Monday, April 3, 2017

NJË “BREJTËS” NË ÇADRËN E LIRISË...




                        Nga ILIR ÇUMANI


(Në prag të zgjedhjeve) 

 
Para pak ditësh, po ndiqja me kuriozitet një emision investigativ që transmetohet çdo ditë në një nga televizionet tona kombëtare. 


Atë mbrëmje, emisioni solli në vëmendje të publikut për të dytën herë në harkun kohor të dy muajve të fundit, të njëjtin personazh,  i cili krijonte situata groteske dhe shkaktonte hera herës kaq shumë humor, aq sa mekeshe i tëri dhe të dhembnin brinjët nga të qeshurat. 

Personazhi në fjalë është një individ mjaft interesant dhe kontravers.  Autorët dhe komedianët e fushës së humorit do ta kishin mjaft  të preferuar, mbase edhe një nga personazhet më të spikatur në galerinë e veprave të tyre.   

Ndryshe nga formati që përcjellin këto programe në përgjithësi, që e fokusojnë vëmendjen në tema të mprehta të ditës, nga ato që shqetësojnë më së shumti shoqërinë dhe institucionet tona, që kanë të bëjnë me paligjshmërinë, problemet sociale, korrupsionin dhe abuzimet në dëm të qytetarëve, rasti në fjalë, në pamje të parë duket fare banal, por në thelb, nuk është i tillë.
Ngase nuk ka asgjë më pak dhe asgjë më shumë veç faktit se, individë të tillë mjaft të shkathët e të zhndërvjellët, me veprimet dhe selljet e tyre asociale bëhen padyshim jo vetëm qesharak, por edhe problematikë e të dëmshëm për mjedisin tonë shoqëror. Në rastin konkret, çështja bëhet edhe më serioze kur këta individë pretendojnë se përfaqësojnë në veçanti target grupet vulnerabël të shtresave shoqërore e sociale, siç janë edhe fëmijët jetimë.

Për të mos e zgjatur, po kthehem tek personazhi, duke mos patur si qëllim në vetvete që në këtë shkrim të merrem me individin në fjalë, por më së shumti me fenomenin.  Ngase personazhi Ali Kadi, në këto 25 vjet është bërë tashmë i ”famshëm”, një fenomen i pazakontë i kohës së sotme në këtë periudhë të çuditshme e të çoroditur që ka kaluar shoqëria shqiptare gjatë gjithë tranzicionit. Ai është një burrë zakoni në moshën e tretë, me  shtat mesatar, me thinja dhe me pak flokë në pjesën e ballit. 

Gjithmonë prezantohet i veshur, i kollarisur, pompoz, autoritar, imponues, arrogant, dinak, tinzar, irritues, agresiv, por, kur i’a lyp nevoja bëhet edhe ca “paqësor”, lajkatar, e përulur, servil, hipokrit, lakmues, qejfli, nepsqar, dallaveraxhi, e sidomos, një matrapaz i thekur 24 karat.  Këtë të fundit, e ka profesion të lindur dhe të lidhur me shpirtin. Me një fjalë, e gjitha kjo, i është kthyer në ves, dhe siç thotë populli: “vesi del me shpirtin”.

Aliu, edhe pse ka një edukim shkollor të kufizuar e defiçitar që nga koha e xhaxhit Enver, kjo nuk e ka penguar në asnjë moment të vetëm për të qenë i “sukseshëm” në jetë: ambicioz, sfidues, i pakonkurrueshëm, imitues i sjelljeve dhe qëndrimeve të “burrave” tanë të shtetit, deri në perfeksion.  Është një orator i paparë, që di të tërheqë vëmëndjen e politikanëve dhe të udhëheqësve tanë, duke bërë herë  pas here triblime dhe akrobacira si një zhongler eksemplar në një arenë cirku me klounë. 

Me një fjalë, që të mos e zgjasim, Ali Kadiu është një burrë zamani, i zoti në gjithçka, ngase ai zotëron në mënyrë të shkëlqyer artikulimin e fjalës, gjestikulacionin, magjinë e artit të të folurit në publik, e në këtë mënyrë depërton si me ipnozë tek çdo bashkëbisedues, deri në arritjen e qëllimeve të tij. 

Ekspertët e njohur të gjuhës së trupit, nëse do ta njihnin nga afër Ali Kadinë, do të impresionoheshin, do sugjestionoheshin dhe mahniteshin me këtë fenomen çudibërës të realitetit shqiptar. 

Federata ndërkombëtare e rekordeve të Librit Guinness, nuk do të refuzonte ta përfshinte në faqet e para në enciklopedinë e vitit. Falë këtyre dhuntive, Aliu është bërë mjaft i “sukseshëm” në jetën publike. 

Por ç’farë transmetoi emisioni investigativ që më nxiti të shkruaj këto radhë!? As më shumë dhe as më pak, atë që ndoqën dhe panë me zë e figurë të gjithë shqiptarët: lojën brilante dhe talentin e papërsëritshëm aktorial të z. Ali, që lidhet me ato cilësi që i renditëm pak më lartë. 

Emisioni, solli në mënyrë të dokumentuar dhe kronologjike pjesë nga veprimtaria e tij ndër vite, si një “veprimtar” dhe “aktivist” i shoqërisë civile, në “ndihmë dhe në mbrojtje” të të drejtave të fëmijëve jetimë.  

 Por,  ku konsistonte e gjithë veprimtaria dhe kontributi 25 vjeçar i z. Ali “në ndihmë të fëmijëve jetimë”, sipas emisionit ivestigativ!? Le ti referohemi tre momenteve se ç’farë u transmetua gjatë këtij emisioni. 

Me 20 maj, 2012, në “Ditën Kombëtare të Jetimëve”Aliu, në bashkëpunim me drejtorinë arsimore të Tiranës mbledh në pallatin e Kongreseve jo pak, por plot 2000 nxënës nga shkollat 9 – vjeçare të kryeqytetit, të cilët nuk ishin fëmijë jetimë. 

Duke qënë se mban në xhep shumë tesera partie, (edhe tesërën e PD – së, edhe të PS – së, edhe të PR – së, e, së fundi edhe atë të çamëve), përmes medias, ai  i prezanton këta nxënës shkollash para ish – Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë,  znj. Jozefina Topalli dhe para publikut, sikur ata të ishin fëmijë jetimë. Emisioni,  zbardhi me zë dhe me figurë pjesë nga fjala e tij “brilante” dhe shumë “emocionuese”,  ku u drejtohej nxënësve pjesëmarrës  jo jetimë,  të sjellë me forcë në këtë aktivitet me fjalët:  

“....Të dashur fëmijë, ju nuk jeni më jetimë përderisa ekziston zonja e nderuara Jozefina Topalli dhe zonja e nderuar Liri Berisha....”. 

Kjo situatë qesharake dhe tallëse, nuk kishte si ti shpëtonte një tjetër emisioni të mirënjohur investigativ, e cila e transmetoi më dt. 21.Maj, 2012. Në vijim, programi i para pak ditëve,  publikon një tjetër moment të sjelljes së z. Ali, që i përket dy viteve më vonë, në një tjetër veprimtari me fëmijët, më  20 Maj të vitit 2014.  

 Në pallatin e Kongreseve, me rastin e “Ditës Kombëtare të Jetimëve”, sërish mblidhen fëmijë nga disa shoqata arabe, të cilat u asistojnë atyre me ndihma e pensione. Tashmë, në këtë veprimtari nuk merrnin më pjesë përfaqësues të partisë demokratike, ngase kishin dalë në opozitë, por merrte pjesë  qeveria e re e rilindjes, ku ishin të ftuar kryetari i kuvendit z. Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. 

Nga organizatorët e shoqatave arabe të këtij eventi, i ftuar doemos ishte edhe Aliu, i cili, me intuitën e hollë që e karakterizon, gjithmonë nuk lë shteg që ti shpëtoj situata nga dora. Ai bën gjithçka është e mundur për të rënë në sy të udhëheqësve tanë, duke bërë edhe protagonistin e këtij eventi që paria jonë të ndjehet mirë, sidomos kur ata janë para mediave. 

Aliu Kadiu, del gjithë pompozitet përpara të ftuarve dhe nis të lektroj me oratorinë e tij. Bën eliozhet e radhës për udhëheqësit tanë “bujarë” e “zemërdhembshur” kur ata janë në pushtet, shan dhe hakërrehet kundër atyre që ikin nga pushteti, duke prodhuar në këtë mënyrë një retorikë të pastër politike,  në kurriz të fëmijëve jetimë dhe në favor të politikës. 

Në fjalën e tij përshëndetëse, plot emocion, i “ngazëllyer”  e “fytyrqeshur”,  Aliu u drejtohet sallës, ku në mes të fëmijëve  qëndron paria e vendit. Salla oshëtin e kumbon nga ovacionet dhe  fjalët ekzaltuese e mallëngjese të Aliut i cili thotë:  

“...I nderuar Kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta! I nderuar kryeministër i vendit z. Edi Rama! U ndërrua 2 vjet një qeveri, u ndërrua 6 vjet një qeveri tjetër, u ndërrua sërish një qeveri 8 vjet, por u ndërrua edhe një qeveri 8 vjet të tjera. As edhe një gjë nuk kanë bërë për jetimët e Shqipërisë. Të dashur fëmijë! (u drejtohet fëmijëve të pranishëm në sallë), ngrihuni të gjithë në këmbë dhe duartrokisni për qeverinë e re dhe kryeministrin Edi Rama, i cili do bëjë shumë për ju....”  

Kjo skenë u fiksua bukur në kronikat e ditës nga shumë televizione të vendit dhe i shërbente si një “kartë influence” mjeshtërit  Ali për ta patur mirë me qeverinë.  

 Që nga ai moment,  kanë kaluar edhe 3 vite  të tjera, dhe tashmë po afron fundi i mandatit i qeverisë së z. Rama. Me sa duket, Aliu  nuhat hollë - hollë çdo gjë, ashtu siç di ai. I parashikon dhe i vlerëson të gjitha situatat dhe zhvillimet  politike, e,  me sa duket, edhe kësaj radhe ka ndërruar sërish  mëndjen. 

Ja, kësaj trampoline i ka hypur dhe zbritur  për  plot 25 vjet  (si një modus vivendi),  “president i nderit” i njërës prej shoqatave të panumërta në vendin tonë, Ali Kadiu... Njëherë majtas, dhe një herë djathtas. 

Para kryeministrisë u bënë më shumë se  40 ditë që është ngritur një çadër e opozitës, e quajtur Çadra e Lirisë. Në atë çadër, së bashku me opozitën e bashkuar janë mbledhur e protestojnë paqësisht shumë njerëz, nga të gjitha moshat, nga të gjitha kategoritë dhe shtresat sociale. Janë të pakënaqur dhe të prekur nga keqqeverisja, nga reformat, nga numri në rritje i papunësisë, nga varfëria, nga kanabisi që ka mbuluar të gjithë vendin, nga padrejtësitë sociale, etj. 

Kanë ardhur të protestojnë në këtë çadër nga e gjithë Shqipëria,  për të ngritur zërin dhe kërkuar të drejtat e tyre. E gjitha kjo, është shumë e drejtë dhe mëse normale në një vend demokratik. Por, mes protestuesve të ndershëm e paqësorë, në atë çadër, tek tuk “bubërrojnë” edhe batakçinj, spekullantë, manipulues, matrapazë social, hileqarë, përfitues të krizave politike, që kanë një ngjashmëri ta themi me brejtësit. Po, po, me brejtësit... 

Këta të fundit, nuk kanë asnjë lidhje me njerëzit e ndershëm hallexhinj, të zhgënjyer dhe të dëshpëruar. Nuk e kam fjalën për brejtësit gjitarë  me katër këmbë, por për ata me dy këmbë. 

Ndryshe nga brejtësit me katër këmbë, që bëjnë kërdinë në hambarët e magazinave apo në fushat me të mbjella, “brejtësit” me dy këmbë janë shumë më të dëmshëm dhe po aq të rrezikshmëm, ngase ata brejnë gjithçka gjejnë dhe që kanë të bëjnë me vlerat e shoqërisë. 

Këta “brejtës”, brejnë pa mëshirë “hambarin” e aspiratave, idealeve dhe vlerat humane të një shoqërie që përpiqet të ringrihet, të gjej vetveten dhe të ndërtojë një të ardhme të mirë dhe më të sigurtë. 

Kjo lloj specie njerëzore nuk ka atdhe, nuk ka familje, as edhe fe, e rrjedhimisht,  nuk ka as dinjite dhe as moral. Janë thjesht dhe vetëm “brejtës...”. Këtë të vërtetë e mësova në momentin e tretë nga materiali që transmetoi emisioni investigativ, ku në atë çadër, krahas shumicës së protestuesve të ndershëm, kishte dhe ka  edhe ndonjë “brejtës”. 

Për çudi, në Çadrën e Lirisë, kishte mbërritur edhe “brejtësi” plak Ali. Kishte ardhur nga Çatia e Rilindjes në Çadrën e Lirisë, duke bërë ca rrugë e duke “çarë shtigje” si një mjeshtër gjahu e me përvojë.  Kushedi sa do të ishte lodhur e munduar i gjori, ngase orët biologjike nuk e favorizojnë, sepse vetëm me ligjet  e natyrës askush nuk mund të  bëjë  kompromis. 

E megjithatë “brejtësi” plak kishte mbërritur më në fund, ashtu, gjysëm ulok, gjysëm i tulatur dhe gjysëm i pezmatuar, i penduar e gjithë përulësi para partisë që e kishte tradhëtuar sa e sa herë në gjithë këto vite të tranzicionit, gjatë ndërrimit të pushteteve.   

Kishte ardhur që ti thoshte në publik përmes ekranit gjigand kreut të opozitës Lulzim Basha se, tashmë në moshë kaq të thyer që nuk i mbajnë as këllqet,  ishte  bërë “president nderi” i njërës prej shoqatave të fëmijëve jetimë dhe se kishte plot 25 vjet që e drejtonte atë shoqatë, porse tash e tutje, sërish kishte ndërruar mëndjen:  nuk do të mbështeste më rilindjen e Edi Ramës, por do të mbështeste vetëm Lulzim Bashën si kryeministër i ardhshëm i opozitës. 

E bëri këtë deklaratë Aliu para kryetarit të opozitës,  me pretendimin se ish – ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë,  sot, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës  Erion Veliaj e kishte zhgënjyer fort. Sipas plakut Ali, ish ministri i kishte “grabitur”  60.000 palë këpucë që i kishin ardhë nga Kina për jetimët, dhe se ato  i kishte ndarë vetë Erioni me të “tijët” në partinë e rilindjes. Ish ministri, ato këpucë nuk i’a kishte lënë Ali Kadiut për ti shpërndarë, dhe këtu qëndronte i gjithë zemërimi dhe zhgënjimi i “brejtësit” plak, i cili,  kishte mbërritur me shumë mundime e përpjekje në Çadrën e Lirisë. 

Aliu, pasi ligjëroi e ligjëroi, u çorr në atë çadër, ashtu siç vetëm ai di të shajë e vjell vrer  për qeverinë e rilindjes dhe Edi Ramën në sy të kreut të opozitës, në fund e mori veten dhe nxorri nga xhepi “gurin e fundit të dominosë”, duke i kërkuar “besën” në publik  kreut të opozitës me këto fjalë

“Z. Basha, më ke thënë mik dhe prandaj po të them mik. Po të mos më kishe thënë mik, edhe unë nuk do të kisha thënë mik....” 

Mjaftoi e gjithë kjo skenë, që të krijohej ilaritet tek të pranishmit brenda çadrës dhe që të emocionohej kreu e opozitës Lulzim Basha, i cili i’a kthen me diplomaci  reston Ali Kadiut me fjalët:  

“Po, ti je miku im...”. 

Ja, këto u thanë dhe këto u publikuan në emisionin ivestigativ, që pati në fokus personazhin kryesor me emrin Ali Kadi,  dhe jo vetëm atë. Personazh të tjerë në këtë histori ishin edhe liderët tanë politikë, udhëheqësit e lartë të shtetit, të cilët padashje, (ndoshta edhe për pak vota më shumë në kohë të tilla fushatash), bëhen qesharak dhe bien pre lehtësisht në kurthin banal të këtyre personazheve grotesk, matrapazëve aventurier që vegjetojnë prej 25 vjetësh në gjirin e shoqërisë civile. 

Së fundi,  kam vetëm dy pyetje për kryeministrin e vendit dhe kryetarin e opozitës: 

A është normale që, prej 20 vjetësh shteti shqiptar të sunvencionoj nga paratë e taksapaguesve shqiptarë shoqata të tilla  informale si ajo e Ali Kadiut, që rrisin performancën e abuzimeve, janë pa standarte, pa kapacitete profesionale, të palicensuara dhe mbi të gjitha, janë shoqata që kanë prodhuar në gjithë këto vite nga stafet e tyre elementë me rekorde kriminale, të dënuar nga gjykatat tona, si, pedofilë dhe abuzues të rëndomë në dëm të fëmijëve jetimë...!? 

A ju ka shkuar ndonjëherë në mëndje zoti kryeministër dhe zoti kryetar i opozitës se, duke pranuar të përdoreni për qëllime utilitare të momentit nga sharlatanë e individë të tillë grotesk, nuk ju shtohet asnjë pikë në garën për pushtet, përkundrazi, faqe opinionit publik, e dëmtoni staturën e profilit tuaj social, seriozitetin dhe imazhin e shtetit tonë, kur mbyllni sy e vesh  përballë situatës së rëndë në të cilën ndodhen sot jetimët në mbarë Shqipërinë, pikërisht,  përmes këtyre lojrave të shëmtuara që bëhen mbi fatkeqësinë dhe dinjitetine tyre..!? 

E gjitha kjo është sa qesharake, aq edhe  e papranueshme, një shkelje e hapur e Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, dhe për këtë arsye është e pafalshme! 

Tiranë, 28 Mars, 2017







.

No comments:

Post a Comment