Thursday, March 19, 2020

TË JETOSH EDHE PËRTEJ VDEKJES...!





                            Nga ILIR ÇUMANI


 (Përsiatje mbi librin e ri me kujtime: “Ky është Dritëroi im”)

Sapo më ra në dorë botimi i ri i Shtëpisë Botuese “Dritëro”, libri me mbresa dhe kujtime kushtuar njërit prej personaliteteve më përfaqësuese dhe më të shquara të Letrave Shqipe, DRITËRO AGOLLI. Në këtë botim, janë përfshirë plot 120 autorë.

Mes tyre, shumica janë emra mjaft të njohur dhe shumë të respektuar të shkrimtarisë dhe publicistikës, artit dhe kulturës, politikës dhe shkencës, botës akademike dhe personalitete nga fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë shoqërore, brenda dhe jashtë vendit, të ndodhur kudo nëpër botë, në tërë hapësirën mbarëshqiptare, të cilët, kanë rrëfyer lirshëm dhe pa doreza, në mënyrën më të sinqertë dhe të dëlirë gjithçka dinë, kanë parë e përjetuar për shkrimtarin dhe poetin tonë të madh. 

Në veçanti, ata rrëfejnë me zemër të hapur shumë të pa thëna për NJERIUN Dritëro, ashtu siç e kanë njohur, duke sjell para lexuesve një libër të rrallë, me mbi 1000 faqe, për të cilin Elona, e bija e shkrimtarit, është përkujdesur me merak e zell të admirueshëm për të nxjerrë në dritë një botim dinjitoz në përvjetorët e largimit nga jeta të dy prindërve të saj të mrekullueshëm, Dritëro dhe Sadije Agolli. 

Por, me një peng të madh, ashtu siç shprehet në parathënien e librit, kur ajo shkruan: “Një libër i vështirë dhe një “ëndërr e prerë”, për nënën time të jashtëzakonshme, paska qenë ky libër; përmbledhje kujtimesh të miqve dhe jo miqve, të dashamirësve, por edhe ata më pak dashamirës, të të njohurve zemërgjerë dhe largpamës, por edhe atyre më individualistë e pragmatistë. Dritëroi i vëzhguar nga shumë sy, zemra dhe mendje, në epoka thuajse të ndryshme, në etapa të ndryshme të jetës së tij…”


Libri i ri "Ky është Dritëroi im", i Shtëpisë Botuese "DRITERO" dalë në qarkullim.

Në fakt, libri befason dhe zgjon një kërshëri të skajshme tek lexuesi përmes narracionit, përjetimeve, mbresave, emocioneve dhe kujtimeve që autorët i ruajnë ende të freskëta nga takimet dhe lidhjet e shpeshta që kanë patur me shkrimtarin dhe poetin e madh, që në gjallje të Tij. 

Të gjitha këto rrëfenja, vijnë si dëshmi të jetuara, dhe  rreken gjallërisht në mënyrë harmonike të sendërtojnë jo vetëm profilin, por edhe institucionin e shejntë e të pa cënueshëm të një individi jo të zakonshëm, me kaq shumë impakt në qarqet intelektuale dhe ato krijuese, me një ndikim të pa diskutueshëm edhe në jetën shoqërore e politike midis dy kohëve, duke zbuluar çdo skutë të shpirtit njerëzor të patriarkut të mençur e zemërbardhë, me një pamje dhe shpirt të praruar, ashtu siç edhe mbeti deri në fund të jetës së tij. 

Ato pasurojnë në mënyrë natyrale duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij; synojnë kryesisht të skalitin më qartë duke e latuar edhe më bukur profilin human të Dritëroit si NJERI, përpos asaj që të gjithë e njohim si personalitet me shumë peshë jo vetëm në Trashëgiminë e Kulturës sonë Kombëtare që tashmë ka zënë një vend mjaft të rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit të ‘20 - të dhe në dy dekadat e para të shekullit ‘21. 

“KY ËSHTË DRITËROI IM”, është titulli i librit më të ri kushtuar këtij rilindasit të fundit të kohës tonë... Personalisht, ndjehem i privilegjuar që edhe unë jam përfshirë në këtë botim special si bashkëautor modest, por, edhe si dëshmitar i shumë çasteve mbresëlënëse dhe bashkëkohës me shkrimtarin dhe Poetin tonë të madh. 


Teksti i shkrimit në Librin me kujtime: "Ky është Dritëroi im".
 
Jam i bindur se, lexuesit e shumtë që e kanë njohur Dritëroin në tërë kompleksitetin dhe dimensionin e Tij real, që e duan dhe e çmojnë shumë letërsinë e Tij, do të mrekullohen, e, patjetër do të impresionohen kur në këtë libër do të gjejnë mjaft referenca si pikëtakime të përbashkëta, ashtu siç ata e kanë njohur dhe perceptuar përmes jetës dhe veprës së Tij!

Në vitet e fundit të jetës, Dritëroi shkroi për vete, pse jo edhe për skeptikët apo të keqkuptuarit e Tij, një epitaf mjaft domethënës e filozofik. Në këtë epitaf, i cili duket si amanet testamentar i Dritëroit dhe që është vendosur dukshëm mbi pllakën e  varrit të Tij, qartësisht Ai shprehet në mënyrë të sinqertë dhe me shumë përulësi e dhimbje për një nga pengjet e Tij, kur thotë:  

“.... Përjetësisht këtu fle Dritëroi/, Me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë/. Të mira bëri pak gjersa jetoi/, Më tepër mund të bënte, por s’e lanë....”. 

Në fakt, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Dritëroin, edhe ata që kanë bashkëpunuar dhe e kanë ndjerë nga afër dashamirësinë, këshillën e mençur dhe të urtë, ndihmën, përkujdesjen dhe përkushtimin e Tij, (dhe të tillë janë të shumtë; mjafton të lexoni librin me kujtime), jam i bindur se, për herë të parë nuk do të ishin në një mendje me Njeriun - Dritëro.

Ngase, pakkush si Ai, bëri aq shumë të mira sa mundi për bashkëkombasit, për bashkëqytetarët e bashkëfshatarët e tij, për njerëzit e thjeshtë, për të njohur dhe të panjohur, anë e mbanë Shqipërisë, për ata që ishin në nevojë, aq sa, për të gjitha këto, do të duheshin të shkruheshin vëllime të tëra me libra si ky, që lexuesi fatmirësisht do ta ketë tashmë në dorë. 

Këtë të vërtetë të pamohueshme, tashmë e dëshmojnë në këtë libër të veçantë në llojin e tij edhe mjaft emra të njohur, koleg, bashkëpunëtorë e bashkëkohës të Dritëroit, si: Ismail dhe Helena Kadare, Rexhep Qosja, Moikom Zeqo, Zija Çela, Frrok Çupi, Teodor Keko, Ilir Meta, Pandeli Majko, Arben Malaj, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Bardhyl Londo, Muntaz Dhrami, Ali Aliu, Margarita Xhepa, Diana Çuli, Natasha Lako, Shaban Sinani, Pëllumb Kulla, Visar Zhiti, Bujar Kapexhiu, Ekrem Bardha, Skënder Buçpapaj, Timo Flloko, Mevlan Shanaj, Luan M. Rama, Aleksandër Frangaj, Ardit Gjebrea, Zhani Ciko, Piro Milkani, Mimoza Ahmeti, Mentor e Shpëtim Nazarko, Meri Lalaj, Thoma Gëllçi, Petrit Ruka, Justina Aliaj, Lazër Stani, Martin Leka, e shumë të tjerë që janë rrëfyer…

Ka edhe shumë e më shumë të tjerë që nuk kanë mundur të rrëfehen, e, që patjetër në çastin e duhur do ta bëjnë këtë. Sepse, përtej bindjeve politike e ndasive krahinore, së pari, Dritëroi ishte një patriot e atdhetar i mirë, miku i çmuar i të gjithë shqiptarëve, nga jugu e deri në veri. 

Kudo që shkeli këmba e Dritëroit, aty edhe u mbrujt vepra e tij e ndritur, në thelb të së cilës materializohen, sintetizohen dhe mishërohen luftrat, hallet dhe përpjekjet e vazhdueshme për mbijetesë, brengat dhe gëzimet, shqetësimet dhe dhimbjet proverbiale të popullit të cilit ai i përkiste, e, padyshim, atje është gdhendur çdo gjurmë e Dritëroit tonë, të cilat do ti gjesh gjithmonë, sot e në të ardhmen.

                              Autori i shkrimit Ilir Çumani me shkrimtarin Dritëro Agolli
 
Kjo lidhje e fortë dhe e natyrshme me njerëzit, me tokën, me vendlidjen dhe me Atdheun, e dallojnë Dritëroin veç të tjerash si pararendës e mesazhier të dhembshur universal të paqes, e bëjnë një humanist klasik e të pangjashëm në llojin e tij, me kontribute të çmuara për emancipimin dhe përparimin shoqëror. 

Dritëroin e bezdisnin deri në sëkëlldi mungesa e humanzimit dhe padrejtësitë shoqërore, mungesa e meritokracisë, inferioriteti, servilizmi, diletantizimi,  mediokriteti dhe konformizmi që asokohe buronte nga klishetë e propagandës dhe mbante gjallë stereotipin burokratik, pasojat e të cilave binin mbi popullin, mbi  njerëzit e thjeshtë. 

E gjitha kjo, u trajtua me forcë dhe kurajo të admirueshme në një nga kryeveprat e tij, në romanin satirik më të zëshëm të letërsisë shqiptare, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i cili, edhe sot përcjell mesazhe mjaft aktuale.

Në piramidën më të lartë të hierarkisë së Partisë - Shtet të rregjimit represiv që lamë pas, administrata e asaj kohe kishte edhe mjaft zyrtarë nopran, pushtetarë partiakë arrogant, injorantë e fanatikë të pashpirtë, që frerët e rregjimit i kishin mjaft të liruara, ku e ku me ato të Dritëroit. 

Por, shumë prej tyre, në asnjë rast të vetëm nuk u ndërgjegjësuan, nuk patën asnjë moment reflektimi e pendese për faktin e thjeshtë se jetonin jashtë realitetit dhe ishin shkëputur tërësisht nga hallet dhe shqetësimet e popullit. Për këtë arsye, atyre u mungonte empatia humane dhe sentimenti njerëzor. 

Të ngujuar në ngrehinën e tyre militanteske të propagandës mediokre e dogmatike të kohës, ata i frikeshin mendimit të lirë e të përparuar, ngase nuk deshën dhe nuk pranuan asesi të ecnin përpara me zhvillimet dhe konceptet e reja liberale që i diktonte koha. 

Për rrjedhojë, ata mohonin me çdo mjet progresin, refuzonin të bënin punë të mbara në dobi  të shoqërisë e të përparimit të vendit, ngurronin të demonstronin një sjellje të mire, të zgjatnin qoftë edhe një dorë për ndihmë, edhe atëherë kur rasti ua sillte në derë për ta bërë një gjest të tillë, ashtu siç dinte të bënte në mënyre kaq origjinale dhe të vërtetë Njeriu i mirë Dritëro. 

Ishte koha e rrënimit shpirtëror, ku, dukshëm binte në sy mungesa e sitemit të vlerave, jeta e vështirë dhe varfëria masive që  kishte pllakosur të gjithë vendin në kushtet e një tiranie të pashembullt, ku sundonte censura dhe diktati absurd dhe dinjiteti njerëzor nëpërkëmbej dhunshëm, pa shkak…(!!!)

Skutave të errëta, ku thurreshin intrigat e paimagjinueshme në aparatet e zyrave të Partisë së Punës, këta mercenarë të pashpirtë, shumë prej tyre, jo rrallë herë, djallëzisht e tinëzisht i ngrenin kurthe poetit dhe shkrimtarit popullor; përplaseshin pafytyrësisht me të dhe i hapnin punë liberalit Dritëro, pikërisht atëherë, kur ai sapo gjente një dritare, apo sajonte një mundësi duke krijuar shanse të ndihmonte sa më shumë të rinjtë e talentuar me “cene në biografi”. 

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ngase kjo specie konservatore dhe e pandreqshme, ishte dhe mbeti deri në fund vegël e verbër represive e sistemit, ingranazhi kryesor dhe besnikja fanatike e diktaturës më të pashembullt që ia zgjati edhe më shumë jetën rregjimit, edhe atëherë kur ai po lëngonte në shtratin e vdekjes në agoninë e vet. 

Tashmë që kaluan plot tre dekada, e kanë rrjedhë shumë ujëra që nga ajo kohë, mendoj se është çasti të gjykojmë me objektivitet në vlerësimin e gjithçkaje ka ndodhur asokohe. Pa pasione, pa mllefe, pa shumë emocione, të cilat na errësojnë shikimin dhe arsyen, ashtu siç shosha e ndan miellin nga krundet për të gatuar bukën e mirë....! 

Dritëroi, gjithë jetën e Tij, diti me të gjitha mënyrat që mundi, të na gëzojë, të na mbajë gjallë shpresën dhe optimizmin, të na ngroh zemrat duke na dhuruar pafundësisht mirësi e dashuri pa kushte, duke na ushqyer në mënyrë të pamatë e të shëndetshme me "bukën" e mirë të letërsisë që rrallëkush e bëri si Ai, dhe jo vetëm përmes prozës, publicistikës dhe poezisë së gatuar në magjen "Agolliane..."!   

Ashtu siç shprehet shkrimtari dhe poeti i njohur Preç Zogaj në mbyllje të kujtimeve të tij, se: “Dritëro Agolli është shembulli që ilustron të vërtetën e vjetër, se jo çdo njeri zemërbardhë është poet, por nuk mund të ketë poet të madh pa zemër të madhe…”.   

E, nëse kjo sentencë i shkon për shtat  NJERIUT Dritëro, atëherë kjo do të thotë se ai tashmë jeton edhe përtej vdekjes, në zemrën e një populli që aq shumë e ka dashur dhe do ta dojë gjithmonë. Sepse Ai jeton dhe do të jetoj në kujtesën kolektive të një kombi të tërë. 

Ky libër i ri, që vjen si homazh për nder të poetit tonë të madh, na e dëshmon këtë...!

No comments:

Post a Comment