Nga
ILIR ÇUMANI
Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të
protestave të studentëve... Ajo e sindikatave të hidrokarbureve në lidhje me
pagat me rritjen e çmimit të naftës, e sindikatave të infermierëve për pagat e
ulëta dhe kushtet e vështira në sistemin shëndetësor, apo të tjerë grupe
interesi si minatorët dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilët do të
reagojnë në ditët në vijim me pakënaqësitë që ata kanë, në përmbushje të
kërkesave ekonomike dhe të drejtave legjitime të mohuara.
Kryeministrit Rama i
ka dalë situata nga kontrolli. Ai e ka të pamjaftueshme kohën për ti dhënë
zgjidhje gjëndjes së krijuar jo vetëm për shkak të arrogancës, mënyrës dhe
mendësisë autoritariste të qeverisjes, por edhe për faktin se u gjend në befasi
dhe i pa përgatitur përballë këtyre zhvillimeve që u shfaqen krejt papritur.
Të
gjithë shqiptarët panë dhe ndoqën me zë dhe me figurë, drejtëpërdrejtë, në një shfaqje groteske në një prej
televizioneve kombëtare kryeministrin e vendit, të përçartur, të zbehtë, të
tensionuar dhe gjysëm i dorëzuar, i cili përpiqej të lektronte “qetësisht” me
një retorikë dhe tone të ulura ofertën për kompromis, që nënkuptonte zgjatjen e
dorës, sjellje kjo e pazakontë për natyrën e tij.
I vënë përballë një auditori me një skenografi
dhe pjesëmarrje të përgjedhur, ai monologonte duke u shfaqur emocional dhe i
paduruar, duke ndërprerë shpesh bashkëbiseduesit në studion që vetë i kishte
thërritur ti dëgjoj.
Hera herës, tregohej imponues dhe këmbëngulës për të
bindur studentët se, në parim ishte dakort me kërkesat e tyre, por që në fakt,
ishte i paqartë nëse ato do të mund të konkretizoheshin dhe materializoheshin prej
tij apo jo...!?
Dhe pikërisht, kjo është arsyeja përse studentët që në fillim
të herës u treguan intuitiv dhe skeptik,
njëkohësisht edhe të mençur e të kujdesshëm, nuk kanë zgjedhur të identifikohen
me një përfaqësi të tyre, por të gjithë së bashku në bllok dhe njëzëri, i
refuzojnë negociatat me qeverinë dhe nuk pranojnë të bashkëbisedojnë me të.
Ata
e ndjejnë dhe i druhen manovrave të kalkuluara në perfeksion, lëvizjeve
spektakolare të paparashikuara që kryeministri mund të bëjë me ta gjatë këtij
procesi “bashkëbisedimi”, ndoshta edhe për ti manipuluar, sepse në fakt, ka
precedentë të mëparshëm dhe të njohur në historinë e protestave në Shqipëri.
Kështu ka ndodhur në këto 28 vite me të gjitha qeveritë.
Nga ana tjetër, vetë
studentët janë të vendosur në kërkesat e tyre duke mos i bërë asnjë lëshim
qeverisë për tetë pikat e panegociueshme që ata kanë parashtruar, dhe për këtë,
ata deklarojnë se protestat e tyre do të përshkallëzohen nëse injorohen prej
saj.
Është pothuajse e njëjta situatë që ndodhi së fundmi në Francë, ku
protestuesit nuk pranuan të negocionin dhe as të bashkëbisedonin me presidentin
e tyre Macron.
Ky i fundit, i ndodhur përballë një presioni dhe revolte që dita
ditës po merrte përmasa të frikshme, u tërhoq pa kushte, duke i përmbushur të
gjitha kërkesat e protestuesve.
Në një komunikim publik 11 minutësh me popullin
francez, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, deklaroi anullimin e vendimit
për rritjen e taksës së karburanteve, që çoi në një valë protestash të
përgjakshme në Francë. Ai premtoi rritjen edhe të pagës minimale me 100 euro
për vitin 2019 e në vazhdim. Vendimi i tij i fundit, tashmë do ti kushtoj
buxhetit të Francës jo pak, por 10 miliardë euro.
Në kontrast me homologun
francez, zoti Rama, përmes sofizmave të artikuluara bukur dhe me shumë art
gojëtarie, ka zgjedhur të luaj kungulleshkën dhe të mos lëviz nga pozicioni i
tij.
Në gjithë këto ditë, ai ka pushtuar hapësirat mediatike prej orësh të
tëra, përfshi edhe komunikimin e drejtëpërdrejtë publik me protestuesit prej më
shumë se 120 minuta nga zyra e tij përmes ERTV, përcjellë në mediat elektronike
dhe rrjetin social facebook, ku e gjithë retorika që artikulonte, sillej në një
rreth vicioz që nuk po i dukej fundi se ç’farë donte të thoshte, duke mos i
dhënë asnjë zgjidhje adekuate situatës së krijuar.
Në fakt, qysh në krye të
herës, kryeministri e kishte mundësinë dhe shansin, të gjithë kohën e
mjaftueshme për të reflektuar dhe arsyetuar në këto vite të drejtimit të
vendit, për të dëgjuar, konsultuar, vlerësuar e dialoguar me qetësi dhe seriozisht
jo vetëm për hallet dhe shqetësimet e studentëve, por edhe për të konsideruar zërin
qytetar, atë të grupeve të tjera interesit për të gjitha problemet dhe
shqetësimet që ata kanë.
Të qeverisës me arrogancë e mëndjemadhësi, duke
shpërfillur dhe injoruar me cinizëm interesin publik (që është një atribut eskluziv i sovranit që të ka zgjedh), është
një shaka që nuk mund të përtypet lehtë, është një lojë e rrezikshme për çdo
pushtetar që kthehet në sundimtar autokrat, i cili në verbërinë e tij të gjithëpushtetshme,
mendon se ka fuqinë e demonit dhe e ndjen veten ZOT dhe i paprekshëm....!
Protesta e studentëve në vetvete, nuk është vetëm një revoltë e pakënaqësisë
dhe e kushteve të vështira ekonomike që ata kanë, e jetesës mizerabël nëpër
konvikte, e tarifave të larta të shkollimit të tyre, e korrupsionit të bordeve
dhe senateve dhe e mitmarrjes në universitete.
Është shumë më tepër se kaq!
Është protesta e lakut të varfërisë që qeveria i’a ka hedhë në qafë popullit
duke e rrjepur deri në qindarkat e fundit. Është protesta e prindërve,
baballarëve dhe nënave, e gjysheve dhe gjyshërve, e motrave dhe vëllezërve të
tyre, e cënimit flagrant të lirive dhe të drejtave themelore që u janë shkelur
e nëpërkëmbur hapur qytetarëve të këtij vendi, për një jetë të dinjitetshme,
për të cilat, fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur të dëgjohej klithma e vuajtjes
dhe zëri i tyre i protestës së përditshme, prej verbërisë dhe shurdhërisë,
arrogancës së pushtetit të një qeverie luksokrate e kakistokrate.
Kjo që po
ndodh sot, është protesta më e pastër dhe më frymëzuese, e pa njohur më parë,
inspiruese për çdokënd që i njeh dhe i çmon
vlerat e lirisë dhe të drejtësisë sociale, është shpirti i dëlirë, i bukur dhe i
vërtetë i një gjenerate potencialisht krijuese e novatore, është preludi i çeljes së një faqe
të re të një Shqipërie që i përket të ardhmes evropiane, kundër një të shkuare dhe të tashme nepotike jo meritokrate, kundër një sistemi shoqëror pa sistem vlerash,
e vjetëruar dhe e kalbëzuar prej krimit dhe korrupsionit politik dhe
administrativ.
Studentët, sot janë grupimi më i madh komunitar që gëzojnë
simpatinë dhe respektin e të gjitha shtresave të shoqërisë, ngase ata janë të
pastër si kristali, janë të zhveshur nga të gjitha interesat e ngushta, prej
komplekseve të inferioritetit, hipokrizisë dhe meskinitetit që i prodhon një
shoqëri e denatyruar dhe e degraduar nga një politikë e bërë pisë dhe e
korruptuar.
Ndaj, të dashur student, sot, të gjithë ju keni marrë një barrë të
madhe mbi supet tuaja, keni nisur në udhë te re, drejt një destinacioni pa
kthim.
Mos lejoni të përdoreni politikisht, shtrëngoni fortë njëri tjetrin dhe
çojeni deri në fund kauzën tuaj të drejtë. Askush nuk do të ketë fuqinë ta
ç’bëj atë që sapo keni nisur.
Askush nuk do të mund të shuaj dritën e shpresës
së madhe që do të ndriçojë mëndjen dhe të ardhmen tuaj të sigurtë, gjithmonë
nëse ju do të rezistoni deri në fund të vendosur!
Zoti e Bekoftë Rininë
Shqiptare...!
No comments:
Post a Comment