Nga ILIR ÇUMANI
– Historia që 15 vjet më parë, më nxiti të ideoj dhe të
nxis në Kuvendin e Shqipërisë, nismën për të shpallur 20 Majin si “Dita
Kombëtare e Jetimëve” –
“Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të
vithisur/, Nga mendja ime ishe krejt i shuar/, Si një qiri i vjetër i
braktisur…/”.
Nuk e di përse këto vargje të poetit të madh Dritëro
Agolli më erdhën ndërmend, tek po meditoja i përhumbur me dhimbje,
pranë një varri të ndodhur në periferi te Sarandës, qyteti më jugor i
Shqipërisë.
Në pjesën veriperëndimore, ndodhen varrezat e këtij qyteti
të vogël bregdetar. Aty është edhe varri i nje vajze jetime, historia e
të cilës është tejet e dhimbshme.
Quhej Xhuliana Luli. Ajo, kurrë nuk e pati fatin të rritej si të
gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Papritmas, jeta e saj u këput në mes,
aty ku sapo kishte nisur te çelë. Mes ëndrrash dhe një bote të trazuar
keq, mes dhimbjesh, brengash dhe dëshirash të paplotësuara ndonjëherë. I
vetmi “mëkat” i saj ishte se ajo erdhi fillikate në këtë jetë.
E
braktisur nga dy njerëz që e lindën, e që më pas, do t’a “pagëzonin” me
një emër: “Jetime”. Dy njerëz që edhe sot e kësaj dite nuk dinë asgjë
për fatin e kësaj krijese të harruar, edhe aty ku ajo prehet.
E harruar së pari prej atyre që e lindën dhe e sollën në jetë, për
t’a braktisur dhe lënë në mëshirën e fatit. E harruar edhe nga ata që e
rritën me “atribute prindërore”, atje, në institucionin e Shtëpisë së
Fëmijës në Sarandë. Gjithsesi, historia e kësaj jetime fatkeqe flet
shumë. Ajo e ka fuqinë të na shfaqet edhe sot pas 40 vjetësh, edhe në
kohët që do të vinë.
Në rreshtin e parë, e dyta është vajza jetime Xhuliana Luli, dhe po në rreshtin e parë, i dyti është autori i shkrimit, Ilir Çumani në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë, Viti 1976
Në çdo kohë, në çdo çast… Sa herë që
indiferentizmi, padrejtësia dhe pabarazia shoqërore do të ngrejë krye si
një fantazmë e frikshme, sa herë që dyfytyrësia të mbizotërojë me
maskën ANTINJERI, me hipokrizinë dhe kryeneçësinë e saj vrastare.
Dikush, sot mund t’a quaj këtë histori një ndodhi të zakonshme të së
shkuarës, një harresë të kohës, mbase edhe indiferencë…
E ç’rëndësi ka
kjo…!? Xhuliana Luli nuk jeton më. Ajo është e fshirë në memorien e të
gjithëve, edhe të atyre që e lindën dhe e sollën në jetë.
Për këtë, flet
varri i saj i braktisur që ndoshta poeti mund ta ketë shkruar enkas
elegjinë e dhimbjes për vogëlushen e mjerë, mbase edhe për dikë tjetër
që ka patur fatin e Xhulianës. Por, sido që të jetë, historia e
Xhuliana Lulit është historia e një jetimeje të harruar.
Në rrethana të
tjera, ndoshta edhe mund të jetonte, të kishte si të gjithë të tjerët
jetën e saj normale, megjithë kushtet jonormale që ju ofruan. Mbase, po
të ishte gjallë, sot do të ishte 52 vjeçe.
Do të kishte familjen e saj
që i mungoi aq shumë në fëmijërinë e trazuar e plot andralla. Ndryshe
nga prindërit që e lindën, ajo sot do të ishte një bashkëshorte dhe nënë
e denjë për fëmijët e saj. Ç’them kështu!?
Mbase, vërtet nuk jam në
vete!? Po si mundet ta rikthej në mes nesh nga ajo kohë e largët
Xhulianën e harruar?! Të gjitha këto s’janë gjë tjetër, veçse iluzione
të kota, mendime e dëshira të parealizuara, imagjinata utopike të rreme…
Mbase është një mënyrë ngushëllimi e shfajësimi për pamundësinë dhe
pafuqinë tonë për ta shpëtuar asohere, sepse në fakt, Xhuliana Luli ka
40 vjet që nuk jeton më. Emri i saj figuron vetëm mbi pllakën e atij
varri të vithisur. Ai emër, figuron edhe në librin themeltar të
institucionit të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.
Në një kolonë të
rregjistrit të institucionit, janë shënuar të dhënat autobiografike dhe
gjeneralitetet e saj. Aty ndodhet edhe një fotografi e Xhulianës së
vogël. Biografia e saj është e përfshirë në një fjali të vetme: “E
braktisur….”.
Anash, në një kolonë të veçantë të rregjistrit, shquhen dy gërma
kapitale të njëjta me inicialet:“N.N”, që kanë kuptimin se ata që e
sollën në jetë “Nuk Njihen”, (këto ishin shenjat dalluese që në atë kohë mbanin të gjithë fëmijët e braktisur në jetimore).
Qysh kur prindërit e saj anonimë e braktisën, ajo u dërgua në
Befotrofin e Vlorës. Aty qëndroi derisa mbushi 6 vjeçe. Më pas, u
vendos në Shtëpinë e Fëmijës Shkollore në Sarandë. Atje nisi edhe
klasën e parë, në ciklin e ulët të shkollës 8-vjeçare “9 – Tetori”.
Por, cila është historia e vërtetë e Xhulianës që sot nuk jeton më!? 40
vjet më parë, në sallën e reanimacionit të qytetit të Sarandës shuhej
jeta e një vajze jetime 12 vjeçare. Ishte një ditë e bukur Maji me
diell, dhe pemët sapo kishin çelur sythet e para. Zogjtë, kishin
paralajmëruar ardhjen e pranverës.
Atë pasdite, vajza me emrin Xhuliana, pasi mbaroi orët e mësimit, u
shkëput nga shokët e saj me të cilët jetonte në jetimore. E kishte marrë
shumë uria dhe ngjitet majë një pishe për të shijuar kokrrat e pjekura
të boçeve të kësaj peme.
Në ngjitje e sipër, në lartësinë e 9 metrave,
dega në të cilën kishte mbështetur njërën këmbë thyhet, dhe ajo rrëshet e
rrëzohet me kokë në asfaltin e një rruge automobilistike që ndodhej
përballë spitalit të qytetit. Aksidenti ishte fatal.
Vajza kaloi në gjendje koma pa shenja jete. Megjithë ndihmën e
shpejtë dhe ndërhyrjen kirurgjikale qe i’u bë, Xhuliana e vogël nuk
kishte më shpresa të jetonte. Ishte dëmtuar rëndë në tru dhe pati
hemoragji e cila i shkaktoi vdekjen e menjëhershme klinike.
Por gjithësesi, zemra vazhdonte t’i rrihte. Atë ditë, Xhulianën e
kishin ndëshkuar në Shtëpinë e Fëmijës. Ishte nisur në shkollë pa
ngrënë. Lajmi se një vajzë e jetimores rrezikonte jetën, tronditi jo
vetëm personelin e jetimores, por edhe ish zyrat në aparatin e Komitetit
të Partisë së Punës të rrethit.
Madje, ky shqetësim ishte ndjerë edhe
në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit. – “Dreqi ta marrë këtë punë, edhe
kjo na duhej…”, – dëgjohej të shfrynte e të belbëzonte nëpër dhëmbë
ndonjë zyrtar partiak nga zyrat e Komitetit të Partisë të kohës.
– Kushedi, ç’do të thonë njerëzit kur ta marrin vesh. Do thonë :
“…vdiq një fëmijë, një jetime e pafajshme…”
Nuk munguan as presionet
ndaj mjekëve që ajo vajzë të shpëtonte me çdo kusht, përndryshe, do të
krijohej një imazh jo mirë për njerëzit e pushtetit, për partinë në
radhë të parë që i konsideronte këta fëmijë si “bijtë e saj”.
Interesimi për të ishte aq i madh, sa me urdhër nga udhëheqja qëndrore e
kohës mbërritën me urgjencë nga Tirana mjekë të specializuar.
Në ankthin e atyre ditëve, brenda mureve të heshtura e të frikshme të
sallës së reanimacionit, aty ku ndodhej vogëlushja Xhulianë e cila
merrte oksigjen pothuajse e vdekur, hynin e dilnin të shqetësuar njerëz
civil e të kollarisur, të veshur me kostum e pardesy.
Të heshtur, ata
shihnin njëri tjetrin të hutuar, ndjeheshin të frikësuar për gjëndjen e
rënduar të saj, e cila mbahej artificialisht në jetë përmes tubave të
oksigjenit.
Në shtratin e Xhulianës, veç mjekëve dhe ndihmësmjekëve,
nuk shikoje askënd nga njerëzit e afërt që ajo mund të ketë patur.
Si për ironi të fatit, jashtë mureve të spitalit, në bulevardin e
qytetit, njerëzit ecnin të shkujdesur, qeshnin dhe gëzoheshin të
lumturuar, bënin shaka, ndërsa fëmijët, bashkëmoshatarët e jetimes së
gjorë ishin rrëmbyer pas lodrave.
Megjithatë, askujt nuk i shkonte
ndërmend se ato ditë, brenda mureve të atij spitali, në atë sallë ku
vdekja kërcënonte jetën, po shuhej një jetë, po vdiste një fëmijë e
pafajshme.
Për pesë ditë e netë me radhë, tepër të shqetësuar, mjekët
jepnin edhe merrnin duke i qëndruar në kokë Xhuliana Lulit, vajzës
jetime, që ndoshta edhe vetë ajo nuk e mësoi se në ç’rrethana kishte
ardhur në jetë, aq më keq, në ç’rrethana po largohej kaq shpejt prej
saj.
Ndoshta, më tepër se presionet që vinin nga lart, ishte kjo një
arsye më shumë që bëri ti kalonte kufijtë e përpjekjeve mbinjerëzore të
bluzave të bardha.
Së bashku, ata luftuan çdo çast e sekondë deri në fund për ta
rikthyer në jetë vajzën jetime e cila lëndoi zemrat e të gjithëve ditën
kur ajo vdiq.
Në ceremoninë mortore të Xhulianës mori pjesë i gjithë
qyteti. Gjatë përcjelljes për në banesën e fundit, i madh e i vogël e
qau Xhuliana Lulin, jetimen 12 vjeçare, këtë viktimë të fatit të saj.
Tashmë, ajo prehet në një nga varrezat e qytetit më jugor të
Shqipërisë, atje kur dikur quhej lagja “Limjon”.
Përmes varreve të
shumtë ku zbardhojnë parcelat e mermerta në “mbretërinë” e qiparisëve
hijerëndë, ndodhet edhe një varrosh. Me vështirësi, në mënyrë të
padukshme dhe gati misterioze, mund të pikasësh vendprehjen e braktisur
të vogëlushes Xhulianë, mbi të cilin, mjerisht, kurrkush nuk ka vënë
dorë.
I vetmi kujtim përmes indiferencës së heshtur, ka mbetur një pllakë
mbishkrimi e mbuluar nga një shtresë e vjetër myshku si një relike
lashtësie, nga ku mund të lexohet me shumë vështirësi emri, mbiemri,
dita e lindjes dhe ajo e vdekjes.
Por, ndryshe nga mbishkrimet e tjera,
aty është shkruar me gërma kapitale si “epitaf” i nisur dhe i pambaruar
fjala: “JETIME”. Një emër i trishtë, i rëndë si plumbi, që
padrejtësisht e shoqëroi vogëlushen e pafat që për së gjalli, dhe që
ende vazhdon ta mbaj si një peng edhe në botën e përtejme.
Mbi atë
pllakë, ka zënë vend një masë e madhe shkurresh e ferrash. Ato, duken
sikur duan t’ia përpijnë edhe atë pak vend ku e vogla e pafat gjen
prehjen e saj. Sot, pas 40 vjetësh, ajo është mbuluar nga pluhuri i
harresës.
Dhe mua, shkruesin e këtyre radhëve, si dëshmitar dhe shok fëmijërie i
bankës në një klasë me Xhulianën, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës me të
në ato kohë të vështira e të trishta, kujtimet me çojnë larg, në ato
vite.
Duke medituar me dhimbje mbi varrin e saj, sërish më vijnë si një
refren vargjet – elegji të poetit Dritëro: “Padashur pashë emrin
tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur…/, Me kockat je
harruar nëpër pluhur/, Se rrugën nëpër pluhur pate nisur….”.
Ndoshta, jeta e Xhulianës ishte vërtetë e tillë. Ashtu si nisi edhe u
shua. Ishte një ikje pa kthim. Me dhimbje, sigurisht! Gjithsesi, ajo
është aty për të dëshmuar se nuk i përket më kësaj bote, por një tjetër
kohe.
Nuk ka forcën të bërtasë si Cukalina e kohëve të shkuara, shumë më
herrët se kaq, duke na apeluar dhe kujtuar për të qenë më të paqtë, më
njerëzor, sepse në fund të fundit askush nuk është i përjetshëm në këtë
botë.
Duke ju rrëfyer këtë histori të dhimbjes njerëzore, mendoj e them
me vete: Drama si kjo e Xhuliana Lulit sot ka shumë në Shqipërinë tonë
të pagjumë, të trazuar e të brengosur prej pesimizmit, të vrarë nga
mungesa e shpresës dhe e prespektivës për të sotmen dhe për të ardhmen.
Jetojmë në një vend me paradokse të mëdha, nga më absurdet, ku në mënyrë
të frikshme mbretëron si një artific “bashkëjetesa” joorganike e luksit
të shfrenuar e një pakice dhe mjerimi ekstrem e masiv i shumicës.
Shembujt i ndeshim pafund në realitetin shqiptar. Ato janë të
tjetërsuara, të frikshme, përçudnuese e fantazmagorike.
Shfaqen në forma të paimagjinueshme e të paperceptueshme, siç është
edhe braktisja e fëmijëve, shfrytëzimi i të miturve, trafikimi, dhuna
fizike e psikologjike, abuzimi seksual që ushtrohet ndaj tyre,
indiferentizmi dhe përjashtimi social së pari nga familja, shteti dhe
shoqëria.
Në gjithë këtë tabllo të shëmtuar sociale, përfshihet në
mënyrë të paskrupullt, të pandjeshme e të pamoralshme, në një konflikt
të hapur mediatik edhe pjesa amorfe dhe aksidentale e politikës, me
simptoma të qarta destruktive, meskine e nekrofile, e cila, për qëllime
utilitare të ditës ka qenë dhe mbetet shkaktarja kryesore e dramës tonë
kolektive, ajo që ka mbajtur dhe mban peng të ardhmen e vendit, të
ardhmen e fëmijëve tanë.
Ky është realiteti më i dhimbshëm, më tragjik në kohën e sotme për
shoqëritë ekstra moderne, ku nuk bën përjashtim edhe shoqëria jonë, e
ndodhur në udhëkryq, e lodhur nga konfliktet e shumta sociale përmes
krizash të ricikluara në proceset e zgjatura tranzitore në tre dekadat
fundit.
Dhe kjo ka ndodhur për faktin sepse, në emër të moralit të një
pushteti politik të pamerituar, të fitimit, grykësisë dhe pangopjes mbi
fatkeqësinë e më të dobëtit, gjithmonë na ka munguar zbatimi i barazisë
para ligjit mbi pakicën sunduese dhe mbi shumicën e pambrojtur, duke
viktimizuar përherë të pambrojturit, pa kursyer as fëmijët, shpatullat
dhe trupin e tyre të brishtë.
Pa marrë parasysh se ata kanë ardhur në këtë botë të jetojnë në paqe,
me pafajësinë dhe dëlirësinë e moshës, me ëndrrat e tyre të bukura, të
pastra dhe të çiltërta.
Ndodh shpesh që ne, më të rriturit, me dashje
dhe pa dashje, me egon dhe sedrën e sëmurë i lëndojmë fëmijët tanë, u’a
vrasim ëndërrat, dëshirat, shpresat, gëzimin fëminor… Sa shumë po
humbasim nga vetja!? Çdo ditë, çdo orë e minutë. Po thahemi dita ditës
çdo çast, pak e nga pak, si lulja në shkretëtirë.
Kjo shpirtharrje,
produkt i botës së shterpëzuar komerciale në degradim e sipër, duket se
na ka prekur rëndë të gjithëve si shoqëri.
Dhe kjo do të jetë fatale,
një kosto të lartë dhe e parikuperueshme për të ardhmen e vendit, nëse
do të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk shohim dhe ta lëmë situatën të na ikë
prej duarsh.
Shpresojmë të mos ndodh kështu… (!) Historia e Xhuliana
Lulit, është një copëz nga jeta tragjike e një individi që jetoi në një
kohë absurde dhe në rrethana absurde, që përsëritet frikshëm si një
reminishencë e së kaluarës deri në ditët e sotme, siç është edhe ngjarja
ndronditëse e fundit në qytetin e Kavajës.
Ajo mbart në vetvete dramacitetin e dhimbjes njerëzore të vajzës
jetime 12 vjeçare e cila nuk jeton më, por që në fakt na kujton, na
dëshmon, na akuzon dhe na paralajmëron…
Kujtimit të saj, i dedikova 20
Majin, si “Dita Kombëtare e Jetimëve”.
Një Ditë Kujtese, që na apelon të
gjithëve për të reflektuar, për të qenë më njerëzor, më të drejtë, për
tu bërë më të mirë si individë dhe si shoqëri në tërësi. Për ta bërë
Shqipërinë një vend më të dashur dhe më të mundur, të jetueshme dhe të
begatë për të gjithë…
P.S
Pasi u interesuam pranë Bashkisë së Sarandës, me një vendim të
Këshillit Bashkiak, u mundësua bërja e varrit e jetimes Xhuliana Luli.
No comments:
Post a Comment