Saturday, December 14, 2019

IKJA PA ZHURMË E ENDACAKUT TË PAFAJSHËM...!




                           NGA ILIR ÇUMANI


Në edicionet e lajmeve të mbrëmjes, përmes kronikave të zeza, disa televizione transmetuan një lajm të shkurtër që bënte fjalë për vdekjen e një endacaku 54 vjeçar në qytetin e vogël bregdetar të Sarandës. 

Sipas lajmit që u transmetua, u tha se vdekja i kishte ardhë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. 

Mediat, duke mos qenë të saktë me burimin e lajmit, e komunikuan ndryshe emrin e viktimës, që në fakt,  emri i tij i vërtetë është Leonard Arapi. Kaq u tha për fatkeqin, për të cilin,  drama e jetës e të ndjerit i kalon përtej caqet e një dhimbjeje njerëzore, ngase historia e jetës së tij lidhet pazgjidhshmërisht me dhjetra e qindra ngjarje tragjike bonjakësh. 

Si për ironi, këto foto të vetme të jetës së tij (të cilat shoqërojnë radhët që po shkruaj), kanë fiksuar në celuloid momentet më kulmore që fati i trishtë i’a serviri jetimit të gjorë, dhe që në asnjë çast të vetëm nuk do ti falte kurrë buzëqeshje. 

Në foto, jetimi Leonard Arapi, nga fëmijëria deri në ikjen e tij nga kjo botë 
Përmes këtyre fotove, dokumentohet qartazi klithma e dramacitetit e njeriut të vetmuar  dhe të shumëvuajtur,  që nuk njohu dashuri, nuk ndjeu ngrohtësi, nuk provoi mirësi, nga lindja e deri në vdekje. 

Nardi erdhi në jetë në një pragdimri të ftohtë si ky, të vitit 1962, i braktisur në një dhomë të maternitetit të Tiranës. I braktisur nga një nënë që nuk dihet se cila ishte, por që nuk do ta kishte fatin të gëzonte foshnjën e saj. 

Nuk dihen arsyhet e kësaj braktisje, por një gjë ishte i sigurtë: për foshnjën e pa fat, do të niste kalvari i gjatë i sakrificave dhe privacioneve sfilitëse e torturuese,  duke u endur dyerve dhe korridoreve të zhurmëshme të institucioneve të jetimoreve të kohës, pa ditur psenë e shumë pikëpyetjeve të asaj braktisjeje absurde që do ta mundonte gjatë gjithë jetës së tij. 

Leonardi, mes shumë bashkëmoshatarëve të të njëjtit fat, po rritej dita ditës nga disa gra dhe punonjëse zemërdhembshura që në punën e tyre  të përditshme i’a kishin përkushtuar kujdesit dhe mirërritjes këtyre fëmijëve të pafajshëm. Shkollën fillore dhe 8 vjeçare e kreu në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. 

Ishte një fëmijë shumë i zgjuar, i dashur dhe i shoqërueshëm me shokët dhe me shoqet, të cilët aty në jetimore i konsideronte të gjithë motra e vëllezër. Më pas, do të mësonte profesionin e gurëgdhëndësit në një shkollë profesionale në Korçë, profesion që e përvetësoi dhe e bëri mjeshtër të zot në këtë zanat. 

Mirëpo, ndërrimi i sistemit e gjeti të riun jetim Leonard Arapin të papërgatitur,  në mes të katër rrugëve, pa shtëpi, pa punë, pa të ardhura, pa asnjë mbështetje. 

Jeta e vuri përballë një sprove edhe më të vështirë. Tash e tutje  i duhej të përballej  i vetëm me të gjitha vështirësitë dhe problemet për të mbijetuar.   

Në kaosin e tranzicionit shqiptar, viktimat e para ishin pikërisht ata, jetimët, të cilët nuk do të gjenin ashtu si dikur në zyrat e shtetit dashamirësinë e  institucioneve që duhet të përgjigjeshin për nevojat dhe zgjidhjen e halleve dhe problemeve që kishin. 

Mes tyre, nuk bënte përjashtim edhe Leonardi, i cili e ndjente në lëkurën e tij ftohtësinë  e hipokrizisë, shpërfilljen, injorimin, përbuzjen e zyrtarëve të shtetit kur  trokiste derë më derë dhe kërkonte punë apo një strehë ku të fuste kokën. 

Kudo që shkonte, i përplasej dera në fytyrë. Ehhh, kjo botë e egër me shpirtra të tharë...,  nuk ka për turp të shoh jetimin kokëulur dhe të poshtëruar, kishte menduar sa e sa herë me vete,  Leonardi. 

Duke humbur shpresat për ndihmë, mes përpjekjeve raskapitëse e torturuese për mbijetesë, ai vendosi të mbyllet në vetvete dhe ti nënështrohej  mjerisht fatit, duke zgjedhur të bëjë jetën e një endacaku vetmitar. 

Gjendja e mjeruar sociale dhe kequshqyerja, dalëngadalë do ta invalidizonte duke e bërë pacient të përjetshëm  që do të vuante  më pas disa sëmundje njëra pas tjetrës. 

Prej vitesh jetonte në rrënojat e një ndërtese si invalid, ku ç'farë binte jashtë, hynte brenda. 

I pafuqishëm për t'ia dalë mbanë, i pa asistuar nga shteti për të përfituar së paku një ndihmë ekonomike, ai zgjodhi këtë mënyrë jetese, ngase Nardi për karakterin dhe edukimin që kishte, kurrë nuk do të pranonte ti nënshtrohej rrugëve të pandershme; vjedhjeve, mashtrimit, trafikut, prostitucionit, drogës.... 

Leonardin e njohin të gjithë në qytetin e Sarandës. Të gjithë bashkëqytetarët ndjenin për të dhembshuri e respekt, sejcili prej tyre, sipas mundësive e ndihmonin me ushqim e veshmbathje. 

Vetëm ata, ata stoikë dhe të ftohtë që e kishin dhe e kanë për detyrë të interesoheshin dhe të kujdeseshin për të, ishin zyrtarët e shtetit dhe të pushtetit lokal, atje në Sarandë, të cilët, për fat të keq tregoheshin shpesh indiferentë, gjithmonë e më shumë të huaj për të. 

Ashtu si për çdo jetim të këtij qyteti, Sokolin, Linditën, Shpëtimin, Mirandën, Kristaqin, Majlindën, Petritin, Arbenin. etj, këta zyrtarë lokal,  gjithmonë e kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr edhe për fatkeqin jetim, sepse për ta, Leonard Arapi nuk ka ekzistuar dhe nuk mund të ekzistonte asnjëherë si një qënie e brishtë njerëzore.   

Edhe pse Ligji "Për Statusin e Jetimit" u jep përparësi  të gjithë jetimëve që të ndihmohen dhe  të përkrahen nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj, që prej 20 vjetësh që është miratuar nga parlamenti i Shqipërisë, kurrë nuk ka gjetur  mbështetje dhe zbatim nga agjensitë e ligjitzbatues të përfaqësuar nga njerëzit e shtetit dhe të pushtetit. 

Për sa kohë politika do tregohet e ftohtë,  e pa dhembshur,  arrogante, hipokrite dhe demagoge me shtresat në nevojë, për aq kohë do të kemi viktima ta pafajshme si jetimi Leonard Arapi, të cilët zgjedhin në mënyrë të parevokueshme, por pa dëshirën e tyre të ikin për fare nga kjo botë, pa zhurmë, duke na lënë pas njollën e zezë kolektive të një krimi të shëmtuar social dhe antihuman. 

Ikja i Tij, në heshtje dhe pa bezdisur askënd, është protesta më e lexueshme  kundër një rregjimi pa sistem vlerash, e një administrate shtetërore  luksokrate e ndërtuar mbi  një padrejtësi dhe hendeku social, kundër kulltukofagëve shpirtëzinj dhe pa sentiment njerëzor që përdorin dhe  keqpërdorin pushtetin duke jetuar në një luks të shfrenuar  mbi fatkeqësinë e shumicës, të më të dobtëve të shoqërisë. 

Ikja e Leonardit ishte vdekja e paralajmëruar e një njeriu pa faj, që “faji” i vetëm i tij ishte të mbeturit jetim që në mituri, atëherë, kur sapo pa dritën e diellit; është protesta më e paqtë që na bën të ndjehemi me turp dhe të shohim veten në pasqyrë të gjithë së bashku, por njëkohësisht, sa nuk është vonë,  të mundemi të reflektojmë si shoqëri ndaj atyre që kanë në dorë fatet tona...

Deri atëherë,  u prehësh në paqe o engjëll i mirë i Zotit, dëshmitar i vërtetë i vuajtjes dhe i dhimbjes Njerëzore...! 

11.01.2017

No comments:

Post a Comment