Intervistë e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar
të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhënë kryeredaktores së revistës "Psikologjia" Oriona Tresa.
Vetëvrasjet në radhët e intelektualëve. Sa ndikon shoqëria apo mjedisi social..?
Është një pyetje interesante që kërkon një analizë dhe debat
të gjerë të natyrës socio - psiko – politike. Përse e them këtë!?
Ngase, në
pjesën më të madhe të rasteve, vetëvrasjet nuk mund të lidhen vetëm me faktorin
social - ekonomik, por edhe me atë politik, që në fakt, në shoqëritë e hapura dhe fluide, janë burimi
dhe shkaku kryesor që e gjeneron këtë fenomen kaq të përhapur në kohët moderne.
Sot, më shumë se kurrë, ankthi dhe pasiguria tek njerëzit është gjithmonë
prezent dhe në shifra alarmante. Dihet se, pjesa më e ndjeshme e çdo shoqërie është
shtresa e intelektualëve.
Ajo e qëmton në substancë realitetin. Intelektualët,
zhvillimin e një vendi e përjetojnë në mënyrë të qënësishme dhe analitike, plot
nerv e racionalitet, vëzhgojnë në detaj çdo ndryshim pozitiv ose negativ, çdo
fazë të rëndësishme të transformit shoqëror, kulturor, social dhe politik që në
fund të fundit, të gjitha këto lidhen pazgjidhshmërisht me fatin e individit si
qënie humane.
Ndryshimet e gjithëanshme që ka përjetuar dhe përjeton shoqëria
shqiptare në këtë periudhë të tejzgjatur të një tranzicioni kaotik, të
shoqëruara me kriza të ricikluara që ende nuk po i dihet fundi, padyshim sollën
pasoja të rënda sociale e psikologjike, me natyrë traumatike dhe kosto të lartë edhe për shtresën e
intelektualëve.
Ngase ata ishin viktima të pa imunizuara në këtë tranzicion allashqiptar, në betejën
për të mbijetuar, në përpjekje për t’u përshtatur me këto ndryshme dhe për të
gjetur veveten përmes profesioneve të tyre në realitetin e ri që ndante dy
epoka: periudhën e ekonomisë së centralizuar me atë të tregut të lirë.
Në këtë
garë marramëndëse dhe të egër, pa rregulla loje, ku vendin e vlerave e zunë antivlerat dhe etja
për pushtet e para, të parët që u përballën me refuzimin dhe përjashtimin
social, me argumentin fyes si të “dalë
jashtë mode”, ishin dhe janë intelektualët. Shumë prej tyre mbetën të papunë.
Një pjesë e
mirë emigruan për të mbijetuar. Padyshim, ky refuzim dhe mungesa e vëmëndjes e
strukturave shtetërore, e politikës në veçanti, për ta mbështetur inteligjencën
e vendit, e çoi një pjesë të saj në
rrugë pa krye, drejt një stigme dhe margjinalizimi pa kthim.
Mes veprimit dhe
mosveprimit, mundësisë dhe pamundësisë, shumë intelektualë u gjendën në një
rreth vicioz, në një konflikt të vazhdueshëm me vetveten, duke rënë pre e një depresioni kolektiv me
pasoja të rënda dhe të parikuperueshme. Intelektualët
janë pjesa më e vetëdijshme, më kreative, më e ndjeshme e një shoqërie.
Ata
kurrë nuk mund të pajtohen me dështimin, nuk mund të pranojnë neglizhimin dhe
fyerjen. Të frustuar nga mjedisi i pavaforshëm shoqëror dhe nga mungesa e
solidaritetit social, të prekur nga sindromi ankthioz për pasigurinë e së
nesërmes, në disa raste, ata e mendojnë veten se janë pjesë e “tepërt”
e shoqërisë, të “padobishëm” për vendin e tyre. Në këto rrethana, ndjehen të fyer, të poshtëruar dhe të pashpresë.
Ata që janë më të dobët viktimizohen kollaj, e kanë më të lehtë ti drejtohen
aktit ekstrem të vetvrasjes, duke menduar se kështu e kanë gjetur “varkën” e shpëtimit për të dalë nga situata dëshpëruese në të cilën ata ndodhen.
Arsyet e vetëvrasjeve janë nga më të ndryshme. Shoqëria...!?
Po! Edhe ajo ka një
pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë, përmes modeleve që ofron në marëdhënie dhe
socializimin me njëri - tjetrin. Sigurisht, mjedisi social ndikon shumë në
modelimin ose jo të një marëdhënie të shëndoshë besimi, inkurajimi, optimizmi
dhe mbështetjeje.
Shpesh, njerëzit
ballafaqohen me situata të vështira, që në dukje çmohen si të pazgjidhshme, të pakapërcyeshme.
Këta individë, mbartin në vetvete probleme
dhe drama të ndryshme njerëzore.
Dikush vuan
nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, një tjetër ka një konlikt të rëndë
brenda familjes, një marëdhënie zhgënjimi
dashurie... Një tjetër vuan dhimbjen e ndarjes nga jeta me njeriun më të
dashur, apo humbjen e vendit të punës, etj.
Në të tilla raste, për t’i lehtësuar sa më
shumë këta njerëz që vuajnë brenda
qënies së tyre, të gjithë së bashku duhet
të përpiqemi që t’ju krijojmë një mikromjedis “terapeutik” psikosocial të favorshëm. Për këtë arsye,
lypset domosdoshmërisht të funksionojnë
mekanizmat e vullnetarizmit dhe të solidaritetit social, që synojnë normalizimin, përfshirjen dhe socializimin e
tyre në mënyrë aktive dhe të shëndetshme në jetën komunitare.
Mirëpo, në një
klimë turravrapi për të kapur ritmin e kohës, ai, njeriu i “ndjeshëm
solidar”, i përfshirë në jetën sociale kolektive të shoqërisë së dikurshme barazitiste, sot ka pësuar një
metamorfozë të çuditshme socio – antropologjike, si në sjellje, ashtu edhe në marëdhënie e në
veprime. Është bërë gjithmonë edhe më i padukshëm, i ftohtë, i pandjeshëm,
individualist, egoist, ziliqarë, arrogant, zullumqar, hipokrit, intrigant, i
pangopur, manjak, e ku ta di se çfarë...
E nëse këta individë të dëshpëruar, nuk
gjejnë në atë mikromjedisin e tyre social vëmëndjen e duhur, mbështetjen e
nevojshme, solidaritetin, inkurajimin, por, përkundrazi, përballen në mënyrë të
pamëshirëshme me paragjykime, thashetheme,
fyerje, përbuzje, indiferentizmin dhe me
përjashtimin social në kurriz të dinjitetit të tyre, atëherë të mos çuditemi
kur dëgjojmë se “ai” apo “ajo” vrau veten.
Në këtë kontekst, me bindje të plotë mund të them se, nuk kemi të bëjmë me vetëvrasje, por me
vrasje. Këta njerëz fatkeq, janë viktima të pafajshëm të mjedisit ku
jetojnë dhe asesi nuk dëshirojnë që të
vrasin veten.
Ata dëshmojnë me gjestin e tyre atë që ne si shoqëri bëjmë çdo ditë
e çdo çast kundër jetës së tyre.
Vrasësit e vërtetë jemi ne, dhe jo ata.
- Hipokrizia, të flasësh mirë për dikë, pas vdekjes, kur
në fakt opinioni njeh të kundërtën e atij raporti? Çfarë ju vjen të thoni për
kësi rastesh, që në çdo shoqëri ndodh besoj?
Ne shqiptarët jemi një komb i çudishëm. Jemi njerëz me sjellje
të ekstremeve të mëdha. Shajmë shumë dhe lavdërojmë shumë. Duhemi shumë, por, edhe urrehemi për vdekje. E nxjerrim fjalën e
mirë dhe të keqe nga goja pa limit, pa patur
asnjë lloj kriteri e vlerësimi objektiv.
Por, të flasësh “mirë” për dikë që sapo ka
ndërruar jetë, kur në fakt, sa ka qenë gjallë
nuk ke lënë baltë pa hedhur mbi të, duke e shpërndarë këtë baltë gjithandej, më
fal por, e gjitha kjo është një marrëzi, është kulmi i hipokrizisë dhe i
ligësisë që mund të ketë ai person që vetëm emrin NJERI nuk e meriton ta ketë.
Në jetën tonë të përditshme, i ndeshim jo pak raste
të kësaj natyre. Kur përballesh me situata të tilla hipokrizie që kthehen në tragjikomike,
nuk të mbetet gjë tjetër veçse të thuash se, duhet të ngushëllohemi me vetveten,
të ngrejmë kokën lartë në qiell dhe ti
lutemi Zotit që të na mbaj sa më larg frymorëve të tillë, si në jetën tokësore, ashtu edhe në atë qiellore.
Me këtë rast, më lejoni t’ju kujtoj këtyre
personave disa vargje shumë kuptimplote,
por, edhe filozofike të Dritëro Agollit,
kur shkruan:
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë,/Kujdes me fjalën dhe
ti zotëri.../ Pushteti i fjalës është i veçantë,/ Gatuan male dhe kakërdhi. /Me
fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,/ Pikojnë çezma me helm të zi,/ Kujdes me
fjalën, zonjëz me çantë,/ Kujdes me fjalën edhe ti zotëri! /Nga fjala humbën
Judë e Pilatë,/ Strategë e mbretër me mbretëri,/ Kujdes me fjalën zonjëz me
çantë,/ Kujdes me fjalën edhe ti zotëri./ Kur fjala nxirret nga buzët jashtë,/ Si
dallëndyshja s'vjen në shtëpi./ Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë,/ Kujdes me
fjalën edhe ti zotëri...!
- Rasti i shkrimtares dhe gazetares në profesion, Arlinda
Canaj la t’i nënkuptoje këto rrethana. Çfarë i mungon ende shoqërisë sonë për
të qenë më e hapur në mendimet e saj?
Ç’farë
i mungon shoqërisë...!? Po e them shkurt: Kemi defiçite të mëdha të vlerave
humane. Kemi shterrim e tharje të
idealeve dhe aspiratave njerëzore.
Shoqëria jonë ka një nevojë të ngutshme sot.
Ajo duhet të ndërrmarë një aksion të madh mbarëkombëtar për humanizimin e
vetvetes. Kjo është një një imperativ që vjen si një kërkesë e kohës. Padyshim,
rasti fatkeq i Arlindës, sinjifikon në mënyrën më shembullore dhe autentike ato
çka thashë më sipër.
Vetë Arlinda ishte viktima e radhës e mjedisit ku jetoi në
një shoqëri të denatyruar dhe artifice nga pikpamja humane, e varfëruar nga
hierakia e vlerave dhe aspiratave që
duhet të mbarti një shoqëri e civilizuar. Me Arlindën kam patur një miqësi prej
30 vitesh, qysh nga koha kur ajo studionte për gazetari në Universitetin e
Tiranës.
Gazetarja Arlinda Canaj
Punoi disa kohë si kryeredaktore e revistës “Integrim”, botim i
Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. E them me bindje të
plotë se, asnjëherë në jetën time nuk kam ndeshur një njeri ku të bashkohen të
gjitha cilësitë e mira dhe vyrtytet e larta njerëzore. Në karakterin e saj të butë dhe të brishtë flinte
një mirësi e dëlirë, përtej limiteve që ka një qënie humane.
E them këtë, sepse
edhe kur ajo përballej jo rrallë herë me individë të paskrupull, destruktiv e ziliqar
që xhelozoheshin nga talenti i saj, edhe kur e pengonin dhe e dëmtonin
pafundësisht në përpjekjen e saj për mbijetesë, Arlinda kurrë nuk u përgjigj me
të njëjta mjete.
Përkundrazi! Edhe pse i përkiste besimit musliman, ajo me një
përulësi kristiane i mëshironte dhe i falte mëkatarët e saj duke e mbajtur veten
gjithmonë në paqe.
Ishte një intelektuale e kualitetit të lartë, një krijuese e
talentuar dhe plotë sqimë, që punoi me mish e me shpirt si gazetare dhe
shkrimtare me një mision dhe qëllim të lartë fisnik, për një shoqëri më të drejtë,
më humane, më të përparuar.
Luftoi me stoicizëm, herë me punë dhe herë pa punë,
duke u përballë si grua për të drejtat e saj me një shoqëri egoiste e
maskiliste, kundër dhunës së vajzave dhe grave të nëpërkëmbura.
U përpoq e
vetme në sfidën e saj mëmësore në luftë me mbijetesën, për të nxjerrë me djersë
dhe me ndershmëri bukën e gojës, duke u përkujdesur në mirërritjen dhe edukimin
e dy fëmijëve të saj të mrekullueshëm.
Të gjitha betejat i bëri e vetme, pa
patur ndihmën e askujt, pa kërkuar ndihmën e askujt, larg syrit dhe vëmëndjes
të të gjithëve, ngase nuk e pëlqente mëshirën, nuk i pëlqente qarramanët.
Askush
nuk e morri vesh se ç’farë dhimbjesh përjetonte në jetën e saj ajo grua e mirë
dhe e mençur, ç’farë brengash morri me
vete pa fjalë dhe pa zë...!?
Por, një gjë e di me siguri: ne, të gjallët e
përkohëshëm, shokët dhe miqtë e saj, nëse
do të ishim treguar më pak egoistë, më pak indiferentë ndaj saj duke i ofruar
pak, fare pak vëmëndje e ngrohtësi, mesiguri ajo do t’ia dilte.
Po, Arlinda do t’ia dilte...
No comments:
Post a Comment