Nga ILIR ÇUMANI
Që politika shqiptare e ka katandisur
Shqipërinë në një skenë tragjikomike ku e gjithë dynjaja, brenda dhe
jashtë, shqyejnë sytë e shkulin brinjët nga e qeshura, kjo tashmë nuk
përbën më asnjë risi, asnjë lajm! E dëgjuat shefin e qeverisë duke folur
nga Librazhdi në turin e radhës për zgjedhjet e 30 qershorit…?
Ai iu
drejtua kundërshtarit politik z. Basha se, në këto zgjedhje do të marrë
“Noc Rrokun”, dhe se vetë Kryeministri me të tijtë, ishte i bindur se do
të jetë fitimtarë në të gjitha Bashkitë dhe Komunat e vendit për të
qeverisur në katër vitet e ardhshme jo vetëm elektoratin rozë, por edhe
popullin opozitar.
Nisur nga kjo, duket se Kryeministri Rama i ka
mbyllur të gjitha dyert e komunikimit për dialog me opozitën zyrtare,
duke e zhvendosur këtë komunikim tek “plangprishësit” e “tradhëtarët” e
këtyre partive, pra, tek “opozita parlamentare e klonuar”, sipas
mandatdjegurve. “Noc Rrokun” do të marrësh Lul, jo pushtetin.
Se kush do
marrë “Nocin” dhe kush “Rrokun”, le ta ndajnë bashkë me Monikën.
Kështu, nuk shkon me histori të tilla, hajde të shohim, hajde ta
zgjidhim… Nuk ka më me gjysma – gjysma…”, deklaroi Kryeministri Rama nga
Librazhdi, gjatë turit të tij në dialog me mbështetësit dhe
simpatizantët e partisë që ai drejton.
Përtej kësaj skene me situata
groteske që të kujton lojrat kapriçioze me hile e inate fëminore, duket
sikur të shfaqen rishtazi para syve si në film skena po kaq të ngjashme,
të luajtura ndër vite nga vërsnikët politikë pararendës të z. Rama. Me
një ndryshim.
Në traditën e “bashkëjetesës” politike të kazanit,
protagonistët e vërtetë në këto lojëra të çuditshme nuk kanë qenë vetë
politikanët përballë njëri tjetrit, por këta të fundit brenda një
tepsie, përballë turmave, përballë sovranit, siç edhe ata e kanë “për
zemër” ti drejtohen zgjedhësve nga foltoret e tubimeve publike.
Ja
përshembull, a ju kujtohet viti 1997, kur ish – presidenti Berisha
deklaroi në Televizionin Publik Shqiptar se, paratë e shqiptarëve të
investuara në firmat piramidale, sipas tij, ishin para të ndershme dhe
të pastra…!? Opozita, pra PS, në atë kohë heshti.
Nuk i bëri asnjë
kundërshti deklaratës së Berishës, ngase një pjesë e mirë e eksponentëve
të kësaj partie, së bashku me eksponentë të PD – së, asohere në
pushtet, ishin zhytur keq duke punësuar e dypunësuar të afërmit e tyre
si sekserë, avokatë, noterë, financierë e anëtarë bordesh në këto firma
rentiere. Kaq i’u desh popullit.
I madh e i vogël u vërsulën në dyert e
kompanive rentiere piramidale “Vefa”, “Gjallica”, “Demokracia
Popullore”, “Xhaferri”, “Populli”, “Cenaj”, “Silva”, “Kamberi”, “Leka”,
të kryesuar nga “kryebankierja” Maksude Kadëna. E gjithë njerëzia u
marros dhe u çartos pas deklaratës së ish presidentit të vendit. O
burra, të gjithë u dyndën e shitën shtëpi e katandi, toka e troje, ara e
ullishte, dhënë e dhi, lopë e viça, kuaj e gomerë…
S’lanë laçkë e
plaçkë pa shitur, e zunë radhët me ditë e netë të tëra në sportelet e
këtyre firmave që ti “depozitonin” ato pak lekë me bindjen e verbër se
kuleta e tyre e çpuar do të bëhej të nesërmen dëngu me para…! Për
dhjetra muaj aktivitet mashtrimi me bekimin e qeverisë, këto kompani
rentiere pasi u grabitën shqiptarëve plotë 1.2 miliardë dollarë,
shpallën falimentin.
Nisi rebelimi popullor dhe vendi u përfshi në kaos e
anarki të plotë. Pas deklaratës të ish presidentit Berisha, kur tha se:“paratë
e shqiptarëve janë të ndershme dhe të pastra”, me falimentimin e këtyre
firmave rentiere, kjo deklaratë u përkthye nga njerëzit e zhgënjyer e
të dëshpëruar, viktima të kësaj historie në: “Noc Rroku”. Pra, populli
ngeli me gisht në gojë.
Gjendja në vend ishte tepër e rënduar. Ekonomia
hyri në kolaps. U shpërthyen depot e armëve. I madh e i vogël u armatos
deri në dhëmbë. Vendi kaloi në situatë krize dhe emergjence. U ngritën
Komitetet e Pajtimit dhe të Shpëtimit Kombëtar. U formatua me konsensus
gjithëpërfshirës nga të gjitha forcat politike edhe Qeveria e Pajtimit
Mbarëkombëtar.
Në sfondin politik për qetësimin e situatës u shfaq
Partia Socialiste. Lideri i saj Fatos Nano, i sapo dalë nga burgu
politik i Berishës deklaroi se, me ardhjen e tij në pushtet, Partia
Socialiste do të bënte të mundur kthimin 100 % të parave të shqiptarëve,
të cilat i kishin humbur në këto firma mashtruese.
Populli, i
dëshpëruar, i zhgënjyer dhe i pashpresë nga qeverisja e Berishës, besoi
dhe votoi Fatos Nanon, partinë e tij. Mirëpo Fatos Nano, (edhe pse një
profesor mjaft i zoti në ekonomi), nuk e mbajti fjalën, nuk mundi tu
kthente mbrapsht shqiptarëve as 10 % të parave që ata i kishin humbur në
këto firma rentiere. Kështu që, deklarata e ish kryesocialistit u
përkthye në: “Noc Rroku”.
Pra, sërish populli ngeli me gisht në gojë.
Historia e “Noc Rrokut” vazhdoi edhe kur Berisha u rikthye në pushtet si
Kryeministër, në vitin 2005.
Kjo ka qenë kredoja e partive politike
tradicionale, të cilat, gjatë ndërrimit të pushteteve, ia kanë përcjellë
njëra tjetrës si testament këtë lloj qasje, këtë frymë e filozofi
qeverisjeje, dhe që me të drejtë partriarku i urtë mëndjendritur i së
majtës, Dritëro Agolli, asokohe e pagëzoi këtë model me emrin:
“shkërdhatokraci”.
Por, le të kthehemi sërish në vitin 2013, kur
kryesocialisti aktual Edi Rama, sot kryeministër i vendit, tha e ç’farë
nuk tha, premtoi e ç’farë nuk premtoi gjatë fushatës elektorale për
zgjedhjet parlamentare. Premtoi hapjen e 300.000 vëndeve të reja të
punës.
Mirëpo, këto vende pune jo vetëm që nuk u hapën, por, për shkak
të papunësisë e varfërisë që sa vinte e thellohej prej aplikimit të
politikave represive dhe aspak sociale të z. Rama, e braktisën vendin si
azilkërkues drejt vëndeve të Bashkimit Evropian afro 450.000 shqiptarë.
Kryeministri e justifikoi këtë dështim me pretendimin se “punë ka, por
s’ka profesionistë”, që sipas zhargonit të tij politik, përkthehet në:
“Noc Rroku”. Kryeministri premtoi uljen e çmimeve të shportës për
ushqimet bazë, duke thënë se: “Do të heqim taksën 20% për bukën, taksën
e qumështit, vezës, miellit, vajit, sheqerit dhe orizit”.
Mirëpo, edhe
sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur, TVSH – ja e ushqimeve është
ende 20%. Edhe kjo, sipas Kryeministrit do të thotë: “Noc Rroku”.
Kryeministri, përpara se të merrte pushtetin, premtoi uljen e çmimit të
energjisë elektrike.
U betua e u përbetua se, taksën e energjisë
elektrike do ta ulte në 6% për familjarët. Sot, taksa e energjisë për
familjarët është 20% dhe jo 6%, ashtu siç premtoi Edi Rama në vitin
2013. Madje, 37.000 kryefamiljarë skamorë që i përkisnin familjeve në
nevojë, u burgosën për rrymën elektrike. Pati edhe nga ata që kaluan në
akte ekstreme vetëflijimi.
Edhe kjo, sipas Kryeministrit, do të thotë:
“Noc Rroku”. Kryeministri premtoi shëndetësi falas, por sot, në spitalet
e vendit kushtet janë ato si në Luftën e Dytë Botërore. Pacientët
akomodohen dhe trajtohen nëpër korridoret e këtyre spitaleve pa respekt,
pa dinjitet, duke i përcjellë brenda ditës në shtëpi për shkak se
dhomat me shtretër janë të tejmbushura.
Mjediset janë të lagështa me
igrasi dhe muret plot me myk. Infeksionet janë sheshit, ujë në çezma nuk
ka. Më keq janë spitalet dhe qëndrat ambulatore në rrethe, sidomos ato
në qytete e zona të largëta të vendit.
Shumë medikamente e terapi nuk
ofrohen në këto spitale, por blien me lekë jashtë këtyre qendrave nga
vetë pacientët. Korrupsioni dhe mitmarrja nga një pjesë jo e vogël e
personelit mjekësor është i pranishëm dhe shqetësues, dhe kjo bën që të
ndeshemi me skena konfliktesh e dhune të shëmtuara ndaj bluzave të
bardha. Sipas Kryeministrit, edhe kjo do të thotë: “Noc Rroku”.
Kryeministri premtoi politika sociale adekuate dhe efektive për zbutjen e
varfërisë. Ai premtoi se do të nxirrte nga varfëria 60.000 njerëz, por
nga ana tjetër, jo që nuk hartoi dhe nuk zbatoi asnjë plan masash për
realizimin e këtij objektivi, por me një të rënë të lapsit, fshiu nga
skema e ndihmës ekonomike plotë 60.000 familje në nevojë, duke i lënë në
mëshirë të fatit pa bukën e gojës.
Nga 110.000 familje të tilla që
ishin të mbrojtura nga shteti para vitit 2013, sot qeveria e
Kryeministrit Rama nuk arrin të mbuloj as 45.000 familje që janë të
përfshira brenda skemës, duke e thelluar edhe më tej hendekun social të
varfërisë. Përpara se të merrte pushtetin në 2013 – tën,
Kryeministri
premtoi përllogaritjen me shpejtësi të minimumit jetik, si hap i parë i
rëndësishëm për të luftuar varfërinë dhe krijuar mundësi integrimi
kategorive në nevojë.
Pikërisht, nga kjo do të varej edhe rritja e
fuqizimi i skemave të tjera si, ndihma ekonomike, paftësia, pensionet,
pagat minimale, etj.
Por kjo nuk ka ndodhur as për personat me ndihmë
ekonomike, (një i asistuar sot me ndihmë ekonomike nga shteti, merr vetëm 15 USD në muaj), dhe as për personat e paaftë për punë.
Afro 650.000 pensionistë, (një pjesë e konsiderueshme janë votues potencial si elektorat i majtë), që
nga viti 2013 e deri tani, nuk kanë njohur asnjëherë rritje pensioni
nga qeveria e Kryeministrit Rama në këto 6 vjet, por vetëm indeksime
tallëse e të vobekëta, si një lëmoshë për të përballuar pensionet e tyre
qesharake nga rritja e çmimeve.
Indeksimi i fundit është ai që u bë
tani, në masën 2.8 %, dy muaj para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, (kështu kanë vepruar të gjitha qeveritë).
Sot, në Shqipëri janë 500.000 njerëz që jetojnë nën minimumin jetik të
varfërisë. Ata janë kontigjent rrisku i kërcënuar prej sëmundjeve të
ndryshme vdekjeprurëse nga mosushqyerja dhe kequshqyerja.
Qeveria e z.
Rama është krejt indiferente. Ky veprim antihuman, vjen si një refuzim
dhe mohim i hapur i shtetit ndaj qytetarëve të pamundur, si një e drejtë
themelore jetike që ka çdo qënie njerëzore për tu ushqyer e jetuar me
dinjitet.
Një realitet i dhimbshëm e tragjik që përbën një krim të
pastër genocidist mbi atë pjesë të pamundur dhe të pambrojtur të
popullatës, e kjo bie ndesh me Konventat Ndërkombëtare të OKB – së dhe
Kartës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Por, sipas Kryeministrit,
edhe kjo do të thotë: “Noc Rroku”. Kryeministri premtoi heqjen e taksës
së qarkullimit për bujqësinë dhe bërjen e çmimit të naftës për këtë
sektor në 13 lekë apo 6 lekë.
Ai premtoi për çdo fermer se, nëse çdo
njëri prej tyre do të shtonte numurin e bagëtisë së trashë në 11 krerë,
do të kishin mbështetjen e qeverisë përmes sunvencioneve nga shteti.
Edhe këto premtime nuk u mbajtën nga Kryeministri, që sipas tij,
përkthehen në “Noc Rroku”.
Një tjetër premtim i pambajtur i
Kryeministrit është anulimi i koncensioneve që prekin drejtëpërsëdrejti
interesin e qytetarëve.
“Do ti ç’bëjmë të gjitha ato koncesione që kanë
cënuar të drejtat e qytetarëve në mënyrë korruptive”, tha ai. Mirëpo,
Kryeministri nuk ka anuluar asnjë koncesion siç janë vendburimet e
naftës dhe HEC – et mbi Valbonë e Vjosë, të cilat dëmtojnë direkt
interesin e qytetarëve, ose koncensionet e “Rapiscan” apo “Markimin e
Karburanteve”, etj.
Sipas Kryeministrit, edhe kjo përkthehet në: “Noc
Rroku”. Ka mjaft premtime të pambajtura nga ana e Kryministrit, i cili
me gjuhën e tij të koduar, i dëshifron ato me fjalët: “Noc Rroku”. Por
kësaj radhe, këtë gjuhë Kryeministri e rezervoi nga Librazhdi për
rivalin e tij politik, Lulzim Basha.
A thua ky i fundit, e kupton se
ç’farë peshe të rëndë zhgënjimi përmban në vetvete fjala “Noc Rroku”,
kur i adresohet në mënyrë cinike dhe të përsëritur sovranit – popull
nga politika e mbrapshtë e ditës…!?
Për këtë, ekziston edhe një thënie e
mençur që vjen si përvojë jetësore kur thuhet: “….O njeriu me mend, provoje në trupin tënd…. Sa të dhemb, aq më dhemb…!”.
Në seancën e fundit të parlamentit, ish ministri për Evropën dhe Punët e
Jashtëme Ditmir Bushati, u drejtohej kolegëve socialistë: “Zgjohuni
socialistë!
Ky vend nuk ka nevojë për shkëmbime batutash, pa kripë e të
sforcuara me deputetët opozitarë të ardhur prej procedurës, por jo prej
demokracisë, të cilëve u dridhet zëri e nuk rrinë dot as drejt në
foltore kur kuvendojnë, duke të kujtuar më së shumti nxënësit e dobët
para mësuesit.
A nuk jeni lodhur duke përsëritur mekanikisht fjali pa
kuptim e klishe si: ulemi për djalog, por jo për negociata…?
Po a nuk më
thoni, cili është precedenti i rrezikshëm i cili nuk duhet të ndodh, se
ndryshe ndodh katastrofa me demokracinë…?”.
Ky mesazh mjaft i qartë e
domethënës, por i guximshëm dhe i sinqertë nga një ligjvënës socialist
dinjitoz, më së shumti i drejtohet sot Kryeministrit Rama, i cili
modeloi dhe institucionalizoi konfliktin publik përmes një komunikimi e
sjellje të drujntë në mjedisin politik me kundërshtarët e tij.
Kur
politika merret me barcaleta e batuta, dhe jo me zgjidhjen e shumë
çështjeve thelbësore e të rëndësishme të ditës që lidhen me integrimin e
Shqipërisë në BE, ekonominë e vendit, përmirësimin dhe kualitetin e
jetës së qytetarëve, këtyre të fundit nuk u mbetet gjë tjetër veç “Noci”
dhe “Rroku” i Kryeministrit, i cili ua servirë shqiptarëve pa “doganë”,
nga mëngjesi deri në mbrëmje, përmes Facebook – ut, Twitter-it dhe
dëgjesave show publike që transmetohen 24 orë në 24 nga ekranet
televizive të blera prej pushtetit.
Me sa duket, atij nuk i bëhet vonë
se në çfarë hullie e qorrsokaku e ka çuar vendin, çfarë laku u ka varur
në qafë shqiptarëve, dhe se ç’kosto të lartë financiare u ka hedhur në
kurriz qytetarëve më të varfër të Evropës vetëm për kapriçot, tekat,
trillet dhe engledisjet e tij fëminore.
Aq më keq për z. Rama, ngase
tash, duket fare qartë se ky është mjerimi dhe rrugëtimi i fundit pas më
shumë se dy dekadash lojrash cirku e akrobacish në karrierën e tij
politike!
No comments:
Post a Comment