Monday, December 9, 2019

“KËPËRATA” E ANALFABETËVE TË POLITIKËS DHE DIJETARËT E BRAKTISUR…!




    Nga ILIR ÇUMANI

“KËPËRATA” E ANALFABETËVE TË POLITIKËS DHE DIJETARËT E BRAKTISUR…!

Pak ditë më parë, po sodisja me ngazëllim maketin dekorativ me përmasa gjigande të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, i publikuar në anën e majtë të godinës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. 

Tek po e shijoja me admirim atë maket,  (në këtë rast nuk më pëlqen të përdor fjalën “instalacion”), befas, m’u shfaqën para syve figurat më të ndritura të rilindjes sonë kombëtare, si: Jeronim De Rada, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Asdreni, Mid’hat Frashëri, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Babë Dudë Karbunara, Zef Serembe, Mihal Grameno, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Jani Vreto, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Ismail Qemali, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qiriazi, Koto Hoxhi, Shahin Kolonja dhe deri tek  Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, etj. 

Të gjithë këta patriotë e mëmëdhetarë të shquar, për aq sa jetuan, bënë gjithçka mundën për pavarësinë e vendit, mbrojtjen, pasurimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përpjekjet dhe privacionet e tyre ishin kaq sublime, saqë nuk kursyen asgjë, duke shkrirë të gjithë pasurinë që ata kishin.

Disa prej tyre u martirizuan, dhanë jetën për gjuhën amtare dhe çështjen kombëtare, siç ishte edhe Prifti Ortodoks Papa Kristo Negovani, me profesion mësues dhe botues, i masakruar në mesnatën e 12 shkurtit të vitit 1905 në pragun e shtëpisë së tij nga vasalët e Karavangjelis-it, peshkop i Kosturit.   njëjtin fat tragjik pati Petro Nini Luarasi, i cili punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës. 

Ai u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësimdhënës. Në vitin 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, ndërsa më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë. 

Pak më vonë (1892-1893), çeli shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, etj.  Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. 

Meditoja para  maketit të atij Fjalori, dhe më erdhi nëpër mend historia tragjike e mësuesit patriot Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Tod’hri, një figurë e ndritur, njeri i nderuar dhe me emër të madh në komunitetin ortodoks të Elbasanit. 

Në vitin 1805, (pra në moshën 75 vjeçare), ai u bë viktimë e dhunës greke dhe asaj turke kundër arsimimit shqip. Gjatë viteve 1751-1801, ai ka administruar Kodikun e Shën Mërisë të kishës së Kalasë. Më pas, shkoi nëpër Evropë për të derdhur shkronjat shqipe, që të krijonte një shtypshkronjë në shqip. 

Shtypshkronjën do ta ngrinte në Elbasan, pasi në këtë qytet kishte shumë tregtarë që shkruanin me alfabetin e tij. Asokohe, Shën Gjoni ishte qendër e shkrimit të shqipes. Dhaskal Tod’hri u vra ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan, në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. 

Vrasja ishte një akt i pashembullt obskurantist i kishës greke, e cila prej kohësh i kishte vënë nga pas agjentët e saj. 

Ky akt mizor, është materializuar me shumë vërtetësi dhe origjinalitet në njërën prej realizimeve të shkëlqyera të kinematografisë shqiptare, në filmin artistik shqiptar “Udha e shkronjave”, i regjisorit të mirënjohur Vladimir Prifti, me skenar të Peçi Dados e V.Prifti. 

Një histori që permes skenave dhe mizanskenave të përzgjedhura në film, veshjeve dhe episodeve të vendosura në kohë, të bën të përjetosh me kaq shumë emocion të gjithë atë përpjekje, heroizëm dhe aspiratë të këtij patrioti  rilindas, por nga ana tjetër, drithërohesh për dramën e ngjarjes që përcillet përmes lojës brilante të aktorëve Sandër Prosi, (Artist i Popullit), në rolin e Dhaskal Tod’hrit dhe Bujar Lakos, (Nder i Kombit), ky i fundit, në rolin e shoqëruesit udhërrëfyes të karvanit me kuaj, me të cilin transportonin arkat të mbushura me gërmat shqipe të derdhura në plumb. 

Mbresëlënëse mbetet për shikuesit e këtij filmi edhe ky dialog i zhvilluar midis Dhaskal Tod’hrit e shoqëruesit të tij Tunxhit, një fshatar besnik dhe i ndershëm, por analfabet, i cili nuk di as shkrim e as këndim. Djaloshi Tunxh e shoqëron dhe i qëndron pranë me fanatizëm Dhaskal Tod’hrit. Ai e adhuron dhe e mbron me kokën e tij mësuesin patriot, nga çdo e keqe që mund t’i dilte përpara, gjatë udhës për transportin e ngarkesës me karvan. 

Është një dialog kur gjatë momentit të rrugëtimit me kuajt e lodhur, dita fillon të erret dhe udha bëhet edhe më e vështirë duke sjellë të papritura e rreziqe. Në një distancë të afërt, befas, Tunxhi dëgjon disa trokëllima kuajsh…

Tunxhi: - Dëgjoj hapa kafshësh zotëri…!

Dhaskal Tod’hri: - Mbase është ndonjë karvan si ne.

Tunxhi: - Kam frikë mos janë koshallet e turkut, (trupat e xhandarëve turq). Me ta se gjej dot fjalën unë!

Dhaskal Tod’hri:- Kam një ferman nga Pashai.

Tunxhi: - Paske mik dhe Pashanë…?!

Dhaskal Tod’hri: - Atë ferman e paguam 1.000 grosh të argjendë. Miqtë e mi mblodhën para për këto shkronja. Njëzet qese gëlltiti ai maskara!

Tunxhi: - Bre, bre, një dynja para për këto copa plumbi…?!

Dhaskal Tod’hri : - Janë flori e shkuar floririt këto shkronja, o bir...! Me to do të shkruhet gjuha jonë, do të bëjmë shumë libra, do mësojnë fëmijët që të bëhen njerëz të ditur, e ç’nuk do të shkruhet me këto shkronja or Tunxh…! Edhe ajo kënga që këndove atje buzë liqenit, do të shkruhet.

Tunxhi: - E si u shkruaka kënga zotëri, ajo këndohet?!

Dhaskal Tod’hri: - Këndohet, por kënga ka fjalë, fjalët shkruhen në kartë e përhapen ngado! Të huajt, duan të na e varrosin gjuhën tënë, edhe këngën, edhe kujtimin e trimave ato shkronja do t’i mbajnë gjallë…

Tunxhi: - Qënkan flori vërtetë zoti Dhaskal!

Dhaskal Tod’hri: - Floriri tretet dhe humbet, kurse gjuha dhe këngët mbeten. Thonë se ai trimi i këngës ka patur një kollan të artë.  Kollana i humbi, kurse kënga i mbeti. E këndoi gjyshi, e këndon ti, do ta këndojnë të gjithë kur të kemi shkronjat tona or Tunxh...! 

Nuk ka si të mos emocionohesh kur dëgjon këtë dialog, që mbart në vetvete fuqinë e pashembullt të mendimit dhe veprimit iluminist, ndien shpirtin idealist dhe human të këtyre patriotëve të vetësakrifikuar, peshën e rëndë të fjalës që zë fill nga historia e përpjekjeve për mbijetesë, përballë zgjedhës obskurantiste otomane, e cila prej 5 shekujsh u përpoq me të gjitha mënyrat që populli ynë të mos e asimilonte kulturën dhe gjuhën e nënës, gjuhën shqipe. 

E teksa hulumtojmë dhe rrekemi të cekim pak histori për këtë çështje, ndihesh i keqardhur dhe i trishtuar njëkohësisht se si në ditët e sotme përdoret dhe keqpërdoret Gjuha Shqipe, si gjymtohet dhe shëmtohet struktura morfologjike e saj nga pjesa më e madhe e njerëzve në jetën tonë të përditshme, në të gjitha nivelet e shoqërisë. 

Ky shqetësim, bëhet edhe më i madh kur keqpërdorimi ndodh nga ajo kategori njerëzish që, përmes mjeteve të komunikimit publik, e përcjellin gjuhën shqipe tek masat e njerëzve të thjeshtë në mënyrë të deformuar, me mangësi të theksuara drejtshqiptimi të gjuhës letrare, pa respektuar aspak rregullat e leksikut dhe të gramatikës. 

Kohët e fundit, është bërë virale përmes rrjeteve sociale diskutimi në parlament i një zonje deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo mbajti një falim me fjalë pa kuptim dhe me gabime trashanike, që e bënin ligjërimin e saj plotësisht të pakuptueshëm dhe tepër grotesk. 

Deputetja e re e opozitës parlamentare e kishte kopjuar fjalimin e mbajtur dikur, po në atë sallë të parlamentit, nga një ish kolege e saj në Partinë Demokratike, të cilin nisi ta lexojë fund e krye me gabime pafund, duke deformuar jo vetëm fjalët, por edhe përmbajtjen, edhe kuptimin e atij fjalimi në tërësi. 

Fjalën “Korporatë” e lexonte “Këpëratë”. Fjalën “Transferim” e lexonte: “Transfermim”. Fjalën “Ujësjellës” e lexonte “Ujësjellje”. Fjalën “Telekomunikacion” e lexonte “Telekomnacon”. Fjalën “Gllabëroj” e lexonte “Gabëroj”. Fjalinë “Ky ligj antidemokratik”, e lexonte “Ky ligj antidemokrat”, e të tjera xhevahire si këto. 

Mbase nuk do të ishte e nevojshme që të merreshim në mënyrë kaq të detajuar me rastin në fjalë, nëse personi që po i referohemi nuk do të ishte një ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë. 

Këtu, shqetësimi duhet marrë seriozisht, ngase kemi të bëjmë me një përfaqësuese të nivelit të lartë në institucionet tona kushtetuese, e cila ka në dorë jo vetëm hartimin, por edhe miratimin e ligjeve të shtetit shqiptar. Pyetja që me të drejtë mund të shtrohet në këtë çast është: cili është mekanizmi dhe filtri që përgjedh kandidatët e përfaqësuesve të popullit në Parlament…?! 

Sipas Institutit të Studimeve Politike, ajo që e bën interesante prezencën e përfaqësueve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, është fakti se rreth 50% e tyre e kanë siguruar mandatin parlamentar në formë preferenciale, për shkak të njohjes, raporteve, apo besimit personal të liderit politik në partitë e tyre. 

Përvoja e 30 viteve të fundit në jetën parlamentare të vendit tonë, ka treguar se ai parlament është i dominuar nga një pjesë jo e vogël me këtë lloj cilësie deputetësh. 

Madje, këtë kategori, po ta mbledhësh në të gjitha legjislaturat e tre dekadave të fundit, përfshi të ngjashmit e tyre, edhe në institucionet e tjera të rëndësishme si në ekzekutivin qëndror, edhe atë lokal, pa lënë mënjanë administratën publike, del se  e gjithë kjo kategori, përbën një “këpëratë” politike të frikshme analfabetësh funksionalë, që i bën karshillëk korporatës modeste të dijetarve dinjitozë, profesionistëve dhe njerëzve të mirëshkolluar. 

Për fat të keq, këta të fundit, një pjesë e mirë janë të braktisur nga politika, madje janë lënë edhe të papunë. Vendin e tyre të merituar në administratën publike dhe në organet e larta të përfaqësimit e ka zaptuar “këpërata” politike e analfabetëve funksional

Le të kthehemi sërish tek shqetësimi i keqpërdorimit të gjuhës shqipe. Mbase kjo temë kërkon një debat të gjerë dhe shumëplanësh nga ekspertët e fushës, por një nga shkaqet e këtij fenomeni lidhet edhe me shkollën dhe edukimin e brezave. Vite më parë, një raport i B.B. nxirrte se 57  % e  nxënësve 15 vjeçarë në Shqipëri janë “analfabetë funksional”, që dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por nuk kuptojnë atë që thuhet. 

U hap debat i gjerë për këtë dukuri, për shkaqet dhe masat që duhen ndërmarrë. Shumë nxënës të fillores dhe të shkollave të mesme nuk dinë t’i shprehin mendimet e veta as me shkrim e as me gojë, por edhe atë që e lexojnë nuk janë në gjendje ta riprodhojnë. Përjashtim, -  thotë raporti, -  nuk bëjnë as studentët. 

Ky “analfabetizëm funksional”, kjo paaftësi e tyre në shkrim e lexim logjik,  vërehet shpesh edhe tek studentët. Fjala vjen, në provimet me shkrim a me gojë, ata përgjigjen vetëm duke i mbetur besnik me përpikmëri tekstit mësimor, në të shumtën e rasteve duke e mësuar përmendësh, ose duke e kopjuar. 

Nuk është çudi që një pjesë të mirë të emrave të patriotëve që përmenda në krye të shkrimit, shumë prej këtyre nxënësve nuk i kanë lexuar, jo më të njohin kontributin dhe veprimtarinë e tyre patriotike në dobi të Kombit. 

Sikurse, nuk është aspak çudi që ka deputetë, përfaqësues të “këpëratës”  politike të “analfabetëve funksional”,  të cilët mund të mos i  njohin mendjet e ndritura të kombit tonë, ngase këta të fundit, nuk kanë asgjë të përbashkë me të parët, sepse përfaqësojnë dëshpërimisht “Korporatën e dijetarëve të braktisur”, pse jo, edhe të “harruar…”. 

Me të drejtë, akademiku i njohur, Prof. Dr. Shaban Sinani, apelon kur thotë: “Gjuha shqipe mund të konsiderohet tani një gjuhë që i mungon higjiena gjuhësore. I mungojnë rojtarët gjuhësorë, i mungon editoria, i mungojnë të gjitha ato kushtëzime që e bëjnë të detyrueshëm përdorimin e njësuar të saj”.

Ishte një gjetje e mençur publikimi i maketit dekorativ i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, në atë mjedis të dukshëm në qendër të Tiranës, i cili është po aq edhe funksional e praktik për t’u përdorur elektronikisht nga çdo qytetar i interesuar.  

 Maketi i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, 
i publikuar në qendër të Tiranës në Muajin e letërsisë dhe Librit. Tetor, 2019
 
“Fjalori i gjuhës shqipe” është fjalori më i madh i paraqitur në versionin shqip – shqip,  i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar dhe ribotuar duke u mbështetur në  Fjalorin e vitit 1980 - të, i ripunuar dhe i përditësuar. 

Ai përmban rreth 35.000 fjalë, 7.000 njësi frazeologjike dhe mbi 100.000 kuptime nga leksiku aktiv i shqipes së sotme, dhe një pjesë të rëndësishme të leksikut pasiv. Më kujtohet, në vitin 1980, sapo kishte dalë në qarkullim ky Fjalor, me një kapak të kuq, një botim voluminoz i Akademisë së Shkencave. 

Atë libër, e kishte blerë dhe marrë me vete mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë Minella Gjiçali. Gjatë zhvillimit të një ore mësimi me ne, ish nxënësit e shkollës 8 - vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, ai nisi me pasion të na tregojë se çfarë përfaqësonte ky botim i veçantë për kulturën shqiptare, për historinë dhe shkencën tonë albanologjike. 

Foli me shumë pasion duke na shpjeguar rëndësinë e atij botimi, peshën që ka gjuha jonë përkrah të gjitha gjuhëve të tjera të botës. Pastaj u drejtua me një shkumës në dorë nga dërrasa e zezë dhe, në mënyrë figurative, nisi të vizatojë një pemë. 

Në fillim vizatoi një trung të madh me shumë rrënjë, më pas, degët që formonin kurorën e atij trungu, të cilat përgjatë shpjegimit i krahasonte me gjuhët e ndryshme që fliten kudo nëpër botë. Sigurisht, mësuesi pasionant, fliste me shumë respekt për kulturën dhe trashëgiminë e atyre gjuhëve indo - evropiane dhe më gjerë. 

Mbaj mend gjithashtu, me kureshtjen e një fëmije naiv, e pyeta se përse në çdo degë të asaj peme të vizatuar në dërrasën e zezë ai kishte shkruar në mënyrë simbolike shumë emra shtetesh, që përfaqësonin gjuhën e tyre, porse në asnjërën nga ato degë nuk ishte e shkruar emri i Shqipërisë, pra gjuha shqipe…(!) 

Ai heshti pak dhe i ngazëllyer u gjegj: “… Atë e lashë t’ua tregoj në fund, ngase gjuha jonë, të dashur fëmijë, nuk i përket asnjërës prej këtyre degëve që ju po shikoni, sepse ajo ndodhet në pjesën kryesore të pemës, te ky trungu i trashë. Këtu ndodhet gjuha jonë e bukur shqipe, nga e cila janë ushqyer dhe kanë dalë si filiza edhe këto degëzime, ja, këto gjuhë që shikoni  në këto degë...(!) E kuptoni pra, sa e vjetër është gjuha jonë...!? 

Pastaj, i entuziazmuar ai ngulmoi: “Po, po… Gjuha jonë është ky trungu kryesor këtu, pa të cilin këto degë që formojnë kurorën e kësaj peme të madhe nuk do të mund të ekzistonin. Këto degë, ia marrin të keqen këtij trungu, - përfundoi me një ndjenjë krenarie ligjëratën e tij mësues Minella. 

Ja, kështu e mbylli shpjegimin e tij, profesori i nderuar pasionant i Gjuhës Shqipe që, për hir të së vërtetës, edhe pas disa vitesh, ende nuk e kuptoja siç duhej thelbin e atij shpjegimi mjaft domethënës, që kishte në vetvete jo vetëm një mesazh të madh, por edhe një filozofi të një të vërtete, që ne shqiptarët na bën të ndihemi krenarë për gjuhën tonë të lashtë dhe të bukur shqipe!



No comments:

Post a Comment