarisht, ma rrëmbyen dhunshëm dhe në mënyrë të padrejtë djajtë, ata që në
rrëfimet e hershme biblike thirren ANTINJERI.
Opinioni
konservator i asaj kohe, i mbërthyer nga mentaliteti përbuzës, diskriminues dhe
aspak civilizues, në thelb të së cilës qëndronte kryeneç stigma kolektive, më
goditi rëndë institucionin tim shpirtëror, ma rrëzoi atë në gradën më të ulët
inferiore. Kjo më ka munduar shumë, derisa u rrita dhe dola në jetë.
Më
thuaj Nina, a ka krim më të rëndë që mund t’i bëhet një fëmije, aq më keq, një
fëmije jetim, kur i merr atij gjënë më të shtrenjtë e të pazëvendësueshme,
buzëqeshjen e fëmijërisë, gëzimin, ëndërrat, dëshirat, pafajësinë e moshës!?
Megjithatë,
këto dhe të tjera si këto, nuk ndikuan shumë për të ardhmen time. Në fund të
fundit, është karakteri, dinjiteti dhe personaliteti i njeriut, që përcakton
qartë se cila do të jetë rruga që ai do të marrë në jetë.
Ndoshta
ato ç’ka unë thashë më sipër, patën ndikimet e veta negative, që në psikologji
apo në pedagogjinë moderne quhen (frustazione), zhgënjime dhe shuplaka, por,
kanë edhe anët e tyre të mira, sepse nuk thonë kot që njeriu duhet edhe të
vuaj... Po. Duhet të vuaj, por jo deri në ekstrem, ashtu si edhe Latinët e
Vjetër thonë: “Kur durimi tek njeriu i kalon kufijtë dhe caqet që ai ka,
atëhere nuk quhet më durim, por egërsi...”
FOTO: Në Kampin e pushimit të pionierëve në Vlorë, Korrik,1979
FOTO: Në shkollën 8 vjeçare "Adem Sheme" në Sarandë, kl. 6-të, viti 1978
FOTO: Saranda i viteve '70 - '80, imazhi i bukur i këtij qyteti më ka shoqëruar gjithë jetën dhe më ka frymëzuar në idealet dhe aspiratat e mia.
Unë
falënderoj Zotin që më ka ndihmuar për t’u përballur me këtë egërsi.
Vështirësitë e jetës më bënë më të fortë, më të ekuilibruar, njëkohësisht edhe
më të vendosur për të zgjidhur me forcat e mia shumë situata të vështira, të
ndërlikuara e pikante.
Vuajtjet
dhe sakrificat, veçmas më kanë dhuruar edhe virtyte të çmuara, zemërgjerësinë
dhe humanizmin, ndjenjën e dhembshurisë për të kuptuar edhe më mirë njeriun që
është në nevojë, për t’iu gjendur atij sa më pranë.
Të
gjitha këto e kanë burimin në një forcë të brendshme shpirtërore. Ajo egziston
brenda meje. E kanë tharmin, si të thuash; në ato kujtime të fëmijërisë time të
hershme, në vitet e klasës së parë fillore, kur mësuesja ime e dashur më
dhuronte miqësinë e pastër dhe të sinqertë që dinë ta dhurojnë vetëm nënat me
zemër të madhe.
Takim pas shumë vitesh, me ish - mësuesen e klasës së parë fillore, Florinda Mosi
Kjo
më bën të kujtoj me shumë mall shoqen time të bankës Renata Zeneli, shokët dhe
shoqet si ty Nina Mosi, Rita Papa, Arben Dhroso, Alqi Varresi, Vojsava Miho,
Sofika Papajani, Adrian Dusha, Ilir Beqiri, Sabo Alinani, Besnike Vrako, e
shumë të tjerë që nuk u’a kujtoj emrat në këtë çast.
Mos
u çudisni miq të dashur që në këto radhë po përmend kaq shumë emra. Nuk është
apeli i një klase, por është zëri i vetmuar i atij që nuk ka patur pjestarë të
tjerë në familje. Të mbaj mend shumë mirë ty Nina, me atë përparësen e zezë dhe
jakën e bardhë të qendisur për merak, me fytyrën gazmore e plot shkëlqim, ku
shpesh here, ngatërrohej në portretin tënd buzëqeshja që të kishte falur natyra
me “seriozitetin” e imponuar nga fakti se ishe vajza e mësueses tonë
kujdestare, edhe pse kërkesa e llogarisë fillonte nga ty.
FOTO: Me kolektivin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, viti 1979
Më
shkruan në letër se nuk të ndodhet asnjë fotografi e atyre viteve dhe bën “fajtore”
për këtë nënën tënde dhe mësuesen tonë. Për episodin në fjalë, ndoshta ke të
drejtë, ndërsa për të tjerat unë nuk jam në një mëndje me ty.
Mësuesja
jonë e klasës së parë (nëna jote), në
shtatin e saj të imët dhe të brishtë, mbante brenda vetes një botë të madhe
ndjenjash të ndryshme. Ishte së pari nënë, pastaj mësuese. Kishte hyrë në botën
e gjithësecilit prej nesh, dhe fliste me ne duke u bërë si ne, ç’ka do të thotë
se ajo kurrë nuk ka qenë e qetë dhe asnjëherë indiferente, sepse qetësinë i’a merrnim
ne me “çapkënllëqet” tona, prandaj ndonjëherë na ndëshkonte, pa të përjashtuar
edhe ty.
FOTO:
Saranda i viteve '70 - '80, imazhi i bukur i këtij qyteti më ka
shoqëruar gjithë jetën. Më ka frymëzuar në idealet dhe aspiratat e
mia.
Unë
mendoj se, nuk do të ishte e mirë dhe e drejtë, nëse ajo nuk do të vinte “ujin
në zjarr” për gabimet tona. Këtu pasojat do të ishin edhe më të mëdha. Ndërsa në
rastin konkret, unë gëzohem dhe më bëhet zemra "mal" kur dëgjoj për
ty, Renatën, Arbenin, Vojsavën, Ritën, apo për dikë tjetër se si keni ecur në
jetë.Pa dyshim, meritë jo të vogël për këtë ka edhe mësuesja jonë e klasës së
parë Florinda.
Për
emrat që sipërpërmenda, që në atë kohë kisha një bindje gati të verbër se si do
të ishte e ardhmja e tyre. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Intuita ime
fëmijërore e atyre viteve e kishte paracaktuar një të ardhme të tillë për
secilin nga ju. Kjo kujtesë e imja, apo “zgjim” nëse mund të quhet kështu, nuk
ka të bëj aspak me një gjëndje shpirtërore të çastit, por me një mall e
mirënjohje të kultivuar brenda meje, plot dashuri e mirësi. Ato kanë shtrirë
rrënjë të thella tek unë që në atë kohë.
Në Foto: Me bashkëshorten....
Janë
kujtime që kishin zënë vend brenda skutave të shpirtit tim të trishtuar e të
vetmuar për kaq e kaq vite, si në novelat e Cvajgut. Ato kurrë nuk u zbehën nga
kujtesa ime, as nga rrjedhat jetës plot zik zake, me shumë pengesa e pamundësi
në përpjekje spartanësh, me të përpjeta e tatëpjeta, as nga pesha e viteve plot
shpresa e zhgënjime. Përkundrazi. Në përfytyrimin tim, këto kujtime
ridimensionoheshin dhe fitonin vlera të papërsëritshme, më frymëzonin në çastet
më të vështira të trishtimit dhe të vetmisë, më mbushnin ato boshllëqe që jeta
m’i servirte në mënyrë të pamëshirshme.
Këto
kujtime janë pjesë e jetës time edhe sot e kësaj dite, që kam krijuar një
familje të ngrohtë dhe të shëndetshme. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, Ilvin
dhe Londisën, të cilët gëzojnë një jetë krejt ndryshe nga ajo e fëmijërisë
sime.
Kam një bashkëshorte që e dua si jetën, sepse të njëjtën dashuri marr prej saj. Në këtë realitet unë jetoj midis dy dashurive, mes kujtimeve për shokët dhe shoqet e shkollës fillore, mësueses time që më dhuroi dashurinë dhe ngrohtësinë prej nëne dhe familjes time. Të dyja këto i marrin dhe japin gjithmonë njëra - tjetrës.
Në Foto: Fëmijët, Ilvi dhe Londisa
Kam një bashkëshorte që e dua si jetën, sepse të njëjtën dashuri marr prej saj. Në këtë realitet unë jetoj midis dy dashurive, mes kujtimeve për shokët dhe shoqet e shkollës fillore, mësueses time që më dhuroi dashurinë dhe ngrohtësinë prej nëne dhe familjes time. Të dyja këto i marrin dhe japin gjithmonë njëra - tjetrës.
Janë
vlera të çmuara që vazhdimisht e kanë konturuar dhe e ushqejnë në mënyrë të
shëndetshme të gjithë personalitetin tim, e në radhë të parë, më plotësojnë si
NJERI.
Në Foto: Me familjen....
Në Foto: Me familjen....
Prandaj
Nina e ngrita zërin pas kaq shumë vitesh, për të më dëgjuar të gjithë ata që e
dinë se ç’është mirënjohja dhe njohin vlerat e paçmueshme që ka ajo. E ngrita
zërin për të më dëgjuar ti, Renata, Arbeni, e bashkë me ju edhe ish-mësuesja
jonë e klasës së parë Klorinda, për të cilën lumturohem pa masë që gëzon një
shëndet të mirë në pleqërinë e saj.
U
gëzova shumë kur mora vesh se ke krijuar
familjen tënde dhe jeton e punon e lumtur me bashkëshortin dhe djalin tënd
Xhulio, aty, në Venecia të Italisë.
Kur
të vish në Tiranë, dëshiroj dhe shpresoj të takohemi. Unë po të dërgoj edhe
disa fotografi që të krijosh një ide më të qartë pas 40 vitesh që nuk jemi parë.
Do të dallosh ndryshimet që unë kam bërë. Doemos, janë ndryshime që me kalimin e
kaq shume viteve i ke bërë edhe ti. Të paktën me ç’farë unë pashë nga
fotografia që më dërgove në letrën tënde.
Sa shumë
gjëra të thashë.... Shumë të tjera janë për t’u thënë, por nuk mund të përmblidhen
të gjitha në një letër. Jeta është e ngarkuar me shumë ngjarje dhe rrjedha e
saj është intensive. LUM kush e jeton atë duke i dhënë KUPTIMIN e vërtetë të
saj.
-----------------------------------------------------------------------------------------
V.O - Botuar në Revistën "INTEGRIM" - Botim i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
No comments:
Post a Comment