Wednesday, December 11, 2019

“RRETHI I KUJTESËS” DHE EKSPERIMENTET ME BLEDARËT – JETIMË…




    Nga ILIR ÇUMANI

Pas  protestës të së shtunës nga opozita, për dreq se ç’mu kujtua subjekti i një filmi shqiptar me titull: “Rrethit i Kujtesës”. Ngjarjet në atë film, zhvillohen në një spital ushtarak gjerman, në Shqipërinë e pushtuar prej tyre në vitet 1943 – 1944.  Komanda gjermane, në bashkëpunim me ekspertët psikiatër të atij spitali, eksperimentonte për studime mjekësore e shkencore tortura nga më çnjerëzore mbi robërit e luftës, (partizanët). 

Ata, kryenin prova laboratorike me krime monstruoze mbi ta, të cilët i izolonin nëpër vënde të ngushta, duke i  inkasuar në dhomëza të vogla metalike e të mbyllura hermetikisht, duke lejuar vetëm qarkullimin e oksigjenit me anën e ca tubave të holla që bënin të mundur mbijetesën e personave që përdoreshin si kavie eksperimentale, me synimin për të parë rezultatet e këtyre eksperimenteve.

Aty, i mbanin njerëzit me orë të tëra, nën efektet e llahtarshme të ndriçimit me prozhektorë  e drita tejet të fuqishëm, me zhurma të forta sirenash dhe të akustikës, ashtu sikurse edhe i vinin në gjumë me inxheksion, për ti marrë gjakun e trupit përmes rrugëve intravenoze, të cilin e përdornin si transfuzion për rikuperimin ushtarëve dhe oficerëve gjerman të plagosur brenda atij spitali.  

Mes tyre, ishte edhe një ish partizane, që në film e kishte emrin Margarita Begolli, rolin kryesor të së cilës e luan me mjeshtëri aktorja e mirënjohur e kinemasë shqiptare, Marjeta Ljarja. Qëllimi i eksperimentit “mjekësor”, sipas mjekëve ushtarak gjerman, ishte të arrinin  rezultate konkrete nga një studim që ata kishin bërë, ku pacientes ti fshihej  përgjithmonë kujtesa. 

Pra, personi që i nënështrohej këtij eksperimenti monstruoz, të mos mbante mend asgjë nga e kaluara. Përse e solla si shembull këtë rast…? Para disa muajsh, policia ushtroi një kontroll të paligjshëm në mesnatë, në banesën e një familjeje ku ndodheshin të vetëm në shtëpi atë e bir. Kontrolli ishte i paligjshëm, sepse rasti nuk ishte në flagrancë.
Arsyeja i këtij kontrolli ishte ndalimi i tyre, për shkak se ata kishin marrë pjesë në  mënyrë të paligjshme në një prej protestave që organizonte opozita e bashkuar. Atë e bir, u mbajtën të ndaluar disa ditë në polici, dhe më pas u liruan. 

Por ç’farë ndodhi më pas kur ata u liruan nga policia…!? Komshijntë dhe banorët e lagjes, kishin vënë re ndryshime të dukshme në sjelljen dhe veprimet e tyre. Dikur, ata shoqëroheshin gjithmonë bashkë, nuk ndaheshin asnjëherë nga njëri tjetri. 

Bashkë punonin, bashkë i bënin blerjet në shitore, bashkë dilnin në shëtitje, ndonjëherë, bashkë udhëtonin e shkonin për në plazh në muajt e verës… 

Pra, me një fjalë,  i shikoje të qëndronin bashkë gjithmonë. Pas vdekjes të nënës së djalit të mbetur jetim, babë e bir ishin lidhur aq shumë me njëri tjetrin, sa nuk i shikoje asnjëherë të ndarë, kudo ata shkonin. 

Në lagje, njihen si njerëz të qetë, të mbarë e të sjellshëm, madje shembullor dhe të respektuar, që bëjnë një jetë të ndershme por të vështirë, për shkak të të ardhurave të pakta dhe kushteve jo të mira ekonomike. 

Ndaj për të gjitha këto arsye, ata gëzojnë respektin dhe dashurinë e të gjithë banorëve. Mirëpo, për çfarë përshkrova më sipër, lidhur me këtë marëdhënie atë e bir, sot, kjo marëdhënie ka ndryshuar. Që nga koha kur ata u liruan pas ndalimit ku u mbajtën disa ditë në polici, sot, nuk i shikon më në asnjë rast të vetëm që të qëndrojnë bashkë, ashtu si më parë. 

Madje, edhe kur dalin në oborrin e pallatit  e në rrugicat e lagjes, nuk i shikon asnjëherë pranë njëri tjetrit, ashtu si dikur… Disa metra përpara ecën babai, e, pas tij, disa metra i qëndron i biri, duke e ndjekur pas, dhe kështu anasjelltas ditën tjetër.

Kohët e fundit, banorët e lagjes kanë vënë re diçka ndryshe në sjelljen e tyre. Kanë vënë re se, kur ata dalin nga banesa e tyre, i pari tani qëndron gjithmonë i biri, duke lënë pas vetes, disa metra larg të atin, i cili e ndjek pas. Me këtë sjellje, i biri demonstron superioritetin dhe mbase një lloj “pushteti” që ka ndaj të atit. 

Kjo lloj sjellje e ndryshuar në një marëdhënie atë e bir, çuditërisht më risolli në vëmëndje sërish episodin e filmit “Rethi i Kujtesës”, duke i bërë vetes pyetjen se: çfarë ka ndodhur në këtë rast, çfarë e ka ndryshuar këtë marëdhënie mes babait dhe djalit jetim…!? 

A ka ndikuar ndonjë faktor i jashtëm që mund të konsiderohet si “eksperiment” i aplikuar mbi ta dhe që ka sjellë këto ndryshime të dukshme të sjelljes dhe  deforimit në psiqikën e tyre….!?  Në protestën e opozitës të së shtunës, mes shumë të ndaluarve protestues, policia e shtetit ka ndaluar edhe një djalë të ri, i rritur jetim. Ai quhet Bledar Dule.
 
Bledari, është ndaluar nga policia e shtetit duke shitur lule me karrocën e tij, pasi bulevardi ishte zbrazur nga protestuesit. Ai ka qenë aty, jo si gjithë të tjerët për të protestuar, por për të shfrytëzuar mundësinë e shitjes së luleve tek njerëzit që ishin mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar. Pra, ka dalë për të nxjerrë bukën e gojës. 

Ai djalë, në mënyrë instiktive dhe krejt aksidentale është “përfshirë” në një protestë krejtësisht paqësore, duke shitur lule për qytetarë të ndryshëm kalimtarë, pse jo edhe për protestuesit, (nuk ka protestë më paqësore duke shitur lule…!). 

Bledar Dule është një person nevojtar, një hallexhi, që, më shumë se askush tjetër, nuk ka asnjë interes për të ditur qëllimin e atij tubimi madhështor që organizonte opozita e bashkuar, ngase ai është një person me aftësi të kufizuara, me një proces të vonë të të menduarit, të vepruarit, të perceptuarit dhe të kuptuarit të gjërave. 

Dikur, ai është rritur jetim në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, i braktisur që kur ishte foshnjë. Bledari, dhe shumë bledarë jetimë tashmë në Shqipërinë e mjerë dhe të frikshme JETIME, sot është një ish fëmijë i abuzuar, i keqtrajtuar që në embrion, që kur ka lindur dhe është braktisur nga ata që e sollën në jetë. 

Ai është i pambrojtur, i pambështetur dhe i pambuluar nga politikat sociale të shtetit. I pa trajtuar asnjëherë siç duhen trajtuar, ndihmuar dhe përkrahur jetimët, ashtu siç edhe trajtohen në çdo vend të botës së qytetëruar, me humanizëm, me dinjitet, në një shtet social dhe ligjor, funksional dhe  demokratik. Por, çfarë ka ndodhur dhe po ndodh sot me Bledarin dhe shumë bledarë jetimë në vendin tonë…!?

Ka ndodhur një eksperiment kriminal me natyrë të pastër genocidiste, si ajo që po shohim çdo ditë në Tiranë dhe në të gjitha sheshet e Shqipërisë, ku, me të drejtë shumica e njerëzve protestojnë për varfërinë, korrupsionin shtetëror dhe administrativ, drogën, krimin e organizuar, shitblerjen e votave, nepotizimin, klientelizmin qeveritar, papunësinë, varfërinë, mjerimin, padrejtësinë sociale. 

Protestohet në një  shtet – policor që drejtohet nga një gjeneral  pa spaleta, i cili  kapet gafil faqe mediave ndërkombëtare me Lëndë Helmuese Luftarake (LHL), duke i’a hedhur popullit të pafajshëm protestues, (vallë a ka lidhje (LHL) – ja e ministrit Lleshi me eksprimentet e mësipërme…!?).  

 Me Bledarin dhe bledarët jetimë, shteti i sotëm i  (LHL) – ve ka aplikuar dhe eksperimentuar metoda të paligjshme dhe antihumane, praktika represive ndaj pjesës më të dobët të shoqërisë, duke i nxjerrë këta jetimë jashtë sistemit shoqëror ku ata bëjnë pjesë, duke i konsideruar si pjesë e tepërt të shoqërisë, si pjesë bezdisëse për një klasë politike luksokrate, kryeneçe e fodulle, arrogante e të papërgjegjshshme, të korruptuar dhe aspak të ndjeshme. 

Ngase sot, edhe pse qeverisë  një forcë e majtë politike, kemi në krye një qeveri që nuk ka lidhje me të varfërit dhe të pamundurit, e cila bezdiset prej tyre dhe i urren ata, sepse ajo ka kohë që e ka humbur busullën e kohezionit social. 

Jetimi Bledar Dule, sot është viktima më autentike që akuzon me forcën e dhimbjes së Migjenit, ngase ai dhe shumë bledarët jetimë, përmes keqqeverisjes dhe arrogancës shtetërore, janë përdorë e keqërdorë si kavie eksperimetale nga një pushtet kriminal, të cilit, mjerisht  i është nënshtruar në mënyrë të pavullnetshme dhe të pavetëdijshme, përmes eksperimeteve të pafund që kanë të bëjnë me politika dhe praktika të mohimit të së drejtës për të jetuar në kushte jo normale.

Jetimi Bledar Dule, që në momentin kur lindi i braktisur nga prindërit dhe i është dorëzuar për edukim e mirërritje institucioneve shtetërore, ai kurrë nuk e ka  patur aksesin e duhur për t’u trajtuar me përkujdesjen dhe vëmendjen e duhur, për një edukim të shëndetshëm, për të marrë të gjitha shërbimet e nevojshme cilësore nga stafet multidisplinare në qendrat rezidenciale shtetërore  ku ai është rritur. 

Për këtë, flet fakti se sot, ai është një person i pashkolluar mirë, i parehabilituar,  me probleme të theksuara dhe qartësisht të dallueshme të aspektit frenues në procesin psikomotor të të menduarit dhe të vepruarit,  edhe pse është një person mjaft paqësor, shumë i qetë dhe aspak problematik. Por sot, ai është viktima më e pafajshme që jeton në një vend pa shtet, pa institucione, pa humanizëm dhe pa dinjitet. 

Sepse ato kanë kohë që nuk ekzistojnë. Jetimi Bledar Dule, sot është i papunë, i pastrehë, pa asnjë ndihmë ekonomike, dhe jeton jashtë vëmendjes së strukturave përgjegjëse shtetërore të cilat, qysh në krye të herës e kanë braktisur, e kanë neglizhuar sikur ai të mos ketë ekzistuar asnjëherë në këtë vend.

Para dy vjetësh, ai dhe 40 të rinj e familjarë jetimë, që dikur strehoheshin prej vitesh që nga fëmijëria në konviktin e shkollës së mesme të Hoteleri Turizimit në kryeqytet, janë nxjerrë me dhunë në rrugë të madhe nga policia e Bashkisë së Tiranës, duke i lënë përgjithmonë të pastrehë dhe në mëshirë të fatit. 

Atyre u hoqën edhe ndihmën ekonomike prej 20 dollarësh në muaj si të papunë e të pastrehë. Një pjesë prej këtyre jetimëve, përfshi edhe Bledarin, kanë mjaft probleme shëndetësore, e në këto rrethana, duke mos gjetur asnjë rrugëzgjidhje, u larguan përgjithmonë dhe e braktisën vendin si azilkërkues në Francë. 

Vetëm për këto arsye, ky vend i qytetërimit perëndimor  u hapi portat duke treguar humanizëm,  i strehoi dhe i ka pranuar si azilkërkues ekonomik këta të rinj jetim, duke treguar nga ana tjetër Shqipërinë me gisht tek partnerët “euroskeptikë” në parlamentin evropian, si një vend që shkel në mënyrë hapur dhe flagrante një nga të Drejtat Themelore për Njeriun: të drejtën për të jetuar, të drejtën e JETËS…! Por ç’ndodhi me jetimin Bledar Dule…!?

Duke qenë se sot, ai është një person me aftësi ndryshe nga vërsnikët e tjerë jetim, është krejt i pa zot për të vepruar dhe për të ngritur zërin e protestës, rrjedhimisht është edhe i paaftë për tu orientuar e për të bërë atë që bënë jetimët e tjerë, të largohet njëherë e përgjithmonë nga vendi që i mohon dinjitetin e jetës dhe nuk i ofron asnjë mundësi. 

Në këto rrethana, ai është një person rrisku për tu margjinalizuar, jo vetëm për të rënë pre e situatave të papritura nga krimi i rrugës me të cilin ai përballet çdo orë e çast, por është i kërcënuar për t’u “eksperimentuar” nga fenomenet që sipërpërmendëm,  ashtu edhe nga dhuna e policisë së shtetit që drejton gjenerali i (LHL) – ve, z. Sandër Lleshi. 

Ndryshe nga jetimët e tjerë që shkuan në Francë, jetimi Bledar Dule nuk di të bëj asnjë hap pas dhe asnjë hap para. Ai qëndron në një vend, aty ku e kanë lënë abuzuesit e tij permanent, sepse ngjason si dy pika uji me personazhin e filmit “Rrethi i Kujtesës”. 

Ai, ashtu si edhe Margarita Begolli në film, Bledari ka të njëjtin fat tragjik: nuk di çfarë është bërë me të, si kanë abuzuar në mënyrë sistematike mbi të institucionet tona, ngase nuk mban mend asgjë nga e  shkuara e tij. Dy vjet më parë, në qytetin e Sarandës u gjet i vdekur jetimi Leonard Arapi,  i cili jetonte si endacak rrugëve, i braktisur nga shteti prej vite e vite me radhë. 

Në qytetin e Korçës, një tjetër jetim i quajtur  Mirash Zefi, dergjet sot në shtrat i paralizuar, jashtë çdo vëmendje dhe pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje nga pushteti lokal.

Sot në Shqipëri, janë 31.000 fëmijë jetim që ndodhen jashtë vëmendjes së strukturave të mbrojtjes dhe përkujdesjes sociale. Janë me qindra djem e vajza jetimë në të gjithë vendin që sot po vuajnë dramën e tyre qysh nga koha kur erdhën në jetë dhe nuk po mund të gjejnë prehje në Atdheun e tyre JETIM!  

Rastet i kemi përditë në të gjitha mediat, në programet e tyre ku transmetohen pafund fushata sensibilizuese për ndihmë e solidariteti ndaj tyre, a thua se jetojmë në xhungël, në një Republikë pa shtet, pa institucione. 

Pak ditë më parë, policia e shtetit, gjatë një proteste, ngriti një alibi përmes operacioneve të saj duke viktimizuar një jetim të pafajshëm, për ta skeduar rastin si “histori suksesi” në axhendën e saj operacionale kundër krimit dhe ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues.

Ndërkohë, qeveria e Kryeministrit Rama krihet e kapardiset, jetimët e vendit tonë përbuzen, neglizohen, përjashtohen,  dhunohen, keqtrajtohen dhe përdoren si “kavie eksperimentale” në birucat e  policisë të gjeneral Lleshit  në “Shqipërisë  që Duam….!”.

No comments:

Post a Comment