NGA ILIR ÇUMANI
(Meditim për ikjen e njeriut të mirë)
Tezja ime, gojëmbëla, e mira dhe e bukura
Sherife! U nise edhe Ti në rrugën e gjatë drejt amëshimit...
U rrite jetime në
strehimoret e bonjakëve që e vogël, pa gëzime, pa lodra, pa dashuri e
buzëqeshje, pa fëmijëri. Ngase babai yt Hasan Mero, vuajti kalvarin e gjatë të
përndjekjes në burgjet më të egra politike të një rregjimi kriminal, absurd dhe
antihuman.
E megjithatë, asnjë nga këto privacione nuk të tjetërsuan, nuk të
deformuan dhe nuk ta ndryshuan karakterin. Sepse ti ishe formësuar që në
gjenezë për të gjitha vlerat e larta morale dhe njerëzore që i mishërove në
perfeksion si askush tjetër, përgjatë 80 viteve të jetës tënde.
Jetove me dashuri,
bujari, mirësi dhe me dinjitet. U bëre simbol i altruizmit dhe i vlerave të
larta njerëzore, duke mohuar çdo çast vetveten si një stoike e pandreqshme.
Shtëpia jote u bë strehëza e të gjithë nevojtarëve; bujtina më e bukur
shqiptare që ka pritur e përcjellë njerëz pafund nga të katër anët e
Shqipërisë, nga të gjitha viset e vendit, dhe si shpërblim nuk kërkove asgjë.
Ti
i doje të gjithë njerëzit, pa kushte. Ata që bujtën tek ty, kurrë nuk e mësuan
sa të vështirë e pate jetën, me sa mund e sakrifica e sajdisje mikpritjen, i
shtroje tryezat me zahiretë e kursyera si një nikoqire e mirë, me synimin për
ti kënaqur dhe ngrohur zemrat e të gjithëve.
Shejntoret prandaj janë të tillë,
sepse nuk jetojnë as edhe një çast për vete, por për të tjerët..! Jetove në
madhështinë e modestisë dhe të thjeshtësisë tënde, ashtu si Shën Tereza.
Shejntët në kohët e soçme janë të dukshëm, por janë edhe të padukshëm.
Sherife Fikaj me nipin e saj, Ilirin
Ti i
përkisje kësaj të dytës. Edhe pse jetove në shejntërinë tënde, jeta nuk u
tregua aspak bujare me Ty! Ishe vajzë e re, një jetime adoleshente (vetëm 17 vjeçe), kur krijove modelin shembullor të familjes
tënde të bukur.
Solle në jetë dy djem të mrekullueshëm Shkëlqimin dhe Lulzimin
dhe i rrite me shumë mund e sakrifica. Ata u rritën me përkujdesjen,
përkushtimin dhe dashurinë tënde, u martuan dhe të lumturuan edhe ty, me nipër
dhe mbesa plot.
Mirëpo nuk ishte e thënë që ky gëzim të zgjaste, kur befas
vdekja të rrëmbeu pa mëshirë dhe në mënyrë të beftë djalin e madh Çimin, e më
pas xhaxhi Jahon, bashkëshortin tënd të mrekullueshëm dhe fisnik.
Dhimbja të
kaploi gjithë qënien tënde, por kurrë nuk u dorëzove. Asnjëherë nuk e lëshove
veten, ngase kishe një karakter të fortë dhe nuk të pëlqente aspak që të të tjerët
të të mëshironin.
Ti ishe vetë mëshira e njerëzimit, kreatura që gjalloje plot
vitalitet dhe i jepje kuptimin filozofik jetës, melhema ku gjente shpresë dhe
shërim nevojtari. Përvoja jetësore ta
kishte dhënë këtë mësim të madh, ndaj dhe kështu veprove si një grua humaniste por,
me kurajo, duke qenë e mençur dhe e fortë.
Unë, jam dëshmitari më sinjifikativ
i kësaj beteje të madhe që bëre me jetën, ngase një pjesë të saj e dedikove
edhe mua.
Ne kishim një fat të
përbashkët prej jetimi dhe për këtë arsye më mësove të eci i sigurt në gjurmët
e tua. Përse të të falënderoj më parë dhe të shpreh mirënjohjen time për Ty,
herohinë e heshtur e brengës dhe e dhimbjes, misionare e përulur e dashurisë
dhe e mirësisë...!?
Një gjë po ta them publikisht me dorën në zemër: Ti je
shembëlltyra Hyjnore më e dashur, më e adhuruar, më e patjetërsueshme dhe shumë
kuptimplotë për mua. Ngase Ti e urreje materien dhe dashurove marrëzisht
DASHURINË, por, dashurove edhe më shumë
DHIMBJEN njerëzore, sepse nga dhimbja burojnë të gjitha dashuritë… Kështu më
thoje gjithmonë e shtrejnta ime.
Ti sendërtove në shpirtin dhe karakterin tim
anët më pozitive të tuat, duke më kujtuar në çdo çast se dashuria për Njeriun
nuk ka çmim: ajo as as blihet dhe as nuk shitet.
Në këto çaste të trishta që kanë pllakosur
zemrën time dhe po më sëmbojnë shpirtin për ikjen tënde pëgjithmonë nga kjo
botë, i vetmi ngushëllim tashmë kanë mbetur kujtimet e bukura me ty.
Është
imazhi yt engjëllor dhe mëmësor që më bëre të mos e ndjeja aq shumë mungesën e
nënës time, të cilën për fatin e keq, nuk e njoha gjatë gjithë jetës.
Janë
kujtimet e bukura të fiksuara në celuloidin e këtyre fotove, që janë një pjesëz
e trajektores në udhëtimin e jetës tonë të përbashkët, që do më kujtojnë se sa
shumë të kam dashur dhe të dua, sa shumë të detyrohem...!
Prandaj për gjithë
jetën të kam thënë dhe do të them me mirënjohje të pashterur: FALËMINDERIT e
shtrejnta ime, NËNA e dhembshurisë dhe e
dashurisë njerëzore, Sherife Fikaj!
No comments:
Post a Comment