Sunday, July 28, 2013

REZOLUTË E TAKIMIT KOMBËTAR TË JETIMËVE SHQIPTARË


REPUBLIKA E SHQIPËRISË
INSTITUTI KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË
Adresa: Rruga “Dibrës”, nr. 312/1, Tiranë


REZOLUTË

E TAKIMIT KOMBËTAR  TË JETIMËVE SHQIPTARË


PËR INTEGRIMIN E SHQIPËRISË BASHKË ME JETIMËT NË EUROPËN E BASHKUAR


E Miratuar nga jetimët e Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe 10 vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, MË DAtën 20 maj, Ditën Kombëtare të Jetimëve të shqipërisë, e IDEUAR DHE E themeluar si ditë kombëtare nga ky institut dhe e shpallur nga Parlamenti shqiptar.


Me dt. 20 Maj 2012, Ditën Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 10 vjetorit të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, u organizua takimi kombëtar i jetimëve nga i gjithë vendi me pjesëmarrjen e të gjithë brezave që i përkasin këtij komuniteti, në praninë e përfaqësuesve më të rëndësishëm të organizmave ndërkombëtare, përfaqësuesve të institucioneve të larta të shtetit shqiptar, të trupit dipllomatik dhe personaliteteve të shquara të shkencës, kulturës dhe artit. Takimi, krahas kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë, promovoi veprimtarinë 10 vjeçare të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe diskutoi për gjendjen aktuale të jetimëve në Shqipëri. Takimi miratoi këtë rezolutë mbi gjendjen e vështirë aktuale të jetimëve shqiptarë për t’ua bërë të ditur të gjithë organizmave ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Parlamentit Europian, Komisionit Europian, qeverive të vendeve perëndimore dhe vendeve anëtare të OKB-së. 

 Takimi VLERËSOI:

 1- Arritjet dhe rolin e rëndësishëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për sensibilizimin e opinionit shoqëror e politik të vendit në mbrojtje të të drejtave të jetimëve duke bërë të njohur vlerat, gjendjen dhe shqetësimet reale të këtij komuniteti si dhe kontributin e drejtpërdrejtë që ka dhënë ky institut në përmirësimin e tipologjive të standarteve  për  mirërritjen dhe integrimin e një pjese të jetimëve shqiptarë.

2- Kontributin e personaliteteve shqiptare të kulturës, artit dhe shkencës që kanë dalë nga komuniteti i jetimëve për kultivimin dhe  përhapjen e vlerave humane.

3- Mbështetjen e Përfaqësuesve të lartë të Organizmave Ndërkombëtare ndaj veprimtarisë, dhe misionit të Instituti Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

4- Bashkëpunimin dhe Mbështetjen që Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bamir TOPI i ka dhënë  kauzës së jetimëve dhe Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë në 5 vitet e fundit.

5- Kontributin e vendeve perëndimore për mbështetjen e jetimëve shqiptarë që kanë emigruar për shkak të gjakmarrjes.

6- Bashkëpunimin dhe mbështetjen që Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka dhënë ndaj Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për mbrojtjen e të drejtave të jetimëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të jetimëve që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes.

7- Mbështetjen që Mediat dhe Universitetet Private u kanë dhënë jetimëve shqiptarë nën sensibilizimin e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Takimi Miratoi:

Letrën drejtuar sekretarit Të përgjithsëm tË OKB-së dhe deputetëve të parlamentit europian QË të shpallin 20 majiN si “dita botërore NË NDIHMË TË jetimëve”.

 Takimi KONSTATOI:

Gjendja e jetimëve dhe rrjeti i Shërbimit Social

Ky shërbim raporton se mbulon me ndihmë sociale 65-67% të njerëzve që janë në nevojë, numri i të cilëve arrin në 464800, ose 14% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Realisht numri i atyre që kanë nevojë për asistencë sociale është mbi 700 000. Ky numër ka variuar herë pas here nga 700 000 deri në 1000 000 individë që aktualisht mbeten në varfëri ekstreme për shkak të krizës e papunësisë. Nga 700 000 shqiptarë që kanë nevojë për asistencë, 184 000 janë fëmijë, 31 000 prej të cilëve janë fëmijë jetimë. Mbi 2/3 e kësaj moshe përballen me ekstremin e përpjekjeve raskapitëse për mbijetesën, por më të prekurit nga ky ekstrem varfërie e përpjekjesh mbeten fëmijët jetimë. Një pjesë shumë e vogël e tyre marrin asistencë sociale. Asistenca sociale që garantohet nga shteti mbulon vetëm 5 % të nevojave minimale të jetës së tyre. Nga 31 000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 prej tyre trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë në 16 qendra joqeveritare (OJF). 100 000 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden në të njetën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë.
Qendrat sociale për shërbimet ndaj grupeve në nevojë të të gjitha kategorive janë shumë të pakta në krahasim me nevojat dhe mbeten të brishta përballë vendimeve të administratës shtetërore, qëndrore e lokale, që u ndryshon destinacionin “për mungesë fondesh” sa herë që firmat private të ndërtimit, të lidhura me përfaqësuesit e politikës dhe të qeverisë, i blejnë me një çmim të ulët e qesharak. Rrjeti i Shërbimit Social Shtetëror vepron me 12 zyra rajonale në të gjithë vendin të cilat nuk kanë funksionuar si duhet gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Kjo ndodh sepse në të shumtën e rasteve ky rrjet shërbimi ka qenë i korruptuar dhe informal, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme në arritjen e standarteve. Qendra e rehabilitimit të fëmijëve jetimë e të ngujuar nga gjakmarrja, që u ngrit në Poliçan me një vendim të bujshëm të qeverisë në vitin 2008, dështoi për shkak të korrupsionit dhe mungesës së vizionit. Megjithë paralajmërimet dhe denoncimin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, nga 5 milion euro që qeveria dhe donatorët derdhën për këtë projekt, u shpenzuan vetëm 38.000 euro për fëmijët. Po kështu, kanë dështuar edhe projektet e tjera si ai i “Shansit të Dytë” i Ministrisë së Arsimit për fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja si dhe projekti i ngritjes së strukturës së posaçme të policisë në Shkodër për ndalimin e gjakmarrjes.
 Kjo ka bërë që një pjesë e partnerëve ndërkombëtarë, si donatorë kryesorë në implementimin e programeve sociale në favor të shtresave në nevojë, të jenë skeptikë ndaj këtyre projekteve e institucioneve të shërbimit social, shtetëror e privat. Fatkeqësisht një pjesë tjetër e këtyre donatorëve vazhdojnë të japin fonde në drejtim të gabuar dhe pa vigjilencën e duhur.

Organizatat joqeveritare dhe marrëdhëniet e tyre me jetimët. 

Në këtë sektor janë deklaruar publikisht 140 shoqata që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe fëmijëve në nevojë, veçanërisht të fëmijëve jetimë dhe fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja. Ky fakt, jo vetëm nuk ka zbutur fenomenet që prekin këto shtresa, por ka thelluar edhe më keq gjendjen e tyre, mbasi shumica e tyre janë pseudoshoqata. Kjo ndodh për faktin se shumica e individëve që i krijojnë këto OJF të rreme, janë individë pa asnjë bacgraund, pa staturën e nevojshme dhe pa integritetin moral, që për fat të keq e kanë dëmtuar rëndë kauzën e shoqërisë civile, të lëvizjes për emancipimin dhe zhvillimin shoqëror. Shumica e tyre janë njerëz  të pa arsimuar, individë që dukshëm manifestojnë sjellje dhe veprime me moral të ulët, të molepsur nga veset e mashtrimit dhe vjedhjeve permanente në emër të grupeve të pambrojtura të shoqërisë. Këta individë që identifikohen lehtësisht si matrapazë socialë, janë kryesisht sekserë edhe ish-bodigardë të kazinove, që mashtrojnë opinionin publik dhe institucionet shtetërore, aperatorët privatë, biznesin, fondacionet, ambasadat, duke u shfaqur edhe në mediat shqiptare apo në internet si përfaqësues të jetimëve e familjeve në hasmëri. Ata e kanë kompromentuar rëndë misionin e Shoqërisë Civile duke krijuar lidhje okulte dhe aspak transparente me donatorë të huaj, kryesisht nga vendet islamike, për qëllime tregtare e përfitimi. Akoma më tej, këta individë krijojnë lidhje me persona të papërgjegjshëm e të inkriminuar edhe në vendet perëndimore për të bërë tregti me “ndihma” nga SHBA, Kanada, Belgjikë, Angli etj. Disa përfaqësues të shoqatave islamike, që veprojnë prej vitesh në vendin tonë me veprimtari të dyshimta, u garantojnë mbështetje financiare këtyre individëve abuzivë me përfitime të ndërsjellta. Ligji në Shqipëri lejon çdo individ të krijojë formalisht një organizatë joqeveritare dhe nga kjo gjë kanë përfituar mjaft trafikantë, mashtrues dhe kriminelë, një pjesë e të cilëve janë të lidhur me punonjës të korruptuar të administratës publike. Nëpërmjet mashtrimeve mediatike dhe internetit, individë të tillë kanë thithur donacione në vlera të konsiderueshme në emër të fëmijëve jetimë dhe të gjakmarrjes, fonde që nuk i venë kurrë në dispozicion të fëmijëve jetimë apo të familjeve të ngujuara. Fatkeqësisht, në shumë raste, jo vetëm qytetarët, por edhe donatorët perëndimorë kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve. Përveç kësaj, për përfitime personale dhe maskimin e veprimtarisë së tyre abuzive, në mënyrë flagrante dhe në kundërshtim të hapur me Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, këta spekullantë i keqpërdorin fëmijët jetimë nëpër fushata elektorale e në takime propagandistike, në interes të njerëzve me pushtet politik që i mbështesin.
Nën influencën e këtyre individëve, qeveria dhe Komuniteti Ndërkombëtar kanë shkëputur lidhjet me operatorët seriozë të Shoqërisë Civile Shqiptare. Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Qeveria në mënyrë represive dhe absurde u kundërvihet operatorëve seriozë të shoqërisë civile për shkak të oponencës konstruktive që ata i bëjnë asaj, duke futur në lojë edhe strukturat e policisë së shtetit. Futja në lojë e policisë për të goditur dhe dëmtuar imazhin e organizatave më të devotshme të Shoqërisë Civile për shkak të oponencës që ato i bëjnë qeverisë, është goditja më e rëndë që i bëhet  demokracisë, shtetit të së drejtës, të Drejtave të Njeriut dhe lirisë së qytetarëve. Kjo lojë politike kriminale u ka dhënë mbështetje dhe hov njerëzve destruktiv dhe të inkriminuar dhe ka strukur aktorët e tjerë të shoqërisë civile, bizneset dhe qytetarët për të mos u përballur me keqqeverisjen, me vendimet e qeverisë dhe ligjet e miratuara në kuvend, që janë treguesi më i qartë i lidhjes së mafies dhe i krimit të organizuar me strukturat e shtetit e të qeverisë.

Shkollat dhe Konviktet në shërbim të jetimëve

Prej 21 vjetësh konviktet e shkollave të mesme në rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër (të cilat kanë destinacion strehimin e nxënësve konviktorë të ardhur nga rrethet) ndodhen të strehuar qindra të rinj jetimë, të papunë, në kushtet e getove. Në këto mjedise mizerabël, atyre nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre. Të mbetur dyfish jetimë, në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, këta të rinj sot janë kontingjenti më vulnerabël dhe më i margjinalizuar i shoqërisë shqiptare.

SHKAKU KRYESOR I NJË GJENDJE TË TILLË ËSHTË:
 
Mungesa e planifikimit të zhvillimit kombëtar dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës:  
Nga 4 milion banorë që ka Shqipëria, 1,5 milion kanë emigruar në rrugët më të vështira klandestine duke u përballur me vrasjet në kufi, vdekjet në mot të keq e mbytjet në det nga skafistë kriminelë apo nga sulmet e anijeve militare. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre viktimave kanë qenë jetimë. 50 % e këtij emigracioni janë qytetarë të detyruar të largohen për shkak të konflikteve e hasmërive që u janë krijuar në mungesë të shtetit efektiv ligjor. Mungesa e shtetit efektiv ligjor ka sjellë në skenë kanunin i cili aplikohet në mënyrë të deformuar e me pasoja tragjike edhe ndaj grave, fëmijëve e jetimëve. Nga 10400 viktima të vrasjeve me vetgjyqësi, brenda dhe jashtë Shqipërisë, 68 % e tyre i përkasin familjeve të varfëra dhe po e njejta përqindje rezulton tek familjet që i kanë shkaktuar këto vrasje. Këto vrasje kanë sjellë 1400 jetimë që mbeten jo vetëm nën varfëri e mjerim por edhe me barrën e rëndë mbi supe për të gjetur drejtësinë e prindërve të humbur. Aktualisht gjenden rreth 1500 familje të ngujuara me 900 fëmijë që nuk shkojnë në Shkollë. Ashtu si edhe shumica e jetimëve edhe familjet e kërcënuara nga gjakmarrja nuk kanë gjetur mbrojtje apo mbështetjen e nevojshme përveçse nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë  dhe Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar. Shumë jetimë dhe familje në gjakmarrje, kur nuk mund të gjejnë pajtimin dhe mbijetesën në kushtet shqiptare, kërkojnë si rrugë të vetme të largohen nga vendi. Fatkeqësisht, edhe në këtë rast, angazhimi i sekserëve e matrapazëve që kanë krijuar pseudoshoqata e ka dëmtuar të drejtën e familjeve që janë realisht në gjakmarrje për tu mbrojtur në vendet perëndimore.
Jetimët shqiptarë, ashtu si pjesa më madhe e qytetarëve, edhe pse i përkasin një popullsie me moshë të re nuk kanë mundësi biznesi dhe kanë humbur shpresën tek e ardhmja në vendlindje. Shpesh ata bien pre e mashtrimeve të këtyre pseudoshoqatave dhe trafikantëve. Pushteti lokal (rrethet e qarqet) nuk kanë planifikim për mbështetjen sociale  të jetimëve ashtu siç nuk kanë planifikim për zhvillimin e ekonomisë qytetare e mjedisit. Lidhja me interesat partiake e ka bërë administratën lokale të pa aftë për të marrë vendime të dobishme e të qëndrueshme për komunitetin. Sipas informacioneve të dhëna nga organizatat e të drejtave të njeriut si dhe ato të mjedisit, pozita gjeografike mesdhetare e shqiptarëve me natyrën, relievin, klimën, bimësinë, ujrat dhe burimet nëntokësore plotësojnë kushte natyrore për jetesë të standarteve të larta e biznes, por kjo pasuri nuk menaxhohet e nuk shfrytëzohet sepse nuk ka planifikim kombëtar. Korrupsioni si veçori dalluese e shoqërive të varfëra po kthehet në tipar i shëmtuar për shqiptarët, të cilët e kanë të vështirë të shkëputen mbasi kanë shumë nevoja jetike. Nga ana tjetër ata shohin që qeveritarët sigurojnë pasuri përrallore nga të qenit në pushtet. Ligjet kundër korrupsionit veprojnë vetëm mbi qytetarët e varfër dhe punonjësit e rrangut të ulët. Deri tani asnjë ministër nuk është dënuar për korrupsionin, për lidhjet me mafien e shitjen e pasurive kombëtare.
 Korrupsioni e ka dobësuar vazhdimisht administratën e cila krijohet nga militantët dhe njerëz të devotshëm të partisë në pushtet. Dobësia dhe paaftësia profesionale e këtyre njerëzve të ngjitur në qeverisje drejtpërdrejtë nga auditoret e partive polike ka ndikuar në të gjitha fushat e jetës, duke sjellë varfëri e rrënim jo vetëm në jetën e përditëshme, por edhe në atë politike, sociale, juridike e gjyqësore. Organizmat ndërkombëtar dhe përfaqësitë dipllomatike nuk kanë qenë të afta për të njohur realitetin shoqëror e politik të vendit dhe nuk kanë kontribuar siç duhet për mbrojtjen e konsolidimin e shtetit të së drejtës. Raportet e tyre vjetore që publikohen dhe lexohen nga qeveria janë të sipërfaqëshme, me fraza të kujdeshme për të mos u prishur qejfin palëve politike. Këto raporte janë krejtësisht jashtë realitetit dhe shpesh herë qesharakë. Në asnjë nga raportet e tyre, në këto 21 vjet tranzicioni, nuk është paraqitur panorama reale e fëmijëve jetimë, edhe pse gjendja konstatohet  dukshëm dhe lehtësisht. Kjo vjen si rezultat se në Shqipëri nuk ka shoqëri të vërtetë civile e sindikata. Organizatat joqeveritare të financuara nga ndërkombëtarët nuk kanë vullnetarizëm përveç stafit që paguhet dhe liderit që merr pjesën e Luanit të shumës së dhënë nga donatori. Partitë politike kanë qenë të interesuara që sindikatat të drejtohen nga njerëz të tyre. Projektet e shoqërisë civile nuk shkojnë asnjëherë tek grupet në nevojë. Deri tani janë mbështetur nga donatorët 83 projekte për jetimët dhe 176 projekte për gjakmarrjen por asnjë nga fëmijët jetimë apo familjet e përfshira në gjakmarrje nuk kanë përfituar nga këto projekte.  Në Shqipëri, veçanërisht në qytete, mungon kultura e protestës dhe grumbullimit për të drejtat njerëzore. Qytetarët shqiptarë edhe pse vuajnë çdo ditë stresin për sigurimin e kushteve më minimale të jetesës nuk munden të grumbullohen në protesta sepse kanë humbur çdo shpresë për ndryshim dhe përballen çdo ditë me presionin psikologjik e mediatik të politikës. Qytetarët nuk kanë sindikata as shoqëri civile që t’i udhëheqë apo mbrojë ata. Sipas të dhënave të fundit numri i fëmijëve lypës, i vjedhësve dhe prostitucionit si dhe i fëmijëve që punojnë për të ushqyer familjen është rritur me më shumë se 30 % në tre vitet e fundit, edhe pse qeveria thotë se vendi ka rritje ekonomike. Jetimët janë shtresa më e pambrojtur prej këtyre kontigjenteve. 60 % e këtyre jetimëve mbeten shumë të varfër për gjatë gjithë jetës, ku edhe ekzistenca e tyre është në rrezik të vazhdueshëm. Bizneset në mënyrë preferenciale dhe nën trysninë e presioneve psikologjike permanente të pushtetit politik japin donacionet në të shumtën e rasteve për kremtime e manifestime publike të njerëzve me pushtet dhe jo për investime direkte në arsimimin dhe mirërritjen e këtij grupi në nevojë. Donacionet e dhëna në ndihmë të fondacioneve që drejtohen nga njerëzit me pushtet politik, kanë privuar grupet në nevojë për mbështetje reale. Tradita shqiptare e detyrimit të të afërmëve për tu kujdesur për jetimin është zhdukur. Gjendja mbetet e pa shpresë kur edhe 40 000 të rinj që kanë mbaruar studimet gjenden të papunë, 30 000 persona nga mosha 14 -30 vjeç janë të droguar, 7000 prej tyre rezulton të jenë përfshirë edhe në vepra kriminale. Mungojnë institucionet dhe programet publike e jopublike. Ekziston vetëm një qendër rehabilitimi për 30 të rinj përdorues të drogës. Rastet e dhunës në familje janë shtuar në mënyrë tragjike duke përfunduar shpesh herë në vrasjen e gruas apo të burrit në sy të fëmijëve. Në familjet e varfëra dhunimi shtrihet edhe mbi fëmijët duke i detyruar ti nënshtrohen urdhërave të prindërve, të braktisin shkollën e të dalin për të punuar. Në qytete familjet kanë degjeneruar drejt divorceve e në konflikte për shkak të varfërisë duke sjellë mjaft raste tragjike për palët. Një numër i konsiderueshëm i grave e vajzave të familjeve të varfëra i drejtohen prostitucionit klandestin për të mbijetuar. Viktimë e kësaj gjendje të mjerueshme janë veçanërisht vajzat jetime.

Shqetësimet e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ka insistuar vazhdimisht që shteti dhe politika të jenë më të ndjeshëm ndaj kësaj situate. Instituti ka insistuar prej kohësh që strukturat e pushtetit lokal, në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, ti  kenë të gjitha tagrat dhe instrumentet ligjore të nevojshme për të vepruar në përmirësimin e kushteve sociale të jetimëve. Instituti ka ngritur zërin që të bashkëpunohet midis qeverisë dhe operatorëve të shoqërisë për parandalimin e krimit kundër jetës, mbasi vrasjet me vetgjyqësi në këto 21 vjet kanë lënë 1400 fëmijë jetimë, por qeveria shqiptare e ka injoruar këtë zë. Janë afro 600 fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe për 350 baballarët e tyre, dëshmorë të atdheut, që dhanë jetën në këtë tranzicion të dhimbshëm në mbrojtje të rendit e qetësisë, lirisë dhe vlerave të saj. Janë 1050 fëmijë të tjerë jetimë nga komuniteti rom që mbeten përditë në sytë e gjithë shoqërisë, që shihen me përbuzje e përçmim tek lypin buzë rrugëve të qyteteve kryesore të vendit. Të gjitha problemet që dalin nga kjo rezolutë si dhe raporti i Amnesty International tregojnë vazhdimësinë dhe preokupacionin e lartë me të cilin Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë i ka ngritur këto probleme, por nuk është treguar vemendja e duhur ndaj këtij institucioni të rëndësishëm të shoqërisë civile. Përgjegjësi për këtë ka parlamenti i Shqipërisë, komuniteti ndërkombëtar, dhe po ashtu, si donatorët edhe qeveria shqiptare. Deputetët e Shqipërisë e kanë amenduar 40 herë  Ligjin mbi “Statusin e deputetit”, që u siguron mbështetje dhe mirëqenje familjeve të tyre,  ndërsa  Ligji për “Statusin e Jetimit”, nuk është amenduar asnjëherë duke e lënë kuotën për jetesën e një jetimi vetëm 28 USD në muaj, si në fillim të tranzicionit, kur kostoja aktuale minimale e një individi në Shqipëri është 400 USD në muaj.

Raporti i Amnesty International.

Prej gjashtë vjetësh, Amnesty International ka bërë publik raportin vjetor mbi gjendjen e mjerueshme të jetimëve në Shqipëri. Ky raport i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe Parlamentit Europian duke vënë theksin se prej 21 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore jetimëve.

Amnesty International thekson se:
- Jetimëve shqiptarë u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera, të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.” Të rinjtë që largohen nga përkujdesi social kanë nevojë për dinjitet dhe strehim’’ – bëri apel Amnesty International në ditën kombëtare të jetimëve shqiptarë, në vitin 2010. Amnesty International u ka bërë thirrje autoriteteve të sigurojnë që jetimët dhe të rinjtë e tjerë që rriten në strukturat e përkujdesit social të mos mbeten të pastrehë kur mbarojnë shkollën. Strehimi social në Shqipëri është i pakët dhe përgjithësisht më të varfërit dhe të më të  cënueshmit, (përfshirë jetimët) nuk kanë akses në të. Po kështu, shumica e këtyre të rinjve nuk mund t’i përballojnë banesat private pa mbështetje financiare. Amnesty International u bën thirrje autoriteteve që, pa vonesë, t’u sigurojnë atyre akses në strehim të përshtatshëm, qoftë duke ua dhënë këtë mbështetje në formën e bonuseve të strehimit, qoftë me mjete të tjera. Amnesty International shkruan: “Varfëria është një prej arsyeve kryesore për vendosjen e fëmijëve në strukturat e përkujdesit social në Shqipëri, dhe shteti bën shumë pak për t’i ndihmuar ata të dalin nga varfëria”. Si rezultat i mos-mbrojtjes së mjaftueshme të të drejtave të tyre nga shteti, kur mbushin moshën madhore, ata shpesh mbeten pa strehë dhe rrezikohen nga varfëria e skajshme dhe përjashtimi social e shoqëror. E drejta për strehim të përshtatshëm garantohet në të drejtën ndërkombëtare, e cila kërkon nga shtetet t’u japin përparësi grupeve të pafavorizuara. Legjislacioni shqiptar u garanton jetimëve të drejtën e trajtimit me përparësi në strehim. Sipas statistikave zyrtare, në periudhën 1996-2011, vetëm 29 nga 1150 persona me status jetimi kanë marrë banesë sipas dispozitave të këtij ligji (asnjë prej tyre pas ndryshimit të qeverisë që nga viti 2005). Politika e deritanishme e qeverisë për strehimin nuk i ka dhënë përparësi strehimit të njerëzve më në nevojë dhe nga programet aktuale të strehimit social do të përfitojnë vetëm një pakicë e vogël e të pastrehëve të Shqipërisë. Amnesty International mendon se të rinjtë që largohen nga përkujdesi nuk marrin përkrahjen për të cilën kanë nevojë për të bërë kalimin në jetë të pavarur. Shumë prej tyre e mbarojnë shkollën pa marrë aftësitë dhe kualifikimet që do t’u mundësonin gjetjen e një punësimi të sigurt dhe të ardhura të mjaftueshme për të jetuar të pavarur. Duke mos pasur një familje nga e cila mund të kërkojnë ndihmë, dhe shpesh në punë të pasigurta dhe të paguara keq, ata mund të kenë pak mundësi të tjera përveçse të jetojnë në kushtet e rënda të ndërtesave gjysmë të braktisura shkollore – e vetmja “zgjidhje” e shtetit për nevojat e tyre për strehim. Disa kanë rreth njëzet vjet që ndajnë dhoma në ndërtesa të tilla, dhe tani po rrisin edhe fëmijët në këto kushte të mjerueshme. Çdo vit, atyre iu shtohen të rinj të tjerë, që me mbarimin e shkollës, mbeten po ashtu të pastrehë. Një e re, e rritur në strukturat e përkujdesit social, i tha kështu Amnesty International: “Njeriu ka nevojë për më tepër se një copë bukë, ka nevojë të jetojë me dinjitet... Jetimi mund të ketë dinjitet vetëm nëse ka një shtëpi”.
            Koordinatorja e Amnesty International, Jezerca Tigani, thotë se e drejta për strehim është një e drejtë minimale, por institucionet shqiptare ja hedhin fajin njëra-tjetrës. "Ky raport nxjerr në pah se si qeveritë shqiptare kanë dështuar dhe vazhdojnë që të dështojnë në mbrojtjen e të drejtave njerëzore të jetimëve dhe se si ky dështim ka sjellë margjinalizimin e tyre. Mohimi i të drejtës së strehimit e ka çuar këtë grup më thellë në varfëri dhe përjashtim social si dhe ka nënvlerësuar aksesin e tyre në të drejta të tjera" - thotë zonja Tigani.
Një nga autoret kryesore të raportit për Shqipërinë, përfaqësuesja e Amnesty International, Melani Anderson, thotë se bashkitë dhe qeveria duhet të strehojnë jetimët njëlloj si gjithë të tjerët. "Ligji shqiptar u kërkon autoriteteve qendrore dhe vendore që të marrin masa për strehimin e jetimëve kur mbarojnë shkollën e mesme, por në praktikë, këto kërkesa ligjore shpërfillen duke lënë pasoja të dëmshme për jetimët dhe në disa raste pasoja tragjike" - thotë zonja Anderson.
Veprimtarët e Amnesty International vizituan konviktet e shkollës teknologjike në Tiranë, konviktin e shkollës “Arben Broci” në Shkodër, shkollën tregtare në Vlorë, të cilat i quajtën të pabanueshme, geto jetimësh, ku ata jetojnë në izolim dhe në varfëri të plotë. "Jetimët e pastrehë nuk janë një numër aq i madh dhe ky objektiv mund të arrihet nëse ekziston vullneti politik" - tha zonja Anderson.
Amnesty International u kërkoi qeverisë dhe bashkive që të zbatojnë konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar, ligjin "për statusin e jetimit", të ngrejnë sa më shumë banesa sociale dhe t'i ndajnë ato me transparencë të plotë, duke patur në komisionet e strehimit edhe përfaqësues të jetimëve. Strehimi është vetëm një nga problemet e 31 mijë jetimëve shqiptarë, të cilët hasin vështirësi të shumta për shkollim, punësim, ushqim, veshje dhe fonde të pamjaftueshme, vetëm 50 USD në muaj.

INSTITUTI KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË  I KA PROPOZUAR ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME të OKB- së, NEW YORK

                            Shpalljen e 20 Majit, si “Dita Botërore në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë”

Në Letrën zyrtare dërguar Sekretarit të Përgjithsëm të OKB-s thuhet:
“Konceptimi i njeriut, mbi të cilin mbështet Deklarata e vitit 1948 nuk është abstrakt, as edhe sureal. Duke qenë se buron nga një dëshirë absolute dhe universale - dinjiteti i patjetërsueshëm i njeriut - ky instrument ndërkombëtar, merr parasysh larminë e tërësisë së rrethanave politike, ekonomike dhe shoqërore, në të cilat jetojnë njerëz prej mishi e gjaku, të drejtat e të cilëve mund të ndeshin në pengesa konkrete që duhen përcaktuar, me qëllim që t’i kapërcejnë ato. Në ditët tona, në mbarë botën, sidoqofshin veçoritë e ç`do kulture, të drejtat e njeriut i përkasin trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit dhe duhet të vazhdojnë të shërbejnë si bazë mbi të cilën të mbështet solidariteti - kushti i domosdoshëm për realizimin e plotë të fatit të ç`do individi. Për shembull, solidaritet me ata që janë më nevojtarë, konkretisht me jetimët. Pikërisht, për të shëndoshur këtë frymë solidariteti dhe për t`i dhënë një përmasë universale shqetësimit botëror për këtë kategori njerëzish, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me këtë promemorje, duke propozuar ditën e 20 majit, si “Ditë Botërore në Ndihmë të Fëmijëve Jetimëve”. Fati i jetimëve të globit është dhe duhet të jetë i pandashëm nga ai i të gjithëve. Një ditë e tillë do u kujtonte të gjithëve se përjashtimi apo mënjanimi i këtij grupi shoqëror mund të sjellë pasoja mbi fatin e përparimit të të gjithëve. Ekziston një prag i skamjes, e mbase edhe i poshtërimit mbi këta njerëz, prej të cilit demokracitë rrezikojnë shumë nga vlerat e tyre universale. Shqipëria, vendi ynë i njëmijë e një halleve, ku jetimëve u mungojnë arsyet bazë për t`u angazhuar si qytetar në praktikën e përditshme të demokracisë ka dhënë disa shembuj të mahnitshëm. Nëntë vjet më parë, me propozimin e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe të një grupi te shquar intelektualësh nga më të mirët që ka vendi ynë, Parlamenti Shqiptar ka  shpallur 20 Majin si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”, vendim që është adoptuar edhe në Parlamentin e Kosovës. Jetimët Shqiptarë dhe ata Kosovarë kanë ndoshta historinë më tragjike në botë, sepse shumë prej tyre  kanë mbetur të vetmuar ngaqë prindrit ua vrau komunizmi vetëm se ishin intelektualë që kishin studiuar në Perëndim, por  edhe nga ngjarjet tragjike për spastrimin etnik në ish Jugosllavi si dhe nga lufta që shkaktoi makineria vrastare e rregjimit të egër diktatorial të Milosheviçit në Beograd mbi popullsinë e pambrojtur kosovare. Vuajtjet e fëmijëve shqiptarë të mbetur jetimë gjatë diktaturës 50 vjeçare janë me përmasa të pashembullta.

Zoti Sekretar i Përgjithshëm!
Sigurisht kulturat tona janë të ndryshme, ashtu si gjuhët tona janë të ndryshme, por fëmijët jetimë në të gjithë botën kanë shumë gjëra të përbashkëta, përveç fatit të përbashkët tragjik. Ajo që do të mund ti bashkonte dhe t’u jepte më shumë shpresë për një të ardhme më të mirë e të sigurtë, do të ishte shpallja nga ana e Juaj e një Dite Botërore në Ndihmë të Fëmijëve Jetimëve e cila pse jo, ta kishte zanafillën nga vendi ynë i varfër buzë Adriatikut. Kjo nuk do të ishte aspak gjë e vogël dhe as luks për Shqipërinë, e cila krahas drogës, klandestinëve dhe krimit të organizuar që e ka shoqëruar në këtë periudhë të zgjatur të tranzicionit të dhimbshëm, me kriza te ricikluara edhe nga mungesa e kulturës dhe e nocioneve bazë të demokracisë, do t’i tregonte nga ana tjetër të gjithë botës një pjesë të rëndësishme të aspektit tonë human. Shpresoj dhe besoj se duke përkujtuar ç`do vit më 20 Maj një ditë të përbashkët për jetimët në të gjithë botën, do të kemi të përbashkët edhe projektin për një të ardhme më të mirë e të sigurt për mbarë njerëzimin”.
Takimi Kombëtar i Fëmijëve Jetimë Shqiptarë i bën Apel Komunitetit Ndërkombëtar të mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë bashkë me jetimët, dhe u drejtohet deputetëve Të Parlamentit Evropian si më poshtë:

Të nderuar zotërinj eurodeputetë !

Ne fëmijët shqiptarë pa prindër, si shumë fëmijë në botë, vuajmë nga dëshirat e parealizuara. Nuk e kemi zakon të flasim fort dhe t’i zmadhojmë gjërat, por kjo është e vërteta. Kemi një dyshim për të drejtën tonë. Ne nuk po mësojmë si të duam e si të bëhemi më të mirë për vete dhe për vendin tonë. Politika në Shqipëri ka shumë tension,  po na humb besimin dhe fuqinë. Na duket se po bëhemi të huaj ndaj të  tashmes e të largët ndaj së ardhmes. Politikanët e të dy krahëve u japin shumë rëndësi pasioneve individuale, luftës për pushtet, por  harrojnë që ekzistojmë edhe ne fëmijët, që ekziston një popull demokrat dhe i vuajtur nga shumë diktatura, një popull me dashuri të pakufishëm për lirinë. Na besoni se kemi të drejtë. Ne duam dialog, vetëpërmbajtje, maturi. Duam që politika të zotërojë të vërtetën, të mendojë për fatin e qytetarëve, të mendojë për ne. Pse vendi ynë evropian të bëhet epiqendër konfliktesh, t’u fryjë burive të urrejtjes  sociale dhe të mbështillet me re të zeza dyshimesh e korrupioni, vendi ynë me një qytetërim të lashtë dhe shumë i pasur me gjithçka?  Në botë ka luftra, ka tensione, armiqësi. Kjo është një arsye më tepër për vetëfrenim dhe vetëpërmbajtje. Ndaj duhet  të ruajmë barazpeshën e shpirtit që të mos ndjehemi të turpëruar. Gjersa kemi zgjedhur si  alternativë ndryshimin, kemi projektuar vazhdimësinë e jetës.  Kudo duhet ta përcjellim mirësinë sepse  ajo është vlera e jetës njërëzore. Besimi në norma e vlera të tilla, është besimi që pagëzon të ardhmen. Qytetërimi është  si një besimtar fanatik, kërkon besim dhe devotcion të madh shpirtëror.

Zonja dhe Zotërinj parlamentarë të Evropës!

Na ndihmoni të ndryshojmë  jetën tonë dhe  luftoni për të ndryshuar jetën e fëmijve kudo në botë, jetën e atyre që janë në nevojë, por që nuk presin mëshirim. Mbi gjithçka,  luftoni për  liritë dhe të drejtat e fëmijve jetimë !  Ne po kërkojmë dhe do ta gjejmë patjetër qëllimin e jetës.  Ka vlera jeta që ia vlen t’i duash, t’i kërkosh me ngulm, pa u lodhur kurrë,  t’i gjesh e t’i shijosh plotësisht.  Por ne duam forcë morale, se forca fizike shpesh nuk mundet. Moral, jo me receta farmacie, moral të sinqertë njerëzor, që të na bëjë me krahë e të fluturojmë. Ndryshe mund të na kushtëzojë  urrejtja, mund të dëmtohet shpirti ynë, vetëdija jonë; bota mund të mbushet me më shumë  egoizëm, me më shumë dhunë, me më shumë urrejtje,  dhe ne ndoshta nuk do të mundemi  t’i përshtatemi dot as vetevetes. Dhe pasojat do të ishin katastrofike, sigurisht.  Edukimi i kësaj fryme solidariteti e mirëkuptimi mes nesh, rrit frymën  shoqërore në tërësi,  rrit ndjenjën e krenarisë. Botës i duhet një standart besueshmërie, që të zgjatë pa fund. I duhet një referencë në formën e një dite të shenjtë, që t’u kujtojë të gjithëve atë që s’duhet ta harrojnë kurrë përkujdesjen për fëmijët pa prindër, për fëmijët e braktisur, apo të mbetur në mëshirë të fatit. Parlamenti shqiptar, me propozim të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ka caktuar 20 majin si ditë Kombëtare  në Ndihmë të jetimëve. Por,  a nuk do të ishte më mirë të ekzistonte një ditë botërore për jetimët? Një ditë që të na kujtonte të gjithëve, se jemi pa përjashtim  qytetarë  të botës dhe nuk mjafton vetëm të jemi qytetarë të devotshem të vendeve tona respektive?  
Jeta jonë duhet të marrë një kuptim më global,  gjithnjerëzor, që vetmia të mos e braktisë kurrë shpresën e fëmijëve të margjinalizuar e fatkeqë të mbarë botës,  që edhe ata të jetojnë përkrah njerëzve të tjerë, me të gjitha të drejtat dhe liritë për jetën, për ta shijuar atë plotësisht dhe jo të vegjetojnë në vetmi,  skutave të  errëta të shoqërisë konsumiste. Ne na duhet një ditë që të na bashkojë të gjithëve,  në tërë planetin, një ditë botërore e jona, ku të shfaqet vullneti  i ndihmës dhe solidaritetit njerëzor, pa barriera  e paragjykime, një ditë qytetarie botërore  për dinjitetin njerëzor.
Ne, fëmijët jetimë të Shqipërisë, përfaqësues të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, si dhe përfaqësuesit e fëmijëve jetimë të Kosovës,  iu shprehim juve mirënjohjen dhe i’u përcjellim kërkesën që të jetë Parlamenti Evropian promotori i këtij ndryshimi në politikat botërore për fëmijët jetimë, duke i propozuar OKB - së të shpallë 20 majin si Ditën Botërore  në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë.  


Nga Takimi Kombëtar i Jetimëve të Shqipërisë
Tiranë Më 20 Maj 2012

No comments:

Post a Comment