Nga ILIR ÇUMANI
Nuk e njoh së afërmi dhe nuk kam patur asnjë rast të vetëm për tu takuar ballë për ballë me Elvis Naçin. E njoh vetëm përmes medias, aq sa e njohin shumica e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, prej daljeve të shpeshta publike gjatë predikimit dhe misionit që ai i beson dhe e ushtron si klerik.
Sinqerisht, e çmoj humanizmin dhe sakrificën e
imamit të xhamisë së Tiranës, i cili me modesti, pasionin dhe zellin e pashoq
të një shërbestari të dhembshur e të përulur para Zotit, me energjinë e pamatë
pozitive dhe imazhin e kuruar, ka mundur të sendërtojë e të na paraqes një
model të munguar të empatisë humane, duke formëzuar dhe institucionalizuar
tashmë një vepër monumentale të shpirtit njerëzor, që i tejkalon përmasat
sublime të sakrificës mbinjerëzore!
Përtej kësaj, puna dhe kontributi i
pangjashëm i këtij misionari me ndikim të padiskutueshëm në hapësirën
mbarëshqiptare, nuk ka nevojë për koment, përveçse duhet përshëndetur,
inkurajuar dhe përkrahur nga të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë,
veçanërisht në këto kohë të vështira pas fatkeqësisë së 26 nëntorit, ku vendi u
godit pabesisht nga tërmeti apokaliptik prej 6.4 ballë i shkallës Rihter.
Në
kohën që jetojmë, e cila është e mbarsur me kaq shumë kriza sociale dhe
fenomene të polarizimit ekstrem të shoqërisë, ajo që Elvis Naçi bën, është një
vepër hyjnore, tepër e dobishme, konkrete, e dukshme, frytet e së cilës i kanë
prekur me dhjetra e qindra nevojtarë, shumë familje shqiptare.
Në sagën e
përvuajtjes së mjerimit përmes ironisë së fatit, (shpesheherë edhe të pashpresë), këta nevojtarë kanë mundur të
prekin fundin, por sërish janë ringritur, falë ndihmës së Elvisit me të tijët
dhe misionit që ai përfaqëson.
Është një shembull i shkëlqyer dhe model
frymëzimi e inspirimi që na dëshmon se sa energji të pashterur mbart në vetvete
qoftë edhe një individ i vetëm kur ai udhëhiqet nga e mira dhe e bukura, nga
parimet e shejnta humane dhe besimi, nga dashuria për JETËN, për NJERIUN!
Por,
kujdes i dashur Imam, sot, kam një apel të sinqertë dhe dashamirës për ju dhe për
shumë bamirës e filantrop të vërtetë, të njohur dhe të panjohur, njerëzit e
zakonshëm e të heshtur, zemërdhembshur e vullnetmirë, të cilët, fatmirësisht as
i kanë munguar dhe as nuk i mungojnë truallit shqiptar...!
Ju lutem, i nderuar
Elvis, lerini mënjanë shifrat bombastike e të pa verifikuara që ju ofrohen në
mënyrë fiktive qoftë edhe nga individë apo pseudoorganizata që mbase janë në të
drejtën e tyre t’ju kërkojnë pse jo edhe ndihmë, por që për hir të së vërtetës,
disa prej tyre, prej tre dekadash bubërojnë si brejtës e parazitë përmes
kauzave të rreme në kurriz të fatkeqëve.
Ju e dini se, për të realizuar me
sukses një mision të vërtetë human, siç është edhe nisma e fundit që keni
publikuar për t’iu ofruar falas asistencën e ndihmës mjeksore për 5.000 fëmijë
jetim në spitalin “Continental” që sapo keni ngritur si fondacion, nuk është e
nevojshme që të proklamohen shifra të tilla me fëmijë jetim me shumë zero nga
pas, të cilët, sipas jush do të përfitojnë nga ky projekt shërbime mjekësore,
por që në fakt, në dijeninë time dhe për hir të së vërtetës, s’kanë asnjë
lidhje me realitetin dhe situatën faktike.
Statusi i Elvis Naçit në profilin e tij në FB
Më ndjeni i dashur Elvis, me gjithë
respektin dhe vlerësimin maksimal që kam, ju e dini fort mirë se, qëllimi dhe
fuqia e aktit të bamirësisë nuk mbështetet as në sasi, dhe as në shifrat e
fryra me numra fëmijësh që proklamohen në atë që bëni, apo që do të bëni në të
ardhmen. Njerëzit nuk janë shifra, as numra, janë qënie humane.
Aq më tepër kur
bëhet fjalë për fëmijët pa familje dhe pa kujdesin prindëror, portretet dhe
imazhet e të cilëve fatkeqësisht përdoren e keqpërdoren, publikohen në media
dhe në rrjete sociale pa teklif, mbase edhe për show, pa treguar as më të
voglin respekt për ruajtjen e dinjitetin njerëzor nga ata që në fakt duhet të
bëjnë të kundërtën: të kujdesen dhe të ruajnë privatësinë, të dhënat për çdo
fëmijë, dhe jo të publikojnë shifra fëmijësh jashtë realitetit të cilat nuk i
pranon as imagjinata në realitetin ku jetojmë.
Ndryshe, kjo quhet hiperbolë, dhe
humanizmi nuk ka lidhje me hiperbolën që përdoret shpesh në rrëfenjat e lashta
apo në letërsi. Sikurse edhe hiperbola, nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë lidhje
me bamirësinë…(!)
Këtë e thonë librat e shejntë: Bibla dhe Kur’hani. Nënë
Tereza thotë: “…Nuk ka rëndësi se sa bëjmë dhe çfarë bëjmë! Rëndësi ka, sa
dashuri sjellim në atë që bëjmë…”
Këtë postulat të Shejntores Terezë, besoj se
e keni si një busull orientuese në misionin tuaj human, edhe pse i përkisni
besimit islam. Këtë parim duhet ta ketë cilido që e konsideron veten misionar
dhe shërbestar i përulur i Zotit!
Nëse do të veprojmë kështu, të gjithë së
bashku do të mund të respektojmë preambulën e Konventës së të Drejtave të
Njeriut, por edhe një nga parimet bazë të saj që lidhet me ruajtjen e
konfidencialitetit dhe respektin e dinjitetit njerëzor të çdo individi, qoftë
ky edhe fëmijë.
Këtë gjë e shpreh edhe Kur’ani, i cili thotë se çdo e mirë që
bëhet duhet që askush mos ta shoh, askush të mos e marrë vesh, veçanërisht kur
kjo e mirë që bëhet ka në fokus fëmijët në nevojë, fëmijët jetim.
Ngulmoj në këtë çështje, ngase ju i
dashur Elvis, thellë thellë e ndjeni, e keni mishëruar dhe konkretizuar me akte
të vërteta voluntariste të vetësakrifikimit, bamirësisë dhe dashurisë për të
gjithë ata që ju kanë besuar, ju besojnë dhe do t’ju besojnë dhe në të ardhmen,
sepse u keni shtrirë dorën për ndihmë në çastet më të vështira të gjithë atyre
që kanë qenë dhe janë në nevojë.
30 apo 50 fëmijë jetim që mbahen peng për
lëmoshë nga disa individë të papërgjegjshëm, matrapazë social dhe pseudoorganizata
me emra të rremë strukur skutave e kthinave të vrugëta të “Shoqërisë Civile”,
që në dijeninë time shpesh e rëndom përdoren si dekor për show para kamerave e
publikohen në rrjete sociale, asesi nuk janë ekuivalenti real me shifrën e
5.000 fëmijë jetim, që, çuditërisht ju është servirur dhe e keni publikuar pa e
verifikuar me aq bujë në statusin tuaj social.
Disa persona apo “organizata” që
ju drejtohen për ndihmë, janë të njëjtët ata të cilët, në gjithë këto vite të
tranzicionit kaotik të vendit kanë çuditur dynjanë dhe institucionet tona të
shtetit, ambasadat, fondacionet dhe bizneset brenda dhe jashtë vendit, duke
deklaruar të dhëna të rreme.
Këto “shoqata” parazitare të cilat për fat të keq
ju drejtohen juve, nuk kanë as minimumin e infrastrukturës dhe të logjistikës,
nuk zotërojnë as kapacitetet minimale njerëzore e profesionale dhe janë të
palicensuara për veprimtarinë e tyre nga autoritetet shtetërore të zbatimit të
ligjit, mbi çfarë kriteresh dhe të dhënash deklarojnë njëherë se kanë të
rregjistruar në regjistrat e tyre 80.000 familje me fëmijë jetim, dhe njëherë
tjetër deklarojnë një tjetër shifër me 12.000 familje të tilla...!?
Nëse
vërtetë këto statistika janë të tilla, e gjitha kjo do të ishte shqetësuese,
sepse sfidon dhe vë përpara përgjegjësisë shtetin dhe institucionet tona, të
gjithë zinxhirin institucional të rrjetit të shërbimeve sociale që vepron në
këtë fushë në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Në këto rrethana, pyetja që
shtrohet është; cilat janë mekanizmat, modalitetet, tipologjitë, treguesit dhe
standartet që aplikohen nga këta operatorë që monitorojnë e klasifikojnë
targetgrupet vulnerabël dhe veprojnë në tregun privat si të palicensuar duke na
paraqitur një tabllo me situata të tilla shifrash alarmante me fëmijë
jetim...!?
Padyshim, është i njohur fakti se shteti dhe vetëm shteti
është ai që ka barrën dhe përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen, mbështetjen dhe
ofrimin e shërbimeve të kësaj kategorie të brishtë të shoqërisë.
E kundërta nuk
ka si të ndodh. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në botë, shteti ka qenë,
është dhe mbetet protektori kryesor që merr në mbrojtje, kujdeset dhe duhet të
kujdeset për këtë shtresë, përgjigjet me të gjitha detyrimet e veta kushtetuese,
(edhe pse rezultatet aktualisht nuk janë
ato që duhet ti kemi).
Çdo gjë tjetër që bëhet në favor të fëmijëve dhe
shtresave të tjera të shoqërisë në nevojë nga operatorë privatë, janë
komplementare.
Sigurisht janë edhe të mirëpritura, por ato duhet të jenë të
kontrolluara dhe të monitoruara për aplikimin e standarteve të shërbimeve që u
ofrohen nga institucionet e politikbërjes dhe të ligjitzbatues, me synimin e
vetëm për të shmangur çdo lloj abuzimi, që për hir të së vërtetës gjatë viteve
të fundit nuk kanë qenë të pakta rastet edhe brenda disa të ashtuquajtura organizata
e fondacione.
Arsyet e lojrave të tilla me numra fëmijësh dhe me familje
jetimësh sipas oreksit, më mirë se kushdo i dinë vetë ata që i bëjnë, por ju
lutem, tregoni vëmendje dhe kujdes të shtuar që ti refuzoni këta individë që nën petkun e aktivistëve të
“bamirësisë” ju ofrohen djallëzisht duke iu servirë të dhëna me shifra të rreme
në mënyrë manipulative.
Në Spanjë, ka një fjalë të urtë që populli i atij vendi
e përdorë shpesh, kur thotë : “... Mos u zhyt në një llucë me derrat sepse me
derrat do të ngatërojnë...”
E nëse nga empatia, dashamirësia,
pakujdesia, toleranca e ardhur qoftë edhe për shkak të besimit apo sinqeritetit
të treguar prej jush, do të vij një ditë që ndokush do të mund t’ua bëjnë
pis sado pak ngrehinën e misionit tuaj nga ato çfarë cekëm më sipër, kjo do të
përmbyste gjithçka të mirë e të bukur që keni bërë derimë tani, duke e çuar të
gjithë mundin dhe përpjekjen tuaj në bomerang.
Në këtë rast, të humbur do të
jenë vetëm nevojtarët. Kjo do të ishte zhënjyese, e dhimbshme, por edhe e
trishtë njëkohësisht…!
No comments:
Post a Comment