NGA ILIR ÇUMANI
Arsyeja përse
korrupsioni është tepër i vështirë për t'u luftuar me efikasitet të plotë,
qoftë edhe me mjete më të stofistikuara që zotërojnë sot agjensitë shtetërore
të ligjitzbatues, është fakti se, në të nuk përfshihen vetëm ata individë të zakonshshëm
që ushtrojnë paligjshmërinë e tyre në mënyrë sporadike.
Në tipologjinë
klasike të ekzistencës së këtij fenomeni tepër shqetësues, gjithmonë kanë qenë
të përfshirë dhe përfshihen një numër i
konsiderueshëm i atyre njerëzve konspirativ të pamoralshëm por kurajoz, që
zotërojnë funksionet publike dhe që kanë pushtet.
Këta individë, me
veprimet dhe mosveprimet e tyre shpërdorojnë detyrën dhe keqpërdorin besimin e
publikut në mënyrë të kamufluar dhe tepër të zgjuar e të rafinuar, duke
rekrutuar një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh “besnik” në zinxhirin administrativ ku ata veprojnë.
Për rrjedhojë, të
gjithë personat e përfshirë në këtë skemë, kush më shumë, e kush më pak, janë
përfitues përmes abuzimit dhe paligjshmërisë.
FOTO ILUSTRUESE
E veçanta që e
bënë të vështirë luftën ndaj korrupsionit është fakti se, hallkat e zinxhirit që
e mbajnë të sigurt rrjetën e thurrur të këtij sistemi, janë aq fort të lidhura
e të koklavitura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën në mënyrë kapilare, aq sa është e pamundur t'i
zgjidhësh ato nyje dhe fije të dukshme dhe të padukshme që janë përdorë për ta mbajtur sa më
aktiv dhe vital.
Gjykoj se,
fenomeni i korrupsionit, ka një “imunitet” jashtëzakonisht të fortë në një mjedis si ky i yni edhe për shkak të kulturës,
të perceptimit që mbart dhe ushqen në
psikologjinë e vet një pjesë e shoqërisë në raport me të.
Kjo kategori shoqërore, (ku
pjesa më e madhe i përket kontigjentit të
zhgënjyer, dëshpërues dhe të pashpresë), gjithmonë i ka konsideruar dhe i
konsideron të gjithë ata persona që janë të përfshirë në korrupsion si njerëz
të “zot”, të “shkathët”, që janë të aftë të bëjnë atë që shumica e shoqërisë
nuk e bën.
Madje, modeli i përfitimit
përmes abuzimit, duke u pasuruar sa më shpejtë dhe në një kohë të shkurtër në
kurriz të paligjshmërisë, është ai më tunduesi dhe më joshësi që ndodh shpesh
në koracën njerëzore.
Këtu qëndron
dilema: “Të jesh apo të mos jesh, të bëhesh apo të mos bëhesh”, që shpesh, ky grupim njerëzish nuk arrin të kuptojë
qartësisht shkallën e lartë të rrezikshmërisë dhe pasojat që sjell ky fenomen
në dëm të shumicës, në dëm të shoqërive që luhaten në ekzistencën dhe
mosekzistencën e tyre, sidomos në periudha të zgjatura transitore dhe kaq
kaotike siç është shoqëria shqiptare.
Padyshim, armiqtë
më të mëdhenjë të korrupsionit deri në agoninë e tij, kanë qenë dhe janë pushteti
gjyqësor dhe prokuroria, ata që në emër të DREJTËSISË kanë instaluar sistemin e
PADREJTËSISË. Janë disa palo "avokatë” – sekserë që kanë pushtuar tregun
inflacionist të shërbimeve publike me të ashtuquajtura "studio
avokatore", që në vendin tonë janë kthyer në "kopshtarët" më të
zellshëm që gatuajnë në “kuzhinat” e tyre lëndën e parë të korrupsionit dhe “ujisin” dita
ditës “kopshtin” e (pa)drejtësisë. Janë “gjykatat familjare”: baba - gjyqtar, bir
- avokat, nënë – notere dhe mbesë -
"përkthyese".
Të gjithë këta, e
kanë kthyer sistemin e (pa)drejtësisë në një çorbë që nuk e merr vesh i pari të
dytin. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: Me këtë produkt mizerabël do të shpresojnë
dhe gjejnë shqiptarët drejtësi...!?
Ligji i vettingut,
doemos duhet të mos lërë jashtë jo vetëm
atë pjesë të trupës gjyqësore më të korruptuar në rajon dhe më gjerë, por më së
shumti edhe atë kontigjent pseudoavokatësh, adoleshent në profesion, të pispillosur e të kapardisur me veshje super
të shtrejnta firmato, të cilët edhe pse
buzët i kanë ende me qumësht dhe mjekrren me push, falë baballarëve - gjyqtarë
të korruptuar, (edhe pse fëmijët e tyre
nuk i kanë ditët e mjaftueshme të përvojës së punës në profesionin që
ushtrojnë), sot, zotërojnë studio të tilla superluksoze
"avokatie" në qendër të Tiranës, që në fakt, një avokat karriere i
moshës 80 vjeçare me mjekër në Gjermani, në SHBA, në Kanada apo në Zvicër, do
ti kishte zili këta “avokatë” – axhami.
Në respekt të
profesionistëve të vërtetë, duke qenë i kujdesshëm për të mos i përgjithësuar
të gjithë ata gjyqtarë dhe avokatë profesionistë dhe me integritet të plotë në
karrierën e tyre, që nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër paçavure në
mjedisin ku veprojnë këta të fundit, (që nuk janë pak), pa frikë dhe pa asnjë
rezervë, do t’i konsideroja një rrezik potencial për sistemin e drejtësisë, një e keqe e madhe për
mbarë shoqërinë shqiptare.
Disa nga këta
pseudoavokatë, sekserë gjykatash, sot
zotërojnë “studio avokatie” që në fakt s’janë gjë tjetër, veçse studio gjobevënësish ndaj atyre që janë
më të dobëtit e shoqërisë, (viktima dhe
gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të mashtrimit) që për çudi, në
kurriz të këtyre të fundit, këta “avokat – kopshtarë” të korrupsionit, sigurojnë
dhe kalojnë nëpër duart e tyre milionat e punëve të pista duke bërë pse jo, edhe
evazion fiskal.
Këta individë, jo
vetëm që nuk i shërbejnë aspak filozofisë dhe doktrinës së jurisprudencës, por
e deformojnë dhe e dëmtojnë edhe më rëndë atë, sikurse edhe kauzën humane të
atyre që kërkojnë drejtësi sociale, barazi para ligjit nga institucionet
kushtetuese të Shtetit të së Drejtës.
Me një fjalë,
“fshesa” e reformës në drejtësi dhe
ligji i "vettingut", nuk mund të mos përfshijë edhe këta pseudoavokatë, sekserë
gjykatash, të cilët janë një nga arsyet kryesore të korrupsionit në drejtësi,
përmes të cilëve kompromentohen gjyqtarët korruptuar. Ata janë kthyer në "kopshtarët" permanent të krimit
social dhe “ujisin” çdo ditë
"kopshtin" e (pa)drejtësisë në
gjykatat tona.
Kjo do të ishte reforma reale në sistemin tonë të drejtësisë!
Tiranë, më 07 Tetor, 2016
Tiranë, më 07 Tetor, 2016
No comments:
Post a Comment