NGA ILIR ÇUMANI
Janë me qindra e
mijëra bashkëmoshatarë miturakë të pafajshëm si Arditi në të gjithë Shqipërinë,
të cilët po heroizohen përballë "kuçedrës" së shëmtuar: VARFËRISË dhe
URISË...
Një tragjedi
shekspiriane "Të rrosh, apo të mos rrosh" e ditëve të fundit ka ndodhur
në landfillin e kryeqytetit pranë varrezave të Sharrës dhe la pa fjalë gjithë
njerëzinë...
Arditi, adoleshenti
17 vjeçar, biri i një punonjësi të Policisë së Shtetit, në përpjekje për t’iu
bërë krah prindërve për të kompensuar në mënyrë modeste të ardhurat e
pamjaftueshme të familjes, duke punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje mes të nxehtit
përvëlues të korrik - gushtit, papritur bie preh e fatalitetit, i masakruar dhe
i copëtuar nga dhëmbët e një përbindëshi metalik (eskavator), përpunues i
mbeturinave.
Adoleshenti Ardit Gjoklaj
Tirana dhe e
gjithë Shqipëria e dalë nga gjumi letargjik gjysëmshekullor, prej afro tre dekadash të tjera, ende po
përpëlitet nga “ethet emoragjike” të një tranzicioni kaotik që tenton të prekë ëndrrën
e qytetërimit perëndimor përmes
përpjekjeve të vazhdueshme të transformimeve në fusha të ndryshme të jetës
politike, kulturore, ekonomike e sociale
të vendit, por nga ana tjetër shfaqet
dhimbshëm pjesa tjetër e medaljes: një tjetër sfond i trishtë, një vend ku çuditshëm dhe në mënyrë cinike luhet
"balloja" e përditshme e luksit dhe e mjerimit.
Protagonistët e
vërtet të kësaj balloje janë: PUSHTETI nga njëra anë, POPULLI – VOTUES nga ana tjetër. Ky i fundit i
mashtruar dhe i lodhur, i varfëruar dhe i uritur, i drobitur dhe i nëpërkëmbur
nga demagogjia, hipokrizia dhe makutëria e politikës së paskrupullt që ditë e natë vërshon ekraneve pafund të
televizioneve dhe u bie tamtamave "për
reformën në drejtësi".
Nuk e di se, nëse
do të ishte gjallë Migjeni, ç'farë elegjie do t’i shkruante legjendës së mjerimit
dhe skllavërimit të kohëve tona, si do
t'i këndonte Lulëve të Vocërr të epokës moderne në “rilindjen” që po jetojnë sot shqiptarët shpresëvrarë nën udhëheqjen e ndritur të sundimtarëve luksokratë...(!?)
Gjithësesi, u prehsh në paqe o engjëll - hero i varfërisë
dhe i mjerimit absurd! Nuk ishte aspak faji yt, që vendi ku u linde dhe nuk
munde që të rriteshe normalisht, s'të të la pakëz ise nga ajri dhe dielli i përbashkët, që edhe Ti të jetoje jetën tënde të cilën
askujt s’ia pate borxh.
Atë jetë që ZOTI t’a
fali me zemërgjërësinë dhe dashurinë e Tij, DJALLI ta rrëmbeu tinëzisht,
pabesisht dhe padrejtësisht, pa llogaritur se nga mosha nuk bëje pjesë në
kontigjentin i mëkatarëve!
Veç të lutem, kur
Zotin ta takosh atje lart, i thuaj se mëkati i Evave dhe Adamëve që sundojnë
dhe drejtojnë sot "kopetë" miliardëshe në tokën që na le si trashëgim,
ka marrë fuqinë e Satanait. Ai mëkat ka përmasat gjigande të një komete
shkatërruese; është bërë i papërballueshëm, i frikshëm, fantazmagorik....
Vetëm një fuqi e
jotja do të mund t’a zhbënte atë! Ndaj të lutem engjëll i mirë, thuaja këto Zotit, pastaj mbështillu ngrohtë në duart
e tij dhe fli i qetë!
Tiranë, më 10 Gusht, 2016
No comments:
Post a Comment