Sunday, December 15, 2019

KUR VUAJNË JETIMËT, VUAN E GJITHË SHOQËRIA



                         Nga ILIR ÇUMANI


Shteti shqiptar ka bërë hapa përpara për integrimin në Bashkimin Europian, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por nga ana tjetër,  gjendja e fëmijëve jetimë e abuzimet me ta mbetet një shqetësim për faktorin vendas dhe atë ndërkombëtar. 

Nga 184.000 fëmijë në nevojë që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike shtetërore,    31.000 fëmijë janë të kategorisë së jetimeve. 

Mbi 2/3 e kësaj kategorie përballen, përveçse me ekstremin e përpjekjeve raskapitëse për mbijetesën, edhe me  abuzimet e veprimet kriminale ndaj tyre. Një pjesë shumë e vogël prej tyre marrin asistencë sociale. Asistenca sociale që garantohet nga shteti, mbulon vetëm 5 % të nevojave minimale të jetesës. 

Nga   31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë në 19 qendra joqeveritare (OJF). Pjesa tjetër janë të zbuluar para dhunës, abuzimeve seksuale e trafikimit për qëllime përfitimi. 100.000 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden sot në të njejtën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë. 

Prej 21 vjetësh, në konviktet e shkollave të mesme në rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër (të cilat kanë destinacion strehimin e nxënësve konviktorë të ardhur nga rrethet) ndodhen të strehuar qindra të rinj jetimë, të papunë, në kushtet e getove. Në këto mjedise mizerabël, atyre nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre. 

Të mbetur dyfish jetimë, në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, këta të rinj sot janë kontingjenti më vulnerabël dhe më i margjinalizuar i shoqërisë shqiptare. 

Deputetët e Shqipërisë e kanë amenduar disa herë  Ligjin mbi “Statusin e deputetit”, që u siguron mbështetje dhe mirëqënie familjeve të tyre,  ndërsa  Ligji për “Statusin e Jetimit” nuk është amenduar asnjëherë, duke e lënë kuotën për jetesën e çdo jetimi vetëm 25 USD në muaj, si në fillim të tranzicionit, kur dihet zyrtarisht që kostoja aktuale minimale e një individi në Shqipëri është  në vlerën e 400 USD në muaj. 

Është imperativ i kohës nevoja e një transparence publike, që parlamenti shqiptar tashmë të shprehet qartë përmes një Ligji të veçantë duke ngarkuar Këshillin e Ministrave  që, përfundimisht  të realizoj një studim në shkallë kombëtare, ku të deklarohet zyrtarisht minimumi jetik i varfërisë për të gjitha shtresat  sociale në nevojë, si një nga kërkesat dhe pikat kryesore që kanë paraqitur herë pas here partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizmat e të Drejtave të Njeriut në raportet e tyre periodike për Shqipërinë. 

Shteti shqiptar nuk mund të vazhdoj të bëjë të paditurin dhe të fsheh kokën si struci në rërë lidhur me këtë fakt, i cili ka të bëjë me politikat e mbrojtjes dhe mbështetjes të grupeve të margjinalizuara. 

Kjo ka të bëjë me parimet bazë dhe doktrinën humane të dakortësuar unanimisht dhe të shprehura qartësisht në preambulat e konventave ndërkombëtare të OKB – së që shtetet anëtare i kanë nënshkruar dhe janë të detyruara ti respektojnë ato. 

Një dokument i tillë zyrtar, do të ndihmojë transparencën e shtetit në shpërndarjen e drejtë të të ardhurave kombëtare dhe që prek drejtëpërsëdrejti pjesën më të madhe të popullsisë,  e rrezikuar nga varfëria edhe për shkak të polarizimit ekstrem të shtresave të shoqërisë, ku në fakt, më të prekurit janë jetimët.

Amnesty International ka bërë publik raportin i cili i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe Parlamentit Europian duke vënë theksin se prej 25 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, jetimëve u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me pamundësinë e strehimit, punësimit dhe arsimimit të tyre, e të tjera benefice që burojnë nga statusi i tyre. 

Shteti shqiptar, përmes  Ministrisë së Financave, nën pretekstin e “kartës së mëshirës sociale” duhet  të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga financimi i përvitshëm dhe i padrejtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë për  disa shoqata,  që në fund të fundit, ka qënë një veprim selektiv dhe i paarsyeshëm. 

Në gjithë këto vite të tranzicionit, pjesa më e madhe e këtyre  shoqatave ka rezultuar parazitare e abuzuese me jetimët dhe shtresat në nevojë.   

Financimi selektiv i këtyre shoqatave bie ndesh me parimet e barazisë për të gjithë dhe çon në diskriminimin, kompromentimin, cënimin e sovranitetit dhe autonomisë së këtyre OJF - ve, ngase është e pavend që përmes parave të taksapaguesve shqiptarë, të financohen shpenzime administrative për mbajtjen me paterica të këtyre OJF – ve parazitare dhe abuzuese, duke rënë pre e konformizmit të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore  në dëm të target - grupeve shoqërore që kinse janë të përfaqësuara.   

Nga përvoja e deritanishme, ato nuk kanë qenë asnjëherë eficente dhe  e kanë keqperdorur këtë “bujari” nga shteti, duke u prezantuar para donatorëve shpesh dhe në mënyrë spekullative si OJF me status shtetëror, e nga ku kanë dalë herë pas here edhe skandale të abuzimeve me fëmijët jetimë. 

Tashmë, kontributin e vet për mbështetjen e OJF – ve,  shteti shqiptar  e ka zgjidhur përmes Agjencisë së Mbështetjes të Shoqërisë Civile, (AMSHC), ku çdo OJF ka të drejtë të konkurojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë me projekte dhe programe konkuruese dhe efektive. 

Mbi bazën e këtyre fakteve dhe shumë problematikave të tjera që prekin jetimët, u fokusua edhe tryeza e organizuar ditët e fundit me aktorët e rëndësishëm të Shoqërisë Civile dhe të fushave të ndryshme të jetës politiko shoqërore e kulturore të vendit me temë: “Të gjithë frontalisht kundër abuzimit me fëmijët jetimë”.   

Kjo tryezë shumë përfaqësuese dhe pluraliste në pjesëmarrje, është dëshmi qartë se, për ne janë të çmueshme vlerat e jetës  dhe të demokracisë,  sepse ne e duam mirëqenien dhe zhvillimin për çdo qytetar, për të gjithë ne së bashku, pa përjashtuar askënd. 

Në fakt, të gjithë duam që vendi ynë të mos vuaj nga problemet sociale të cilat  shfaqen herë pas here në spiralen e zhvillimit të shoqërisë, në shumë raste me dhimbje. 

Siç e dimë të gjithë, kjo dhimbje bëhet shumë herë  edhe më e madhe kur prek grupe më të pambrojtura të shoqërisë siç janë edhe jetimët, të cilët shpesh herë detyrohen të mbijetojnë sepse nuk kanë asnjë rrugë dalje. 

Do të ishte ideale nëse ky grup do ndjente nga shoqëria se, jeta nuk i ka privuar nga mundësitë që i kanë të gjithë të tjerët, por kjo, për fat të keq  është e pamundur për ata,  sepse jeta i ka vendosur që në fillim mes situatave  dhe kombinacioneve tragjike, duke i privuar nga  mungesa e kujdesit prindëror që të tjerët gëzojnë. 

Fatkeqësisht, nga shumë drejtime, fëmijët jetimë nuk kanë mundur të shmangin vështirësitë me të cilat përballen, por më e rënda dhe më e pa pranueshme për jetën  e tyre është mungesa e vëmendjes e shoqërisë, heshtja e saj ndaj dhunës më të cilën ndeshen. 

Kjo dhunë ka dimensione e shfaqje nga më të ndryshmet, ka protagonistë nga më të ndryshmëm, por kurrësesi ne nuk duhet të lejojmë që ta ushtrojnë atë pikërisht ata që e kanë për detyrë t’u dalin për zot interesave të jetimëve, qoftë edhe si përfaqësues shteti, qoftë edhe si përfaqësues të shoqërisë civile apo individë të papërgjegjshëm. 

Nuk dua të ndalem në ato dëshmi tronditëse që sillen nëpërmjet angazhimeve të organizatorëve të kësaj tryeze, sepse ato janë problem e preokupim i secilit prej nesh, por dua të ndalem shkurtimisht në këndvështrimin tim mbi detyrimin moral e shoqëror të të gjithë faktorëve ndaj këtij grupi kaq delikat në ndjeshmërinë njerëzore. 

Jetimët kanë dëshmuar në çdo kohë se, mbi çdo gjë, ata vënë  në radhë të parë dinjitetin dhe përpiqen me shumë dashuri e përkushtim për përparimin e vendit dhe shoqërisë së cilës i përkasin. 

Mes tyre ka figura pa fund të spikatura në kontribute ndaj shoqërisë, me lartësinë e personalitetit të çdo fushe ku i kanë përqëndruar aftësitë dhe talentin, por në fakt dua të siguroj se çdo jetim e ka shumë të vështirë ta ngrejë zërin pa pasur mbi vehte një stërmundim apo padrejtësi shumë të madhe. 

Si përfaqësues i këtij target – grupi,  e ndjej se duhet të shpreh ndjesën e madhe dhe të sinqertë për ç’farë nuk kemi mundur të bëjmë më shumë për ta, por nga ana tjetër, të shpreh edhe mirënjohjen dhe falenderimin e përzemërt në emër  të gjithë atyre jetimëve që sot  po përballojnë me dinjitet peshën e vuatjeve dhe stërmundimit nga abuzimet, dhuna, braktisja, mënjanimi, indiferenca, shfrytëzimi apo trafikimi për qëllime kriminale të përfitimit në kurriz të tyre.   

Tryeza të tilla janë aktet e asaj që duan jetimët dhe jo vetëm, që ka të bëjë me solidaritetin dhe mirëkuptimin për t’u trajtuar si të barabartë dhe për të dënuar publikisht e me ligje çdo abuzim apo forme dhune ndaj tyre, ashtu si ndaj çdo qytetari tjetër që nga ai më i thjeshti deri tek presidenti i Republikës. 

Realizimi i kësaj fryme solidariteti rrit besimin jo vetëm të jetimëve por edhe të gjithë qytetarëve tek standarti i shoqërisë, tek vlerat e saj, pavarësisht nga sistemet politike. 11 vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë e vlerësoi  iniciativën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për të shpallur 20 Majin, si “Dita Kombëtare e Jetimëve”. 

Shpesh herë kam menduar se mos u gabuam që, duke shpallur një ditë të tillë, po lemë të kuptohet se i veçojmë ata nga të tjerët, gjë të cilën jetimët nuk do ta dëshironin qoftë edhe për një sekondë të vetme. 

Ne e kemi kërkuar shpalljen e kësaj dite pikërisht, si një ditë ku të mund të promovohen aktet e solidaritetit dhe të voluntarizmit, që synon filozofinë e gjithëpërfshirjes drejt kohezionit social, me synimin për  fillimin e një aksioni mbarëkombëtar që lidhet me nevojën për humanizimin e shoqërisë. 

Pse jo, kjo ditë mund të shërbejë edhe si një ditë proteste, reflektimi dhe ndërgjegjësimi  për të gjithë ne, për atë ç’ka nuk kemi mundur të bëjmë edhe më mirë për ta. 

Jetimët e përjetojnë atë ditë si një ditë që nuk shpalos mëshirën, por forcën e shoqërisë për të ruajtuar vlerat e saj humane e përgjegjësinë për secilin midis nesh, do u kujtonte të gjithëve se përjashtimi apo mënjanimi i këtij grupi shoqëror mund të sjellë pasoja mbi fatin e përparimit të të gjithëve. 

Fëmijët jetimë shqiptarë vuajmë nga shumë dëshira të parealizuara, por kurrësesi ata nuk duhet të vuajnë nga dhuna e abuzimi, prandaj mendojmë që kjo tryezë duhet ti bëjë të ditur të gjithë opinionit publik dhe atij zyrtar kërkesat tona për drejtësi e transparencë ndaj kujtdo që abuzon me ta. 

Aktet në dëm të jetimëve janë tragjike, por akoma edhe më tragjike i bën ato heshtja dhe indiferentizmi i institucioneve, neglizhenca e atyre që e kanë për detyrë të reagojnë. Jo vetëm aktet e dhunës, por edhe abuzimi për të përfituar në kurriz të fëmijëve jetimë siç është provuar  për fat të keq në shumë raste të dëshmuara, duhet të na bashkojnë sot e në të ardhmen për ti ndaluar dhe për të mos i lejuar kurrë ato. 

Shembuj pozitiv ne kemi mjaft,  ku mund të shohim se çdo njeri që përpiqet të bëjë një detyrë shoqërore, ose ndërmerr iniciativën për të kontribuar me vullnetin e aftësitë e tij për shoqërinë,  ka mirënjohjen e respektin e qytetarëve dhe detyrimisht dhe të institucioneve shtetërore, por çdo individ që ndërmerr nisma për të përfitime personale nga një kauze e rëndësishme për shoqërinë, duhet të ketë demaskim dhe të japë llogari para ligjit për veprimet e patolerueshme nga morali ynë shoqëror. Jemi përpara një krize globale, ku vendi ynë po preket gjithnjë e më shumë. 

Jetimët e ndjejnë më shumë se qytetarët e tjerë këtë situatë dhe janë një grupim aq delikat sa mund të bien shumë shpejt preh e krimit të organizuar, për shfrytëzimin e tyre, trafikimin e përfshirjes në rrjete kriminale që shkojnë deri tek dukuritë e ditëve të fundit për ti angazhuar si kontigjente luftëtarësh në  grupet terroriste të ISIS - it. 

Fakti që në Evropë ka një lëvizje të madhe emigracioni ku janë përfshirë edhe qindra organizata kriminale të trafikimit, përbën një rrezik shumë të madh për fëmijët e të rinjtë shqiptarë pa mbrojtje, siç janë jetimët. 

Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë solidarizohet me emigrantët shqiptar që kërkojnë të largohen për një jetë më të sigurtë  dhe më të mirë,  sikundërse edhe me ata që vijnë nga vendet e luftës drejt Evropës, por nuk mund të pranojë mashtrimet e trafikantëve që i nxisin ata të emigrojnë pa e ditur se ku venë. 

Jetimët nuk kanë asnjë mbështetje ekonomike për rrugëtimin apo qëndrimin në këto vende deri sa të gjejnë zgjidhjen e nevojshme, prandaj kemi mbështetur qeverinë dhe kryeministrin në qëndrimin e tyre para opinionit vendas dhe atij të Bashkimit Evropian, duke përcaktuar qartë se emigracioni është një çështje sociale e sigurie por,  ashtu si duhet t'i kërkojmë mundësitë në vendin tonë, edhe Evropa duhet të investojë më shumë për zhvillimin e rajonit tonë që mbart probleme specifike. 

Kundërshtojmë gjithashtu sjelljen raciste të çdo oficeri policie apo emigracioni ndaj atyre të rinjve apo fëmijëve jetimë shqiptar që kërkojnë azil për shkak të rrezikut në Shqipëri nga dhuna, brenda apo jashtë familjes, apo për rastet që ata janë të sëmurë dhe nuk kanë mundësinë e kurimit dhe shërimit në Shqipëri.   

Fakti që Individë të papërgjegjshëm, të përfshirë edhe në krimin e organizuar, kanë krijuar pseudo - shoqata në emër të jetimëve, është alarmante dhe duhet të krijohen organizma të posaçme të verifikimit dhe parandalimit të veprimtarisë së tyre, duke i goditur me forcën e ligjit që në embrion, sepse janë një burim potencial i rrymave dhe veprimtarisë së strukturave të fshehta jo vetëm të krimit të organizuar, por edhe i terrorizmit. 

Në internet janë shfaqur veprime të organizuara kriminale me fëmijët jetimë shqiptar si dhe nxitje e vrasje për gjakmarrje, fakt ky që tregon se ky shqetësim duhet analizuar thellë  edhe nga organet ligjzbatuese të hetimit. 

Fëmijët jetimë e vuajnë të keqen që pllakos një shoqëri më shumë se qytetarët e tjerë,  prandaj është me vend shqetësimi për paraqitjen e padenjë të politikës në sy të familjeve dhe fëmijëve shqiptarë, në veçanti të jetimëve. 

Në çdo shoqëri moderne, me qeveri të përgjegjshme dhe  shtet funksional e solid që zbaton politika të qarta programore në mbrojtje dhe në ndihmë të shtresave të rrezikuara e vulnerabël, merret parasysh fakti se, kur vuajnë jetimët, vuan e gjithë shoqëria. 

Fatkeqësisht, prej 25 vjetësh, politikanët e të dy krahëve u japin shumë rëndësi pasioneve dhe interesave individuale, luftës për pushtet, por  harrojnë se ekzistojnë edhe fëmijët; është një popull i tërë i vuajtur që e do drejtësinë dhe lirinë e tij, e do demokracinë dhe shtetin e së drejtës, sepse ky popull ka vuajtur nga shumë  rregjime e diktatura. 

Jetimët, si gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë, duan të shohin një qeveri të mirë dhe të përgjegjshme për popullin, duan një parlament ku të zotëroj  dialogu dhe debati konstruktiv, duan vendime të përbashkëta, diskutime me vetëpërmbajtje e maturi përballë  çdo sfide në debat, dhe jo këto që shohin përditë në ekranet e mediave të çoroditura nga politika e ditës. 

Politika është e lutur të përpiqet që të mendojë për fatin e qytetarëve, të mendojë për të gjithë njësoj, por kur është puna për jetimët, të ndalë pak më tepër e të mendohet për zgjidhjet e duhura e në kohë të çështjeve dhe problemeve që ata kanë. 

Nuk ka asnjë shkak tjetër përveç atij politik, që  vendi ynë evropian bëhet herë pas here epiqendër e lajmeve për konflikte e urrejtje  sociale, mungesës së drejtësisë dhe transparencës për ata që përfshihen në korrupsion e krime. 

Shembulli i mirë apo i keq i politikanëve është si  pasqyra e prindërve para fëmijëve, që jep impakt të padiskutueshëm tek qytetarët, përfshirë  këtu dhe fëmijët e të rinjtë jetimë. 

Kjo duhet të jetë e qartë për çdo politikan që ka në dorë fatet e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë pa asnjë dallim. Padyshim dhe të çdo jetimi.

No comments:

Post a Comment