Nga ILIR ÇUMANI
Kur opozita e bashkuar organizonte protestën e saj
masive në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rastësisht takova në
shëtitoren e ndodhur mes kompleksit “Taiwan” dhe pallateve “Shallvare”
një të njohur, i cili kishte dalë në shëtitje me bashkëshorten e tij.
Është një burrë i fisshëm me thinja, rreth të shtatëdhjetave, i nderuar
dhe shumë i respektuar, një intelektual mjaft i njohur si diplomat i
shquar karriere, tashmë në pension.
Prej vitesh me radhë ai ka qenë
bashkëpunëtor dhe këshilltar i afërt i z. Berisha, kur ky e fundit ishte
kryetar i PD, President dhe Kryeministër i vendit. Prej bindjeve
politike, ky zotëri i përket së djathtës, edhe pse atë ditë në protestën
e opozitës dukej se ishte krejt indiferent, aspak i interesuar për çka
po ndodhte me protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pasi u
përshëndetëm, e pyeta: or mik, ç’farë po ndodh kështu…!? Kemi 29 vjet që
po jetojmë në një vend jo normal dhe nuk po gjejmë qetësi, nuk po
gjejmë rehat. Duket sikur po jetojmë në Republikën e pagjumë të
protestave…!
Ai, fjalëpak, i shtruar dhe tepër i kursyer, hodhi vështrimin nga
bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, dhe ashtu i keqardhur u gjegj nën zë:
“…Edhe këta të opozitës, vërtetë janë në të drejtën e tyre të
protestojnë, por u mungon kauza, nuk kanë kauzë që të mund të bindin
elektoratin e tyre dhe shqiptarët se çfarë duhet të ndryshojë realisht
në këtë vend, të paraqesin alternativa se çfarë duhet bërë më mirë nga
ç’është bërë deri tani…!
Betejat politike nuk fitohen duke dalë nga
parlamenti në rrugë vetëm me protesta, nëse ato nuk shoqërohen edhe me
kauza e alternativa konkurruese e të besueshme…!”, tha ai.
Po mirë or
mik, vazhdova unë më tej, kanë kaluar afro 30 vjet që, si nga e djathta,
ashtu edhe nga e majta, po shohim të njëjta fytyra që e kanë drejtuar
vendin duke e sunduar skenën e politikës shqiptare përmes nepotizimit,
tarafeve, me motra e vëllezër, me kushërinj e kushërira, me miq e shokë,
ashtu si dikur në monizëm.
Përse nuk po i hapin rrugë të rinjve, vajzave dhe djemëve që janë
shkolluar në perëndim, atyre që kanë një vokacion dhe qasje perëndimore,
një tjetër botëkuptim, vizion e koncepte të avancuara bashkëkohore si
për diplomacinë, ashtu edhe për politikën, si për qeverisjen, ashtu edhe
demokracinë përfaqësuese…!?
Jam kureshtar or mik, më thoni ju lutem se,
a keni patur mundësi t’ia sugjeronit ndjonjëherë këtë që sapo ju
thashë z. Berisha në kohën kur ju ishit këshilltar i tij…!? Po, tha
prerë, ish diplomati – këshilltar.
Dhe cili ka qenë reagimi i z.
Berisha, vijova unë me këmbëngulje ta pyes mikun bashkëbisedues!? I
kapur ngushtë, përgjigja që mora prej tij, aty për aty, ishte ajo e
gjuhës së shenjave dhe trupit.
Në heshtje, ai rudhi buzët, uli kokën dhe
lëshoi shpatullat duke me hedhur dorën në sup! Pastaj u përshëndetëm
dhe u ndamë përzemërsisht duke më sjellë në mendje shumë pikëpyetje.
Ndërkohë, nga ana tjetër, ato ditë, Kryeministri Rama zhvillonte një
takim me 373 studentë ekselentë, që ishin fitues të platformës “Punë të Mbarë”, të
cilët, sipas tij, kishin fituar një vit pune në administratë për shkak
të rezultateve të shkëlqyera në universitet.
Rama, u tha këtyre
studentëve se administrata e qeverisë së tij është një nga pikat kyçe të
integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ai u deklaroi se reforma në
arsim pati si iniciator pikërisht protestën e studentëve, që me sa
duket, e ka shkundur dhe gjunjëzuar keqasi edhe vetë Kryeministrin, i
cili është përballur në 6 vitet e qeverisjes së tij me numrin më të madh
të protestave të mara së bashku në këto tre dekadat e fundit.
E tek
ndiqja kronikën e takimit të studentëve me Kryeministrin, e kuruar bukur
nga stafi i propagandës së Qeverisë, mendja më shkoi në vitin 1997,
atëherë kur Edi Rama braktisi Parisin për tu bërë pjesë i ekipit
qeverisës që drejtonte osokohe lideri historik i së majtës Fatos Nano.
Studentët ekselentë, mysafirë të Kryeministrit Rama, brezi i sotëm i 22
vjeçarëve, asohere ishin foshnja që “përkundeshin në pelenat” e
breshërive të armëve.
“Ninullat” e tyre, ishin buçimat dhe uturimat e frikshme të motorëve e
autoblindave, përbindëshave metalikë të tankeve që lëviznin
çmendurisht në sheshet e qyteteve të Shqipërisë, në Republikën kaotike,
ku i gjithë shteti kishte rënë në duart e bandave të krimit të
organizuar.
“Simfonia” për këto foshnja të sapolinduara në ato kohë të
trishta, ishin gulçimat e sirenave të anijeve të vdekjes, të mbërthyera
nga ethet e eksodit emoragjik, të tejmbushura me refugjatë shqiptarë,
të dëshpëruar e të pashpresë, burra e gra, pleq e fëmijë, që niseshin
për andej detit nga Durrësi, Saranda, Vlora e Shëngjini, pa ditur se ku
dhe përse.
Madje, disa prej tyre lindën edhe në kuvertat e këtyre
anijeve, duke mbartuar me vete simbolikën e tragjedisë më të madhe të
eksodit biblik të shqiptarëve.
Ato foshnja të pafajshme, (disa syresh u pagëzuan edhe me emra detesh e anijesh),
nuk kishin si ta dinin se, pikërisht, njeriu që u katapultua asokohe në
politikën e trazuar shqiptare, i ardhur nga kthinat e urave dhe rrugët e
metropolit parisien nga ku bënte artin e tij përmes pikturave, sot do
të ishte Kryeministri e tyre dhe i gjithë shqiptarëve.
Një kryeministër
që, me staturën prej intelektuali dhe artisti, (me gjasa, mund
të mbante mbi vete shumë dritëhije nga historia e së shkuarës për shkak
të origjinës të familjes së cilës i përkiste dhe lidhjes së saj me
regjimin komunist të kohës), ndërtoi vringthi profilin politik të
një lideri të fuqishëm e të pathyeshëm autokrat, kundër të cilit, edhe
sot protestohet aq fuqishëm dhe masivisht prej javësh e muajsh të tërë.
22 vjeçarët, studentët e tanishëm, nuk kishin si ta dinin asokohe se e
shkuara e Kryeministrit të sotëm kishte të bënte me një periudhë akoma
edhe më të zymtë, edhe më e tmerrshme, se ajo që përjetuan të gjithë
shqiptarët. Sepse prindërit e tyre dhe gjeneratat paraardhëse, qëlluan
fatalisht të jetonin në një kohë dhe vend të gabuar.
Nën trysninë e një
rregjim represiv gjysëmshekullor, nga më të egërit e më përçudnuesit, i
cili e deformoi dhe shkatëroi Njeriun si individ, por edhe si qënie
humane, duke ndërtuar si manekin “Njeriun e ri”, në shërbim të një
sistemi ku sundonte shteti totalitar dhe “Diktatura e Proletariatit”.
Pikërisht, kundër atij regjimi dhe doktrinës së saj famëkeqe që
përfaqësonte kasta dhe establishmenti i një sistemi që mbajti peng dhe
të izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e qytetërimit perëndimor për afro
gjysëm shekulli, u ngritën të gjithë shqiptarët. Mes tyre, sigurisht
kanë qenë edhe nënat e baballarët e këtyre studentëve, mysafirë në
zyrën e Kryeministrit Rama.
I madh e i vogël, i mundur dhe i pamundur, çdo i ri dhe çdo plak, u
bashkuan në vitin 1990 kundër një të keqeje të madhe, dhe mbushën të
gjitha sheshet dhe cepat e Shqipërisë duke protestuar me sloganin: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa…!”.
Ky slogan, u bë lejtmotivi dhe kryefjala e një refreni të pandërprerë
në çdo protestë popullore, në çdo manifestim të fushatave të partive
politike që organizuan në këto tre dekadat e fundit në vendin tonë.
Madje, për shkak të mospërmbushjes së aspiratës së kahershme të
shqiptarëve, slogani: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa…!”,
prej kohësh ka marrë një status me kuptim të karakterit utopik, e së
bashku me zemëratën legjitime mbarëpopullore, ajo është kthyer tashmë në
një kumt therrës për çdo shqiptar, në kambanë alarmi për çdo
ndërkombëtar dhe kancelari perëndimore.
Për këtë arsye, Evropa nuk mund
të vazhdoj me shurdhëmemecërinë e saj të qëndroj ende indiferente, edhe
pse faji nuk është i saj, por i një klase të tërë politike, e
papërgjegjshme, e kalbëzuar dhe e korruptuar, e cila në këto tre dekadat
e fundit, përmes riciklimit të krizave i ka keqqeverisur dhe mbajtur
peng Shqipërinë dhe shqiptarët vetëm për përfitime e saj personale…!
Por, le të kthehemi tek protestat. Ka më shumë se 5 muaj që vendi zien
dhe gëlon nga protestat masive mbarëpopullore, si shprehje e
pakënaqësisë për mënyrën se si ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë
Kryeministri Rama, edhe pse ky i fundit thotë se këto janë protestat e
militantëve të opozitës.
Kryeministri e pranon se qeverisja e tij ka edhe gabime, dhe se nuk
jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka, thotë z. Rama. Me këtë
deklaratë, Kryeministri pohon një të vërtetë, sepse në kushtet aktuale
kur skenën politike shqiptare e dominojnë vetëm dy parti që përcaktojnë
vullnetin politik të sovranit, padyshim që alternativë tjetër përveç PD –
së, partia e z. Rama nuk ka.
Krijimi i kushteve për të ndërtuar një
skemë për mospasjen e alternativave të tjera konkuruese përballë dy
forcave politike tradicionale ka ndodhur qysh në vitin 2008, kur PD dhe
PS, bënë marrëveshjen e tyre famëkeqe duke ndryshuar Kushtetutën.
Të
dyja këto parti bën ndryshimin e sitemit maxhoritar duke e zëvendësuar
me sistemin proporcional rajonal, ngase ishin të shqetësuara se nuk
kontrollonin dot grupet e tyre parlamentare, as deputetët që refuzonin
votimin në bllok. Shpesh, kishte deputetë që bliheshin prej grupeve
kundështare politike ose nga grupet e interesit jashtë politikës. Ashtu
siç kishte edhe mendime të lira e të pavarura brenda grupimeve që i
hapnin probleme lidershipit.
Për këtë arsye, Rama dhe Berisha ranë dakort që të bënin ndryshime me
qëllim kontrollin mbi deputetët nga Partia, veçanërisht me zgjedhjen e
deputetëve sipas interesit dhe lidhjeve të drejtëpërdrejta me Kryetarin.
E gjitha kjo është në kundërshtim flagrant me parimet e demokracisë
përfaqësuese, me lirinë e mendimit dhe të veprimit, si dhe nga ana
tjetër, në interes të kapjes së politikës prej oligarkëve, grupeve të
biznesit dhe të krimit të organizuar.
Pikërisht, për këtë arsye kanë
protestuar dhe protestojnë sot partitë e vogla, të cilat kërkojnë jo panspermi,
por një shpërndarje më racionale dhe efikase të përfaqësimit politik,
për ti dhënë një frymëmarje natyrale dhe më të shëndetshme demokracisë
funksionale në Shqipëri.
Protestat mbarëpopullore të grupeve të ndryshme të interesit, ajo e
studentëve të nisura në fundvjeshtën e shkuar, që pasuan përgjatë gjithë
stinës së dimrit dhe mbërritën në pranverën e këtij viti me protestat e
opozitës së bashkuar, paraqesin një sfond të zymtë të një tranzicioni
ciklik të mbarsur me kriza që duket se nuk do të marrin asnjëherë fund.
Historia e shqiptarëve në këto 30 vitet e fundit, është historia
tragjike e një kalvari të pandërprerë të protestave për Drejtësi Sociale
dhe Dinjitet, në një Atdhe të munguar dhe të trazuar e të pagjumë, ku
stinët politike janë bërë nga më të mëzitshmet për çdo qytetar të këtij
vendi.
Këto stinë, në tre dekadat e fundit kanë fiksuar në memorie
kalendarike mjaft kriza, dhimbje edhe lot për çdo shqiptar, të cilët,
sot nuk kërkojnë më asgjë nga vendi i tyre, madje as punë, as strehë, as
arsim, as bukë, as ujë dhe as drita… Ata duan vetëm të ikin, të ikin,
të ikin… sepse u është sosur durimi.
Nuk ka më bukur dhe më qartë si e
përshkruan këtë realitet poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu kur shkruan:
“…A ka gjëkund ndonjë shitore/, A ndonjë tezgë kot më kot…/, Të blej me ca qindarka qorre/, Jo bukë, por pak durim, o Zot?”.
Dhe së fundi, kam vetëm dy fjalë fjalë për studentët, mysafirë të
Kryeministrit Rama. Vallë, mos duket rastësi fakti që ato foshnja të
lindura në vitin 1997, janë sot ata djem e vajza 22 vjeçarë, studente e
studentë protesues, të cilët morrën guximin dhe kurajon të gjunjëzojnë
establishmentin e politikës së vjetër, atë establishment që në fakt, në
këto tre dekadat e fundit ka qenë dhe është përgjegjëse, shkaktare e
vërtetë e dramës kolektive të shqiptarëve në Atdheun tonë të përbashkët,
të trazuar e të pagjumë…!?
Mendoj se jo! Ajo që po ndodh sot, nuk është
thjesht një proces që vjen vetëm nga rrethanat e zhvillimeve të reja
sociale e politike, por më së shumti, diktohet në mënyrë të pashmangshme
edhe nga ligjet dialektike të evolucionit shoqëror, që padyshim në të
ardhmen, do ta prezantoj Shqipërinë me një tjetër realitet.
No comments:
Post a Comment