Monday, December 16, 2019

OJF-të ABUZUESE ME JETIMËT, S’MUND TË JENË BAMIRËSE...





- Intervistë me z. Ilir ÇUMANI, 
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë -



Sipas studimeve të  bëra, sa fëmijë jetim ka në Shqipëri?

Kjo pyetje që shpesh dhe me të drejtë  bëhet nga gazetarë të ndryshëm, aktualisht nuk mund të ketë një përgjigje të saktë. 
 
Me keqardhje më duhet të përsërisë pohimin tim se deri më  sot, nuk rezulton të jetë kryer ndonjë studim nga asnjë  operator shtetëror apo privat (OJF)  mbi numrin e saktë të fëmijëve jetimë që ka vendi ynë.

Sepse në të vërtetë,  askush nga institucionet përgjegjëse shtetërore, por edhe OJF,  nuk janë në gjendje të thonë  sa është numri real i  fëmijëve jetim sot në  Shqipëri (…?!)

Në fakt,  kemi një  situatë të  rënduar, pesimiste dhe tepër dëshpëruese, pasi panorama që shohim të gjithë në sfondin social, me të gjithë gamën e gjerë të problematikave që kanë sot fëmijët jetimë në mbarë vendin është e trishtueshme, e frikshme... (Po të kemi parashysh varfërinë masive që ka pllakosur shtresat e pambrojtura të shoqërisë, krimin brenda familjes, divorcet, gjakmarrja, fëmijët rom të abuzuar nga  shfrytëzuesit e tyre permanent që janë në radhë të parë prindërit e tyre, etj, etj,  janë tregues sinjifikativ të një numri të konsiderueshëm në rritje të fëmijëve në risk për të mbetur jetim.)

Edhe më e frikshme bëhet kjo situate,  kur shpesh  individë  të papërgjegjshëm,  të cilët  prej vitesh vegjetojnë lehtë në guaskën e OJF-ve brenda Shoqërisë Civile,  të prirur nga protagonizmi shterpë, nihilizmi dhe interesa  të ngushta për përfitime  personale,  nxitohen  dhe nuk ngurojnë aspak për të bërë deklarata të bujshme  me shifra që trondisin vërtetë shoqërinë dhe mbarë opinionin publik, siç ishte deklarata e  bërë në takimin me Kryeministrin nga përfaqësuesi i njërës prej shoqatave që merret me jetimët në vendin tonë, i cili deklaroi se sot në Shqipëri ka 80.000 familje me fëmijë jetimë.
Kjo deklaratë absurde, që  është jashtë çdo përfytyrimi  të cilitdo njeriu normal, nuk ka nevojë për koment.

Sepse,  në radhë të parë ajo mund t’i shërbej atij që e artikuloi me cinizëm dhe për interesa e qëllime që vetë ai i di, por, assesi nuk i shërben fëmijëve jetimë, të cilët presin realisht ndihmën dhe  dorën e ngrohtë të shtetit, por edhe të këtyre organizatave që për  fat të keq, në më të shumtën e rasteve kanë qenë inekzistente, pse jo edhe abuzive e informale në misionin e tyre. Ato nuk kanë mundur të ndikojnë  aspak për të ndryshuar realitetin tragjik të këtyre fëmijëve fatkeq.
  
Të njëjtën mendim,  nuk do të rezervohesha  për t’a shprehur edhe për  institucionet përgjegjëse shtetërore që kanë detyrimin institucional për të përmbushur më së miri të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ligji,  për të përmirësuar sa më mirë që të jetë e mundur statusin social të këtyre fëmijëve në nevojë.

Ç’farë keni bërë ju që fëmijë të kësaj kategorie të ndjehen mirë?


Kemi bërë gjithçka duhet bërë për t’iu rikthyer buzëqeshjen,  shpresën dhe  dinjitetin e nëpërkëmbur këtyre fëmijëve. Kemi mundur të sjellim një klimë të re në mjedisin tonë  social dhe atë shoqëror, për t’i  bërë që të ndjehen të barabartë mes  bashkëmoshatarëve të tyre. Për të kuptuar se edhe ata janë pjesë integrale dhe e qenësishme e  kësaj shoqërie; po aq të vlefshëm dhe të denjë. Kjo është shumë e rëndësishme. 

Nga ana tjetër, si Institut, me mesazhet e shumta që kemi përcjell përmes veprimtarive të ndryshme sensibilizuese, kemi mundur të tërheqim vëmendjen e shoqërisë dhe institucioneve përgjegjëse, të njerëzve të mirë që kanë më shumë mundësi për të investuar dhe për të ndryshuar   sado pak  jetën e këtyre fëmijëve.

Në të gjitha veprimtaritë dhe angazhimet tona, jemi udhëhequr nga filozofia se këta fëmijë vërtetë mund të jenë të ndryshëm,  por  jo të  privuar, aq më keq të neglizhuar dhe të përjashtuar.

Ky është qëllimi, por edhe parimi e dimensioni social që vendet me demokraci të zhvilluara, të konsoliduara dhe të socializuara  investojnë pa kursyer për këtë kategori të shoqërisë, me synimin e vetëm  për t’i rehabilituar dhe integruar butë, me drejtësi  dhe me sa më pak trauma.


OJF-të e tjera ç’farë roli luajnë në këtë drejtim? A ka organizata abuzive?

Duhet veçuar dhe vlerësuar përkushtimi dhe  puna vetëmohuese e disa organizatave që vërtet kanë dhënë dhe japin një kontribut  të çmuar në zbutjen e plagëve sociale të fëmijëve jetimë gjatë gjithë këtyre viteve.
  
Vlen të përmendet shoqata “Bota e Jetimit” me qendër në Kavajë,  e drejtuar me shumë pasion dhe përkushtim nga një zonjë  fisnike e quajtur Dashurie Met’hasani, apo edhe ndonjë tjetër këtu në Tiranë siç është Fondacioni “Shpresë për Botën” që drejtohet nga z. Përparim Demçollari,  i cili që prej vitit 1992 asiston me shumë programe sociale në ndihmë të disa qendrave rezidenciale shtetërore ku trajtohen fëmijë jetim.

Por nga ana tjetër, mendoj se situata në të cilat veprojnë në përgjithësi OJF-të që merren me çështjen e fëmijëve jetimë  nuk është aspak optimiste.
  
Gjithmonë kam qenë kundër atyre modaliteteve dhe tipologjive arkaike  tradicionale me karakter diskriminues e patriarkal, shpesh herë abuziv, që për fat të keq na kanë shoqëruar në këtë tranzicion të zgjatur, por që ende shfaqen dukshëm dhe në forma malinje në mjedisin tonë shoqëror përsa i përket sjelljes dhe trajtimit që i bëhet kësaj pjesë delikate  dhe të pambrojtur  të shoqërisë. 

Të vjen keq kur konstaton se edhe sot, pas 18 vjetësh tranzicion, duke përfituar nga nevojat më jetike të munguara tek këta fëmijë, disa shoqata apo individë që pretendojnë se janë përfaqësues të shtresës së jetimëve, i trajtojnë ata si objekt dhe sende për qëllime përfitimi dhe jo si anëtarë të shoqërisë që kanë nevojë t’u dëgjohet zëri, kanë nevojë për më shumë vëmendje, ngrohtësi, dashuri e respekt njerëzor.

Këta përfaqësues nuk mund të sillen me fëmijët jetimë si “kryepleq” e “bajraktarë” të këtij komuniteti, sepse ata kanë dinjitetin dhe personalitetin e tyre.

Jetimët nuk kanë nevojë për  të ashtuquajtura  “ndihma” me veshëmbathje e ushqime, të zhdoganuara herë pas here në emër të “bamirësisë” nga ndonjë shoqatë abuzive.

Ata s’kanë nevojë as për ata përfaqësues shoqatash, të cilët me “akrobaci trampoline” përdorin si “kartë ligjore”  dhe pa kriter nëpër doganat tona NIPTIN e lëshuar nga shteti, apo edhe ndonjë referencë të lëshuar nga MPÇSSHB  si “garanci morali” për besueshmërinë e tyre.

Të aftë për të manipuluar me trafikun e influences në emër të zyrtarëve të lartë shtetërorë, këta individë, fare haptasi dhe pa i’u dridhur zëri, nuk ngurojnë të deklarohen  dhe të prezantohen  në mënyrë abuzive si OJF – shtetërore pranë zyrave dhe subjekteve të ndryshme me kërkesat e tyre për “ndihmë ndaj jetimëve”,  me qëllimin e vetëm:  fitimin me anë të mashtrimit. 
 
Drejtuesi i njërës prej këtyre shoqatave, me “ligjin e Maliqit” dhe i dehur nga deliri i të vetëshpallurit “president i jetimëve”,  me arrogancën  dhe brutalitetin që e karakterizon, shpërfill strukturat vendimarrëse dhe shkarkon  pa motiv përfaqësuesin lokal të shoqatës së jetimëve në Pogradec. Në vend të tij, ai  emëron si kryetare një punonjëse dogane që s’ka lidhje me jetimët. Shembulli nuk ka nevojë për analizë të mëtejshme. 

Unë do t’i thoja  këtij “kapedani”  që vetë vendos dhe vetë vulos, se shoqatat e jetimëve nuk janë kompani biznesi (SHPK), por mirëfilli, janë  organizata që kanë misione humane dhe solidariteti për njerëzit në nevojë.

Situata është e patolerueshme. Jetimët më së shumti  do të preferonin respektin dhe përfaqësimin dinjitoz të tyre, një ligj sa më të fortë dhe bashkëkohor që i mbron ata si në aspektin social, ashtu edhe në atë juridik. 

Shqipëria tashmë e ka kaluar fazën e tranzicionit dhe nuk mund të prezantohet vazhdimisht si vend i krizave dhe i emergjencave përballë institucioneve ndërkombëtare, të cilat çdo ditë na monitorojnë me shumë kujdes. 

Këta individë të babëzitur nga pangopja, që me maskën e thinjave në kokë i dëgjon të bërtasin gjithë ditën e ditës: “Jam babai i jetimëve”, prej vitesh vazhdojnë të spekullojnë në kurriz të fëmijëve jetimë. Këta sharlatanë - social, ashtu si personazhi grotesk i Nastradinit, janë kthyer në “gjobëvënës” të njerëzve të ndershëm të bisnesit dhe fondacioneve arabe që veprojnë në Shqipëri,  duke u gllabëruar para me anë të mashtrimit në emër të “bamirësisë” për  jetimët. 

Të njëjtën gjë ata bëjnë edhe me ambasadat e akredituara në vendin tonë. Mjerisht, këto para përfundojnë në xhepat e tyre dhe nuk përdoren aspak për jetimët. Kjo është e trishtueshme, sepse ky nuk është vetëm një turp, por më së shumti është edhe një krim social.

Lypset më shumë vigjilencë nga ana e përfaqësuesve të bisnesit, fondacioneve dhe Trupi Dipllomatik, me qëllim që kontributi i tyre të mos shpërdorohet nga këta individë, të cilët, si pleq të lajthitur dhe të trullosur nga makutëria, sillen vërdallë rrugëve të Tiranës dhe Durrësit në pritje të “gjahut” të radhës… 

Nga ana tjetër, individë të tillë  për fat të keq  prej vitesh gjejnë mbështetje edhe nga zyrtarë të lartë të administratës shtetërore;  mbase edhe për shkak të ndjeshmërisë të problematikës që kanë jetimët, apo nga mosnjohja e background-it të cilët ata përfaqësojnë, por, edhe në  këmbim të heshtjes për shumë probleme që sot jetimët kanë.

Zyrtarë të MPÇSSHB dhe drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, duke shfrytëzuar mediokritetin dhe kapacitetin intelektual poshtë nivelit mesatar të përfaqësuesve të këtyre OJF-ve,  u hedhin atyre lëmosha dhe i strehojnë me zyra brenda institucioneve shtetërore, në kundërshtim me ligjin “Për funksionimin e administratës publike shtetërore”. 

Kjo është e patolerueshme, sepse në rastin më të mirë, këta përfaqësues nuk do të kenë kurajon të ngrejnë zërin për hallet dhe problemet e shumta që kanë sot jetimët në mbarë vendin. Ndryshe, ata do të kërcënohen që të dalin jashtë nga këto zyra. 

Në rastin më të keq,  janë të gjitha gjasat për riaktivizimin e skemës së famshme korruptive - tradicionale midis këtij  institucioni shtetëror dhe kësaj OJF-je në kurriz të jetimëve,  me programet sociale që mbështeten me para nga donatorë të huaj dhe Banka Botërore, ashtu siç ka ndodhur në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri.

Gjykoj se jetimët nuk kanë më nevojë për këta përfaqësues - qelepirxhinj e matrapazë social, që në gjithë këto vite s’kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë penguar kauzën dhe integrimin real të tyre.

Jetimët kanë nevojë për një përfaqësim dinjitoz nga ana e drejtuesve të tyre, për një qëndrim të prerë me  kërkesa të ligjshme përballë institucioneve shtetërore që janë përgjegjëse për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe të drejtat që u takojnë atyre për sa i përket strehimit, arsimimit, punësimit, ndihmës shëndetësore dhe gjithçka tjetër që lidhet me fasilitetet që u njeh statusi i tyre ligjor.

Për fat të keq, ende nuk kemi nje strategji të mirëfilltë kombëtare për të ndërhyrë me programe të qarta zhvillimi, me projekte sociale që do të bëjnë të mundur rehabilitimin dhe integrimin e jetimëve, veçanërisht për të rijntë jetimë që mbarojnë shkollat dhe mbeten rrugëve të papunë dhe të pastrehë, për fëmijët e  riskut që janë në komunitet dhe  që përbëjnë numrin më të madh të fëmijëve në nevojë në të gjithë vendin.

 Sa qendra për fëmijët jetimë ka në të gjithë vendin.Deri në ç’farë moshe tregohet kujdes për këta fëmijë. Po më pas ç’farë bëhet me ta?


Në vendin tonë ndodhen 420 fëmijë të institucionalizuar në 11 qendra rezidenciale shtetërore. Afro 600 fëmijë të tjerë  ndodhen të akomoduar  në 17 qendra rezidenciale joqeveritare (OJF) me burime financimi nga këta të fundit apo donatorë të ndryshëm, vendas dhe të huaj. 

Por, duhet theksuar se ky kontigjent,  nuk i përket plotësisht kategorisë  së fëmijëve jetimë biologjik, (pa prindër),  por pjesa më e madhe e këtij kontigjenti i përket kategorisë së fëmijëve jetimë social, (me prindër të divorcuar, me pamundësi ekonomike, apo atyre që u është hequr e drejta prindërore më vendim gjykate,  që u është hequr liria për vepra të ndryshme penale dhe që vuajnë dënimin, etj). Ky është i vetmi burim informacioni i pjesshëm   zyrtar për këtë kategori.

Në të gjitha këto institucione, trajtohen fëmijë jetimë biologjik dhe fëmijë në nevojë. Trajtimi i fëmijëve në këto institucione klasifikohet sipas grup-moshave.

Në institucionet që quhen shtëpi -  foshnjash, trajtohen fëmijë nga mosha 1-3 vjeç. Ndërsa nga mosha 3-6 vjeç trajtohen fëmijë parashkollorë. Nga mosha 6-14 vjeç trajtohen fëmijë të ciklit të ulët dhe 9-vjeçarë nëpër institucione rezidenciale që quhen shtëpi fëmijësh. 

Sigurisht, sistemimi i tyre në këto institucione bëhet duke patur parasysh disa kritere të cilat shqyrtohen nga një komision pranë Shërbimit Social Shtetëror, i cili është autoriteti zyrtar që përcakton vendosjen e këtyre fëmijëve nëpër këto institucione si edhe standartet e shërbimeve  që ato duhet të plotësojnë.
 
Pasi këta fëmijë mbushin moshën 14  vjeç, largohen nga këto qendra dhe transferohen nëpër konvikte ku edhe ndjekin më pas shkollat e mesme, kryesisht ato profesionale. Sigurisht, këtu nis dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për t’ë përballuar shumë vështirësi që u dalin, pasi janë si të thuash edhe jashtë vëmendjes së duhur të institucioneve shtetërore, të cilat nuk tregojnë interesimin e duhur.

Ky fakt, përbën riskun më të madh për të përcaktuar të ardhmen e tyre pa prespektivë.. Shumë prej tyre detyrohen  të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa dhe rrugë të pandershme për të mbijetuar. Kjo është edhe drama më e madhe e jetës së tyre ku shpresat për të ardhmen veniten dhe askush nuk kujtohet më për ta. 

Pamja rrëqethëse që ofron realiteti i jetës së vështirë të të rinjve jetimë nëpër konviktet e shkollave të mesme në kryeqytet nuk ka nevojë për asnjë koment. Prej mëse 20 vjet, këto konvikte janë kthyer në Geto, ku në secilën prej tyre ndodhen 30-40 të rinj të moshës nga 18-50 vjeç. Disa prej tyre janë bërë prindër me fëmijë, por të  pa shpresë dhe të braktisur nga shteti.

Raporti prej 40 faqesh që Amnesty International bëri publik vitin e kaluar, është një akuzë e rëndë që i drejtohet shtetit shqiptar përsa i përket respektimit të të drejtave  të njeriut, duke mos i trajtuar këta jetimë  njëlloj si shtetasit e tjerë të këtij vendi, në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme, duke i lënë përfundimisht të braktisur, pa shkollë, pa punë, pa strehë dhe pa ndihmë mjekësore.

Aktualisht në mbarë vendin, ndodhen nëpër konvikte në të tilla kushte mbi 400 të rinj jetim. Situata është alarmante.

Sa i përgatitur është personeli që ofron këto shërbime? Cilat janë kriteret e përzgjedhjes së kuadrit? A ka fëmijë që dhunohen brenda këtyre institucioneve?

Duhet thënë se pas viteve ’90-të, institucionet e shtëpive të fëmijëve në mbarë vendin, nga pikëpamja e funksionimit, organizimit dhe administrimit, u goditën  rëndë nga një kolaps institucional. Plaga e madhe e korrupsionit nuk kurseu edhe këto institucione me natyrë specifike.
  
Nga një staf tepër i kualifikuar që trashëguan nga e kaluara, këto institucione u zëvendësuan me një personel aspak profesional. Kriteri i vetëm i atyre që punësoheshin ishin  bindjet dhe përkatësia partiake që përfaqësonte individi, si dhe tarafi, miqësia dhe nepotizmi me të afërmit që kishin këta punonjës me drejtuesit e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. 

Këta drejtues, në mënyrë permanente i kanë parë këto institucione si vende ku mund të punësoheshin sa më shumë njerëz, por jo për të ofruar shërbime me standarte ndaj atyre fëmijëve që kishin nevojë për një përkujdesje të veçantë.

U lanë pas dore kriteret bazë që kërkonin një përgatitje profesionale  të këtyre punonjësve që shërbenin në këto institucione tepër specifike, me problematika të  shumta dhe të gjithëanshme. Për rrjedhoj, u ul ndjeshëm në dëm të cilësisë së shërbimeve puna me këta fëmijë.
  
Jemi shumë larg atyre traditave të bukura që trashëguan  nga e kaluara këto institucione arsimore dhe edukative  me një histori të gjatë 90 vjeçare. Sepse sot,  mungon ai  personel i kualifikuar që me një punë më profesionale dhe përkushtim, do të mund të garantonte të ardhmen e këtyre brezave fëmijësh që janë rritur dhe vazhdojnë të rriten aty. 

Fatkeqësisht, të dhënat  tregojnë se fëmijët jetimë që kanë dalë nga dyert e këtyre institucioneve  në 20  vjetët e fundit, nuk janë të integruar. Një pjesë e madhe e tyre janë të paarsimuar; nuk kanë mundur të punësohen dhe te krijojnë familjet e tyre. Kjo flet qartë për punën e dobët  që është bërë dhe bëhet në këto institucione, si dhe për shërbimet me standarte jo cilësore që u ofrohen këtyre fëmijëve. 

Padyshim, përzgjedhja e kuadrit që shërben aty është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror, e cila fatkeqësisht ende  nuk e ka ndjerë përgjegjësinë që ajo ka ndaj atyre fëmijëve që presin më shumë nga dora e shtetit nëpërmjet shërbimeve cilësore.

Për sa i përket pyetjes që bëni se a ka dhunë ndaj fëmijëve në këto institucione, unë do t’ju thosha  se dhuna ndaj fëmijëve shprehet në forma të ndryshme. Nëse tani nuk vihen re raste të dhunës fizike si 2 vjet më parë, kur ne si Institut denoncuam disa të tilla si në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, apo në shtëpinë e foshnjës në Durrës, në Fshatin “SOS” dhe në Shtëpinë e fëmijës në Sarandë, etj, sot, nuk mund të mos  e vësh re dhunën psikologjike, indiferencën e punonjësve ndaj këtyre fëmijëve, neglizhencën që ata herë pas herë e shfaqin hapur me këta fëmijë.

Më thuaj, ç’farë është kjo, nuk është dhunë? Mendoj se është edhe më e rëndë se dhuna fizike, pasi neglizhenca dhe indiferenca lë gjurmë me pasoja të rënda në ndërgjegjen e një fëmije. 

A ka patur program qeveria për rehabilitimin  dhe integrimin e kësaj kategorije? Para 2 vjetësh me VKM është vendosur transferimi i kompetencave për administrim dhe menaxhim të qendrave rezidenciale nga pushteti vendor në atë lokal. Në ç’fazë është kjo procedurë?


Në të vërtetë nga qeveria shqiptare është harxhuar shumë bojë e letër për të hartuar  programe dhe strategji që synonin atë që ju shtroni në pytjen tuaj; rehabilitimin dhe integrimin e fëmijëve jetimë. 
E thënë ndryshe, janë harxhuar shumë para për këtë qëllim. Jo vetëm nga qeveria shqiptare, por më së shumti edhe nga donatorë të huaj, veçanërisht nga  Banka Botërore. 

Ato para kapin shifra marramendedëse në qindra milona euro. Mirëpo, këto projekte nuk gjetën kurrë zbatim nga autoritetet që i ngarkonte ligji, siç ështe MPÇSSHB, Shërbimi Social Shtetëror, dhe disa ministri të linjës; Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Drejtësisë, etj.

Të gjitha këto institucione qëndrore të shtetit, kanë qenë shumë apatike dhe indiferente në përgjegjësitë e tyre. Duke parë këtë situatë, në vitet 2006-2007, janë lëshuar 2 VKM që lejojnë transferimin e kompetencave nga pushteti vendor tek pushteti lokal, duke i dhënë të drejta të plota këtij të fundit për administrimin dhe menaxhimin e këtyre qëndrave rezidenciale shtetërore në përputhje me nevojat dhe gjendjen që kanë këto Bashki dhe Komuna. 

Mirëpo ky proces nuk ka ecur siç duhet, ngase shtetarët vendor  ende nuk po ndërgjegjësohen si duhet për këto përgjegjësi që u ngarkon ligja. 

Në gjykimin tim, mbase do të ishte më mirë që këto kompetenca t’i atribuoeshin prefekturave dhe qarqeve. Kjo do të bënte  të mundur që situata të ishte më e menaxhueshme, rrjedhimisht edhe  më e kontrollueshme.

Ç’mund të na thoni për birësimin,  sa i përhapur është ky fenomen në vendin tonë. Po kujdestaria. Njerëzit me pushtet dhe me mundësi të mira ekonomike janë të gatshëm për të birësuar fëmijë jetimë?

Mendoj se birësimi është një nga aktet më të mëdha humane që mund të realizoj në jetën e tij njeriu. Padyshim, ashtu si në të kaluarën  edhe sot, shqiptarët kanë ditur të tregojnë  potencialin e vlerave të  mëdha të humanizmit që i mbart brenda vetes shoqëria jonë.

Në punën tonë të përditshme, gjithmonë  jemi përpjekur  dhe tentojmë t’i rikthehemi atyre traditave të bukura të trashëguara nga e kaluara, siç është edhe birësimi i këtyre fëmijëve në familjet më të mira shqiptare, ose  marrja e tyre në kujdestari.

Në të vërtetë, kohët e fundit vihet re një përpjekje e përbashkët e të gjithë aktorëve që merren me këto procedura dhe janë të interesuar për të realizuar sa më shumë raste birësimi apo kujdestarie  në dobi të këtyre fëmijëve. 

Vizioni dhe qëllimi i vetëm i të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces,  shtetëror apo OJF,  është deinstitucionalizimi i këtyre fëmijëve dhe vendosja e tyre në familje të re alternative - birësuese, nëse kthimi i fëmijëve bëhet i pamundur në familjet e tyre biologjike.

Kjo do të bënte të mundur shmangien e tyre si kontigjent i riskut, integrimin dhe përshtatjen e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme në jetën komunitare dhe atë familjare. 

Nga ana tjetër, vlen shumë për t’u përmendur shembulli pozitiv që mund të japë një njeri publik. Kjo sjell një impakt domethënës tek të gjithë ata njerëz me mundësira të mëdha që të mos hezitojnë, por të nxiten  për t’u bërë  pjesë të këtij procesi sa të bukur aq edhe fisnik. Mendoj dhe shpresoj se në këtë pikë jemi në udhë të mbarë.

Ju keni shpallur 20 majin si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve. Pse pikërisht kjo datë?

Nisur nga përvoja ime personale dhe jetësore, (pasi vetë kam qenë një ish-fëmijë i rritur jetim në shtëpinë e fëmijës, sepse në moshën 2 muajshe i humba të dy prindërit), duke parë se situata dhe gjendja në të cilën ndodhen sot jetimët në mbarë vendin  është kritike, e dhimbshme dhe tepër e trishtueshme, gjykova për të bërë një lëvizje që do të mund të ngjallte një lloj sensibileteti të natyrshëm tek të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë shqiptare. 
 
Kjo ide që më pas u kthye në lëvizje,  kishte një qëllim  të vetëm; rikthimin e traditave të së kaluarës, që për fat të keq në këto vite të tranzicionit të zgjatur filluan të humbisnin pak e nga pak.

Pra, ideja ishte për të vënë në lëvizje ingranazhet e frymës së solidaritetit njerëzor, të ndihmës ndaj më të dobëtit, ndaj atij që është i pambrojtur dhe në nevojë, duke e bërë kështu shoqërinë edhe më të mirë, më të vetëdijshme dhe shumë të përgjegjëshme. Mendoj se një erë e re po fryn në mjedisin tonë shoqëror. 
 
Data 20 Maj  personifikon jetën tragjike të ndarë në mes të një vajze jetime në shtëpinë e fëmijës në Sarandë, me të cilën fati u soll shumë ashpër duke mos e lënë të jetoj në fëmijërinë e saj të trazuar, pikërisht 35 vjet më parë,  në një ditë të bukur Maji.


Diçka të fundit për të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë.



Mendoni pak çaste se çdo të ndodh nëse fati do t’ju vendoste në anën  e  atyre njerëzve që sot vuajnë padrejtësisht e me shumë dhimbje  dramat e jetës së tyre…!? 

Atëherë do të kuptoni vërtetë se jeta është e shtrejntë dhe për të i’a vlen të sakrifikosh; të japësh gjithçka të mirë dhe pa kursyer nga vetja. Por mbi të gjitha,  nevojitet të japësh më shumë dashuri, më shumë vullnetarizëm dhe solidaritet njerëzor. Kjo është ajo që përvoja dhe jeta ime më ka mësuar. 

Ky mesazh nuk vlen vetëm për ty. Vlen për çdo anëtar të shoqërisë…

Intervistoi: Albert ZHOLI



No comments:

Post a Comment