Nga ILIR ÇUMANI*
Sot është 20 Maji, Dita Ko mbëtare e
Jetimëve, që në fakt na kujton se nuk duhet të jetë një ditë ndryshe nga
365 ditët kalendarike që ka viti. Për fat të keq, kjo ka ndodh në
gjithë këto vite.
Zhurma mediatike dhe tam-tamet e propagandës zyrtare e
sjellin atë në formën irreale, të pangjashme me realitetin që kanë sot
fëmijët jetimë në jetën e tyre të përditshme.
Shpeshherë, institucionet
tona shtetërore, të cilat merren me këtë targetgrup të shoqërisë, ashtu
sikurse edhe disa organizata joqeveritare, e paraqesin 20 majin duke e
përdorur dhe keqpërdorur si një ditë “feste” dhe “hareje” për fëmijët pa
kujdesin prindëror.
Shumë prej tyre, në forma krejt të çuditshme e
sjellin atë në formën e mëshirës, që me dashje dhe pa dashje e
deformojnë qëllimin dhe kauzën e vërtetë që duhet të përcjellë kjo ditë,
e fyejnë krenarinë e fëmijëve jetimë duke e cenuar edhe më rëndë
dinjitetin dhe personalitetin që ata kanë.
Në këtë ditë të veçantë, të vegjëlve pa
familje dhe pa kujdesin prindëror, modestisht u ofrohet një pako me
dhurata dhe një organizim festiv, por që në fakt e gjitha kjo nuk
mjafton, ngase të nesërmen e kësaj dite, sërish këta fëmijë i rikthehen
rutinës së zakonshme, duke bërë një jetë jo fort normale, madje edhe të
vështirë e me shumë sakrifica, ndryshe nga ajo që kanë bashkëmoshatarët e
tyre.
Shpeshherë kemi dëgjuar zyrtarë të ndryshëm, gazetarë, madje edhe
deputetë e ministra, që në daljet publike dhe prononcimet e tyre para
mediave krijojnë kakofoni fjalësh e togfjalësh, duke e prezantuar 20
Majin si Dita (Ndër)Kombëtare e Jetimëve.
Kjo ndodhi edhe vitin e
kaluar, kur deputetja socialiste Elisa Spiropali, së bashku me një grup
të miqve të fëmijëve në Kuvend, gra deputete të maxhorancës, organizoi
një teatër të shëmtuar në sallën e Parlamentit shqiptar me fëmijë
jetimë, fatkeq e në pikë të hallit, të cilët i kishin mbledhur nga të
kishin mundur dhe i kishin sjellë aty në Parlament me rastin e 20 Majit
2018.
Në foltoren e Kuvendit, përballë kamerave që transmetonin
drejtpërdrejt shfaqjen e turpshme të radhës përmes një aktrimi
“mallëngjyes”, ajo u premtoi dhe çfarë nuk u premtoi fëmijëve jetimë, të
cilët ishin ulur në karriget e deputetëve dhe i kishin sjellë për dekor
propagandistik.
Që nga ajo ditë, ka kaluar plot një vit dhe ja ku jemi
në 20 Majin e sivjetmë. Çfarë është bërë përgjatë një viti për të
ndryshuar jetën e këtyre fëmijëve…?!
Të gjitha premtimet u harruan, por
ajo që nuk u harrua dhe është ende e freskët mbeti artikulimi i zonjës
Spiropali, e cila si shumë zyrtarë të tjerë, 20 Majin, Ditën Kombëtare
të Jetimëve e artikulonte si Dita (Ndër)Kombëtare e Jetimëve.
Të vjen
keq kur mëson se gabime të tilla bëhen dhe përcillen në mënyrë
jokorrekte në media dhe në publik nga një ligjvënëse apo nga disa
ligjvënës dhe zyrtarë të shtetit, të cilët, propozimin që 15 vjet më
parë e paraqiti pranë Kuvendit të Shqipërisë Instituti Kombëtar i
Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Akademia e Shkencave që 20 Maji të
shpallet si Dita Kombëtare e Jetimëve, vetë këta deputetë e kanë
ratifikuar si të tillë me një ligj të veçantë.
Në fakt, duke qenë se jam
personi konkret, i cili 15 vite më parë ideoi dhe nxiti nismën për të
jetësuar 20 Majin si Ditën Kombëtare të Jetimëve përmes një procedure të
zgjatur deri në Kuvendin e Shqipërisë, shpeshherë më është dashur për
korrektesë që të bëj reagimin tim publik për të sqaruar se, nuk kemi të
bëjmë me një Ditë Ndërkombëtare të Jetimëve, për faktin e thjeshtë se
nuk ka pasur, nuk ka edhe sot një të tillë në mbarë botën.
Nuk figuron në axhendën dhe protokollin
zyrtar të asnjë institucioni ndërkombëtar apo organizmi të ngjashëm siç
janë UNICEF, “Save the Children” apo OKB, që të shënjohet një ditë e
tillë. 20 Maji është një ditë specifike shqiptare, e fiksuar në
kalendarin zyrtar të shtetit shqiptar për të kujtuar në mënyrë simbolike
fëmijët pa familje dhe pa kujdesin prindëror në vendit tonë, pra
fëmijët jetimë të Shqipërisë.
Një ditë si kjo e sotmja është një ditë
solemniteti, e cila është konceptuar për të qenë një moment reflektimi
dhe apeli për mbarë shoqërinë dhe institucionet tona, me synimin për të
ndërgjegjësuar dhe rritur shkallën e vëmendjes e të përgjegjësisë për
këtë shtresë në nevojë të shoqërisë.
Sot, në këtë ditë të veçantë, të
gjithë duhet të ndihemi borxhlinj ndaj fëmijëve jetimë, veçanërisht
institucionet tona shtetërore, të cilat kanë detyrimin ligjor dhe
institucional për rritur kapacitet e mbrojtjes dhe të ndihmës reale për
këtë kategori të veçantë të shoqërisë.
Një shtet potencial dhe një
shoqëri e shëndoshë demokratike janë ato, të cilat investojnë dhe
kujdesen seriozisht për kategoritë sociale më në nevojë dhe më të
pambrojtura, ku pa dyshim njëra prej tyre janë edhe jetimët. Por cilat
janë realitetet…?!
SHTETI DHE MARRËDHËNIA E INSTITUCIONEVE ME FËMIJËT JETIMË
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve
përbën sot një nga drejtimet më të rëndësishme të politikave sociale.
Në
themel të tyre pasqyrohen qartësisht parimet themelore të Konventës për
të Drejtat e Fëmijëve, e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1992,
detyrimet që dalin nga objektivat e mijëvjeçarit të ri dhe instrumentet e
tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, të cilat
theksojnë se fëmijët për shkak të veçorive të moshës, të mungesës së
pjekurisë fizike dhe intelektuale kanë nevojë për mbrojtje dhe vëmendje
të veçantë nga familja dhe institucionet shtetërore, në veçanti ata që
kanë humbur familjen dhe janë të privuar nga kujdesi prindëror, pra
fëmijët jetimë.
Një nga zhvillimet aktuale sot në botë është angazhimi i
të gjitha shoqërive dhe mekanizmave të tyre qeverisës, për një botë të
denjë për fëmijët, ku ata e nisin jetën në mënyrën më të mirë të
mundshme, ku të kenë mundësi të shumta për zhvillimin e aftësive të tyre
individuale në një mjedis të shëndetshëm dhe inkurajues.
Pikërisht ky mjedis duhet të shërbejë si
nxitës për zhvillimin fizik, psikologjik, shpirtëror, shoqëror,
emocional dhe kulturor të fëmijëve jetimë, si një çështje që tashmë
është prioritet global për të gjithë fëmijët.
Shoqëria shqiptare është
bërë pjesë e këtij angazhimi global në realitetin e hidhur, ku një numër
i konsiderueshëm fëmijësh jetojnë në kushte të rënda dhe shpesh pa
mbështetjen e prindërve të tyre, siç janë edhe fëmijët jetimë, fëmijët e
rrugës, fëmijët e shpërngulur dhe ata refugjatë, fëmijët e trafikuar,
fëmijët e shfrytëzuar ekonomikisht dhe seksualisht dhe fëmijët që janë
në burgje.
Realiteti shqiptar prezanton një shoqëri ku problemet sociale
janë të mprehta, ku mirëqenia dhe mjedisi ku jetojmë janë çështje të
prekura përditë, por që çdo ditë nxjerrin nevojën e ndërhyrjes
shumëplanëshe shtet-shoqëri, ku shtresa dhe kategori të ndryshme sociale
vulnerabile dhe të margjinalizuara kërkojnë më shumë vëmendje për
barazi dhe integrim me pjesën tjetër të shoqërisë.
Varfëria e dukshme
mbetet një pengesë e madhe për përballimin e nevojave, mbrojtjen dhe
nxitjen e të drejtave të fëmijëve, pasi fëmijët janë shumë të prekshëm
ndaj varfërisë, e cila godet rrënjët e mundësive për zhvillim, trupat e
tyre ende në rritje dhe mendjet e tyre të brishta.
Në këto kushte,
respektimi dhe vlerësimi i dinjitetit të fëmijëve në përgjithësi,
veçanërisht e kategorive të fëmijëve jetimë, përfshirë këtu fëmijët e
sistemuar në institucionet rezidenciale të përkujdesjes shoqërore, si
dhe të fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar janë një sfidë e madhe, që
lidhet pazgjidhshmërisht me afirmimin dhe respektimin e të drejtave dhe
lirive të tyre themelore, në një shoqëri që përditë aspiron vendosjen
dhe konsolidimin e vlerave demokratike të qytetërimit perëndimor.
Në
jetën e përditshme, të gjithë ne përballemi në rrugët e qyteteve tona me
fëmijët jetimë dhe me të tjerë fëmijë që punojnë për të mbijetuar, pa
marrë parasysh veten dhe dëshirat e moshës.
Ky realitet i dhimbshëm
është dhe duhet të përbëjë shqetësim për të gjithë politikëbërësit dhe
shoqërinë shqiptare në tërësi, pasi jetimët e ngërthyer keqas në
kthetrat e pamundësisë, varfërisë, pabarazisë dhe shfrytëzimit janë
vetëm fëmijë që presin të shohin të njëjtat mundësi, të njëjtin trajtim,
të njëjtën mirëqenie, sikurse pjesa tjetër e bashkëmoshatarëve të tyre.
Pasojat psikologjike te fëmijët jetimë janë akoma më të rënda në një
shoqëri të paintegruar e në varfëri ekstreme si shoqëria shqiptare.
Qenia jetim i një fëmije lë pasoja të
pariparueshme psikologjike, të cilat mund të riparohen apo reduktohen
vetëm në një mjedis të ngrohtë shoqëror që pranon dhe e sheh atë të
barabartë në çdo aspekt.
Nga studime të shumta që ka bërë Instituti
Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nga ana e shoqërisë vihet
re një qëndrim injorues, neglizhues, ku shfaqen hapur emocionet negative
që manifestohen ndaj kësaj kategorie fëmijësh.
Sot, në Europë ka një
lëvizje dhe fluks të madh emigracioni, ku janë përfshirë edhe qindra
organizata kriminale të trafikimit, që përbën një rrezik shumë të madh
për fëmijët jetimë shqiptarë.
Në rezolutën e vitit 2016 që Instituti
Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë e ka vënë në dispozicion të
Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë hedhur firmën e tyre edhe 104
personalitete më të shquara të jetës publike e shoqërore të vendit,
thuhet se: “Shteti shqiptar ka bërë hapa përpara për integrimin në
Bashkimin Europian, por gjendja e fëmijëve jetimë vazhdon të mbetet
shqetësim për faktorin vendës dhe atë ndërkombëtar. Madje, sa vjen e
përkeqësohet dita-ditës.
Nga 184.000 fëmijë në nevojë në vendin tonë,
31.000 janë jetimë, ku mbi 2/3 e tyre përballen me ekstremin e
përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesën, si dhe me abuzimet e veprimet
kriminale ndaj tyre.
Të pambrojtur e të rrezikuar, shumë prej tyre i
nënshtrohen trafikimit e përfshirjes në organizatat kriminale. Asistenca
sociale që duhet të garantohet nga shteti mbulon vetëm 5% të nevojave
minimale të jetesës së fëmijëve jetimëve, në vlerën e 20 USD në muaj.
Nga 31.000 jetimë që numërohen sot në të gjithë vendin, vetëm 360
trajtohen në 9 qendra rezidenciale shtetërore dhe 420 të tjerë në 19
qendra joshtetërore (OJF).
Pjesa tjetër e konsiderueshme e këtyre
fëmijëve që jetojnë në komunitet janë të zbuluar para dhunës, abuzimeve
seksuale e trafikimit për qëllime përfitimi. 100.000 persona me aftësi
të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden sot në të
njëjtën situatë abuzimesh, varfërie e përpjekjesh për mbijetesë, pa
asnjë përkrahje nga shteti apo donatorët.
Faktori vendës edhe ai
ndërkombëtar janë informuar herë pas here nga mediat dhe organizatat
serioze si: UNICEF, “Save the Children”, Instituti Kombëtar i Integrimit
të Jetimëve Shqiptarë dhe “Amnisty International” për rastet e
veprimeve kriminale me fëmijët jetimë e abuzimet në emër të tyre.
Në
ditët e fundit, ato raportojnë se 382 fëmijë jetimë nga Shqipëria u
trafikuan e po shfrytëzohen në rrugët e Londrës, ndërsa 17 fëmijë të
tjerë jetimë po nga Shqipëria kanë përfunduar në duart e ISIS, i cili
bashkëpunon me krimin e organizuar e trafikantët në Ballkan.
Akoma
mbeten të pagjetur mbi 500 fëmijë jetimë shqiptarë të zhdukur nga qendra
e rehabilitimit AGIA VARVARA në Greqi. Qindra jetimë të tjerë janë të
detyruar të emigrojnë për shkak të rrezikut nga gjakmarrja.
Ata janë
trafikuar ose të vrarë sapo janë kthyer në Shqipëri mbas deportimit nga
vendet perëndimore për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre për azil.
Agjencitë tona shtetërore ligjzbatuese të mbrojtjes dhe mbështetjes siç
janë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social
Shtetëror dhe zyrat rajonale të këtij institucioni në qarqe, bashki e
komuna, janë krejtësisht apatikë, gati inekzistente, shumë pak ndikues
për të qenë pranë njeriut në nevojë.
Madje, një pjesë e tyre janë
informale dhe të shkëputura nga realiteti. Këtë fakt e vërteton më së
miri media, e cila është pasqyra e vërtetë e fytyrës sociale që ka
shteti ynë, duke na sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo mbrëmje
përmes lajmeve, kronikave dhe programeve të mirënjohura siç janë
“Shqiptarët për Shqiptarët” në “News 24” dhe “Fundjava Ndryshe” në
emisione investigative, situata dramatike e rrëqethëse, tepër tragjike
me familjet shqiptare.
Kudo, anembanë vendit, bashkëjetohet me
ekstremin e varfërisë dhe familjet e shumta kërcënohen dita-ditës nga
uria, ndodhen në kthetrat e vdekjes.
Ndërkohë, situata konfliktuale
politike prej muajsh ka marrë peng jetën e vendit dhe kërcënon sigurinë
dhe paqen sociale të qytetarëve të vendit. Lajmi i fundit vjen nga
Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, e cila e dënon Shqipërinë me 110
milionë euro, një gjobë ekstremisht e kripur për lëkurën e hollë të
qytetarëve të varfër shqiptarë.
E gjitha kjo ka ndodh për një trill e
kapriçio personale e Kryeministrit Rama në raport me një sipërmarrës të
huaj siç është sipërmarrësi Francesco Begetti.
Nëse Kryeministri ynë
konfliktual do të mendonte në mënyrë racionale e paqësore, duke ndërtuar
marrëdhënie të shëndosha mirëkuptimi me sipërmarrësin gjyqfitues, gjoba
prej 110 milionë eurosh që do të dalë nga xhepi i taksapaguesve më të
varfër të Europës mund të shkonte për të strehuar jo pak, por plot 5.500
familje në nevojë me fëmijë jetimë, që sot ndodhen të pastrehë dhe në
qiell të hapur.
Pa llogaritur një dëm akoma edhe më të
madh, që është shuma prej 479 milionë eurosh e konstatuar nga KLSH-ja,
që qeveria e Kryeministrit Rama i shkaktoi buxhetit të shtetit nga
marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve, e arritur nga
qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të
aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Nëse do të bënim të
njëjtën llogari, nga shuma e mësipërme do të përfitonin sërish banesë
për strehim definitiv plot 23.950 familje në nevojë me fëmijë jetimë.
20 maj, 2019
* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
No comments:
Post a Comment