Nga ILIR ÇUMANI
Nuk po ndalem për
të shpjeguar në termat shkencor dhe
profesional se ç’është pedofilia dhe si klasifikohet ajo nga Organizata
Botërore e Shëndetit. Tashmë, pedofilia
është e listuar në sëmundjen e sjelljeve seksuale, pasi siç dihet, është një
patologji psikiatrike që bën pjesë tek parafilitë dhe nuk përjashton asnjë
moshë apo grupmoshe, asnjë individ apo grup individësh shoqëror, kategori
sociale, kulturore, fetare ose politike.
Kjo patologji psikiatrike ka të bëjë me shqetësime që sjellin tërheqje për anomali të objekteve
të animuara që në rastin konkret janë edhe fëmijët. Individët që e manifestojnë këtë sjellje nuk
konsiderohen si njerëz me ç’rregullime mendore, ngase natyra e tyre nuk ka
lidhje me gjenet, as me kromozonet dhe
hormonet. Ndaj për këtë arsye, individët që manifestojnë sjellje të pedofilisë,
janë dhe duhet të jenë objekt i ndëshkimeve penale.
Ngjarja e
ndodhur ditët e fundit në qytetin e Sarandës
mbi skandalin e një videoje në fokus të së cilës ka qenë tentativa e abuzimit seksual mbi një të mitur të
pambrojtur dhe të pafajshme nga një manjak
pedofil 63 vjeçar, veç përmasave
tronditëse e rrëqethëse që u përcollën
në mënyrë profesionale
përmes mediave vizive dhe shtypit
të shkruar, u shoqërua edhe përmes një
fjalori patetik nga foltoret e
zëdhënësve politik (që në
fakt është një debat pa vend), e shndërruar si zakonisht në një sherrnajë të nxehtë përtej mungesës totale të etikës, komunikimit dhe dialogut
konstruktiv, në një betejë të
shfrenuar akuzash dhe kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës.
Nga ana
tjetër, e përfshirë si palë e tretë në
këtë debat publik është edhe reagimi qytetar, përmes rrjetit social “Facebook”
e “Twitter”, nga i cili nuk mund të mos binte në sy revolta e një
zemërimi legjitim mbarëpopullor që
përcjellin ngjarje të tilla të
shëmtuara, të cilat duhet të na ndërgjegjësojnë për një sensibilizim dhe
reflektim kolektiv, me synimin për t’i bërë
ballë kësaj të keqe të madhe,
përpara se ajo të marrë përmasa
të frikshme dhe kërcënuese për mbarë shoqërinë.
Zhurma dhe
përpjekja për të politizuar sjellje të tilla perverse, mendoj se largon nga
vëmendja e të gjitha
institucioneve, medias dhe aktorëve të shoqërisë thelbin dhe rëndësinë e
problemit, që ka të bëjë me shkaqet e vërteta që i sjellin aq
pranë nesh këto ngjarje vanitoze,
sa çdokush nga ne është i rrezikuar për të qenë viktimë në ditën e
nesërme, nëse sot nuk analizojmë seriozisht dhe
të kërkojmë burimin e këtyre pasojave.
Në fakt, ngjarje të tilla, pikësëpari kërkojnë një
analizë serioze dhe të thellë nga ekspertë të sociologjisë dhe
psikologjisë, specialistë e profesionistë multidisiplinarë të fushave të ndryshme në veçanti, pse jo dhe nga
politologë e akademikë, për të kërkuar dhe gjetur shkaqet e vërteta të këtij fenomeni që për fat të keq sot, nuk është një rast i izoluar, por një dukuri permanente e dukshme dhe e padukshme, shumë serioze dhe kërcënuese në kontekstin shqiptar, e shtrirë në formë kapilare, që cënon rëndë mjedisin tonë shoqëror dhe që në
fakt, lëkund në mënyrë të frikshme ekuilibrat psiko - social në mjedisin ku
jetojmë.
Por le të kthehemi
tek ngjarja që ka tronditur kohët e fundit mbarë opinionin publik.
Jemi përballë një
rasti flagrant ku një zyrtar, zëdhënës i një deputeti, (nën
petkun e pushtetit që zotëron), në
këmbim të një vendi pune për një nënë fatkeqe që rrit e vetme 4 fëmijë jetimë,
e sorollat dhe e mundon gruan e gjorë që prej 7 muajsh dhe i kërkon
kësaj të fundit favore për të kryer
marëdhënie seksuale. Skandali thellohet edhe më tej.
Ky zyrtar, insiston të vërë në dorë edhe të bijën e kësaj
hallexheshe, që është një e mitur
jetime, vetëm 14 vjeçe. E gjitha kjo histori
tashmë është e dokumentuar në një kasetë videoregjistrimi prej 7
minutash ku del sheshit në skenë ky
skandal i turpshëm që na ka shokuar të gjithëve pa dyshim.
Gazetari
investigativ, Telnis Skuqi, (dikur
në fëmijërinë e tij i rritur jetim
në shtëpinë e fëmijës në Sarandë), me kurajon civile e profesionale, solli në publik një
pjesë të infektuar nga autopsia e
shoqërisë sonë të sëmurë.
Media e bëri
punën e saj, e investigoi dhe e publikoi me vërtetësi dhe profesionalizëm të
lartë si asnjëherë tjetër të gjithë këtë ngjarje të shëmtuar, duke sfiduar edhe
organet që e kanë për detyrë të hetojnë
dhe zbulojnë ngjarje të tilla. Mjafton vetëm kaq. Tani e ka radhën drejtësia
që të flasë. Fajtori, sipas ligjit duhet
të gjykohet dhe të marrë ndëshkimin e
merituar për veprën e rëndë penale që ka konsumuar.
Mirëpo ç’ndodh!? E
gjithë kjo ngjarje u përpi si magnet dhe është përfshirë në megalaboratorin e
propagandës zhurmuese të politikës
konfliktuale të ditës, duke e instrumentalizuar dhe manipuluar në mënyrën të shëmtuar jo për sensibilitetin e lartë dhe rëndësinë që ka në
vetvete, por vetëm e vetëm për interesa meskine dhe të ngushta politike.
Nisur
nga fakti se manjaku pedofil 63 vjeçar
qëlloi dhe u zbulua nga zyra e një deputeti socialist, (personalisht, për hir të së vërtetës, nuk kam ndonjë konsideratë për
deputetin në fjalë), duhej me çdo kusht që për këtë arsye, ky krim të mos i faturohet i gjithi autorit që e ka
kryer, por forcës politike të cilës i shërben ky pervers. Pra, kjo do të
thotë se duhet të demaskohet dhe të
kryqëzohet pushteti që nuk drejtohet sot nga opozita.
Të politizosh
situata dhe çështje të tilla kaq vulgare, kaq ordinere dhe kriminale siç është
edhe ngjarja e fundit e pedofilsë në Sarandë, që në fund të fundit ka
përgjegjës një dhe vetëm një individ me
emër, me zë dhe me figurë, të parë dhe
dëgjuar botërisht nga të gjithë, më
duket përveçse një infantilitet politik, papërgjegjshmëri dhe histeri kolektive
bizantine, por nga ana tjetër, edhe një
pedofili politike. Ndoshta dhe më shumë se kaq…
Në gjithë
historinë e njerëzimit, ka patur, ka dhe do të ketë njerëz me devijanca e sjellje kontraversiale, që shkojnë kundër rrymës dhe normave të
sjelljes, zakoneve, regullave shoqërore
e morale të një shoqërie. Ata janë pjesë e pashmangshme në mjedisin ku jetojmë.
Kudo në botë, perversët, manjakët, pedofilët, e ku ta di unë se ç’farë, janë
individë të ndryshëm nga shumica normale e shoqërisë njerëzore.
Në dukje, ata
janë njerëz të zakonshëm, me sjellje
normale, dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia për t’i indetifikuar,
distancuar, izoluar dhe trajtuar.
Njerëz
të tillë, nuk përfaqësojnë asgjë veç vetvetes, nuk kanë kauza dhe as ideale
humane, nuk kanë dallime politike e
partiake, nuk kanë as dallim bindjesh besimi fetar, kulture, formimi e
prejardhjeje shoqërore, sepse ata i gjen
ngado dhe kudo, në jetën komunitare, në qytet dhe në fshat, në familje,
në qendra rezidenciale, në çdo parti, në çdo shoqatë, në kumunitete fetare, në çdo institucion publik dhe jo
publik, në çdo administratë, deri në hierarkitë më të larta të shtetit dhe
pushtetit, kudo në mbarë botën.
Është e
njohur dhe tepër tronditëse deklarata e
Papa Françeskut në një intervistë dhënë së përditshmes italiane “La Republica”, në të cilën pohon se: “Ashtu
si Jezui, unë do të përdor një shkop kundër priftërijnve pedofilë”, duke patur
parasysh 8.000 priftërinjë katolikë të përfshirë në aktet e pedofilisë,
ose më saktë 2 % të të gjithë priftërinjve nga 414.000 priftërinjë katolikë që ndodhen
në të gjithë globin.
Në mesin e 8 mijë priftërinjve pedofilë që ka cituar Papa,
përfshihen priftërinj, peshkopë dhe kardinalë. Sipas Papës, abuzimi me fëmijët
është kthyer në një “lebër” që po infekton Kishën, duke u zotuar të përballet
me ashpërsinë që meriton rasti në fjalë.
Po ti referohemi
një rasti të ngjashëm si kjo e ditëve të fundit, e ndodhur në vitin 2006 me shtetasin e huaj anglez
David Brown, i cili ushtronte veprimtarinë e tij “bamirëse” në qendrën “Fëmijët
e tij” në Tiranë, ku rriteshin dhe trajtoheshin afro 15 fëmijë jetimë, do të
kuptojmë se përmasat e abuzimit seksual me këta fëmijë nga ky pedofil ishin
shumë herë edhe më të mëdha, nga ngjarja e ndodhur në Sarandë, e
rrjedhimisht, pasojat ishin edhe më të
rënda për këta fëmijë, pasi nuk ishim përballë një tentative abuzimi dhe
shfrytëzimi seksual, por ishim përballë një fakti dhe krimi të kryer nga ky pedofil me të
miturit jetimë. Të gjithë fëmijët e qendrës ishin të abuzuar.
Sigurisht, ngjarja pati një sensibilitet dhe jehonë të lartë në shtypin e shkruar dhe
në median vizive. Nuk mungoi as reagimi i shoqërisë civile me protesta të
shumta për të ndërgjegjësuar
institucionet dhe drejtësinë. Rezultati ishte frytdhënës. Gjykata foli
qartë dhe pa asnjë ekuivok. Pedofili
David Brown u gjykua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga drejtësia
shqiptare.
Në atë kohë, të
vetmit që u treguan indiferentë, të painteresuar, aspak të ndjeshëm për këtë
çështje që përbënte megaskandalin më të madh të abuzimit seksual me të miturit
e pambrojtur jetimë në vendin tonë, ishte politika.
Pikërisht ajo
politikë që sot na shurdhon dhe po na
çorrodit në këto ditë të nxehta të verës me fjalimet patetike, akuzave dhe kundërakuza përmes foltoreve dhe
ekraneve televizive duke e larguar gjithmonë edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik nga thelbi dhe rëndësia që
ka ngjarja.
Në rastin
pedofilit anglez David Brown, politikës
së sotme dhe asaj të djeshme nuk i interesonte
kjo histori, ngase skandali i orgjisë
nuk doli nga zyrat e ndonjë force kundërshtare politike edhe pse
përmasat e dramës njerëzore që shkaktoi kjo ngjarje ishin aq të mëdha, sa që edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja
të parikuperushme tek ata ish – fëmijë jetimë, viktima të pedofilisë, por edhe
të mungesës së vëmendjes e mbrojtjes nga
strukturat shtetërore përgjegjëse. Pra nuk pati asnjë konflikt politik.
Mos
duhet vallë që pedofilët të jenë të huaj
dhe jo nga radhët e forcave politike që të mos kemi sherre mes partive..!? Ja
sa poshtë ka rënë e tërë klasa jonë
politike.
Këtu qëndron
hipokrizia dhe demagogjia, një e keqe e madhe e politikës sonë. Ajo për
interesa të ngushta të pushtetit, përveçse tallet dhe luan në mënyrë vrastare
me dramën e njerëzve në nevojë që ajo vetë i ka viktimizuar,
shpesh herë tregohet e ftohtë dhe arrogante, e pamoralshme dhe antihumane,
madje edhe cinike...
Të rrezikuar
gjithmonë kanë qënë, janë dhe do të jenë fëmijët jetimë, siç kemi edhe rastin në hetim të pedofilit 53
vjeçar i identifikuar me inicialet M.L,
kryetar i një “pseudo - shoqate”
fantazmë për jetimët, duke rrezikuar dhe viktimizuar një adoleshent
jetim, të cilit në këmbim të një ndihme
që duhet t’i japë për shkollim e
tij, i kërkonte favore seksuale.
Ngjarje të tilla ka gjasa të
ndodhin sërish, për sa kohë do të kemi
një politikë konfliktuale që për interesa të ngushta të saj nuk mendon se si të
përmirësoj jetën e qytetarëve të vet, se
si të zhvilloj kapacitetet dhe të rrisë
masat mbrojtëse e mbështetëse për familjet e rriskut, se si të hartoj dhe
programoj mbështetjen sociale për
fuqizimin e familjeve që kërkojnë mbrojtjen dhe mbështetjen nga shteti për të
mos rënë në kurthin e radhës së manjakëve perversë, me ose pa pushtet…
E nëse do të vazhdojë që politika të ujit “kopshtin” e pedofilisë duke mos kthyer kursin e të bërit politikë konstruktive, atëherë fëmijët nuk do të jenë thjeshtë dhe vetëm gjahu i manjakëve seksualë ordinerë, por edhe viktima të përhershëm të kontigjentit të pedofilisë politike.
No comments:
Post a Comment