Nga
ILIR ÇUMANI
Në vitin 1999, deputeti
Teodor Keko bëri një deklaratë të fortë dhe tepër kurajoze në Kuvendin e
Shqipërisë, të cilën u’a drejtonte sinqerish, ballë për ballë kolegëve të tij
deputetë. Ai e lexoi atë deklaratë në foltoren e Parlamentit, duke i parë të
gjithë kolegët në sy.
Në thelb, mesazhi që përcillte deputeti Keko ishte
esenca e asaj që kërkohet sot me aq ngulm nga të gjithë aktorët dhe faktorët
politikë e diplomatikë, vendas dhe të huaj, që lidhet ngushtësisht me çështje
të reformës në drejtësi.
Ai deklaroi se:
"Korrupsioni
nuk luftohet nga të korruptuarit. Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si
deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një kuzhinë në katin e nëntë të një
pallati. Ligji i aprovuar ato kohë ia ndalonte deputetit të merrej me biznes
ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në
mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën. Mbeta në
këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një
apartament të ri.
E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem
sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë,
dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë
në vila, apo apartamente superluksoze. Një prokurori serioze duhet të ndalojë,
para një peizazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë: Mund
të më thoni se ku i gjetët lekët? Është vërtet kriminale të detyrosh një popull
të shkojë të votojë për ca hajdutër pa asnjë princip!”
Fjalët e deputetit të
ndjerë, sot më shumë se kurrë tingëllojnë tepër aktuale dhe të parin që duhet
të lënë pa gjumë sot, është kryeministri Rama, pastaj të gjithëve ne, çdo
qytetar të republikës, të madh e të vogël, çdo fëmijë, të ri edhe plak, të
mundur dhe të pamundur, cilido që kërkon të ketë drejtësi në këtë vend.
Nuk mund të ketë Reformë
reale në sistemin e drejtësisë, nëse ligji i "vettingut" nuk fillon
ti shtrij efektet e tij së pari me deputetët, ministrat, zyrtarët e lartë që
janë të inkriminuar, nga të gjitha nivelet, ekzekutive dhe administrative, ata
që me paratë e krimit dhe të korrupsionit administrativ kanë zhbërë shtetin dhe
kanë blerë, rekrutuar dhe kompromentuar prej 27 vjetësh elementë të korruptuar
e kriminal që veprojnë në një sistem të kalbur të drejtësisë, duke imponuar
modelin dy standard të ligjit: ndëshkues për të dobëtit dhe të pambrojturit, mosndëshkues
për të fortët e pushtetshëm dhe të korruptuar që "notojnë" në
"detin" e parave të pista të korrupsionit.
Zoti Kryeministër!
Nëse
nuk ndërroni taktikë me këtë reformë që keni ndërmarë, për të cilën prej 2
vjetësh po bëni kaq shumë zhurmë, atëherë të gjithë shqiptarët kanë të drejtë
të mendojnë se ju thjeshtë keni bërë dhe
vazhdoni të bëni shaka, dhe se asgjë nuk e keni marrë seriozisht, ngase
prodhoni retorikë të panevojshme vetëm për
populizëm dhe se "vettingu" nuk është dhe nuk ka si të jetë një
prioritet real i politikës dhe i qeverisjes tuaj.
Ju kujtoj se, ditët e fundit,
një deputet i parlamentit shqiptar masakroi një këmbësor të pafajshëm në një
aksident të rëndë rrugor automobilistik, duke e lënë të vdekur në vend. Sikur e
gjitha kjo të mos mjaftonte, ai largohet nga vendgjarja pa i dhënë ndihmën të
aksidentuarit, për t'iu dorëzuar policisë dhe për të denoncuar ngjarjen si autor i këtij aksidenti.
Këtë e
thonë zërat e dëshmitarëve okularë të ndodhur aty, në vendngjarje. Ata rrëfejnë një tjetër version të gjithë
ndodhisë së aksidentit. Thonë se deputeti, drejtues i mjetit që shkaktoi i
vdekjen e menjëhershme qytetarit, ishte me shpejtësi, tej normës së lejuar dhe
mbase edhe nën efektin e alkoolit, pretendim i cili nuk është konstatuar nga
policia dhe hetimi paraprak.
Nuk kam asnjë të drejtë të gjykoj rastin në fjalë dhe
të vë gishtin se kush është fajtori, viktima apo viktimizuesi, sikurse, nuk
dëshiroj asesi të hyj në çështje teknike dhe kompetencat që u takojnë vetëm atoriteteve
zyrtare të hetimit në lidhje me këtë ngjarje.
Por, si qytetar i lirë i një
vendi demokratik, mua më shqetëson një tjetër fakt: zbatimi dy standard dhe
preferencial i ligjit, marëdhënia e zbatimit e në raport me individët dhe
statusin që ata kanë në shoqërinë tonë. Prokurori i çështjes e ka lënë deputetin
të hetohet në gjëndje të lirë.
Në Shqipëri, siç e dimë të gjithë, kjo nuk do të
ndodhte në një rast tjetër, nëse autori i aksidentit do të ishte një qytetar i
zakonshëm.
Duke patur parasysh një thënie të mençuar të indianëve që thonë se,
“ligji dhe gjarpëri kafshojnë vetëm këmbëzbathurin”, kjo urti popullore e tyre
me kujton gjithmonë faktin se, në vendin
tonë, kështu ka ndodhur dhe ndodh në
gjithë këto vite të mungesës së funksionimit të ligjit.
Ç’farë është ky qëndrim
me dy standarde i autoriteteve tona zyrtare të ligjitzbatues...!? Kjo është
drejtësia përballë ligjit!?
Nëse kjo ngjarje do të ndodhte në një vend të
Bashkimit Evropian, ky deputet sot, apo kushdo qoftë, së paku do të ishte i
ndaluar në paraburgim, deri në momentin sa të përfundonte hetimi dhe të
sqaroheshin rrethanat e ngjarjes.
Ky është rregulli më elementar i një
procedure fillestare hetimi, një standard që ndiqet në çdo vend të botës së
lirë e demokratike, ku përball ligjit, çdokush duhet të jetë i barabartë.
Kushdo qoftë ai qytetar, i pushtetshëm apo jo, i pasur apo i s’kamur, me ngjyrë
ose pa ngjyrë, i përgjegjshëm apo i
papërgjegjshëm, i dehur apo esëll. Këto janë parimet bazë të qënësishme në
demokraci, në një vend ku funksionon vetëm ligji dhe vepron shteti i së drejtës.
Ndaj reagoni
ju i pari z. Kryeministër.
Ndryshe, si shumë të tjerë, do të më bëni të besoj (dhe kam të gjithë të drejtën e Zotit) të
mendoj se, në këtë vend gjithmonë ka funksionuar dhe funksionon edhe LIGJI - (kërbaçi) për fakirët e pambrojtur që
shteti i shkel me këmbë pa mëshirë, por funksionojnë edhe MALIQËT, që shteti i mbron
dhe i merr me të mirë, i miklon edhe në raste kur ata bëhen një rrezik
potencial për standartet e demokracisë, për funksionimin real të ligjit, stabilitetin
politik dhe shoqëror, ashtu edhe për paqen sociale e mbarëvajtjen e vendit.
Aq
më keq kur këta Maliq janë deputetë apo ministra...!
No comments:
Post a Comment