Monday, August 19, 2013

LYPSARIA, NJË KAMBANË ALARMI PËR TË GJITHË...!





    Nga Ilir ÇUMANI*________


LYPSARIA, NJË KAMBANË ALARMI PËR TË GJITHË...!

  
“Është detyrë kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike në mbarë botën, e parashikuar kjo edhe në marrëveshjet dhe Konventat  Ndërkombëtare  (sipas të Drejtës Ndërkombëtare), që çdo qeveri t’ju asistojë grupeve të popullatës të riskuar dhe në nevojë me programe sociale mbështetëse dhe  plane masash konkrete, për t’i shmangur nga shkalla e rrezikut qytetarët e tyre, me qëllim që ata të mos jenë të privuar dhe të margjinalizuar, por të bëjnë një jetë të dinjitetshme si të gjithë qytetarët e tjerë”.  

Fenomeni i lypsarisë është një fenomen shumë i debatuar në këto vitet e  tranzicionit shqiptar  nga shumë aktorë institucional dhe politikbërës, qeveritar dhe joqeveritar. 

Trajektorja me shumë kurba, me ulje dhe ngritje që ka kaluar shoqëria shqiptare në këto 22 vjet, e shoqëruar edhe nga mungesa e planifikimit të politikave sociale mbështetëse për shtresat në nevojë, përfshirë familjet pa të ardhura dhe me shumë fëmijë, ka bërë të mundur lulëzimin dhe institucionalizimin e fenomenit të lypsarisë, që është një plagë e rëndë sociale dhe një problem shumë kompleks për shoqëritë e konsumit që kalojnë nga njëri sistem në një sistem tjetër. 

Sigurisht, fëmijët që vijnë nga familjet e varfëra dhe me status të dobët social, romët, fëmijët jetimë  dhe ata pa kujdesin prindëror,  kanë qenë dhe janë viktima të lypsarisë,  si rezultat i abuzimit permanent të prindërve të tyre, apo tutorëve, të cilët i shfrytëzojnë maksimalisht, duke u shkaktuar këtyre fëmijëve një traumë të rëndë të aspektit psikoemocional, e për rrjedhojë edhe një rrezik potencial të shëndetit fizik dhe atij mendor.
 Edhe pse janë bërë  shumë përpjekje për të minimizuar dhe parandaluar këtë fenomen me anë të masave të marra nga qeveria dhe aktorët joqeveritarë (OJF), ku janë realizuar me dhjetra e dhjetra tryeza të rrumbullakëta nga institucionet e pushtetit lokal dhe atij qendror, ku nuk ka munguar edhe prezenca dhe ekspertiza e institucioneve të huaja, rezultatet janë të papërfillshme, madje do të thosha se janë dëshpëruese. 

Kurrë ndonjëherë Shqipëria, dhe veçanërisht qytetet e mëdha urbane si: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri, Berati, etj, nuk ka njohur një fluks dhe dyndje migratore të fenomenit të lypsarisë sa në këto 2 -3 vitet e fundit. Grup-targeti më i madh në numër i lypsarisë janë fëmijët e mitur nga komuniteti rom, fëmijët jetimë dhe të moshuarit e braktisur të moshës së tretë, të braktisur nga të afërmit e tyre dhe pa asnjë të ardhur apo pension pleqërie, si edhe invalidët. 

Kjo  panoramë e dhimbshme  migjeniane,   me objekt shtresat më të pambrojtura të shoqërisë,  flet qartë për sfondin gri social  në të cilën  ndodhet dhe prezantohet sot Shqipëria, anëtare  me të drejta të plota në NATO dhe vend aspirant i BE – së.
 Kohët e fundit,  numri i fëmijëve të mitur  që lypin ka ardhur duke u rritur dita ditës. Lokalet e shumta të kryeqytetit në këto muajt e nxehtë të verës janë “pushtuar” nga  armata e madhe e “ushtrisë” së lypsarëve të të gjitha kategorive.  Situata duket se është jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa serioze. 

Piksëpari, ky fakt duhet të alarmojë institucionet  përgjegjëse shtetërore për të ndërhyrë me  masa konkrete, duke përdorur mekanizmat ligjorë dhe administrativ, dhe për të frenuar  e parandaluar fluksin në rritje  të lypsave, veçanërisht në qytetet e mëdha urbane. 

Problemet e mëdha sociale që po kalon sot shoqëria shqiptare, si papunësia, varfëria, divorcet, emigracioni, shtuar këtu edhe efektet e ndjeshme të krizës ekonomike globale ku vendi ynë assesi nuk mund të përjashtohet, kanë  shtuar  edhe arsyet e krizës brenda bërthamës familjare. 

Si rezultat i kësaj,  është rritur  shkalla e konfliktualitetit, e dhunës dhe e destruktivitetit  të familjes. Në shumë raste, këto konflikte kanë  përfunduar me krime  të rënda dhe  humbje jete të njërit apo të dy bashkëshortëve, duke i lënë këta fëmijë në mëshirë të fatit. Ky është kontigjenti më i riskuar dhe më i përdorur për lypsari nga të afërmit dhe tutorët e këtyre fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror.
 Statistikat janë tronditëse. 700.000 deri në 1.000.000 persona janë aktualisht në një varfëri ekstreme për shkak të krizës e papunësisë. Nga 700.000 shqiptarë që kanë nevojë për asistencë, 184.000 janë fëmijë në nevojë, 31.000 prej të cilëve janë fëmijë jetimë. Mbi 2/3 e kësaj moshe përballen me ekstremin e përpjekjeve raskapitëse për mbijetesën. Por,  më të prekurit nga ky ekstrem varfërie e përpjekjesh mbeten fëmijët jetimë. 

Një pjesë shumë e vogël e tyre marrin asistencë sociale. Kjo asistencë që garantohet nga shteti mbulon vetëm 5 % të nevojave minimale të jetës së tyre. Nga 31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 prej tyre trajtohen në 9 qendra rezidenciale  shtetërore dhe 360 të tjerë në 16 qendra  private (OJF). 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara, mes të cilëve, një numër i madh jetimësh gjenden në të njetën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë. 
 Pjesa më e madhe e  kontigjentit të lypsarisë,  janë fëmijët dhe të moshuarit e braktisur,  endacakë të kequshqyer. Një pjesë e tyre  sot vuajnë nga sëmundjet e gojës, ezofagut, stomakut, zorrës së hollë, mëlçisë, fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit,  që në disa raste të çojnë  në MALABSORBIM (keqthithjen e ushqimeve). Nën ndikimin edhe të mungesës së ushqyerjes, me kalimin e kohës, kjo degjeneron  në kequshqyerjen e organizmit që në gjuhën mjekësore quhet MALNUTRICION. 

Është një kambanë alarmi për institucionet e shtetit shqiptarë, veçanërisht për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale që, nëpërmjet zyrave rajonale të tyre,  të marrin  të gjitha masat e duhura për të shpëtuar nga kthetrat e sëmundjes këta fëmijë të abuzuar, por edhe të moshuarit e braktisur – endacakë  që janë kontigjent i lypsarisë për shkak të varfërisë ekstreme, urisë dhe pamundësisë së ushqyerjes.
 Nuk është turp për asnjë shtet, sado i fuqishëm të jetë ai, që në situata të tilla ku vihet re një krizë e thellë ekonomike dhe sociale që rrezikon jetën e qytetarëve të  varfër dhe të pamundur,  të ngrejë  pse jo
 Është detyrë kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike në mbarë botën, e parashikuar kjo edhe në marrëveshjet dhe Konventat  Ndërkombëtare  (sipas të Drejtës Ndërkombëtare), që çdo qeveri t’ju asistojë grupeve të popullatës të riskuar dhe në nevojë me programe sociale mbështetëse dhe  plane masash konkrete, për t’i shmangur nga shkalla e rrezikut qytetarët e tyre, me qëllim që ata të mos jenë të privuar dhe të margjinalizuar, por të bëjnë një jetë të dinjitetshme si të gjithë qytetarët e tjerë.
  
 Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, por edhe shumë aktorë serioz nga shoqëria Civile që merren me mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë  një punë të vazhdueshme për të qenë sensibilizues aktiv, kontribues dhe komplementarë në përpjekjet e përbashkëta edhe me institucionet shtetërore, për të gjetur rrugët dhe mekanizmat efikase për zbutjen dhe parandalimin e këtij fenomeni. 

Por, fatkeqësisht deri tani, nuk është mundur arritja  e një rezultati konkret. Edhe pse janë ndërmarrë herë pas herë operacione dhe fushata sporadike nga Ministria e Brendshme dhe pushteti lokal, për të larguar nga rruga këta lypës, situata është tepër e nderë dhe alarmante.  Mendoj se nuk është kjo rruga e duhur për të minimizuar dhe për të shmangur njëherë e përgjithmonë këtë fenomen. Herë pas here, janë hartuar strategji në planin kombëtar dhe janë realizuar seminare e tryeza të rrumbullakëta që kanë kushtuar jo pak, por dhjetra e qindramijëra euro… 

Më pas janë përgatitur raporte periodike dhe janë sinjalizuar institucionet përgjegjëse dhe institucionet politikbërëse dhe ato të ligjit zbatues, për të marrë të gjitha masat e duhura që fenomeni i lypsarisë të luftohet duke gjetur shkaqet e vërteta që e lindin dhe e sjellin këtë fenomen në mjedisin tonë, siç janë mungesa e planifikimit të politikave sociale mbështetëse për shtresat në nevojë, varfëria masive tek shtresat e gjëra të popullatës nëpër zonat rurale, të cilat me shpresën për t’iu shmangur s’kamjes  dhe kthetrave të vdekjes nga uria, shpresojnë për një jetë më të mirë, duke vërshuar pa orientim në një migracion kaotik drejt qendrave urbane. Pra drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.
 Ajo që duhet të ndryshojë, ka të bëjë me ndërgjegjësimin dhe politikbërjen. Është i domosdoshëm  hartimi dhe zbatimi i programeve sociale nga bashkitë, komunat, qarqet, të cilat problemet e mëdha sociale të shtresave në nevojë i prekin nga afër dhe e kanë më të lehtë të identifikojnë rastet e riskut, me qëllim për t’i shmangur nga kufiri i rrezikut duke u asistuar me programe sociale mbështetëse dhe integruese. 

Me një fjalë, puna me pushtetin lokal është kyçe dhe vendimtare për të ndryshuar dhe përmirësuar gjendjen sociale të grupeve shoqërore që janë në nevojë. Pra, do të thosha se vihet re mungesa e vullnetit politik e atyre njerëzve që kanë marrë votëbesimin e popullit dhe e shpërdorojnë votën e qytetarëve që i kanë votuar.

Tiranë më  14 Gusht, 2012

VO. Komenti është botuar në gazetën "Panorama", datë 15.Gusht, 2012
__________________________________________________________


*Drejor i Përgjithshëm  i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë




No comments:

Post a Comment