Saturday, July 20, 2013

JETIMËT E SHQIPËRISË NË NJË FOTOEKSPOZITË TEJET TË RRALLË…

    
 Pamje nga Fotoekspozita e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri

Pamje nga Fotoekspozita. Vizitorë të shumtë të huaj e kanë parë këtë ekspozitë të rrallë,  e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri

Fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria, vizitojnë fotoekspozitën e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë,  me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri

 Pamje nga Fotoekspozita e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri


 Pamje nga Fotoekspozita e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri




   Nga THIMI NIKA - Gazetar Profesionist_____


Jetimët e Shqipërisë në një fotoekspozitë tejet të rrallë…

-    Shënime dhe mbresa   një gazetari -
Duke kaluar me biçikletë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, syri më kapi një afishe të madhe në “Pedonalen” midis Ministrisë së Brendshme dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Është një afishe - ftesë për të vizituar një fotoekspozitë tejet të rrallë, kushtuar 95 - vjetorit të ngritjes së “Strehës së Parë Vorfnore”, në Tiranë dhe 10 - vjetorit të krijimit të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.  Nuk mund të mos ndalesha për ta vizituar, aq më tepër që pjesë e këtij komuniteti ka qënë edhe im atë dhe prej të cilit kam dëgjuar histori e ngjarje pafund për këta bonjakë, që jeta u rezervoi jo pak dhimbje e trishtim.


Në hyrje të ekspozitës takova z. Ilir Çumani, nismëtari dhe kuratori i saj. Por ai është dhe themeluesi e numri një i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve në Shqipëri, që ka meritën kryesore për këtë event me përmasa të mëdha, që organizohet për herë të parë në kryeqytetin tonë. Biseda me të nis me një vlerësim të merituar që ai bën për diplomatin e shquar Rauf Fico, themeluesin e “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri. Këtë fakt e kisha të njohur, madje m’u kujtua menjëherë një dialog i para tetëmbëdhjetë viteve me të birin, karikaturistin brilant, të mirënjohurin Bardhyl Fico, në shtëpinë e tij. Ai ma kishte konfirmuar këtë realitet, duke mos harruar të më thotë njëkohësisht se nuk kishin munguar nga disa përpjekjet për mos ia njohur këtë meritë.


Duke vështruar një foto shumë të bukur të Rauf Ficos, të përzgjedhur për ekspozitën, Iliri vijon bisedën e filluar mes nesh: “ Nuk ishte rastësi, thotë ai, ngritja e “Strehës së Parë Vorfnore” në Tiranë, që në fakt atij i pëlqen më shumë ta cilësoj si “Shtëpia e Dashurisë”. Shtysë u bë një ngjarje konkrete e asaj kohe. Rauf Fico, në atë kohë  ishte nënprefekt (sundimtar)  i Tiranës dhe Durrësit. Një ditë, në zyrën e tij  hynë dy xhandarë austriakë, që kishin sjellë dy të vegjël jetimë nga Dibra, refugjatë në Tiranë, një djalë 5 vjeç dhe e motra 6 vjeç, të gjetur diku në fshatin Farkë, duke ngrënë bar, ngaqë s’kishin ç’të hanin tjetër. Nënprefekti u shokua nga ato që dëgjoi dhe gjendja e fëmijëve. Menjëherë thirri dy njerëz të njohur të qytetit, hoxhë  Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin. (Një parantesë: Iliri më tregon fotot e tyre). 


U kërkoi të kujdeseshin për këta bonjakë. Por në mëngjesin e ditës së nesërme ai mësoi se djali kishte ndërruar jetë. Sigurisht që u prek shumë, madje pati një shqetësim të jashtëzakonshëm, për të cilin flet edhe në kujtimet e tij, ku shkruan: “…më prishi nervat dhe më çqetësoi për së tepërti, mbasi edhe vetë kesha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjirokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” Më 03 tetor 1937, Drejtori i Përgjithshëm të Kryqit të Kuq, Haxhi Shkoza,  i dërgon një letër z. Fico, në atë kohë ambasadori ynë në Greqi,  me anën e të cilës i kërkonte t’i shpegonte se cilat ishin rrethanat që e shtynë Z. Fico për ngritjen e një institucioni bamirësie, që u konkretizua me realizimin e “Strehës së Parë Vorfnore”.
Si njohësi më i mirë i historisë 95-vjeçare të institucioneve të bamirësisë për fëmijët jetimë, Ilir Çumani nuk lë rastin t’i shpëtoj pa evidentuar emrat simbol të humanizmit dhe filantropisë në Shqipëri, që nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit të kaluar, duke filluar me veprën e motrave stigmatine të krishtere në vitin 1912, në zonën e Shkodrës dhe duke vijuar me Rauf Ficon, Zyber Hallullin, Mytesim Këlliçin, Ismail Ndroqin e shumë të tjerë.
Jo pa qëllim titulli i fotoekspozitës është “Sfidat e humanizmit”. 820 foto, që përgjithësisht ekspozohen për herë të parë dhe një  numër i konsiderueshëm faksimilesh e dokumentesh historike, dëshmojnë për një rrugë të gjatë 95-vjeçare, për të përballuar sfida jo të vogla. Kjo ndjesi bëhet bashkëudhëtare e çdo vizitori në çdo stendë të saj.


Mbushja emocionale që të jep përjetimi i dramës së jetimëve të Shqipërisë në eksponatet e kësaj ekspozite, shoqërohet edhe me një ndjenjë të thellë dashurie e respekti për një pjesë të veçantë të atyre fëmijëve bonjakë që sfiduan gjithçka dhe arritën të bëhen elitë e shoqërisë. Duke parë fotot e tyre, gjithsecili sjellë në mendje ndihmesën e jashtëzakonshme që ata kanë dhënë në fushat e sektorët ku kanë punuar e krijuar njëherësh. 

 Pamje nga Fotoekspozita e çelur më 20 Maj, 2013,  nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me rastin e "Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, dhe 95 - Vjetorit të Themelimit të "Strehës së Parë Vorfnore" në Shqipëri
 Janë emra shumë të njohur: akademiku Bedri Dedja, dramaturgu Besim Levonja, i madhi Kadri Roshi, partneret e tij në mjaft role në teatër, Violeta Manushi e Margarita Xhepa, aktorët e regjisorët Serafin Fanko, Anton Çezari, Viktor Zhusti, Mark Topollaj, balerina e shquar Zoica Haxho, personalitetet e spikatura të muzikës Nina Mula, Eno Koço, shkrimtarët Petraq Qafëzezi, Fadil Zeqiri, Ferhat Cakaj, poeti Jorgo Papingji, piktorët e mirënjohur Ibrahim Kodra e Shyqyri Sako, këngëtarja Ema Qazimi, ish-trajneri i skuadrës Kombëtare të Futbollit, Bejkush Birçe, folësi tejet pasionant i ekranit televiziv Kiço Fotjadhi etj. Disa nuk jetojnë më, të tjerë janë në moshë të madhe, por të gjithë njerëz të mirë, të thjeshtë, që me veprat e tyre na kanë dhënë aq  emocione pafund, na kanë bërë të na përshkojnë mornica dhe të na ngrihet adrenalina. 

Përmenda më sipër emrin e shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Si një nga ata që kaloi një pjesë të jetës në institucionin e jetimores, ai i hodhi mbresat e atyre viteve në një skenar të bukur mbi të cilin regjisori Dhimitër Anagnosi realizoi filmin e tij mjaft të suksesshëm “Lulëkuqe mbi mure”, ku rolin e kujdestarit e ka skalitur, siç dinte ai, i jashtëzakonshmi Kadri Roshi. “Nuk mund të mungonin në këtë ekspozitë disa pamje fotografike të filmit, na thotë piktori i njohur i  41 filmave të Kinostudios sonë. Është një paralelizëm domethënës midis fotove të jetimëve në institucionet bamirëse dhe atyre të filmit “Lulëkuqe mbi mure”.


Të gjitha fotot e përzgjedhura për t’u ekspozuar përshkohen nga një tipar dallues i përbashkët: kanë forcën e dokumentit të pakundërshtueshëm. Ato flasin më shumë se fjalët që mund të thuhen për to. Që nga fotoja e shtëpisë së Harasanëve, ku u vendos, në vitin 1918, “Streha e Parë Vorfnore” dhe duke vazhduar me godinën e Spitalit Ushtarak ku u ngrit shtëpia e Fëmijëve, në vitin 1946, apo fotot e atyre dhjetëra shtëpive të tjera të fëmijëve jetimë në Korçë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Delvinë, Elbasan, Berat e gjetkë, të gjitha kanë të regjistruara historikun e disa brezave të jetimëve të Shqipërisë. 

Por dhe jo vetëm të saj. Nuk kanë munguar rastet kur në to kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre edhe bonjakë nga vende të tjera. Një foto simbol në këtë drejtim  është fiksuar në Elbasan: fëmijët jetimë të afrikanit Ofana Osandez, që kishte humbur jetën në luftën e zhvilluar në vendin e tij, në vitin 1960. Bashkë me këta  fëmijë është edhe drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve parashkollore në Elbasan, në atë kohë, Aneta Shuteriqi. Sa interesante do të ishte të mësonim se ku janë sot këta fëmijë dhe ç’mbresa ruajnë nga vitet në Shqipëri!


Ekspozita “Sfidat e humanizmit” është vetëm maja e “ajsbergut” të fondit tejet të pasur të fotografive e dokumenteve që ruhen në arkivat tona shtetërore, por edhe në ato private të shumë e shumë njerëzve. Me të drejtë z. Ilir Çumani, pasi evidenton si mjaft frytdhënës bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, arkivën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe arkivën e “Marubit” në Shkodër, nënvizon domosdoshërinë e vazhdimit të pareshtur të punës së filluar për ta kthyer në një traditë realizimin e ekspozitave të tilla, si një vlerë e shtuar për informimin e opinionit publik shqiptar.     
-------------------------------------------------------------------------------
V.O - Artikulli është botuar në gazetën "Shqip", e martë, 28.Maj. 2013, dhe në gazetën Plus "Gazeta Athina", e premte, dt. 31.Maj.2013

No comments:

Post a Comment