Nga ILIR ÇUMANI
Prej dy javësh,
uragani studentor vërshon rrugëve të kryeqytetit dhe ka zgjuar nga gjumi
letargjik mbarë Shqipërinë në këtë pragdimër të ftohtë dhjetori, në një
protestë krejtësisht legjitime, paqësore dhe jo partiake, kundër një padrejtësie që e ka
emrin LUBI.
Kjo protestë, e pangjashme me të gjitha protestat e tjera në
historinë e demokracisë shqiptare, për nga përmbajtja, përmasat, intensiteti, dinamika
dhe kohëzgjatja e saj, (e mbi të gjitha
për kualitetin e qytetarisë), tashmë e ka formëzuar qartësisht vokacionin
dhe filozofinë e saj, e ka një destinacion të qartë dhe të pandryshueshëm.
Ajo i
ngjan një krateri vullkanik, që në vetevete përmban shpërthimin e zemërimit jo
vetëm të studentëve, por edhe atë mbarëpopullor, dhe askush nuk e di se për sa
kohë do të zgjasë...!
Studentët protestues, dhjetor, 2018
Duhet të presim edhe pak, sa ti dalë plotësisht
“anestezia” qytetarëve të këtij vendi, ajo “narkozë” e shpëlarjes së trurit kolektiv
që kryeministri i vendit, përmes një makinerie të rëndë dhe të sofistikuar
propagandistike e ka “injektuar” me shumicë në gjithë këto vite të qeverisjes autokrate,
përmes mediave të blera prej tij, me në krye ERTV – në.
Siç po kuptohet nga zhvillimet e
deri tanishme, protesta e studentëve është epilogu i gjithë asaj situate të akumuluar
krizash dhe konfliktesh dramatike 28
vjeçare, e shpërfaqur në mënyrë autentike në sfondin më dëshpërues e të pashpresë që ka
mbërthyer mbarë shoqërinë shqiptare në këtë tranzicion të zgjatur.
Studentët,
me mençurinë, kulturën dhe maturinë e tyre, me kauzën e pastër që përfaqësojnë,
kanë ngritur me kurajo dhe guxim të gjitha shqetësimet dhe problemet që kanë, të
gjitha padrejtësitë e mëdha sociale që i ndeshin përditë.
Ata kanë marrë
përsipër jo vetëm demaskimin e këtij realiteti të trishtë, por edhe zgjidhjen reale
të problemeve të krijuara, për të çmontuar definitivisht mekanizmin e një
sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, i cili ka ulur këmbëkryq varfërinë
dhe mjerimin në vatrën e çdo shqiptari.
Si bijtë dhe bijat më të mirë të këtij
populli, ata e kanë prekur dhe e ndjejnë deri në palcë diskriminimin shoqëror,
pabarazinë e një gare të pandershme, jo konkurruese dhe jo meritokrate, si pasojë e tarafeve dhe nepotizmit.
Ashtu edhe
përjashtimin social që u ka sjellë situatën e rëndë ekonomike në të cilën
ndodhen sot së bashku me familjet e tyre. Me një inteligjencë dhe intuitë të
pagabueshme, ata e kanë kuptuar se jetojnë në një shtet të padrejtë, me
përfaqësues zyrtarë të pashpirtë e të pa ndjeshëm, hipokritë dhe me maska, të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Ata kanë
kuptuar se, institucionet e shtetit janë
refuzuese dhe stigmatizuese, të cilat shpesh herë kanë sjell varfëri dhe pabarazi,
dhe se, ç’rrënjosja e tyre duhet të filloj së pari nga demontimi i mekanizmit
të modaliteteve dhe tipologjive keqqeverisëse, të skemave klishe autokratike
dhe arrogante të Kryeministrit Rama, i cili, tjetër gjë premton dhe tjetër bën,
tjetër hiqet dhe tjetër duket.
Kohë më
parë, në një nga emisionet e radhës me gazetarin Arian Çani, në “Zonë e Lirë”, ishte
i ftuar kryeministri Rama, i cili, në
një moment u shpreh: “.... E dini kush
është dallimi midis një të djathti dhe të majti...!? Kur i djathti shikon një
lypës në rrugë, thotë: Ai, aty e meriton të jetë, sepse aq ka. Kur i majti
shikon një lypës në rrugë, thotë: Ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri që ai
është aty....”.
Por, a mundet ti
besosh dhe t’i marrësh të mirëqena e të sinqerta këto artikulime të zotit Rama për të varfërit...!? Kush e bën
këtë deklaratë, dhe cili e jep këtë leksion morali për solidaritet njerëzor me
zë dhe me figurë, në një media me audiencë kaq të lartë të ndjekjes dhe
shikueshmërisë...!?
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Dëshpërimisht dhe
fatkeqësisht, Kryeministri i vendit, ai që i ka prishur të gjitha balancat dhe ekuilibrat
social të shoqërisë, duke e çuar atë në polarizim ekstrem.
Ai, që me sjelljen e
drujntë dhe veprime ekstremiste e radikale, ka krijuar një hendek të madh dhe marëdhënie
të ftohtë me të vobektit e vendit më të varfër në Evropë, i cili, bezdiset e sekëlldiset
nga mëngjesi e deri në mbrëmje prej tyre.
Ai, që me hipokrizi dhe demagogji të
pashembullt prodhon retorikë e nuk lë pa përdorë e shfrytëzuar çdo hapësirë e
mjet propagandistik për t’u shfaqur ai që nuk është, me synimin e vetëm, për të
ruajtur status quon e pushtetit që i’a ka parë hairin, si askush politikan
tjetër në Shqipëri.
Ai, që ka hapur gropën më të zezë sociale në këto 5 vjetët
e qeverisjes, përmes një politike represive dhe antihumane në dëm të më të
varfërve dhe në favor të më të pasurve.
Ai pra, Kryeministri i vendit, i cili, për
të kaluar lehtë situatat e konflikteve
dhe të krizave që vetë i shkakton, sa herë që ndodhet ngushtë, shkon të ndryshoj
lukun në garderobën kryeministrore, zhvesh kostumin e sundimtarit autokrat, dhe si një kryeplak arkaik i fshatit,
vesh “çitjanet” e tij karakteristike për të nisur lojën e aktrimit politik.
Studentët protestues, dhjetor, 2018
Me petktun e “bamirësit” në
publik, sillet rrotull nëpër
Shqipërinë e luksit dhe të mjerimit që
vetë e ka modeluar, e me “përulësi”, paraqitet herë si OJF – ist, herë si plaku
i Vitit të Ri, herë si një “filantrop”
babaxhan në ndihmë të nevojtarëve, të cilët e shohin atë si vetë Zotin.
Kinse, “betohet” e “përgjërohet”
përmes leksikut, gjesteve dhe batutave se, nuk ka patur dhe nuk ka dijeni për
realitetin e familjeve të varfëra që flenë në qiell të hapur, për fëmijët që
nuk e ngopin dot barkun me bukë, për studentët e verbër të përjashtur me ligj
nga taksat, dhe që në mënyrë abuzive u merret edhe pika e fundit e gjakut nga shushunjat
e universiteteve, (sipas mjekut të njohur
Pëllumb Pipero, janë 500.000 të uritur nga 2.5 milion shqiptarë, dhe kjo është
një tragjedi kombëtare).
Pastaj, merr përsipër të bëj rolin e
“shpëtimtarit”, në “mbështetje” për të pamundurit dhe të sëmurëve, përmes
programe të formatit “Show” mediatik të stisura prej tij, i kuruar në mënyrë
skrupuloze në çdo detaj, për tu dukur i vërtetë dhe i besueshëm në atë që thotë
e bën.
E gjitha kjo, me synimin e vetëm për të maskuar situatën dhe deformuar perceptimin
publik mbi realitetin, për të “magjepsur” pas vetes shqiptarët e dëshpëruar, duke i mallëngjyer ata, që në
fakt, janë viktimat autentike të qeverisjes së tij kakistokrate.
Studentët protestues, dhjetor, 2018
Ai, që e ka
çuar vendin në humnerën më të rrezikshme sociale, duke nxjerrë dhunshëm nga
skema e ndihmës ekonomike, me pa të drejtë dhe pa asnjë studim të mirëfilltë
analitik plotë 20.000 familje të varfëra. Ai, që e ka mbytur popullin e tij në
taksa, dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar dhe përfundojnë
djallëzisht në pak duar të miqve të tij përmes PPP - ve.
Ai, që e ka rritur
borxhin publik në 71 %, duke i’a lënë në kurriz faturën e barrës financiare të
këtij borxhi të frikshëm edhe brezave që vijnë, fëmijëve të këtij vendi që ende
nuk kanë lindur. Ai, që përdhosi dinjitetin njerëzor dhe prishi që në embrion
ëndrrat e fëmijëve, vrau shpresën e të rijnve, duke dëbuar nga vendi nëpër udhëkryqet
e Evropës e të botës plot 500.000 shqiptarë.
Ai, që burgosi më të mjerët e
vendit, më të pamundurit, dhe la në terr të errësirës pleq e fëmijë që donin
pakëz dritë, pakëz ngrohje në të ftohtin e acartë, por që mjerisht, për shkak
të varfërisë ekstreme, nuk mundin ta paguajnë dot energjinë ekektrike.
Ai, që
me policë bashkiakë, ka bërë dhe bën terror duke tërhequr zvarrë fshatarët, gra
e fëmijë, shqelmon tezgat e tyre të vobekëta duke i konfiskuar atë çikë
prodhimi të kopshteve familjare që e shesin sa për të nxjerrë bukën e gojës.
Ai, që tallet me 635.000 pensionistët e urtë, fjalëpak e fisnik të vendit, duke
u’a ngushtuar edhe më shumë lakun në fyt me një pension qesharak, që ua jep si
lëmoshë sa për të blerë vetëm ilaçe, (dhe
kjo nuk u mjafton).
Ai që tallet dhe bizdiset me 6700 invalidët që ka
vendi, dhe nuk u siguron atyre as minimumin e shërbimit dhe të mbështetjes
ekonomike nga shteti për të përballuar denjësisht vështirësitë fizike dhe
shëndetësore që ata kanë.
Studentët protestues, dhjetor, 2018
Ai, që vetëm taksën e ajrit që thithim nuk ka mundur
të tarifojë deri tani, dhe këtë është gati ta bëjë në çdo moment. Ai, që largon
me dhunë nga strehimoret e konvikteve – geto të rijntë jetimë, të papunë, të
pastrehë e të pambrojtur, u heq ndihmën ekonomike, i nxjerr në rrugë të madhe
dhe i detyron nga sytë këmbët, të marrin rrugët e Evropës, pa patur asnjë orientim
se ku...(!)
Ai, që me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në mungesë të një transparence të plotë, tenton të shpenzoj dhjetra
miliona euro për realizimin e një vepre publike, e me fadromat dhe rruspat e
pushtetit shkatëron shtëpitë dhe pronat e qytetarëve duke nxjerrë në rrugë të
madhe plot 350 familje me gra, pleq e fëmijë në pikun e të ftohtit, pa i
kompensuar, (është detyrim ligjor dhe kushtetues
kompesimi i shpronësimeve).
U bë më shumë se një muaj që banorët e unazës
se re protesojnë ditë e natë, në mbrojtje të pasurive dhe banesave të tyre. Ata
po bëjnë rezistencën më të pashembullt përballë një qeverie, e cila nuk ndjen
dhe as shikon, por me arrogancë dhe me qëndrime
refraktare, nuk pranon të dëgjoj zërin qytetar.
Ky veprim arbitrar, vjen në kundërtshtim të
hapur dhe flagrant me Kartën Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut,
me parimet më elementare të humanizmit dhe të jetës, që ka të bëjë me të
drejtën që ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, ashtu si në çdo vend të botës, të ketë një
strehë mbi kokë.
Së fundmi, ai, që pangopshmërisht, tentoi të fusi duart në xhepat e zbrazura të studentëve
më të varfër të Evropës dhe provokoi me këtë gjest, krizën e besimit dhe depresionin më të madh
kolektiv tek pjesa më e brishtë e shoqërisë.
Ai, pra, zoti Edi Rama,
dëshpërimisht Kryeministri i vendit tim, i yti, i joni, i juaji, i të gjithëve
ne, tashmë i përket vetëm një të shkuare, një bërthame njerëzish ekstremisht
radikalë, pa kurrfarë lidhje me një forcë përparimtare politike të moderuar të
së majtës.
Studentët protestues, dhjetor, 2018
Ai, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë aspiratë dhe ideal të së majtës, me
doktrinën e saj në mbrojtje të më të varfërve, të të pamundurve, të më të
dobtëve, të cilët, si çdo qënie humane, kanë të drejtë dhe duhet të bashkëjetojnë
të qetë, në paqe e harmoni të plotë, në një shoqëri të vërtetë demokratike.
Sepse, në fakt, vetëm të majtë nuk ka sot Shqipëria. Ka vetëm një grusht njerëzish
të babëzitur e të pangopur oligarkësh kleptokratë, që në shpërdorim të
pushtetit, me politika shtypëse e represive dhunojnë e varfërojnë dita ditës
qytetarët, duke i futur duart në xhepa popullit më të varfër të Evropës....!
Dhe
tani, kam vetëm disa pyetje për të nderuarin dëshpërimisht Kryeministrin e vendit! Ju lutem, na thoni se,
cili homolog i juaj në detyrë, në rajon, Evropë dhe në botë, shpenzon kaq shumë
energji, duke i’u vardisur 95 % të
mediave për ti përdorë dhe manipuluar për interesat e tij...!?
Cili kryeministër, që i dhimbsen paratë
publike i përdorë ato për të paguar një dyzinë njërëzish për të mbajtur në
lëvizje një makineri të çmendur dhe të frikshme
propagandistike...!?
Cili është ai kryeministër i përgjegjshëm për fatet
e vendit, që ka si mision të vetëm mirëqënien dhe begatinë e popullit, një
pjesë të madhe të kohës së punës, e shmangë vëmendjen nga problemet kyçe të
vendit dhe si një adoleshent fluturak, tekanjoz, inatçor dhe qarraman, kacavirret
24 orë në 24 orë pas “kazanit mediatik”, (Facebook,
Twitter, media vizive dhe ato të shkruara), për qëllime propagandistike e
deliri, me synimin e vetëm, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tij me një
staturë artifice, për të fituar imunitet nga zullumet e keqqeverisjes në dëm të
vendit, në dëm të popullit...!?
Cili pra,
është ai kryeministër serioz, i vetëdijshëm për barrën e madhe që mban mbi
supe, që, për hakmarrje provinciale e me sjellje infantile, i qepet këmba -
këmbës të gjithë atyre qytetarëve dixhital, gazetarëve dhe mediave që nuk i
vijnë pas oreksit, duke i shantazhuar dhe i kërcënuar me gjoba, me të
ashtuquajturën “paketë antishpifje”...!?
Në cilin vend të botës demokratike, një
kryeministër në detyrë që administron pushtet pa kufi dhe të gjitha paratë
publike, merr përsipër të bëhet edhe gjyqtar edhe prokuror, dhe pastaj del e
bërtet, shantazhon, kërcënon ashtu siç bën kryeministri i vendit, nga mëngjesi e
deri në darkë...!?
Kryeministri ynë
kapardiset, bën karshillëk me cilindo, e përmes stilit të tij sarkastik fyen dhe
ironizon me qësendi e cinizëm vanitoz figura të nderuara publike, diplomatë, akademikë,
artistë, politikanë, deputetë, gazetarë, opozitarë, njerëz të thjeshtë, shan e poshtëron
të gjithë ata që nuk janë në një mendje me të, kërcënon dhe denigron pushtetin
e katërt.
Ai, në mënyrë të çuditshme, guxon dhe bëhet i vetmi nismëtar për të
nxitur të ashtuquajturën “paketë antishpifje”, ngase kërkon të nxjerrë me çdo
kusht ligje represive me synim intimidimin dhe shuarjen e zërit të kriticizmit,
mohimin e të drejtës së fjalës, ngushtimin e hapësirave të lirisë...
Nëse e
gjitha kjo është një nismë e nevojshme që duhet bërë, le të bëhet nga
institucione të specializuara dhe të pavarura, por jo nga zoti Rama. Sepse, le
ta themi troç: ai është në konflikt të pastër dhe të hapur interesi si Kryeministër,
ngase të gjitha zullumet e mbrapshta të vendit nisin nga ai, duke filluar nga
korrupsioni administrativ dhe deri tek ai politik!
Ndaj, me këtë nismë, Kryeministri
Rama bëhet akoma edhe mosbesues, qesharak dhe aspak serioz, sepse në fakt, ka
kohë që ndjehet i frikësuar dhe i futur në panik! Ky nuk është modeli i duhur i
një kryeministri avropian që do të dëshironin të kishin jo vetëm studentët, por
të gjithë shqiptarët.
Ja përse revolta dhe protestat e studentëve nuk mund të
shihen vetëm në optikën e atyre tetë pikave që sot ndodhen në tavolinën e
qeverisë, si kërkesa krejtësisht të drejta dhe legjitime për zgjidhje, por që
kryeministri, duke bishtnuar e ka “shtrirë dorën e pajtimit” protestuestuesve dhe
premton se ato do të realizohen, bashkë edhe me disa pika të tjera...(!!!)
Sepse
në fakt, bashkë me ato “pika të tjera” dhe shumë nga ato që Kryeministri i ka në
mëndje, e di fare mirë se ç’farë çorbe ka gatuar në gjithë këto vite keqqeverisjeje,
duke shkaktuar tashmë një krater të fuqishëm në vullkanin e zemërimit
mbarëpopullor.
Protestat e ligjshme të studentëve, nuk mund të manipulohen dhe të
çbëhen me tërheqje apo lëvizje strategjike të qeverisë, përmes anullimeve
urgjente të VKM – ve dhe ulje – ngritjeve të
toneve të retorikës nga frika e revoltave masive, as me premtime joshëse
që mund t’ju serviren atyre për momentin nga zyra e kryeministrit, sa për të
zbutur rezistencën e tyre.
Tashmë, kjo revoltë, si një aparat sizmograf i
kolauduar, parashikon “tërmete” edhe më të fuqishme, nëse situata nuk do të kapet
në kohë për tu menaxhuar seriozisht e me qetësi, me mençuri dhe sinqeritet nga ana
e Kryeministrit, për ti dhënë një zgjidhje adekuate efikase problemeve që janë
agravuar deri në këtë pikë.
Ngase këto “tërmete”, që në thelb shprehin krizën më të madhe të
besimit dhe të shpresës, kanë brenda plagët e mëdha të shoqërisë, të shkaktuara dhe të trashëguara në këto tre
dekadat e fundit nga një klasë e tërë politike e papërgjegjshme, nga të gjitha
qeverisjet e korruptuara të marra së bashku, por që tashmë, këto plagë janë mahisur
edhe më shumë nga vetë zoti Rama, për
shkak të arrogancës dhe autoritarizmit, ambicieve dhe imagjinatave utopike jashtë realitetit, fantazive
të shfrenuara dhe kapriçove pavend.
Protestat e studentëve kësaj here, janë të
një tjetër lloji, ato janë të pastra, të sinqerta dhe të shëndetshme si vetë
mosha e tyre, për një demokraci të munguar dhe të mohuar në këto tre dekada të
tranzicionit të vështirë në Shqipëri.
Është një lëvizje pa kthim, që nuk ka
ndodhur kurrë më parë, e cila ka vendosur një standart të ri. Sovrani, e ka
kthyer tashmë atë në një institucion të qëndresës dhe të drejtësisë, kundër keqqeverisjes
dhe mungesës së demokracisë përfaqësuese, kundër të keqes së përbashkët.
Janë
protesta deri në zgjidhjen definitive për të drejtat e tyre legjitime, për
rikthimin e dinjitetit njerëzor të nëpërkëmbur padrejtësisht nga arroganca dhe
korrupsioni administrativ, nga makutëria e pushtetit, për të vënë një standard
të ri të demokracisë.
Ky, është vetëm fillimi. Ndaj, i nderuar dëshpërimisht Kryeministër i vendit,
thërritini arsyes dhe veproni me një logjikë të ftohtë pendese e përulësie.
Asnjë
shoqëri nuk mund të jetë e lumtur, nëse pjesa dërrmuese e saj është e varfër, e
mjerë dhe e pa shpresë... Humnera sociale ku e keni çuar vendin, asesi nuk jua
jep statusin e një burrështetasi që ju e pretendoni.
Përkundrazi....! Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera si
këto, nëse nuk do mundeni të reflektoni
sot, nesër do të jetë vonë.
Atëherë, historia
do tregohet e pamëshirëshme me ju, duke ju rezervuar në mënyrën më shembullore njollën
e zezë të turpit dhe krimit të shëmtuar social, në dëm të një populli që sinqerisht
ju besoi dhe ju votoi...!
No comments:
Post a Comment