Saturday, July 27, 2013

JETË TË GJATË DREJTORESHA E PËRJETSHME E JETIMËVE, EVANTHI CIKO!



    NGA ILIR ÇUMANI________



- Fjala e mbajtur me rastin e 85 vjetorit të lindjes se Evanthi Cikos -


I nderuar kryetar i shoqatës “TIRANA"!

Të nderuar pjesëmarrës, të ftuar në këtë përvjetor jubilar!


Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen e thellë, njëkohësisht edhe falenderimet më të përzemërta për vlerësimin që i bëni sot,  në këtë ditë të veçantë, njërës prej figurave më të spikatura të jetës kryeqytetase të 50 viteve të fundit të shekullit që lamë pas, Nënës tonë të shtrejntë, motrës së urtë dhe të dhembshur, edukatores  dhe mësueses së talentuar, personalitetes së spikatur dhe veprimtares shoqërore, njërës prej trashëgimtares së denjë të kulturës dhe arsimit shqiptar,  Evanthi Ciko. 

Me këtë emër të njohur nga të gjithë,  dhe po aq  të dashur nga të gjithë, personifikohet në mënyrë emblematike  dhe unikale,  filozofia e iluministëve përparimtarë, e njerëzve më të shquar humanistë të kombit tonë, siç është edhe misionarja e njerëzimit, e dhimbjes dhe e dashurisë, shënjtorja Nënë Tereza.
Jam i bindur se,  gjithkush nga ata që e kanë  njohur Evanthi Cikon, ka jetuar  dhe punuar me  të, e, që pa dyshim e ka ndjerë nga afër përkujdesjen, këshillën e sinqertë,  dorën e saj të ngrohtë,  sot, do të ngazëllehej e do të lumturohej kur do të mësonte se kjo grua e mençur dhe e urtë,  mbush në këtë ditë që jemi mbledh së bashku, plot 85 vjet, duke qënë ende në mes nesh,  po aq vitale, po aq frymëzuese dhe  magjike,   si një shembull  i shkëlqyer dhe pike e referimi për të gjithë ne  dhe brezat që do të vijnë. 


Ne, ish-nxënësit dhe bashkëkohësit e saj, gëzojmë në këtë ditë së bashku, por, vlerësojmë e respektojmë punën dhe veprën e shkëlqyer të kësaj gruaje të admirueshme,   sepse në personalitetin  e saj është modeluar dhe mishëruar më së miri virtyti, morali i pastër, edukata e punës,    personaliteti i njeriut me vlerë dhe pa bujë, toleranca dhe zemërgjërësia,  që na bënë të kujtojmë dhe kuptojmë se më shumë se kurrë sot shoqëria shqiptare ka nevojë për shembuj të tillë.
Në udhën  85 vjeçare të jetës së kësaj figure sa të thjeshtë, aq edhe komplekse, padyshim, shpalosen natyrshëm dhe ridimensionohen me tërë madhështinë, gjurmët e një jete plotë dinamizëm, dhimbjesh e sakrifica, brengash por edhe optimizmi. 
Pak kush si ajo, ka  patur fatin të ketë përjetur emocionet e një pune specifike që do ta bënte këtë misionare në pak vite aq të njohur dhe aq të dashur për shumë gjenerata fëmijësh jetimë të rritur dhe edukuar prej saj, siç ishin edhe Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë. 
Unë, e kam shprehur edhe herë të tjera, se vërtetë, koha kur Evanthi Ciko  punoi si drejtoreshë në këtë institucion, ishte relativisht jo e gjatë në raport me vitet që kanë punuar edhe kolegë të tjerë si ajo, para dhe pas saj, por fryma dhe filozofia që solli kjo misionare – reformatore  në jetën e këtyre institucioneve, la gjurmë të pashlyera së pari në memorien e atyre fëmijëve  që edhe sot  e kësaj dite e kujtojnë me shumë respekt dhe dashuri, edukatoren, nënën dhe drejtoreshën e tyre Evanthi Ciko. 


Me ardhjen e saj në krye të Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë, nën shëmbullin e filozofisë së saj, ky institucion u shndërrua nga  ai i tipit të shkollave të Makarenkos, ku jeta bëhej në mënyrë kolektive dhe me shumë fëmijë në grup,  në institucion modern e bashkëkohor. 
U ngritën mjedise të këndshme që u  përafroheshin  modeleve familjare. U ndërtuan të tjera marëdhënie midis personelit dhe fëmijëve, marëdhënie të sinqeta të respektit dhe dashurisë reciproke, siç ndodh natyrshëm  mes prindërve dhe fëmijëve.Mund të cilësohen si  raste të  rralla,  që kjo grua fisnike,  ashtu si edhe  Persa Grabova, Kristina Kumi apo Aneta Shuteriqi, të kenë patur  një privilegj dhe status të veçantë nga ato që kanë patur dhe kanë të gjitha nënat shqiptare në përgjithësi. 


Evanthi  Ciko, sot njihet anembanë vendit jo vetëm si nëna e njërit prej figurave më të shquara të artit tonë muzikor, profesorit të nderuar  Zhani Ciko dhe bijës së saj Keti, por më së shumti ajo njihet edhe si nëna e 268 fëmijëve jetimë që i rriti me shumë përkushtim e dashuri, i edukoi, i përgatiti dhe i nxorri në jetë si pjesëtarë të denjë të shoqërisë sonë.   
Këto gjurmë,   shihen dhe lexohen lehtë nga të gjithë ne, në  thinjat e saj që e kanë origjinën pikërisht tek ata fëmijë që kurrë nuk i njohën prindërit e tyre, por që kjo grua fisnike dhe me zemër bujare,   bëri gjithçka që këta fëmijë të mos e ndjenin mungesën e tyre. Ndaj,  si një kompesim për gjithçka ajo ka bërë në jetën e saj,  edhe Zoti e ka shpërblyer dhe po e shpërblen duke e mbajtur gjithmonë midis nesh, të freskët, ashtu si dikur, veçse sot, më e bardhë,  më e bukur si asnjëherë tjetër… 

Qofsh përherë e lumtur dhe e gëzuar Nëna jonë, Edukatorja dhe Mësuesja jonë e shtrejntë! 
Jetë të gjatë Drejtoresha e përjetshme e Jetimëve,  Evanthi Ciko! 

 
Zoti të bekoftë ty edhe familjen tënde!


Me shumë respekt dhe dashuri,

Ilir Çumani

 

Tiranë, më  01.10.2005


No comments:

Post a Comment